Imzot Nikë PRELA – zelltar, vizionar dhe profet i kohës sonë

Nga Dom Lush Gjergji

 

Ndoshta ky titull duket i tepërt, por unë me pak fjalë dhe porosi do të mundohet ta shpjegoj dhe arsyetoj. Së pari flas dhe shkruaj nga përvoja dhe përjetimet e mia me Imzot Nikë Prelën, pasi që isha bashkëpunëtori i tij më i ngushtë në Ferizaj dhe në ipeshkvinë e atëhershme Shkup – Prizren  gjatë viteve 1975 – 1993, pothuaj gjatë  jetës dhe shërbimit të tij ndër ne, deri te kalimi në amshim (1996).

 

  1. Imzot Nikë Prela – zelltar i shquar dhe dalluar

Ai ishte emëruar për ipeshkëv ndihmës “sedi datus” për besimtarët shqiptarë të ipeshkvisë Shkup – Prizren në mbarim të dhjetorit të vitit 1969. Gjendja e Kishës, por edhe e Popullit tonë në Krahinën Autonome të Kosovës, ishte shumë e paqartë dhe tejet e ngarkuar, si moti para ndonjë shtrëngatë, thoshte ai. Mirëpo gjendja e tillë atë nuk e frikësoj dhe shqetësoj. Me shumë guxim, urti, zell dhe dashuri  për Zotin, për Kishën në Popullin tonë, për çdo njeri, e filloi jetën dhe shërbimin e tij ndër ne.

Dy gjëra për Imzot Nikë Prelën ishin të shenjta dhe të pamohueshme: shtypi katolik shqiptar  në Kosovë, por edhe për mbarë Shqiptarët, dhe bamirësia, për të cilat thoshte ai, “jam i gatshëm ta jap edhe petkun e trupit, kafshatën e gojës, edhe jetën time”. Ai ishte nismëtari i shtypit katolik shqiptar në Kosovë që nga viti 1970, së pari me botimin e revistës fetare dhe kulturore DRITA, pastaj edhe të shtëpisë botuese me të njëjtin emër që ka botuar më shumë se 100 tituj të ndryshëm, gjithnjë në nder dhe lavdi të Zotit, të mirë të Kishës dhe Popullit tonë. Shpesh herë thoshte: “Pa dije dhe vetëdije, pa kulturë dhe qytetërim, nuk mund të jemi vetvetja, nëse nuk e njohim të kaluarën tonë, nuk jetojmë të tashmen, dhe nuk planifikojmë të ardhmen”, që unë e kam parafrazuar kështu: “Pa histori nuk ka as ardhmëri.”

Pas shtypit katolik në gjuhën shqipe, në mend dhe në zemër e kishte njeriun, sidomos nevojtarin, të varfin, të sëmurin, të rrezikuarin. Kisha dhe Populli ynë ishte asohere mjaft të varfër. Disa nuk kishin as kafshatën e gojës, edhe më pak dinjitetin njerëzor dhe kombëtar. Refreni i Imzot Nikë Prelës ishte ky: “Jam pjesë dhe gjymtyrë e Popullit dhe Kishës së stërvuajtur. Mrekullia e Zotit është kjo: që jemi gjallë dhe Shqiptarë, sidomos Shqiptarë katolikë!”

Vetëm në Ferizaj kishte blerë apo ndërtuar 7 shtëpi të pastrehë; bamirësia është anonime, prandaj kishte ndihmuar dhe përkrahur themelimin e Shoqatës Humanitare dhe Bamirëse të Kosovës “Nëna Tereze” si dhe Caritasin e Kosovës, me këto synime dhe qëllime: të jemi sa më afër dhe bashkë me të varfër.

Refreni me të cilin ishte rritur ne Kotorr ishte ky: “Arbanas, Arbanas, jao ti sutra i danas”, qe ne përkthim domethënë: “Shqiptar, Shqiptar, i mjeri ti dje dhe sot”.

Rreth konfiskimit te pasurisë ai dëshmonte: “Ndoshta me mirë që na kane marrë… Unë ne jetën time kam provuar te gjitha, përpos varrin. Prandaj e kuptoj dhe e  përjetoj varfërinë si rrezik te madhe për trup dhe shpirt… Populli im Shqiptar i përngjan  popullit Hebrenj, edhe me shume vete Jezu Krishtit..”.

 

  1. Imzot Nikë PRELA – vizionar dhe profet i kohës sonë

Imzot Nikë Prela kishte një dhuratë të veçantë të Zotit, një lloj shqise për të hetuar dhe paraparë të ardhmen. Ai pothuaj se rregullisht ka folur, shkruar dhe predikuar për thirrje meshtarake dhe rregulltarë, ndoshta është ipeshkvi  shqiptar që ka shuguruar më së shumti meshtarë (për 10 vite ishte i vetmi ipeshkëv shqiptar aktiv në botën tonë, gjatë viteve 1970 – 1980, vr. ime), rregulltarë, ka pranuar kushtet e rregulltarëve tona. Trajtimi i tij i posaçëm e prindërve të thirrjeve shenjta ishte prekës dhe domethënës. Pas meshëve që kremtonte nëpër famullia të ndryshme, i thirrtë prindërit e thirrjeve të shenjta dhe iu thoshte: “Ju, pas meshtarit dhe motrave, jenë me të afërt me mua dhe me meshtarë, sepse bijtë apo bijat tuaja ia keni falur Zotit, Kishës dhe Popullit tonë…” Pastaj iu dhuronte ndonjë rruzare, njesë apo diçka të shenjte dhe i falënderonte për “dhuratat” e tyre, për birin apo bijën që ia kishin falur Zotit, Kishës katolike dhe Popullit tonë shqiptar.

Hapjen e Shqipërisë e “shihte” si një ngjarje të sigurt dhe të pashmangshme. Shtypin katolik në gjuhën shqipe, thirrjet meshtarake dhe rregulltarë i përjetonte si shenjë e provanisë së Zotit dhe hapjes së Shqipërisë. Në Zym të Hasit me 15 gusht 1989 i shuguroi dy meshtarë të ri: Don Lucjan Avgstinin (më vonë Imzot Lucjan Avgustinin e ndjerë, ipeshkvin e Sapës) si dhe Don Dodë Gjergjin (tash Imzot Dodë Gjergjin, ipeshkvin tonë të sotshëm), kur me guxim, trimëri, por edhe me vizion dhe profeci ndër të tjera ta: “Po ju shuguroj për Shqipëri…” dhe pastaj i hapi krahët dhe u kthye kah Shqipëria me këto fjalë: “Zoja e Shkodrës, Nëna e Krishtit, Kishës, sidomos Nëna e jonë, na dëgjoi lutjet dhe na plotëso dëshirat, ke dhembje për Popullin tonë të stërvuajtur…”

 

  1. Si kujtim, porosi dhe përfundim

Dhjetë vitet e para të (1970-1980) ishin në shërbim të Zotit dhe të popullit, nëpërmjet vizitave baritore, shtypit fetar-kulturor, ndërtimeve të objekteve kishtare, përkujdesjes për thirrje meshtarake dhe rregulltare, ndihmave të të varfërve.

Dhjetëvjetori i dytë (1981-1990) ishte i karakterizuar me paraqitjen, mbrojtjen dhe angazhimin e tij të guximshëm dhe profetik në dobi dhe të mirë të studentëve, punëtorëve, intelektualëve, organizatave, institucioneve, mbarë popullit Shqiptar të pambrojtur, sidomos pas heqjes së autonomisë dhe shpalljes së Kosovës Republikë. Fjala e tij e shkruar apo me gojë ishte e pranishme në të gjitha forumet kishtare, shtetërore evropiane dhe botërore. Po i përmendi vetëm disa, që iu kishte shkruar dhe drejtuar: Kryetarit të  SHBA-së, Bashkimit Sovjetik, Kinës, të gjitha shteteve të Bashkësisë Evropiane, Parlamentit Evropian, Konferencave Ipeshkvore Evropiane në krye me kardinalin e famshëm Carlo Maria Martini-n.

 Me urti iu përgjigjej sfidave dhe kritikave kinse kjo nuk ishte detyra e tij që të merrej me politikë. Thoshte kështu: ”Bota ende nuk e di mirë dhe sa duket se çka po ngjan me ne. Edhe mos të isha shqiptar, do të isha në anën e popullit të shkelur, sepse vuan pafajësisht dhe padrejtësisht. Politika ime është drejtësia dhe dashuria ndaj Zotit dhe ndaj Popullit. Detyra ime është ta njoftoj botën mbi gjendjen tonë dhe të lutëm. Herdo-kurdo do të ngadhënjejë drejtësia, e vërteta,paqja dhe dashuria, sepse askush nuk e ka botën në dorë përpos Zotit…”

Gjatë vitit 1990 më tërë fuqitë i përkrahu lëvizjet tona të atëhershme: pajtimet e gjaqeve, bamirësinë dhe solidaritetin, sistemin paralel shkollor dhe shëndetësor.  Gjatë helmimeve të fëmijëve dhe të rinisë shqiptare në Kosovë, ai protestoi rreptë dhe botërisht në çdo vend dhe kend, duke rezikuar jo vetëm rolin prijës kishtar, por edhe jetën e tij, por edhe  “njollosjen” më të vrazhdtë të Kishës sonë. Edhe më këtë rast, si dhe  në suprimimin e autonomies së Kosovës, Imzot Nikë Prela shkroi protestën e hapur dhe letrën informative Papës Gjon Palit II, Nënës  Tereze dhe të gjitha institucioneve kishtare dhe shtetërore në Jugosllavi dhe në botë.

Periudha e tretë jetësore e tij (1991-1996), edhe pse mjaft i lodhur, i sëmurë dhe i moshuar, bile edhe me këmbë të amputuar, ai gjithnjë punonte, shkruante, lexonte, fliste, udhëtonte nëpër metropole të Evropës dhe Amerikës, si dëshmitar i të drejtës dhe të vërtetës, ishte i palodhshëm dhe i pandalshëm. Vullneti dhe dëshira e tij e madhe për jetë dhe për punë, besimi i pathyeshëm në Zotin dhe në njeriun, dashuria flijuese dhe dhuruese për Kishën dhe popullin shqiptar, kujdesi për të varfër, thjeshtësia dhe përvujtëria shembullore, puna rreth krijimit të kulturës së paqes dhe qytetërimit të dashurisë, shtypi katolik shqiptar, ishin vetëm disa aspekte të personalitetit të spikatur,  të cilat e bëjnë atë njeri të dalluar dhe të angazhuar në çdo drejtim dhe kuptim, dhe si të tillë të pavdekshëm edhe në kujtimet tona.

Porosia e Imzot Nikë Prelës ishte ky: ”Fjala është për Popullin tim, pa dallime fetare, për njerëzit e shkretë të cilët vuajnë dhe përndjeken padrejtësisht. Edhe unë jam dënuar tri herë me burg vetëm pse jam shqiptar dhe meshtar katolik (bile edhe me vdekje, vr. ime) Prandaj unë nuk do të hjek dorë kurrë nga e vërteta. S’ ka kompromis me rrena dhe mashtrime, me manipulime. Për ta mbrojtur të vërtetën duhet të jemi të gatshëm të flijojmë çdo gjë, nëse është nevoja edhe jetën. Këtë mund ta bëjmë vetëm me fe dhe me dashuri. Tërë jeta ime  sintetizohet në këtë: “PËR ZOTIN, PËR KISHËN, PËR POPULLIN TIM SHQIPTAR”.

Në takimin tim të fundit me Imzot Nikë Prelën më 23 shkurt 1996 ndër të tjera më tha edhe këtë: ”Kam disa parandjenja të rënda, tejet të mundimshme, por kam shpresë në Zotin. Ti e di se parandjenjat, intuicioni kurrë nuk më kanë mashtruar. Nëse do të jetoj edhe pak, atëherë le të jetë kjo për të parë mirë, sepse jam lodhur  dhe ngopur nga të këqijat… Megjithatë thellë jam i bindur se do të bëhet mirë, sepse kemi vuajtur shumë dhe padrejtësisht, kemi mbjell me lot dhe me gjak, e kjo nuk mund të tretet  pa fryte… Antifona jonë është Nëna Tereze…”

Porosia e tij për shqiptarë katolikë do të ishte: “Për Zotin, për Kishën dhe për Popullin Shqiptar”,

Porosia për çdo shqiptar, pa dallime feje dhe shteti: “Ti kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, që domethënë: të mirës, të vërtetës, të drejtës, jetës dhe dashurisë, sepse vetëm të bashkuar dhe të vëllazëruar mund të ecim përpara dhe të jemi të lumtur si Popull.”

Zoti e shpërbleftë, Populli, ne, mos e harroshim! Pushoftë në paqe!/drita.info

 

(Kumtesë e mbajtur me rastin e 30-vjetorit të kalimit në amshim të Imzot Nikë Prela, në Akademinë Solemne, në BogdaniPolis, Prishtinë, më 10 janar 2026)

Shpëndaje: