VIZITA E EMINENCËS SË TIJ KARDINAL ERNEST SIMONI NË PRISHTINË

Më 8 prill 2026, kemi pasur nderin e veçantë të presim në vizitë kardinalin shqiptar, Hirësinë e Tij Ernest Simoni, në Katedralen e Shën Nënë Terezës në Prishtinë. U prit me shumë gëzim nga bariu i Kishës sonë, Imzot Dodë Gjergji dhe Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension, dhe bashkëpunëtorë, në Rezidencën e Ipeshkvisë.

 

Kardinali Ernest Simoni sivjet kremton 70-vjetorin e shugurimit meshtarak, një përvjetor i veçantë dhe plotë bekime prej Zotit. Për të kremtuar këtë hir të veçantë, qe organizuar një koncert solemn nga Fondacioni «Kardinal Domenico Bartolucci», në bashkëpunim me Ipeshkvinë Prizren-Prishtinë, e nën patronatin e Ambasadës Italiane në Prishtinë.

Prishtina e ka hirin që kardinalin ta ketë për të dytën herë: hera e parë ishte në vitin 2017, si i dërguar i posaçëm i Papa Françeskut, për shugurimin e Katedrale sonë.

Vizita e Kardinalit pati një agjendë të ngjeshur në kryeqytet: në orët e pasdites, Kryetari i Prishtinës, z. Përparim Rama, e priti në zyrën e tij për ta nderuar me figurën “Hynesha n’Fron”, që është simbol i kryeqytetit, e cila vjen nga lashtësia jonë dardane.

Në orën 18:00 kardinali bashkë me ipeshkvinjtë dhe meshtarët, kremtoi meshën e shenjtë në Kriptën e Katedrales, kurse në orën 19:00 mori pjesë Koncertin solemn në Katedrale, që u organizua për nder të tij.

Kardinali Simoni, pak para se të niset për të marr pjesë në koncert, u ndal për ta vizituar Bibliotekën “Ernest Koliqi”, që gjendet në Qendrën BogdaniPolis.

Në fillim të koncertit, Kori i Katedrales Shën Nënë Tereza, nën drejtimin e M. Lidvina Marku, interpretoi këngën: «Rri me ne, o Zot». Pas kësaj, u mbajtën fjalë përshëndetëse nga famullitari, Don Agim Qerkini, Kryetari i Kryeqytetit, z. Përparim Rama dhe Presidenti i Fondacionit «Kardinal Bartolucci», z. Alessandro Biciocchi.

Koncerti i përgatitur nga Kori i Fondacionit “Kardinal Domenico Bartolucci”, nën drejtimin e dirigjentit Adriano Caroletti dhe organisti Josep Salle Coll, filloi me hyrjen solemne të Korit nga fundi i kishës drejt presbiterit, duke kënduar “Ndjekësoren e Pashkëve” (Viktimae Paschali laudes). Pasuan edhe 14 këngë të tjera sakrale të kohës së Pashkëve. Kori i përbërë nga 40 anëtarë të angazhuar nëpër disa kore profesoniste në Itali dhe në Vatikan, dhuruan emocione të papërshkruara për audiencën, që përbëhej nga besimtarë, artdashës e shumë përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, diplomat e përfaqësues të Kforit. Pas koncertit, një fjalë rasti mbajti edhe kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti.

Në përmbyllje të kësaj feste për nder të Kardinalit shqiptar, foli ipeshkvi ynë Dodë Gjergji. Pas përshëndetjes së ngrohtë për Eminencën Ernest Simoni dhe të gjithë të pranishmit, ai u përqendrua tek jeta dhe dëshmia e Kardinalit, si dëshmitar i pathyeshëm i një regjimi të egër komunist në Shqipëri. Mbi supet e këtij njeriu plakë, të kërrusur e të pathyeshëm, u thye regjimi i patenzonë – tha ipeshkvi – dhe si i tillë dëshmon ngadhënjimin e dashurisë dhe të faljes përballë kësaj të keqeje. Pasi falënderoi për vizitën e tij, ipeshkvi uroi përvjetorin dhe dorëzoi dhuratën simbolike të pikturës së Nënë Terezës, duke dëshiruar që 100-vjetorin e lindjes të vijë e ta festojë edhe në Katedralen tonë.

Kardinali pasi i falënderoi për këtë organizim të përzemërt në përvjetorin e tij, ndau bekimin për të gjithë të pranishmit dhe popullin tonë duke na porositur që gjithmonë t’i qëndrojmë besnik Krishtit dhe ta duam njëri-tjetrin.

Festa vazhdoi në Qendrën “Bogdanipolis”, në Pritjen Solemne për Pashkët dhe për nder të kardinalit.

Shpëndaje: