“Miserere: Udhëtimi drejt shpirtit”. Një reflektim psiko-shpirtëror mbi Psalmin 51

Nga Dom Shtjefën Dodes

 

Ka libra që lexohen… dhe ka libra që të lexojnë. Bibla është një e tillë, e në mënyrë të veçantë Psalmi 51. “Miserere: udhëtimi drejt shpirtit” i Don Anton Ukës i përket kësaj kategorie të dytë.

Në historinë e jetës shpirtërore të krishterë ka lutje që nuk plaken kurrë. Ato lindin nga thellësia e përvojës njerëzore dhe vazhdojnë të flasin për çdo brez. Një ndër to është Psalmi 51 – Miserere – britma e pendesës së mbretit David pas rënies së tij. Pikërisht mbi këtë tekst biblik e ndërton reflektimin e tij Dr. Don Anton Uka në librin “Miserere: Udhëtimi drejt shpirtit”, duke ofruar një qasje të thellë teologjike, shpirtërore dhe psikologjike.

Ky libër, që për bazë i ka komentet biblike, e përshkruan një itinerar të brendshëm, një ecje përmes krizës, ndërgjegjes, pendimit dhe rilindjes shpirtërore.

 

Nga kriza te ndërgjegjja

Libri hapet me dramën e Davidit – një njeri i zgjedhur nga Hyji, por që përballet me dobësinë e vet. Autori e analizon këtë moment jo vetëm si rënie morale, por si krizë të thellë shpirtërore dhe mendore. Mëkati nuk paraqitet si një akt i izoluar, por si proces që fillon nga brenda.

Në fillim të rrëfimit vëmendja përqendrohet te momenti i parë i lëkundjes: mënyra si shohim, si dëshirojmë, si lejojmë që një impuls i pakontrolluar të bëhet zgjedhje. Është një analizë e hollë e dinamikave të brendshme që çojnë drejt rënies. Autori na kujton se çdo devijim i madh nis nga një lëvizje e vogël e zemrës.

Por kriza nuk është fundi. Ajo bëhet vend takimi me të vërtetën.

 

Nevoja për shpëtim dhe për mëshirë

Pjesa e dytë e librit trajton nevojën për mëshirë dhe pajtim. Davidin e gjejmë përballë ndërgjegjes së tij. Ai nuk justifikohet. Nuk fshihet. Ai pranon.

Në këtë pikë, libri merr një thellësi të veçantë psiko-shpirtërore. Faji, turpi, ndëshkimi i brendshëm dhe përballja me të vërtetën analizohen me ndjeshmëri dhe realizëm. Autori tregon se shërimi fillon kur njeriu e pranon përgjegjësinë dhe hapet ndaj mëshirës së Hyjit.

Pendimi nuk paraqitet si akt i frikës, por si hap i guximshëm drejt lirisë.

 

Ballafaqimi me ndërgjegjen

Në pjesën e tretë, libri ndalet te procesi i pastrimit të zemrës: “Krijo në mua, o Hyj, një zemër të pastër.” Këtu theksohet rëndësia e dritës së brendshme – ajo që ndriçon errësirat e fshehta të shpirtit.

Autori flet për çiltërsinë, për gëzimin që lind nga falja dhe për transformimin që ndodh kur Shpirti i Zotit e banon sërish zemrën e njeriut. Pendimi nuk është vetëm pranim i së kaluarës, por lindje e një identiteti të ri.

 

Vizioni i Hyjit dhe simbolika e thellë biblike

Një nga pjesët më të pasura të librit është analiza simbolike: guri, shpata, buka, vera, harpa, gomari, Davidi dhe Sauli, Davidi dhe Goliati. Këto figura biblike interpretohen si pasqyra të dinamikave të brendshme të njeriut.

Këtu libri fiton një dimension meditativ dhe formues. Lexuesi ftohet të shohë jetën e vet përmes figurave biblike dhe të kuptojë se beteja më e madhe nuk zhvillohet jashtë, por brenda zemrës.

 

Nga pendesa te dëshmia

Libri përfundon me dimensionin e misionit: ai që ka përjetuar mëshirën bëhet dëshmitar i dashurisë. Falja nuk është përvojë private; ajo shndërrohet në shërbim dhe në dëshmi.

“Dëshmitari i dashurisë” është njeriu që, pasi është pajtuar me Hyjin, mund t’iu ndihmojë të tjerëve ta gjejnë rrugën e shpëtimit.

 

Autori dhe përvoja e tij

Dr. Don Anton Uka, prift i Kishës katolike nga Kosova, me formim të thellë teologjik në Itali dhe doktoraturë në Universitetin Papnor Gregoriana në Romë, sjell në këtë vepër përvojën e tij akademike, baritore dhe shpirtërore. Studimet e tij mbi spiritualitetin e Carlo Maria Martinit dhe përvoja e tij si misionar e pedagog i japin librit një qasje të ekuilibruar mes thellësisë shkencore dhe ndjeshmërisë baritore.

 

Një ftesë për lexim dhe meditim

“Miserere: Udhëtimi drejt shpirtit” është një libër që nuk lexohet me nxitim. Ai kërkon heshtje, reflektim dhe lutje. Është një shoqërues për kohët e krizës, për momentet e kërkimit dhe për ata që duan ta kuptojnë më thellë dramën dhe bukurinë e pendesës së krishterë.

Në një botë ku shpesh relativizohet mëkati, por rritet ankthi i brendshëm, ky libër rikthen në qendër të vërtetën e madhe të Ungjillit: mëshira e Hyjit është më e madhe se çdo rënie. Sepse udhëtimi drejt shpirtit fillon pikërisht aty ku njeriu guxon të thotë: “Ki mëshirë për mua, o Hyj.”

 

(Ky shkrim u lexua si paraqitje e librit në takimin kulturor “Pena e Dritës”, në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, më 19 shkurt 2026.)

Shpëndaje: