“Libri i mallit” i Vehbi Miftarit

Nga Agnesa Beqiri

 

Libri i mallit i autorit Vehbi Miftari, i botuar për herë të parë më 2005 nga shtëpia botuese Buzuku, njëzet vjet më vonë, më 2025 vjen si ribotim nga shtëpia botuese Drita.

Libri shqyrton tekstet poetike të themeluesit të prozës moderne shqipe, Ernest Koliqi. Për Miftarin, Koliqi është mbi të gjitha poet: “Koliqi prozator majash letrare, modernist në shprehje e tradicionalist ‘i pandreqshëm’ në motive e ide, është para së gjithash poet” (fq. 12). Pra, për ta interpretuar prozën e Koliqit është esenciale njohja e tekstit poetik të tij.

Studimi i Vehbi Miftarit për poezinë e Koliqit ndahet në dy pjesë. Pjesa e parë titullohet Dashunia e shpallun – Poetika, ndërsa pjesa e dytë është njëkohësisht pjesa prej së cilës e merr titullin studimi i Miftarit, Libri i mallit – Interpretimi, rrjedhimisht është pjesa kryesore e studimit.

Dashunia e shpallun përqendrohet në poetikë e Koliqit, në temat, diskursin, format e ndërtekstualitetin. Sipas Miftarit, tekstet poetike të Koliqit lëvizin mes substratit kulturor e etnik dhe ndjenjës personale. Kështu, i dyzuar nga kultura tradicionale dhe me pikëpamje modern mbi artin, Koliqi krijon poezinë e mallit. Kultura tradicionale shfaqet si kujtesë e së kaluarës, ndërsa pikëpamjet moderniste shfaqen si ëndërrim për një të ardhme. Kujtimin e ëndërrimin, në tekstin poetik të Koliqit, i lidh shpresa. “I mërguar e i përjashtuar njëkohësisht nga vendi i vet e nga kultura e tij, Koliqi e barti atë me vete. Tekstet e tij poetike, prandaj, janë tekste të mallit, të një kujtese të vazhdueshme për një dashuri të madhe: Shkodrën dhe për një përkatësi, shkrimin letrar shqip, të cilin dëshironte të mos e braktiste asnjëherë. Përqendrimi i subjektit lëviz nga e kaluara në të ardhmen, nga kujtesa në ëndërrim, për ta kërkuar kthimin e përhershëm, shpirtëror në mos fizik, në Shkodrën e tij”. (fq. 23)

Sipas Vehbi Miftarit, në poezinë e Koliqit format lirike përzihen me ato epike, ndërsa sa i përket diskursit mbizotëron ai popullor dhe ai biblik.

Ndërtekstualiteti në poezinë e Koliqit nuk zhvillohet si hipotekst, por si dialog me paramodelin, më specifikisht poezia e Koliqit dialogon me poezinë romantike shqipe, veçanërisht me Këngët e Milosaos të De Radës. Këtë lloj ndërtekstualiteti që zhvillohet si dialog me kulturën letrare, që zhvillohet në vetëdijen e autorit, Miftari e quan ndërtekstualitet ndërdijor. “Ndërtekstualitet ndërdijor do ta quaja procesin në të cilin kultura e paracakton një bartje transtekstualitetit me një tekst origjinar me të cilin nuk njihet, por dialogon si kulturë”.  (fq.28)

Pjesa e dytë e këtij studimi, e titulluar Libri i mallit, ndahet në katër kapituj. Nën titullin Tekstualiteti/Emocionaliteti interpretohet poemthi dramtik i Koliqit, Kushtrimi i Skanderbeut. Vepra Gjurmat e stinëve, që nga Miftari cilësohet si teksti më i mire poetik i Koliqit, trajtohet në pjesën prej nga e merr emrin ky srtudim, Libri i mallit. Letërsia e mbindërtuar trajton veprën Kangjellat e Rilindjes, ndërsa Teksti i pjekurisë përqendrohet te vepra Symfonija e Shqipevet.

Vargu i Koliqit mbizotërohet nga malli melankolik e diskursi elegjiak. Malli është gjendja e përhershme e Koliqit, që shkruan për ta kujtuar të kaluarën dhe për ta projektuar të ardhmen. “Koliqi e gjen modelin krijues në traditën gojore shqiptare, të cilën e pasuron me trajta të motivuara nga formimi letrar perëndimor”. (fq.43)

Kushtrimi i Skanderbeut, si teksti i parë poetik i Koliqit, interpretohet i pari në veprën e Vehbi Miftarit. E shkruar si poemth dramatik, kjo vepër e Koliqit merr modelin dantesk të jetës së përtejme. Pra, model i tekstit bëhet Komedia hyjnore e Dante Aligerit, ku personazhet/ personalitetet e shquara shqiptare, nga parajsa vajtojnë fatin e Shqipërisë. Ndërsa, për sa i përket strukturës, kjo vepër e Koliqit cilësohet si posromantike, pra është e ngjashme me poemat epike romantike. Ashtu si veprat e letërsisë romantike shqipe, edhe Kushtrimi i Skanderbeut është vepër me funksion, vepër utilitare. Koliqi shkruan për të mbajtur ndezur zjarrin e brendshëm të shqiptarëve për punët e Shqiprisë. Prandaj, Miftari konsideron që lirikat e Koliqit shtrihen mes lirikës së pastër dhe asaj të angazhuar.

Libri i mallit, si pjesa më e gjerë e këtij studimi, ndalet më detajisht në poezitë e veprës Gjurmat e stinve. Kjo vepër e Koliqit, që vlerësohet si teksti poetik më i mire i tij, është tematikisht e lidhur. Për nga forma, mbizotërojnë tingëllimat, vjershat e rimuara dhe shkrimi rezonues. Vepra është e ndarë në cikle të cilat shkallë-shkallë paraqesin trishtimin e mallin e autorit.

Kangjellat e Rilindjes shihet si tekst që, si nga kodet tematike, ashtu edhe për nga thurja e tekstit është krijuar si vepër me paramodel veprat romantike. Më saktësisht model i kësaj vepre të Koliqit është vepra e De Radës, teksti i Koliqit mbindërtohet mbi tekstin e De Radës. Prandaj, kjo pjesë e studimit titullohet Letërsia e mbindërtuar.

Koliqin ideologjia komuniste e përjashtoi si njeri e si autor, kjo mungesë e ky përjashtim i krijon mallin për vendin, të cilin synon ta shuajë duke kërkuar modele letrare dhe këtë model letrar e gjen te De Rada dhe njëkohësisht mbetet i lidhur gjithnjë me modelin tjetër letrar, Gjergj Fishtën.

Teksti i pjekurisë cilësohet vepra Symfonia e shqipeve. Teksti i pjekurisë sepse Koliqi e riboton dhe e rishkruan në pjekuri. Pra, dallojmë një variant të Symfonisë nga Koliqi i ri dhe një variant tjetër nga Koliqi i pjekur. “Meqë teksti ribotohej në përmbyllje të krijimtarisë artistike e jo në hapje të saj, nënkupton shkrimin e pjekurisë artistike, modelin shkrimor të përpunuar e kërkimin e formave e të trajtave letrare”. (fq.73)

Ashtu siç vepron Koliqi me Symfoninë, njësoj vepron edhe Vehbi Miftari me librin për poezinë e Koliqit, me Librin e mallit. Njëzet vjet nga botimi i parë i studimit për tekstin poetik të Koliqit, Miftari riboton këtë studimin duke dëshmuar edhe njëherë, që letërsia e mirëfilltë kapërcen të gjithë kufijtë e kohës dhe njëkohësisht, këta kufij i kapërcen edhe studimi për të./drita.info

 

(Teksti është lexuar si paraqitje e librit, në takimet kulturore “Pena e Dritës” në Bibliotekën “Ernest Koliqi”, në Prishtinë, më 19 shkurt 2026)

Shpëndaje: