Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi ynë, zgjidhet kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare “Shën Çirili dhe Metodi”

mbledhjen plenare të 43-të të Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare Shën Çirili dhe Metodi (KIÇM), e cila u mbajt më 27–28 janar 2026, në ambientet e Qendrës Pastorale “Papa Gjoni i Mirë” në Beograd, Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi ynë i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, u zgjodh kryetar i kësaj konference, që përfshin dioqezat e Europës Juglindore, përkatësisht të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

 

Mbledhja plenare e 43-të e Konferencës u kryesua nga Eminenca e Tij, kardinali Ladislav Nemet SVD, argjipeshkëv i Beogradit dhe metropolit, kryetar i deritanishëm i Konferencës Ipeshkvnore Ndërkombëtare.

Në punimet e KIÇM-së morën pjesë këta anëtarë, që janë edhe pjesë të Konferencës: Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit, nënkryetar i deritanishëm i KIÇM-së; Imzot Gjura Džudžar, ipeshkëv i Eparkisë së Shën Nikollës në Ruski Krstur; Imzot Kiro Stojanov, ipeshkëv i Shkupit dhe ipeshkëv i Eparkisë së Fjetjes së Virgjërës së Bekuar Mari Strumicë–Shkup; Imzot Dodë Gjergji, ipeshkëv i Ipeshkvisë Prizren–Prishtinë; Imzot Fabijan Svalina, ipeshkëv i Sremit; Imzot Ferenc Fazekas, ipeshkëv i Suboticës; Imzot Mirko Štefković, ipeshkëv i Zrenjaninit; Imzot Mladen Vukšić OFM, ipeshkëv i Kotorrit.

Në mbledhje ishin të pranishëm si mysafirë edhe: Imzot János Székely, ipeshkëv i dioqezës së Szombathely-t dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Hungareze; Imzot Petar Palić,  ipeshkëv i Mostarit–Duvnos dhe administrator apostolik i Trebinjës–Mrkanit, nënkryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Bosnjë-Hercegovinës. Në emër të Konferencës Ipeshkvnore Kroate mori pjesë Imzot Ivan Ćurić, ipeshkëv ndihmës i Đakovo–Osijekut. Në mbledhje mori pjesë gjithashtu delegati i Konferencës Ipeshkvnore Rumune, Imzot Cornel Damian, ipeshkëv ndihmës i Bukureshtit.

Në fillim të mbledhjes ipeshkvinjtë u përshëndetën nga tre nuncë apostolik: Imzot Santo Rocco Gangemi, nunc apostolik në Republikën e Serbisë; Imzot Luciano Suriani, nunc apostolik në Republikën e Maqedonisë së Veriut; si dhe delegati i ri apostolik për Kosovën, Imzot Luigi Bianco.

Ipeshkvinjtë në këtë mbledhje plenare reflektuan për disa pika të përbashkëta, siç janë:  vazhdimësia e ecjes sinodale në dioqezat e tyre, i cili, në përputhje me moton “Bashkësi, pjesëmarrje, mision”, synon ta vë Kishën te detyra e saj parësore, që është shpallja e Ungjillit në botën bashkëkohore. Ky theks nënvizon dimensionin misionar dhe sinodal të Kishës, e cila, përmes ecjes së përbashkët, pjesëmarrjes së të gjithë besimtarëve dhe misionit, u përgjigjet sfidave të kohës sonë. Pika e dytë ishte shqyrtimi i dispozitave plotësuese që Konferenca Ipeshkvnore duhet të miratojë në përputhje me normat e përgjithshme të Kodit të së Drejtës Kanonike. Kurse gjatë punimeve, ipeshkvinjtë i kushtuan vëmendje të veçantë përgatitjes së vizitës Ad limina Apostolorum, vizitë e ipeshkvinjve të KIÇM-së te Ati i Shenjtë Papa Leoni XIV dhe Selia e Shenjtë, e cila do të zhvillohet nga 14 deri më 19 dhjetor 2026.

Dhe krejt në fund të mbledhjes plenare, duke qenë se këtë vit përfundojnë mandatet pesëvjeçare të kryetarit dhe nënkryetarit aktual, ipeshkvinjtë e zgjodhën kryesinë e re me këtë përbërje: Imzot Dodë Gjergjin, kryetar të ri të KIÇM-së, Imzot Fabijan Svalinën, nënkryetar, dhe Imzot Mirko Štefkovićin, sekretar të përgjithshëm të ri. Mandati i tyre fillon më 1 qershor 2026.

Konferenca Ipeshkvnore Ndërkombëtare e Shën Çirilit dhe Metodit vepron që nga 22 dhjetori 2004 dhe përbëhet prej Dioqezave të shteteve të Europës Juglindore, përkatësisht të Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Ipeshkvit tonë i urojmë detyrën e re me shumë përgjegjësi dhe e lusim Zotin tonë Jezu Krishtin që ta ndihmon në kryerjen e kësaj detyre, që ia kanë besuar bashkëvëllezërit e tij ipeshkvinj./drita.info

 

Për Dritën:

Don Fatmir Koliqi, zëdhënës i Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë

Shpëndaje: