
Homelia e Imzot Dodë Gjergjit në meshën përkujtimore kushtuar Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, më 10 janar 2026.
Të nderuar autoritete politike,
të dashur miq të Imzot Nikë Prelës dhe Imzot Mark Sopit,
vëllezër dhe motra,
jemi mbledhur sot me zemër të rënduar dhe njëkohësisht me shpirt të ngazëllyer për të përkujtuar dy kolosë të Kishës sonë: Imzot Nikë Prelën, për të cilin kujtojmë 30-vjetorin e ndarjes nga kjo jetë, dhe Imzot Markë Sopi, për të cilin përkujtojmë 20-vjetorin kalimit në amshim, në shtëpinë e Atit tonë qiellor, nga ku na shikojnë neve sot dhe ju gëzohen arritjeve tona në përgjithësi: kishën që kishin ndërtuar, lirinë që e kishin dëshiruar dhe mëvetësinë e vendit, për të cilin kishin vuajtur, sakrifikuar dhe punuar shumë deri sa ishin gjallë mbi tokë.
Solemniteti i sotëm, nuk është vetëm një moment përkujtimi për të ri-memorizua dëshminë e tyre në veprën historike të Kishës katolike në popullin tonë, por një momente lutje për ta, një gjeste falënderimi për dëshmitë e tyre që na frymëzojnë dhe na bëjnë krenar.
Leximi i pjesës së Librit të Ezekielit profetë, që posa e dëgjuam merr jehonë të veçantë në këtë çast përkujtimi për barinjtë tanë, Mark Sopi dhe Nikë Prela, pasi vjen si Fjalë e Hyjit që premton, se Ai vetë do t’i kërkojë delet e veta, do t’i mbledhë, do t’i shërojë dhe do t’i çojë në kullota të pasura.
Kjo nënkupton se jeta e ipeshkvit dhe shpabesa e tij baritore nuk janë personale, por shprehje e dashurisë së Zotit për popullin e vet, nëpërmjet jetës së barinjve të popullit vet. Është Hyji, ai që në kohë të errëta i bën dritë shprese, dhe punëtorë të vyer të cilët, duke i përngjarë Bariut të Mirë, kërkojnë të humburën, forcojnë të ligështuarën, shërojnë të plagosurën, forcojnë në besim grigjën dhe mbajtën gjallë shpresën.
Sot, duke i kujtuar me mirënjohje dy barinjtë tanë, ne njëkohësisht dëshmojmë se Zoti vazhdon të kujdeset për grigjën e vet përmes barinjve, të cilët janë jetë e dhuruar për Zotin – në shërbim të popullit.
Në vazhdimësi të fjalës së Ezekiel profetit, ku Zoti premton se Ai vetë do ta kërkojë dhe do ta bashkoj grigjën e Tij, Ungjilli sipas Mateut (28,16–20) na tregon se si realizohet ky premtim në histori. Pasi, Bariu i Mirë – Krishti i ngjallur para së të ngjitej në qiell, iu kërkoj nxënësve të vet të vazhdojnë misionin shpëtimtar të tij duke iu thënë: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë ‑ deri në të sosur të botës!”
Në këtë çast përkujtimi, fjalët e shkrimeve të shenjta kanë ndriçuar jetën edhe shërbimin e barinjve tanë. Si nxënësit në Galile, mes adhurimit dhe pasigurisë, por të mbështetur në pushtetin e Krishtit dhe në premtimin e pranisë së Tij, ata u bënë “Arkë e Besëlidhjes” ku ruhej guximi i besnikëve dhe të qëndrueshmëve, vegla këto për të mbledhur të shpërndarët, dhe Zëri i Zotit që vazhdon t’i ftojë edhe sot njerëzit në jetën e Hyjit nëpërmjet pagëzimit, duke e ruajtur fenë e tyre me besimin me mësim e me dëshmi.
Nga Ezekieli te Ungjilli, nga premtimi te përmbushja, Kisha sheh se Zoti vazhdon ta dojë dhe ta udhëheqë grigjën e vet përmes barinjve që, me jetën e tyre të dhuruar, e kanë shpallur se Krishti është me ne deri në të sosur të botës.
Imzot Nikë Prela – ipeshkëv i qëndresës
Nëse i referohemi Imzot Nikë Prelës, atëherë mund të themi që ai shërbeu në një kohë kur gjithë veprimtaria e baritore ishte e mbyllur brenda oborrit të kishës. Besimtarët ishin të braktisur nëpër zona rurale ose po largoheshin nëpër vende të jeta të botës për të siguruar bukën e fëmijëve të tyre. Në kohën kur mungonin kishat, librat e thirrjet të shenjta meshtarake dhe rregulltare. Në kohën kur në realitetin katolikë të ish-Jugosllavisë as ai as besimtarët e tij shqiptarë nuk kishin ndonjë rëndësi.
Nuk ishte më e mirë as gjendja në përgjithësi në gjithë Kosovën, sepse shumë shpejt pasi e filloi shërbesën baritore në Kosovë, ajo pak liri që ishte kishte filluar të shuhej, kur të drejtat për punë, për shkollim e për fjalën e lirë rrëmbeheshin njëra pas tjetrës, kurse nevoja për ta ngritë zërin ishte më se e nevojshme. Pra, ishte koha kur çdo ditë ishte një betejë për shpirtin dhe besimin. Po, edhe nevoja për të qenë besnik ndaj popullit të tij ishte më se e nevojshme.
Në këtë kohë të represionin Imzot Nikë Prela, ishte bërë fortesë e shpirtit të popullit të vet. Ai u bë mbështetje morale për klerin dhe besimtarët, shembulli i qëndrueshmërisë, guximit dhe besnikërisë si ndaj Hyjit, Kishës dhe popullit vet.
E kur, populli rezistonte kundër padrejtësive që i bëheshin, në zyrën e tij “faleshin” dhe prej tij këshilloheshin të gjitha personalitetet e rezistencës paqësore dhe aktive. Ishte ai i vetmi autoritet në vende që e theu heshtjen institucionale dhe doli në mbrojtje të minatorëve, me qëllim që t’i jepte forcë qëndresës së popullit vet.
Ai nuk kishte shumë mundësi për të ndryshuar realitetin, por na dha forcën e dashurisë për Kombin, në situata të forta pasigurie na mësoj të shpresojmë, e ta kthenim heshtjen në zë lutjeje dhe dëshminë e veprave të dashurisë, si akt revoltë kundër dhunës dhe terrorit që pushteti ushtronte kundër popullit tij.
Imzot Nikë Prela na la një trashëgimi të pakrahasueshme guximi, qëndrese dhe dashurie të palëkundur për Kishën, për besimtarët edhe për popullin tonë. Ai na kujton se udhëheqja sipas Krishtit është shërbim, besnikëria është sakrificë dhe se dashuria për njerëzit është forca më e madhe që mund të udhëheqë një barí. Këndej, trashëgiminë e tij nuk mund ta shohim vetëm si historike, por ajo është udhërrëfyes.
Markë Sopi, dëshmitar në kohë lufte
Përveç Imzot Nikë Prelës, sot jemi mbledhur për të përkujtuar një udhëheqës tjetër të jashtëzakonshëm të Kishës sonë në Kosovë, Imzot Markë Sopi, në 20-vjetorin e ndarjes së tij nga kjo jetë. Ky nuk është thjesht një përkujtim; ky është një rrëfim për guximin, shërimin dhe shpresën që ai solli për besimtarët dhe për Kishën.
Në errësirën e paraluftës ai ishte mbrojtës i përkryer besimtarëve, shembull i dashurisë dhe përkushtimit shpirtëror. Me një përvujtëri dhe urti të bariut të mirë, pikërisht sikur mëson Ungjilli, se ata që mbahen për sundues të popujve, i sundojnë me ashpërsi dhe qeveritarët e tyre ushtrojnë mbi ta pushtetin e tyre. Kështu veç, nuk duhet të jetë ndër ju. Përkundrazi, kushdo prej jush që do të jetë më i madh, le të bëhet shërbëtori juaj, dhe ai që prej jush do të jetë i pari, le të bëhet skllavi i të gjithëve. Ky ishte misioni i Imzot Markë Sopit gjatë gjithë jetës së tij.
Ai shkëlqeu me veprimtarinë e tij edhe pas pasojave shkatërruese të luftës dhe dhunës në Kosovë. Ku e gjithë Kosova ishte shndërruar në një vende të shkretë: familje të shkatërruara nga dhimbja e më të dashurive, njerëz të mbetur pa kulm mbi krye, fshatra të zbrazura, shtëpi të djegura e institucione të rrënuara. Ky ishte ambienti ku ai duhej ta drejtonte Kishën, ta dëshmonte kujdesin e bariut për grigjën e dashurinë për popullin e vet.
Si par luftës, ashtu edhe pas lutës, Imzot Marku nuk u thye duke i shikuar plagët e njerëzve as nuk u dëshpërua duke përjetuar vuajtët e tyre. Por, ai zgjodhi të bëhej protagonistë i shërimit të plagëve të tyre, duke koordinuar ndihmat që vinin nëpërmjet kishave simotra nga shumë vende të botës, me qëllim që t’i ndihmonte njerëzit të jetonin, t’i rindërtonin shtëpitë e të edukonin fëmijët e tyre. Mbi gjitha ai dha një kontribut të veçantë për të ruajtur besimtarët e tij dhe popullin tonë në përgjegjësi, që paqja e fituar dhe liritë që po i shijonin të mos damkoseshin nga urrejtja apo hakmarrja njerëzore.
Pati guximin të bashkëpunonte dhe të dëshmonte me udhëheqësit e bashkësive tjera fetare në vend për ta ruajtur harmonin ndër fetare e dashurin ndër vëllazërore mes nesh. Po edhe nuk pushoi duke u koordinuar me institucionet vendore e ndërkombëtare, të po sa formuar, që të jepte kontributin e tij për ndërtimin e paqes dhe për promovimin e pajtimit pas luftës.
Imzot Markë Sopi, ishte kontribuues i vyer gjatë procesit të shërimit dhe ripërtëritjes së popullit tonë pas luftës. Së bashku me Presidentin historik, Ibrahim Rugova, u bënë gur këndi i kësaj Katedrale dhe na u bë dëshmi se Kishën nuk e mbajnë vetëm muret, por zemrat e besimtarëve e guximi për veprim i barinjve.
Vëllezër e motra,
Më e madhe se të gjitha veprat e jetës së Imzot Sopit, është dëshmia e tij para Kancelarive të botës, e sidomos ajo para Kongresit të Shteteve të Bashkuara, se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur dhe se ne nuk kemi frikë nga populli ynë e as nga vëllezërit tanë mysliman.
Kur sot përballemi me disa realitete të padëshiruara, disa ide të shëmtuara dhe me disa individë, grupe të organizuara që punojnë në rrënimin e vlerave të kësaj dëshmie, dikush mund ta shef pohimin e Imzot Markut si naivitet, ose si vetëmashtrim të kishës që shpresonte në pashpresi. Por, jo! Pasi ne akoma besojmë, e jemi të bindur, që populli ynë dhe shteti jonë do t’i mbesin besnikë dëshmisë së Imzot Prelës e Imzot Sopit, dhe përkushtimit të përbashkët për të ndjekur rrugën e paqes dhe bashkëjetesës ndervëllazërore, respektimin e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe qytetërimet që natyrshëm i takojmë, që për ne është qytetërimi i dashurisë.
Ky ripohim i imi i dëshmive të mëparshme nuk është një iluzion por një realitet, që mbështetet në themelet e kësaj Katedrale ku me liri të plotë po i përkujtojmë prelatët e kishës sonë.
Pastaj është fakti që ne jetojmë në paqe me vëllezërit e motra tona myslimanë, nuk na pengon njeri që ta shpallim Lajmin e Mirë e t’i ftojmë të gjithë njerëzit që të besojnë e ta pranojnë Krishtin. Ndoshta, fakti që shumë gra e burra, në lirinë e tyre kanë pranuar të pagëzohen është dëshmia më e fuqishme e bindjes sonë. Së ne nuk kemi frikë nga vëllezërit tanë myslimanë, pasi njerëzit tanë me liri të plotë guxojnë të besojnë në atë që duan e të jetojnë fenë e tyre pa pengesë.
Në fund, zëshëm me duhet të them se bashkëjetesa ndërfetare nuk rrezikohet duke i përdorë frytet e lirisë, nuk mund të jetë e qëndrueshme pa bindje dhe se paqja nuk prishet duke e përdorë, por duke ia cenuar atë lirinë njeri-tjetrit.
Mbi gjitha iu them atyre që janë pagëzuar, që pagëzimi nënkupton rilindjen, që do të thotë një jetë të re në shpresë e dashuri. Këndej, i ftoj që ata të dëshmojnë lumturinë e tyre që e kanë gjetur Hyjin Dashuri, e të mos përçmojnë përvojat e mëparshme. Pasi e drejta për t’u përcaktuar dhe për të përzgjedhur përcaktimin fetarë të ndihmon por nuk të përtërinë që të jesh, më mi mirë, më i ndershëm e më i përkryer në dashuri si ndaj Zotit ashtu ndaj kombit.

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër

