
Nga Don Frok Zefi
NJĒ PREZANTIM
Nga Ungjilli marrim dëshmi se Jezu Krishti gjatë shërbesës së tij tokësore, shoqërohej nga 12 apostuj dhe 70 nxënës të tjerë, (Mt 10, 1-15, Mk 3,19, Lk. 10, 1-20). Besëlidhja e Re na jep shumë dëshmi të gjalla e të vërteta në lidhje me udhëtimet e apostujve nëpër Palestinë, ku takuan njerëz të panjohur që më vonë u bënë nxënës që falë fuqisë së besimit të tyre, në emër të Jezu Krishtit bënë edhe shumë mrekulli. Shkrimet e Shenjta na dëshmojnë gjithashtu edhe raste kur apostujt nuk i lejonin këta ithtar të rinj të Krishtit që të kryenin mrekulli në emër të tij, e pikërisht për shkak të kësaj, Jezusi i porositi duke u thënë, “Mos i ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flas keq për mua. Kush nuk është kundër nesh është me ne.” (Mk 9, 3840). Mirëpo Jezusi pati edhe nxënës të fshehtë, më i njohuri prej të cilëve ishte Jozefi nga Arimatea, (Mk 15, 42-45), dhe Nikodemi, që vinte dhe bisedonte me Jezusin gjatë orëve të vona të mbrëmjes, (Gjn 3,1-9).
Në fillesat e besimit të krishterë, sidomos gjatë periudhës së persekutimit të egër nga perandorët romak, shumë të krishterë të devotshëm të terrorizuar nga torturat dhe martirizimet, bënë një lloj kompromisi mes besimit të tyre të ri, dhe fesë shtetërore që në ato kohë ishte paganizmi (libelatici dhe turrificantes). Pavarësisht gjithë vështirësive, ata e konsideronin veten të krishterë, dhe përpiqeshin që edhe jetën ta jetonin si të krishterë. Pikërisht kjo gjë ka ndodhur edhe në historinë e kishës së krishterë tek shqiptarët, sidomos pas vdekjes së Skënderbeut, kur e gjithë Shqipëria ra nën sundimin e plotë osman. Nëpër indekset e arkivave të Kongregatës për Përhapjen e Fesë në Romë, u përballa me një emërtim interesant, “Oculti christiani – Criptokatolici” që do të thotë, “të krishterë të fshehtë dhe katolik të fshehtë” ose sipas gjuhës së popullit, “laraman”.
Ndërsa të krishterët ortodoks, ishin qytetar të perandorisë osmane, dhe i kishin krerët e tyre më të lartë kishtarë brenda territorit të perandorisë, më saktësisht në Ohër, në Pejë, në Stamboll e kështu me radhë, udhëheqësit e lartë të katolikëve që ishin nënshtetas osman, jetonin jashtë territorit të tyre, pra, jetonin në Romë. Shumë shpesh papa që ishte kreu i kishës katolike, bëhej edhe organizatori kryesor i luftërave anti-osmane me synim çlirimin e territoreve të krishtera që ishin të pushuara. Kjo ishte edhe arsyeja se përse besimtarët katolik ishin tepër të ekspozuar ndaj persekutimeve dhe gjobave, duke u konsideruar qytetar të dorës së dytë. Priftërinjtë e arqipeshkvinjtë katolik burgoseshin të akuzuar si spiun të papës dhe të sundimtarëve të krishterë perëndimor. Të gjendur nën represion të vazhdueshëm klerikët katolik detyroheshin që të përfitonin mbrojtjen e ndonjë pashai osman, duke përdorur dhënien e dhuratave, apo sigurimin e ndonjë fermani nga “Zotëria i madh”, apo, “Turku i madh”, siç quheshin në atë kohë sulltanët osman.
Pavarësisht gjithë këtyre, mbi komunitetin katolik gjithmonë ushtrohej një presion i pandërprerë. Kjo ishte edhe arsyeja se përse disa katolik shqiptar e braktisën veshjen e tyre tradicionale shqiptare dhe të krishterë, dhe filluan që të visheshin si mysliman, madje arritën deri aty sa morën mbi vete emra mysliman me të cilat prezantoheshin në publik. Për të shmangur taksat dhe persekutimin e egër, disa familje katolike e veçonin një prej fëmijëve të tyre, të cilin e bënin synet dhe e çonin për edukim tek hoxha që i mësonte besimin islam, ndërkohë që kishte shumë familje të tjera që publikisht deklaroheshin si myslimane, edhe pse në fshehtësi praktikonin ende besimin e tyre katolik. Për shkak të kësaj mbivendosjeje të të dy besimeve, të krishterët që rezistuan filluan që ti quanin të krishterët e tjerë që nisën përshtatjen, si “laraman”, një term fyes përmes të cilit ata tregonin se i shihnin bashkëvëllezërit e tyre më pak të durueshëm si lara – lara sa i takonte mënyrës sesi ata i qaseshin tashmë religjionit me qëllim mbijetesën e tyre. Laramanizmin si fenomen, apo si dukuri mund ta shohim kudo ku kanë jetuar shqiptarët e krishterë katolik.
Kongregacioni për Përhapjen e Fesë në Romë, u njoftua disa herë prej vitit 1634 e deri në vitin 1641, sa u takonte dyshimeve që kishin priftërinjtë kur binte fjala që të përcaktonin nëse dikush ishte jobesimtar apo një besimtar i fshehur, çka ndodhte shpesh nëpër trojet shqiptare. Kishte lindur nevoja që të merrte një përgjigje të qartë dilema nëse ishte fjala për turq, shqiptar të islamizuar, apostat të besimit të krishterë apo të krishterë të fshehtë. Në veprën e tij madhore të titulluar “Acta bulgariae”, Fermenzhin na njeh me faktin se përveç katolikëve shqiptar të Çiprovës, në Banatin bullgar jetonin edhe shumë familje shqiptare, ku gratë dhe fëmijët e tyre ishin katolik.
Në vitin 1709, arqipeshkëvi i Tivarit kërkoi që katolikët e fshehtë që ishin vetëdeklaruar publikisht si të krishterë, ta braktisinin veshjen osmane nëse dëshironin që të merrnin sakramentet.891 Në vitin 1722, arqipeshkëvi i Durrësit njoftonte Romën se në një pjesë të arqipeshkvisë jetonin njerëz që kishin marrë emra turq por që shpirtërisht konsideroheshin si katolik.
Për shkak të fenomeneve të kësaj natyre, në vitin 1730 nga Roma u lëshuan udhëzime të reja për zyrtarët, ipeshkvinjtë dhe misionarët që shërbenin në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Kosovë, udhëzime që ata do t’i përdornin për të trajtuar rastet e atyre shqiptarëve që ishin të krishterë por që publikisht shfaqeshin si mysliman. Aty rreth vitit 1734 u morën në shqyrtim edhe shumë gabime të vërejtura ndër të krishterët katolik të Maqedonisë.
Në vitin 1754, për arqipeshkvinë e Shkupit doli një urdhëresë sipas së cilës ata besimtar në Kosovë që publikisht nuk deklaroheshin si katolik, nuk mund t’i merrnin sakramentet. Mirëpo, të gjendur përballë rasteve konkrete të praktikës së përditshme, si misionarët ashtu edhe arqipeshkvijtë nuk u përmbaheshin gjithmonë urdhëresave të tilla, pikërisht për këtë arsye, në vitin 1763, arqipeshkijve të Shkupit iu dorëzua një udhëzim përmes të cilit u kërkohej që t’i përjashtonin katolikët e fshehtë nga ndarja e sakramenteve, njëlloj siç veprohej edhe për ortodoksët.
Nuk kemi për qëllim që të ngremë debate, në lidhje me problemin e mprehtë me të cilin po përballej në ato kohë arqipeshkvia e Shkupit, që ishin katolikët e fshehtë dhe fenomeni i islamizimit të katolikëve, përkundrazi, kemi dëshirë që thjesht të tregojmë përmes faktesh të bazuara në dokumentet autentike që kemi në dispozicion, sesi e trajtoi këtë problem kjo arqipeshkvi në shekullin e 18të.
Gjon Nikollë Kazazi, dërgon Kongregatës për Përhapjen e Fesë, në vitin 1743, relacionin ku lexojme:
Çështja e dytë, sipas arqipeshkvit, lidhej me rezultatet e dobëta dhe pasojat e tyre të dhimbshme, sa i takonta trajtimit të realitetit të laramanëve. Në kushtet për të cilat jemi duke folur, ndodhte që femrat e besimit të krishterë, martoheshin me mysliman, ose sepse detyroheshin nga familjet e tyre, nga prindërit e tyre, ose për shkaqe të tjera. Arsyet se pse ndodhnin martesa të tilla të përziera, ishin të shumta; ose nuk kishin mundësi të merrnin për burrë një të krishterë, ose sepse vlerësonin mirësjelljen, ose sepse prindërit e tyre dëshironin që vajzat e tyre të jetonin mirë, ose sepse nuk kishte shumë mundësi zgjedhjeje dhe kështu përfundonin duke u martuar me mysliman. Vajzat e krishtera që martoheshin me burra mysliman, sigurisht që nuk mund të kurorëzoheshin në kishë, sepse burrat e tyre nuk ishin të pagëzuar, dhe duke qenë se ishin mysliman, për kishën ishin të padëshiruar.[1]
Kishte edhe nga ata që, edhe pse ishin pagëzuar në fëmijëri si të krishterë, më vonë, për shkak se kishin kaluar në besimin islam, nuk dëshironin që të kurorëzoheshin në kishë nga një prift i krishterë. Kishte edhe nga ata që dëshironin të kurorëzoheshin në kishë, por që nuk kishin guxim që ta bënin këtë, ose nuk dinin sesi ta realizonin këtë, për shkak se martoheshin para kadiut, duke respektuar gjithë rregullat e zakonet osmane. Grave të krishtera, të martuara me burra mysliman, thuajse deri në vitin 1728, nuk u ndaheshin sakramentet, dhe arqipeshkvi e konfirmonte këtë, për pasojë, ato ishin larguar nga e drejta për të marrë sakramentet, sepse kisha i konsideronte ato si konkubina. Shumë nga këto gra, pasi prisnin për shumë vite, më në fund largoheshin të dëshpëruara nga besimi i krishterë, sepse arrinin që ta kuptonin se, faktikisht, prej një kohe të gjatë ato ishin distancuar nga kisha.
Në këto kushte, për të parandaluar humbjen e gjithë këtyre shpirtrave, Kongregata për Përhapjen e Fesë kishte nxjerrë një urdhëresë të cilën ish-arqipeshkvi i Shkupit, Nikollë Kazazi, nuk kishte mundur që tua komunikonte priftërinjve, për shkak se po lëngonte “i sëmurë në shtratin e vdekjes.” Ai nuk kishte mundur që ta lexonte atë urdhëresë, në të cilën jepeshin udhëzime shumë të rëndësishme, për mënyrën sesi duheshin trajtuar gratë e krishtera të martuara me burra mysliman. Urdhëresa lejonte që, këtyre grave u duheshin ndarë sakramentet, nëse burri me të cilin ato ishin martuar nuk kishte më shumë se një grua, sepse në raste të tilla nuk bëhej fjalë për mosrespektimin e fesë. Pra, sipas kësaj urdhërese, jepeshin shpjegime sipas të cilave, martesa karakterizohej nga dy elemente: (1) nga marrëveshja; dhe, (2) nga sakramenti, rrjedhimisht kuptohej se, martesat e lidhura para zyrtarit osman nuk konsideroheshin sakramente, por thjesht marrëveshje qytetare.[2]
Pikërisht për këtë arsye, këtyre grave u duheshin ndarë gjithmonë sakramentet, me qëllim që ato të mos përjashtoheshin de facto nga kisha, e të mos ndaheshin prej besimit të tyre, e kështu duhej të veprohej, derisa të dilte një vendim përfundimtar nga Selia e Shenjtë, që mund të ndalonte përfundimisht shërbesat ndaj tyre, ose e kundërta. Kjo praktikë, edhe atëherë edhe sot, vazhdon të respektohet thuajse njëlloj, për vetë natyrën dhe specifikat që kanë martesat e përziera në vetvete, duke qenë thuajse të ndryshme në shumë karakteristika nga martesat që lidheshin mes një gruaje e një burri të krishterë.
Arqipeshkvi shkruante se, fatkeqësisht kjo urdhëresë e Kongregatës tashmë nuk gjendej askund në arqipeshkvi, edhe pse disa priftërinj ishin munduar që ta ruanin atë, për shkak se arqipeshkvia kishte pësuar ndryshime por edhe shkatërrime të mëdha së fundi. Për shkak se ajo urdhëresë kishte humbur prej shumë kohësh, e asnjë prej priftërinjve nuk kishte pasur mundësi që ta shihte me sy apo ta lexonte, fjalët për ekzistencën e saj ngjanin thuajse si një gojëdhënë. Pas një bisede me arqipeshkvin e Zarës, Zmajeviqin, Nikollë Kazazi u inkurajua që të dërgonte sa më parë në Kongregatë një propozim, si dhe të informonte për gjendjen aktuale, me qëllim që të veprohej me siguri të madhe, për shkak se raste të tilla po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta, dhe ishte e nevojshme që të gjitha të trajtoheshin me kujdes.
Situata bëhej akoma më e vështirë, në ato raste kur prifti duhet tu ndante sakramentet femrave ose meshkujve, të cilët kishin hyrë në martesa të përziera me mysliman, çka bënte që prifti katolik të mos u ndante kurorëzim sipas riteve të krishtera. Këto lloj martesash kishin edhe problematika të tjera, sepse kishte raste kur nuk lidheshin as para zyrtarit osman, e as para gjykatës osmane, e kjo, për shkak të pakujdesisë apo për shkak të shmangies së pagesës për shpenzimet, pavarësisht se më herët ishte lidhur fejesë e ligjshme, me qëllim që më vonë të kryhej edhe martesa publike bashkë me kurorëzimin.[3] Gjithsesi, edhe në raste të tilla, pavarësisht problematikave të shumta, sakramentet e krishtera ndaheshin sipas nevojave. Kjo gjë ndodhte, dhe, ishte një problematikë shumë serioze për laramanët, ndërsa mes të krishterëve që njiheshin publikisht si të tillë, nuk kishte vend për ndërlikime e vështirësi të tilla.
Realiteti i martesave të përziera, ku njëri nga bashkëshortët ishte mysliman, ndikonte edhe tek ata që ishin të dy në besimin e krishterë, ose tek ata që ishin të dy laraman, por që nuk kishin lidhur martesë as tek prifti katolik e as te kadiu mysliman. Rrjedhimisht, duke u gjendur përpara rastesh të tilla, shtrohej pyetja, nëse ishte e mundur që tu ndaheshin sakramentet këtyre njerëzve pavarësisht problematikave që paraqisnin.[4] Me këtë rast, arqipeshkvi sillte për diskutim rastin e një gruaje, burri i së cilës nuk ishte pranë saj, e ajo nuk kishte pasur mundësi që të lidhte martesën. Kjo grua, i ishte lutur arqipeshkvit të Shkupit që t’ia lejonte rrëfimin, dhe arqipeshkvi me një dekret të veçantë ia kishte lejuar rrëfimin, praktikë kjo, që u zbatua më vonë edhe për raste të tjera të ngjashme, sa herë që ishte fjala për ndarjen e sakramenteve. Shumë nga laramanët, duke mos pasur mundësi që të lidhnin martesë para priftit, nuk dëshironin të kurorëzoheshin as sipas zakoneve myslimane, për shkak të urrejtjes që kishin ndaj atij besimi, dhe për shkak se ishin të bindur se do të kryenin mëkat, nëse do të lidhnin martesë në këtë mënyrë.
Zakonisht praktikohej ndarja e sakramenteve për vajzat e fejuara, dhe për gratë e martuara me burrë mysliman, për shkak se farefisi apo prindërit ishin laraman dhe nuk kishin guxim që të deklaroheshin publikisht si të krishterë, duke u detyruar kështu që të jetonin një jetë të dyfishtë, edhe si mysliman edhe si të krishterë, e duke u përpjekur që askush të mos i zbulonte, ndërkohë që së brendshmi vazhdonin që ta mbanin gjallë besimin e krishterë. Vajzat apo gratë e krishtera të martuara me mysliman, kur vinin në shtëpinë e prindërve, merrnin nga prifti edhe sakramentin e rrëfimit. Nuk ishte mirë, që atyre tu ndalohej marrja e sakramentit, për shkak se do të dëshpëroheshin dhe do të ndiheshin të pashpresa, çka do të bënte që të largoheshin përgjithmonë nga besimi i krishterë. Gjithsesi, duhet thënë se, me ato veprohej kështu, sepse ato ende nuk kishin lidhur martesë sipas traditave dhe riteve myslimane.
Arqipeshkvi përmes relacionit të tij, shprehej se shumë mysliman laraman i martonin vajzat e tyre pikërisht me mysliman laraman, që nuk ishin gjë tjetër veçse të krishterë që publikisht deklaroheshin si mysliman, por që së brendshmi ende e konsideronin veten si të krishterë.Vajzat myslimane, pas martesës me një burrë të krishterë, menjëherë ose pas pak kohësh, bëheshin të krishtera me pagëzim, dhe, edhe pse e mbanin të fshehtë besimin e tyre, shquheshin sepse ishin thellësisht besimtare dhe mjaft fanatike. Pikërisht kështu shlyhej edhe mëkati, që këto vajza, duke u martuar me burra mysliman, kryenin ndaj besimit të krishterë.
Zakoni i përgjithshëm ishte që, besimtarët e krishterë të lidhnin martesë para zyrtarëve osman ose para kadiut, përmes përfaqësuesit të tyre, duke respektuar të gjitha zakonet myslimane, por gjithashtu të lidhnin martesë edhe para priftit me kumbarë.[5] Martesat lidheshin para zyrave civile, si një mjet sigurie, me qëllim që duke u zyrtarizuar, të përforcohej ligjërisht fuqia e fejesës apo e martesës, e kështu të eliminohej mundësia që femrat të grabiteshin nga ndonjë mysliman apo nga dikush tjetër. Deri në kohën për të cilën jemi duke folur, kjo mënyrë e lidhjes së martesës nuk ishte e ndaluar, madje, ishte e domosdoshme që edhe më tej të veprohej pikërisht kështu, për shkak se kështu nuk krijoheshin kundërshti apo mosmarrëveshje.
Arqipeshkvi Nikollë Kazazi propozonte që, ndarja e dispensës për pranimin e sakramenteve, tu bëhej atyre që martoheshin brenda vijës së gjakut në shkallën e lejuar, dhe që nuk kishin lidhur martesë para priftit. Në raste të tilla, kërkohej leja për ndarjen e sakrmanteve për palën katolike, që jetonte në një lidhje martesore që nuk ishte lidhur as para priftit e as para kadiut. Arqipeshkvi propozonte që, besimtarëve të tillë tu lejohej rrëfimi, ashtu siç është sqaruar më lartë.[6]
Më 02 shkurt të vitit 1744, papa Benedikti XIV nxorri një dekret papnor apostolik përmbajtjesor, që fillonte kështu: “Inter Omnigenas Calamitates”, [“Të këqija të përgjithshme”], ku në 28 paragrafë jepte udhëzime të hollësishme mbi të gjitha problemet e rëndësishme të arqipeshkvisë së Shkupit, si dhe të ipeshkve shqiptar që kishin keqtrajtuar besimtarët e tyre si dhe barinjtë shpirtëror.[7] Një përmbledhje e saktë burimore e dekretit papnor apostolik, shoqëruar me shumë vërejtje, sugjerime e përmirësime iu dorëzua kardinalëve për shqyrtim.[8] Kështu, në mbledhjen e drejtuar nga kardinali Rezoci, e që me urdhër të papës u mbajt më 26 janar, të vitit 1744, ku mori pjesë edhe kardinali Tomo Sergius, këshilltar i Këshillit të Shenjtë, si dhe kardinali Nikollë Antoneli, zëvendëssekretar i Kongregatës për Përhapjen e Fesë, u pranuan sugjerimet mbi disa paragrafë të dekretit apostolik.[9]
Duke iu referuar rregullores së Kuvendit të Arbërit (1703), dhe në zbatim të vendimeve të tij, për trajtimin e çështjeve të ngritura, papa jep këto udhëzime:
- Besimtarëve të krishterë, nuk u lejohet që ta fshehin besimin e tyre, e gjithashtu nuk u lejohet që të jashtmi të deklarohen si mysliman;
- Besimtarët e krishterë, nuk duhet të guxojnë që të mbajnë emra mysliman, e as të vizitojnë xhamitë;
- Nëse pyeten nga organet shtetërore, të mos guxojnë që të deklarohen si mysliman;
- Detyra e ipeshkvit, e famullitarit dhe e misionarit është që, të gjithë besimtarëve të krishterë që i kanë varrosur të ndjerët e tyre sipas riteve myslimane dhe në praninë e hoxhës, tu hiqet vërejtje me paralajmërim, me qëllim që të rikthehen në rrugën e drejtë;
- Nëse e refuzojnë këtë urdhërim, dhe vazhdojnë që të ndjekin besimin mysliman, atëherë le të konsiderohen të padëshiruar për ndarjen e sakramenteve;
- Nëse besimtarë të tillë, vdesin pa asnjë shenjë pendimi, për ata nuk ndahen lutjet e pasvdekjes, pra, nuk bëhet varrosje e as nuk mbahet meshë për shpirtin e të ndjerit;
- Ndalohet ndarja e sakramenteve për të gjithë ata besimtarë, që jetojnë në bashkëshortësi me mysliman, por pa kryer lidhje martesore;
- Fëmijët që lindin nga martesa të tilla, mund të pagëzohen, nëse u është mundësuar edukimi i krishterë fal sigurisë që ofron nëna;
- Besimtarët e krishterë, nuk lejohen që të lidhin martesë te kadiu, nëse e bëjnë vetë të fejuarit drejtpërdrejtë ose përmes përfaqësuesit të tyre, me përjashtim të rasteve kur këtë e kërkojnë rregullat civile;
- Nëse gruaja ndahet nga burri, dhe, provon që të martohet me një mysliman, jo vetëm që ajo nuk ka të drejtë të marrë sakramentet, por edhe palës së pafajshme, në rastin konkret, burrit të saj, nuk i lejohet e drejta për këtë martesë të re;
- Grave të krishtera, që janë rrëmbyer nga myslimanët, edhe sikur kjo të ketë ndodhur kur ato kanë qenë në moshë të re, e pavarësisht nëse tashmë jetojnë një martesë të ligjshme, nuk mund tu ndahen sakramentet;[10]
- Vendoset që, dispensat e ndryshme martesore u ndalohen kategorikisht atyre që deklarojnë publikisht se janë mysliman.[11]
Kuvendi i Arbërit u thirr nga arqipeshkvi i deleguar nga Bari, Vinçenc Zmajeviqi. Ky kuvend u mbajt në kishën e shën Gjon Pagëzuesit në Mërqi, në ipeshkvinë e Lezhës, dhe i nisi punimet në javën e dytë pas Lajmërimit të Zotit, në vitin 1703. Në atë kuvend u diskutua edhe problemi i laramanëve, si dhe u shkruajtën edhe dispozitat e Kuvendit për problemin e ndarjes së sakramenteve për laramanët. Dispozitat e atij kuvendi parashikonin dënime të ashpra për të
gjithë ata priftërinj që nuk i respektonin dispozitat e miratuara.[12]
Në relacionin mbi vizitën kanonike të arqipeshkvisë së Shkupit të vitit 1747, arqipeshkvi Gjon Nikollë Kazazi shkruante, “Këtu nuk po flas për ata që janë laraman, të cilët edhe i kemi përjashtuar nga jeta sakramentale, sipas dekretit apostolik papnor të Shenjtërisë së Tij Papës.”[13] Në relacionin e vitit 1750, arqipeshkvi Nikollë Kazazi njoftonte se pas vizitave që u kishte bërë besimtarëve të krishterë, kishte vizituar edhe laramanët me qëllim që t’i sqaronte se në cilat kushte ata mund të merrnin sakramentet sipas dekretit apostolik papnor të papës Benedikti XIV.
Mes të tjerash, arqipeshkvi gjithashtu shkruante se i kishte vizituar laramanët edhe më parë, duke u përpjekur për t’i rikthyer ata në rrugën e vërtetë të besimit, sipas gjithë udhëzimeve të dekretit apostolik papnor të papa Benediktit të XIVtë. Të gjithë laramënt që e pranuan këtë ‘kushtetutë’ të papës, dhe ranë dakord që t’i zbatonin të gjitha këto urdhërime, filluan rrëfimet, kungimet dhe krezmimet. Këta ishin pikërisht ata që kishin premtuar, se nuk do të hanin ushqimet e ndaluara që hanin myslimanët, se nuk do të kryenin ritin e synetit, se nuk do të shkonin për tu falur në xhami, dhe se nuk do t’i varrosnin të ndjerët e tyre sipas riteve myslimane në prani të hoxhës.
Por kishte edhe nga ata që, nuk mund të premtonin asgjë, sepse besonin se, “Ishin larguar padrejtësisht nga marrja e sakramenteve dhe nga krezmimi.” Kështu, në fshatin Radogosh ndodhi që një i moshuar nuk e mori krezmimin, sepse për të marrë atë sakrament, arqipeshkvi i kërkoi që i moshuari të premtonte në prani të shumë njerëzve se do t’i respektonte rregullat e kushtetutës papnore. Mirëpo kur i moshuari tha se nuk mund ta bënte këtë premtim, arqipeshkvi me vendosmëri e largoi nga vetja dhe nuk ia dha sakramentin e krezmimit, duke e turpëruar para të gjithë njerëzve që ishin të pranishëm. Me atë rast, arqipeshkvi ua ndau sakramentin e rrëfimit, të kungimit dhe të krezmimit, vetëm zonjave dhe fëmijëve të moshës katërmbëdhjetë dhe pesëmbëdhjetë vjeçare. Ua ndau zonjave të gjitha këto sakramente, sepse ato e pranonin publikisht besimin e tyre të krishterë, dhe i trajtoi në mënyrë të veçantë edhe ato zonja që në mënyrë publike ishin kthyer në besimin e krishterë. Ua ndau krezmimin edhe të rinjve e të rejave, për shkak se ata nuk kishin marrë pjesë rregullisht në ritet islame, dhe, edhe pse mbanin emra mysliman, në raste vdekjesh nuk i kishin kryer ritet e varrosjes në prani të hoxhës, pavarësisht se për të gjitha këto veprime u ishte dashur që të përballeshin me rreziqe të mëdha.
Arqipeshkvi dëshmonte për krijimin e një situate të paprecedentë, pasi nisi zbatimi i kushtetutës papnore. Ai dëshmonte se rezistenca, kundërshtimi, torturat dhe indinjata nga laramanët ishin të pabesueshme, jo vetëm për arqipeshkvinë e Shkupit, por edhe për ato të Shkodrës, Sapës, Lezhës, dhe kudo nëpër Shqipëri e Maqedoni. E kishte të vështirë që të duronte fyerjet, kërcënimet dhe mallkimet e shumta që laramanët kishin lëshuar për papën, për shkak se ai vetë ishte njëri nga shkaktarët për nxjerrjen e kushtetutës papnore, që ua ndalonte atyre marrjen e sakramenteve. Si përfundim, arqipeshkvi tashmë ishte bërë njeri shumë i padëshiruar e shumë i urryer nga laramanët.
Situata dukej se kishte dalë jashtë kontrollit; jo vetëm laikët, e priftërinjtë shekullarë, por edhe murgjit e fajësonin arqipeshkvin para popullit, duke e akuzuar se kishte kryer mëkat duke i treguar Selisë së Shenjtë mbi gjendjen e laramanëve, dhe e bënin gjithashtu përgjegjës arqipeshkvin për shkatërrimin e shumë shpirtrave, të cilët duke u rrëfyer fshehurazi kishin mundur që ta mbanin gjallë mes tyre besimin e krishterë. Reagimi i laramanëve në ato rrethana që u krijuan, ishte aq armiqësor saqë ata e konsideronin arqipeshkvin si armikun e tyre kryesor, dhe nuk kishin aspak interes për vizitën që ai u kishte bërë. “Sikur të kishin mundësi, do të më vrisnin me gurë ndërsa po kryeja vizitën apostolike,” shkruante arqipeshkvi në relacionin e tij.
Në Babaj, që ishte një fshat kur jetonin më shumë se 40 familje laramane, arqipeshkvi kishte përjetuar një pakënaqësi të tmerrshëm prej tyre. Kur kishin mësuar se, arqipeshkvi nuk do tu ndante sakramentet e rrëfimit dhe të krezmimit atyre që nuk e pranonin kushtetutën papnore, ata kishin dashur që ta vrisnin me gurë. Fill pas kësaj u krijua një rrëmujë e madhe, sepse ata dëshironin që ta dëbonin arqipeshkvin duke mos e lejuar që të ndante meshë apo tu ndante sakramentet zonjave dhe fëmijëve. Mirëpo kur gjendja u qetësua, ata e lejuan arqipeshkvin që të mbante meshën, dhe tu ndante sakramentet vetëm fëmijëve. Kështu, arqipeshkvi ia doli që të krezmonte 17 fëmijë, ndërsa pjesa dërrmuese e laramanëve mbeti pa marrë sakramente. Arqipeshkvi gjithashtu njoftonte se, me atë rast shumë nga të moshuarit kishin mbetur pa marrë sakramentet, për shkak se nuk pranonin që të mohonin besimin mysliman. Ai gjithashtu shprehej se kishte ndjerë një trishtim shumë të madh në shpirt, kur kishte parë se çfarë kishte ndodhur, ndërsa i ishte dashur të ikte shpejt nga fshati nëse dëshironte që të mbetej gjallë.
Mirëpo nuk kishte mbetur me aq, sepse në fshatin Budakovë i kishte ndodhur diçka akoma edhe më e rëndë, për shkak se atje nuk ishin ndarë sakramente për plot 30 vjet. Kur kishte provuar që të ndante sakramentet e krizmës, si dhe të shpjegonte kushtetutën papnore, thjesht e kishin dëbuar duke mos e lejuar që të mbante meshë apo të krezmonte fëmijët dhe zonjat. E gjitha kjo kishte ndodhur pikërisht në shtëpinë, ku mbahej sakramenti i krezmimit. Pikërisht atje, arqipeshkvi u fye me fjalë nga më të rëndat, për shkak se nuk pranoi që të ndante sakramentet në kundërshtim me udhëzimin kushtetutor papnor.
Në fund të relacionit mbi laramënt, për vitin 1750, arqipeshkvi Nikollë Kazazi sërisht njofton të njëjtën gjë që tashmë si Selia e Shenjtë ashtu edhe Kongregata për Përhapjen e Fesë e dinin, pra, se përveç besimtarëve të krishterë që paguanin taksat dhe gjobat, ishin edhe laramanët e shumtë. Ai shkruante se laramanët ishin të shumtë në territorin e arqipeshkvisë së Shkupit, duke raportuar se atje gjendeshin konkretisht nga 10 deri në 80 familje të mëdha besimtarësh laraman, që me korrektesë mbanin në shtëpitë e tyre kreshmën dhe gjithë festat e tjera të krishtera. Vlen të rikujtohet se, atyre në të shkuarën e ndaheshin të gjitha sakramentet, mirëpo, pas daljes së kushtetutës papnore, ata “ishin dëbuar pa mëshirë nga sakramentet, edhe në raste vdekjeje,” duke qenë kështu të detyruar që t’i varrosnin të ndjerët e tyre sipas riteve myslimane. Sa i takonte gjendjes mjerane të grave, që ishin të shumta në numër dhe që në të shkuarën i ishin kthyer fshehtazi besimit të krishterë, arqipeshkvi shkruante se e kishte informuar Kongregatën në një nga relacione e mëparshme.[14]
Dhjetë vite më vonë, doli “Quod Provinciale Albanum …”, [“siç thuhet në Kuvendin e Arbërit”], që përbënte dhe dekretin e dytë papnor apostolik të papa Benediktit XIV, ndërsa udhëzimi i “Të këqijave të përgjithshme” doli më 01 gusht, të vitit 1754, duke pasur përmbajtje të njëjtë me udhëzimin e parë, si dhe vendime të njëjta si Kuvendi i Arbërit i vitit 1703.
Dekreti i dytë papnor apostolik, mes të tjerash shqyrton edhe problemin e të kthyerve nga besimi mysliman në besimin e krishterë, që gjithsesi ruajtën emrat e tyre osman. Këta të konvertuar pasi ndërronin besimin, ishin të detyruar që të shpërnguleshin nga vendbanimet ku jetonin, së bashku me shqiptarët e besimit mysliman, për në vendbanimet ku jetonin shqiptarët e krishterë, ku edhe do të jetonin për pjesën tjetër të jetës.[15]
Gjithë sa kuptohet nga këto zhvillime është se, qëndrimi radikal i arqipeshkvit Gjon Nikollë Kazazi mbi problematikën e laramanëve, si dhe qëndrimi i prerë i papa Benediktit XIV, nuk kishte mundur që të gjente zbatim të përhershëm në jetën e përditshme të njerëzve.
Përfundim
Fenomeni i kriptokatolikëve, apo i ashtuquajturve “laramanë”, në territorin e Arqipeshkvisë së Shkupit gjatë shekullit XVIII përbën një nga kapitujt më të ndërlikuar dhe më domethënës të historisë fetare shqiptare. Ai nuk ishte thjesht shprehje e presionit osman mbi besimin katolik, por mbi të gjitha dëshmi e qëndresës shpirtërore të shqiptarëve, të cilët, edhe kur nuk mund ta shfaqnin publikisht fenë e tyre, nuk e braktisën kurrë Krishtin.
Pas vendosjes së sundimit osman, katolikët u përballën me diskriminim të vazhdueshëm: taksa të rënda, ndalime fetare, burgosje të klerikëve dhe mungesë lirie fetare. Për të mbijetuar, shumë familje u detyruan të përshtateshin me rrethanat, duke u shfaqur si myslimanë në jetën publike, ndërsa në fshehtësi ruanin besimin e krishterë. Këta “laramanë” jetonin mes dy botëve: asaj të detyrimit dhe asaj të ndërgjegjes.
Relacionet e arqipeshkvëve, veçanërisht ato të Gjon Nikollë Kazazit, tregojnë se ky fenomen ishte i përhapur në shumë famulli të Kosovës dhe Maqedonisë. Martesat e përziera, pamundësia e marrjes së sakramenteve dhe dilemat pastorale e bënë situatën edhe më të vështirë. Shumë gra të krishtera, të martuara me burra myslimanë, ruanin fshehtas fenë dhe kërkonin rrëfim e kungim sa herë që ishte e mundur.
Përballë këtij realiteti, Kongregata për Përhapjen e Fesë në Romë dha udhëzime të veçanta, duke lejuar në raste të caktuara ndarjen e sakramenteve, me qëllim që besimtarët të mos humbnin përfundimisht. Dekretet e papa Benediktit XIV (1744 dhe 1754) synuan të vendosnin rregull dhe qartësi, por zbatimi i tyre hasi në kundërshtime të forta dhe dhimbje të thella shpirtërore. Siç dëshmon Kazazi, shumë laramanë u ndjenë të braktisur dhe reaguan me frikë, zemërim apo dëshpërim.
Ky realitet nuk mund të gjykohet me kriteret e sotme. Laramanët nuk ishin armiq të fesë, por bij të një kohe të errët, ku mbijetesa dhe besimi përplaseshin vazhdimisht. Në heshtje, përmes lutjeve të fshehta dhe shenjave të vogla të besimit, ata ruajtën gjallë dritën e Ungjillit.
Historia e tyre na kujton misionin e Kishës: të udhëheqë me dashuri dhe mëshirë, jo me gjykim. Në këtë frymë, qëndrimi i arqipeshkvit Gjon Nikollë Kazazi mbetet shembull i një bariu të përkushtuar, besnik Kishës dhe i ndjeshëm ndaj vuajtjeve të besimtarëve.
Sot, kriptokatolikët e Arqipeshkvisë së Shkupit duhen parë si dëshmitarë të një feje që mbijetoi në errësirë. Ata janë gurë të heshtur të një Kishe që nuk u shua, por që, edhe në kushte të rënda, ditur të mbetet dritë./drita.info
————————————————-
[1] ASCPF, CP, vol. 97, f. 326v – 327.
[2] ASCPF, CP, vol. 97, f. 32rv.
[3] ASCPF, CP, vol. 97, f. 327v.
[4] ASCPF, CP, vol. 97, f. 328r.
[5] ASCPF, CP, vol. 97, f. 329r.
[6] ASCPF, CP, vol. 97, f. 328v.
[7] Gaspër GJINI, Skopsko prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, (1986,) f. 143.
[8] ASCPF, CP, vol. 97, f. 346rv.
[9] ASCPF, CP, vol. 97, f. 384rv.
[10] ASCPF, CP, vol. 97, nr. 15, viti 1744, teksti i shtypur i dekretit apostolik papnor
“Inter Omnigenas Calamitates” është shënuar me numrin e arkivit, f. 379, (1-5). Krahaso, Gaspër GJINI, Skopska prizrensak biskupija kroz stoljeća, Zagreb, (1986), f. 143.
[11] ASCPF, CP, vol. 97, nr. 15, viti 1744, f. 379.
[12] Gjegj Gjergji GASHI, Albanski mučenici u razdoblju 1846-1848, Zagreb, (1988), f. 29 – 31.
[13] ASCPF, SOCG, vol. 741, f. 42r, visita 1747.
[14] ASCPF, SOCG, vol. 743, f. 313v-314v, visita 1750.
[15] Gjegj Gjergji GASHI, Albanski mučenici u razdoblju 1846-1848, Zagreb, (1988), f. 32.

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër

