Udhëtimi i parë apostolik i Papës Leonit XIV do të jetë në Turqi dhe në Liban

Nga 27 deri më 30 nëntor në Turqi dhe më pas nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor në Liban, pak kilometra nga Toka e Shenjtë: këto janë datat e udhëtimit të parë apostolik të Papës Leonit XIV, që zhvillohet në kuadrin e Jubileut 2025, ka bërë të ditur drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Matteo Bruni, me një deklaratë zyrtare.

Duke pranuar ftesën e kryetarit të shtetit dhe të autoriteteve kishtare të vendit – thuhet në komunikatë –, Leoni XIV do të bëjë një udhëtim apostolik në Turqi nga 27 deri më 30 nëntor, duke shkuar në shtegtim në İznik, me rastin e 1700-vjetorit të Koncilit I të Nikesë. Më pas – vijon deklarata –, duke iu përgjigjur ftesës së kryetarit të shtetit dhe të autoriteteve kishtare të Libanit, Ati i Shenjtë do të bëjë një udhëtim apostolik në këtë vend, nga 30 nëntori deri më 2 dhjetor”.

Dy etapa me vlerë shpirtërore dhe gjeopolitike
Programi i udhëtimit, shton Bruni, do të bëhet i njohur në javët në vijim. Etapa turke, e pritur prej kohësh, sidomos duke pasur parasysh se Papa Françesku kishte konfirmuar tashmë pjesëmarrjen e tij, shoqërohet me vizitën në një vend si Libani, që ndodhet afër vendeve të Jezusit në Tokën e Shenjtë, në kufirin e ndjeshëm me Izraelin – shkruan Avvenire

Për udhëtimin në Turqi kishte folur tashmë Papa Prevost me patriarkun ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeun I, gjatë takimit të tyre më 19 maj, një ditë pas Meshës së fillimit të Pontifikatit të tij, duke konfirmuar dëshirën për t’u takuar në Nike për përvjetorin e Koncilit historik që formuloi Simbolin – kremtimin e fesë – në të cilën të gjithë të krishterët e njohin veten. Një përkujtim për të cilin Leoni XIV ka shprehur që në fillim dëshirën për të marrë pjesë, pasi – siç kishte theksuar në qershor gjatë audiencës me pjesëmarrësit në simpoziumin “Nikea dhe Kisha e mijëvjeçarit të tretë: drejt unitetit katoliko-ortodoks” – nuk bëhet fjalë për “një ngjarje të së kaluarës”, por për “një busull që duhet të vazhdojë të na udhëheqë drejt unitetit të plotë të dukshëm të të gjithë të krishterëve”.

Udhëtimi në Turqi, – shkruan Avvenire – do të jetë padyshim një rast i rëndësishëm dialogu midis Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse, ndërsa vizita në Liban – një vend i martirizuar nga konfliktet, kriza ekonomike, politike dhe humanitare – do t’i japë këtij udhëtimi edhe një domethënie të lartë në planin gjeopolitik./drita.info

Shpëndaje: