
U botua sot Nxitja e parë apostolike e Papës Leoni XIV, vepër e filluar nga Ati i Shenjtë Françesku, mbi temën e shërbimit për të varfrit. Papa denoncon ekonominë që vret, mungesën e barazisë, dhunën kundër grave, mungesën e ushqimit dhe krizën edukative. Ai e bën të vetën thirrjen e Bergoglio-s për migrantët dhe u kërkon besimtarëve të ngrenë “zërin, që denoncon”, sepse “strukturat e padrejtësisë duhet të shkatërrohen me fuqinë e së mirës”
“Dilexi te”: të kam dashur, prandaj të kam zgjedhur. Dashuria e Krishtit, që mishërohet në dashurinë për të varfrit, e kuptuar si kujdes për të sëmurët; luftë kundër skllavërisë; mbrojtje e grave viktima të dhunës; e drejtë për arsim; mbështetje e migrantëve; lëmoshë; barazi. Leoni XIV nënshkruan Nxitjen e tij të parë apostolike, një tekst me 121 pika, që riafirmon mësimin e Kishës për të varfrit gjatë 150 viteve të fundit. Me këtë dokument, nënshkruar më 4 tetor, në festën e Shën Françeskut të Asizit, Papa augustinian ndjek gjurmët e paraardhësve: të Gjonit XXIII me “Mater et Magistra”; të Palit VI me “Populorum Progressio”; të Gjon Palit II, i cili konsolidoi “marrëdhëniet preferenciale të Kishës me të varfrit”; të Benediktit XIV me “Caritas in veritate”; dhe të Papës Françesku, i cili e bëri kujdesin “për” dhe “me” të varfrit një nga gurthemelet e papnisë së tij.
Një vepër e nisur nga Françesku dhe e përfunduar nga Leoni XIV
Vetë Papa Françesku e pati filluar punën mbi Nxitjen apostolike para vdekjes. Ashtu si me “Lumen Fidei” të Benediktit XVI në vitin 2013, edhe këtë herë është pasardhësi i tij ai që e përfundon veprën, e cila përfaqëson një vazhdim të “Dilexit Nos”, enciklikës së fundit të Papës argjentinas mbi Zemrën e Jezusit. Sepse “lidhja” ndërmjet dashurisë për Zotin dhe dashurisë për të varfrit është tejet e fuqishme: përmes tyre, “Zoti ka ende diçka për të na thënë”, pohon Papa Leoni XIV.
“Në fytyrat e plagosura të të varfërve gjejmë vuajtjet e të pafajshmëve” (9).
“Fytyrat” e varfërisë
Të shumta, idetë për veprim e reflektim në Nxitjen e Atit të Shenjtë, në të cilën analizohen “fytyrat” e varfërisë. Varfëria e “atyre, që nuk kanë mjete materiale”, e “atyre që mënjanohen nga shoqëria”; varfëria “morale”, “shpirtërore” dhe “kulturore” (9). Pastaj, shumë forma të reja varfërie, “më të holla e më të rrezikshme” (10), që shkojnë krah për krah me rregullat ekonomike, të cilat e kanë shtuar pasurinë, por jo barazinë.
“Mungesa e barazisë është rrënja e të këqijave shoqërore” (94).
Ekonomia, që vret dhe kultura, që shpërfill
Nga kjo perspektivë, Leoni XIV lavdëron faktin se “Kombet e Bashkuara e kanë përcaktuar zhdukjen e varfërisë si një nga objektivat e zhvillimit të Mijëvjeçarit”. Megjithatë, rruga përpara është e gjatë, veçanërisht në këtë epokë të dominuar nga “diktatura e një ekonomie që vret” (92) dhe nga kultura e hedhurinave, që “toleron me indiferencë miliona njerëz, të cilët vdesin nga uria, ose mbijetojnë në kushte të padenja për qeniet njerëzore” (11).
“Në fakt, të drejtat e njeriut nuk janë të barabarta për të gjithë” (94).
Papa kërkon “shndërrimin e mendësisë”, në mënyrë që dinjiteti i çdo njeriu “të respektohet tani e jo nesër”.
Mikpritja e migrantëve
Më pas, Leoni XIV i kushton mjaft hapësirë temës së migrimit, duke filluar me imazhin e vogëlushit Alan Kurdi, djalit sirian, fotografia e të cilit në anë të detit, pa jetë, u bë virale. Fatkeqësisht, shkruan Ati i Shenjtë, “ngjarje të ngjashme po bëhen gjithnjë e më të parëndësishme, sikur të ishin lajme dytësore” (11). Në të njëjtën kohë, Papa kujton punën e Kishës në favor të migrantëve.
“Kisha, si një nënë, ecën me ata që ecin. Atje ku bota sheh kërcënime, ajo sheh bij; aty ku ndërtohen mure, ajo ndërton ura… Ajo e di se në çdo emigrant të refuzuar, është vetë Krishti, që troket në dyert e bashkësisë” (75).
Lidhur me migrantët, Papa Leoni XIV përvetëson “katër foljet” e famshme të Françeskut: “mirëpritni, mbroni, promovoni, integroni”. Gjithashtu, huazon edhe përkufizimin e tij për të varfrit si “mësues të Ungjillit”.
“Shërbimi për të varfrit nuk është gjest “nga lart poshtë”, por takim mes të barabartëve” (79).
Ideologji, politika mashtruese, indiferencë
Pasardhësi i Shën Pjetrit denoncon më pas se janë “dyfish të varfra” ato gra, që vuajnë nga “përjashtimi, keqtrajtimi dhe dhuna” (12). Bën një reflektim të thellë mbi vetë shkaqet e varfërisë: “Të varfrit nuk ekzistojnë rastësisht, ose nga fati i verbër e i hidhur. Aq më pak varfëria është, për shumicën e tyre, ajo që duan. E megjithatë, ka ende disa që guxojnë ta pohojnë këtë, duke treguar verbëri dhe mizori” (14). Nganjëherë, vëren ai, vetë të krishterët “infektohen nga qëndrime të shënuara nga ideologjitë botërore, ose nga orientimet politike dhe ekonomike, që çojnë në përgjithësime të padrejta dhe në përfundime mashtruese”. Në fakt, ka nga ata që mendojnë “se vetëm qeveria duhet të kujdeset për të varfrit, ose se do të ishte më mirë t’i linte në mjerim, duke u mësuar kështu të punojnë” (114). Një simptomë e kësaj është fakti se lëmosha praktikohet rrallë dhe shpesh përçmohet (115). “Si të krishterë, të mos heqim dorë nga lëmosha”, bën thirrje Papa.
“Ne kemi nevojë të praktikojmë lëmoshën për të prekur trupin e vuajtur të të varfërve” (119).
Në disa grupe të krishtera, vëren më tej Papa Leoni, mungon krejtësisht impenjimi për më të pafavorizuarit (112). Kini kujdes, paralajmëron ai, sepse “ka një lidhje të pandashme ndërmjet fesë sonë dhe të varfërve” (36). Rreziku, pra, është “shpërbërja”, ose “mendësia shpirtërore e kësaj bote” (113).
Dëshmia e shenjtorëve, të Lumëve, urdhrave rregulltare
Për të kundërbalancuar këtë indiferencë, ekziston një botë shenjtorësh, të Lumësh dhe misionarësh. Papa përmend Shën Françeskun e Asizit, Nënë Terezën, Shën Augustinin – i cili pohonte: “Kushdo që thotë se e do Zotin dhe nuk ka dhembshuri për nevojtarët gënjen” (45) – përmend edhe shumë të tjerë. Pastaj, kujton punën e urdhrave rregulltarë për të sëmurët, për mirëpritjen e jetimëve, të vejave dhe lypësve, si dhe për çlirimin e viktimave të skllavërisë.
“Tradita e këtyre Urdhrave nuk ka marrë fund. Përkundrazi, ajo ka frymëzuar forma të reja veprimi përballë formave moderne të skllavërisë: trafikimit të qenieve njerëzore, punës së detyruar, shfrytëzimit seksual, formave të ndryshme të varësisë. Bamirësia e krishterë, kur mishërohet, bëhet çlirimtare” (61).
Një “zë”, që zgjon dhe denoncon
Në Nxitjen apostolike “Dilexi te”, Papa përsërit rëndësinë e edukimit të të varfërve: është “detyrë”, jo ndonjë nder. Ai përmend luftën e lëvizjeve popullore të udhëhequra nga krerë, që “shpesh dyshohen e, madje, persekutohen” (80) dhe, së fundi, i drejtohet gjithë Popullit të Zotit, duke i kërkuar “të bëjë të dëgjohet, pavarësisht se me mënyra të ndryshme, një zë që zgjon, që denoncon, që ekspozohet edhe me rrezikun për t’u dukur i marrë”.
“Strukturat e padrejtësisë duhet të njihen dhe të shkatërrohen me forcën e së mirës” (97).
Është e nevojshme që “të gjithë të ungjillëzohemi nga të varfërit”, këshillon në fund Leoni XIV (102): ata nuk janë vetëm “problem shoqëror”, por “vetë qendra e Kishës” (111)./Radio Vatikani/