
Në ditët e para të muajit shkurt, qyteti i Lublinit në Poloni u kthye në një pikë takimi, njohjeje, bashkëpunimi dhe vëllazërimi për priftërinjtë katolikë nga e gjithë Europa. Nga data 9 deri më 12 shkurt, u zhvillua Kampionati Evropian për Priftërinjtë Katolik – EURO PRIEST 2026, një ngjarje e mbushur me lutje, shoqëri dhe dialog kulturor, ku pjesëmarrës ishim edhe ne si përfaqësues të Kosovës, duke sjellë aty energjinë dhe përkushtimin.
Kampionati ishte më shumë sesa një kompeticion sportiv apo një takim i thjeshtë — ishte një mundësi e jashtëzakonshme për bashkëbisedim, ndërtim marrëdhëniesh dhe ndarje përvojash mes kolegëve meshtarë. Përmes Meshëve të përbashkëta, lutjeve dhe momenteve të reflektimit, me priftërinjtë jo vetëm ndamë besimin tonë, por edhe shprehëm vlerat e bashkimit, respektit dhe dialogut ndërkombëtar.
E veçanta e këtij Kampionati ishte kremtimi i Meshëve të Shenjta, ku meshtarët nga vende të ndryshme të Evropës shërbyem së bashku në altaret e Lublinit. Këto liturgji u kthyen në çaste të fuqishme shpirtërore dhe një simbol i unitetit të Kishave të ndryshme nën frymën e krishterë, duke krijuar një atmosferë të gjallë bashkëpunimi dhe solidariteti.
Përveç përvoja liturgjike, ekipi ynë nga Kosova dhe të ftuarit e tjerë u pritën ngrohtësisht nga organizatorët vendas. Për të thelluar njohuritë mbi kulturën dhe historinë lokale, meshtarët zhvilluan vizita në qytetin historik të Lublinit — shëtitje mes rrugëve të kalasë së lashtë, vizita në monumente historike dhe takime miqësore. Këto momente jo vetëm që ofruan relaks, por edhe e bënë më të fortë ndjenjën e bashkësisë midis pjesëmarrësve, duke u lidhur jo vetëm përmes besimit, por edhe përmes kulturës dhe mikpritjes.
Në këtë kontekst evropian të bashkimit dhe sportit, vlen të përmendet mesazhi i Papës Leonit XIV, i publikuar në fillim të muajit shkurt në lidhje me vlerën e sportit dhe bashkëjetesës njerëzore. Në letrën e tij të titulluar “Jeta në plotni”, Papa nënvizon domosdoshmërinë e respektimit të vlerave themelore të sportit — solidaritetit, respektit, përfshirjes dhe dialogut human — duke i kujtuar botës se sporti nuk duhet të shndërrohet vetëm në një ndjekje të rezultateve, por të mbetet një rrugë për të ndërtuar paqe dhe marrëdhënie të sinqerta midis popujve.
Papa Leoni XIV thekson se sporti — si aktivitet fizik, por edhe si përvojë sociale — duhet të nxisë jo vetëm konkurrencë, por edhe vlera të thella njerëzore: bashkëpunim, respekt, solidaritet, dialog dhe ndihmë reciproke. Ai paralajmëron rreziqet e komercializimit, obsesionit për fitore dhe shndërrimit të sportit vetëm në një treg të rezultateve, duke humbur dimensionin e tij edukativ dhe shpirtëror. Në vend të kësaj, sipas Papës, sporti duhet të jetë “shkollë jete” ku mësohet durimi, respekti dhe gëzimi i të tjerëve. Prandaj, në Lublin përfaqësonim secili kombin e vet, në forma të ndryshme, tradita dhe kultura të ndryshme, por nga ana tjetër, ne po luanim në të njëjtën ekipt të Jezusit, na bashkonte i njëjti ideal, e njëjta e vërtetë, e njëjta rrugë, që është Jezusi Zot.
Duke u frymëzuar nga suksesi dhe shpirtërimi i këtij Kampionati në Lublin, tashmë është bërë me dije se edicionin e ardhshëm, në vitin 2027, Kampionati Evropian i Priftërinjve Katolikë do të mbahet në Kosovë. Kjo është një mundësi unike për vendin tonë, që të mirëpresë kolegë nga e gjithë Europa, të tregojë mikpritjen tonë tradicionale dhe të forcojë më tej lidhjet ndërfetare, kulturore dhe shpirtërore në rajon dhe më gjerë./drita.info
Për Dritën: Don Samuell Ramaj

Postimi i Mëparshëm
