NË KËRKIM TË SË VËRTETËS ose britma e një frike të fshehur brenda nesh

(Dodë Gjergji, “KTHIMI”, roman, botoi Shtëpia Botuese “DRITA”, dhe Shtëpia Botuese “55”, Prishtinë & Tiranë, 2021, Pjesa e parë, 224 faqe.)

 

Nga Shefqet Dibrani

 

Hyrje

Romani nis me një zë kumbues dhe të pakuptueshëm që e zgjon nga gjumi Shpresën. Nga dritarja e saj ajo sheh një hije në shtëpinë përballë, e cila herë qartësohet e herë humbet, sipas ritmit të lëvizjeve të një njeriu që fal namazin e sabahut. Pikërisht këtu fillon edhe përpjekja e saj për të kuptuar të vërtetën e vet.

Në një tjetër moment mjaftë domethënës, ndërsa pret të atin pas provimit të parë në fakultet, në korridoret e universitetit dëgjon mallkimin e një studenteje në çastin kur bien kambanat e katedrales. Për Shpresën, megjithatë, ky tingull nuk është aq shqetësues, përkundrazi, ai bëhet një përjetim i veçantë që i ngulitet thellë në shpirt. Ky dualitet tingujsh – azani dhe kambanat – krijojnë një kontrast simbolik që prish qetësinë e qytetit, por njëkohësisht zgjon reflektim në ndërgjegjen e vajzës. Azani vjen në një gjuhë të panjohur për të, duke u perceptuar si diçka e huaj; ndërsa tingulli i kambanave shfaqet si një jehonë e kuptueshme dhe e përjetueshme shpirtërisht. Ky përjetim i hershëm, edhe pse ende i pavetëdijshëm, duket se vepron në thellësitë e nënvetëdijes së Shpresës, duke përgatitur terrenin për kërkimin e së vërtetës.

E vërteta, në këtë roman, nis nga ndryshimi i zemrës. Njeriu i ndërgjegjshëm shpesh detyrohet të heshtë përballë shumicës, e cila e shndërron mendimin e vet në ligj dhe e detyron të vërtetën të fshihet në heshtje.

 

Leximi pa paragjykime – një domosdoshmëri

Në letërsinë shqipe rrallë hasim një roman të shkruar nga një prift baritor i Kishës Katolike Shqiptare në Kosovë. Këtë përvojë e sjell në letërsi ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji. Nëse romani lexohet pa paragjykim, ai të mahnit me rrjedhën e vet narrative dhe me tematikën që trajton. Pikërisht nga kjo perspektivë përpiqem të ndërtoj edhe unë këtë interpretim kritik, me synimin për të nxjerrë në pah frymën e tij shpirtërore dhe për të hapur një udhë leximi për këtë lloj letërsie, ende e rrallë në hapësirën tonë kulturore.

Romani “KTHIMI”, pjesa e parë e një trilogjie, hap shtegun e një udhe të gjatë drejt kërkimit të identitetit dhe të së vërtetës. Në qendër të rrëfimit qëndron historia e dashurisë mes dy të rinjve shqiptarë, të cilët, para se të dorëzohen plotësisht ndaj ndjenjës së tyre, vendosin një bast të veçantë: Të zbulojnë rrënjët e tyre të hershme dhe të vërteten e tyre historike.

Ata nuk dëshirojnë të jetojnë më midis dyshimit dhe të vërtetës, midis frikës dhe shpresës. Në shumë familje shqiptare, dashuria shpesh përzihet me dyshimin dhe me një psikologji frike që nuk i beson plotësisht vetë jetës. Por me kalimin e kohës Shpresa rritej dhe me rritjen e saj fillon edhe ndryshimi në raport me te: “Kur isha fëmijë, gjyshi kurrë nuk priste që unë ta përqafoja e para. Ishte ai që më ngrinte para duarve, më merrte ngrykë me gëzim dhe më shtrëngonte fort në gjoksin e tij. Tani më shmanget dhe mban një largësi të çuditshme ndaj meje. Edhe kur e zë gafil nganjëherë, vërej qartë zemërimin në fytyrën e tij. Nuk e di se si e kap njëfarë sikleti dhe fillon të ndihet keq, kur trupi im i zhvilluar puqej në trupin e tij të brishtë”, (f.54). Këtë ndryshim në sjelljen e gjyshit, ajo prej kohësh e kishte vërejtur.

Pas një kohe dhe peripecive të shumta Shpresa akomodohet në Konviktin e Studentëve në Prishtinë dhe fillon një jetë të re studentore, larg familjes dhe atij mentalitetit patriarkal që kishte në familje e përgjithësisht në katund. Madje udhëtimet në fundjave për në familje, asaj i krijojnë një botkuptim të ri, jo vetëm me të atin që bisedonte për hallet e jetës, të familjes dhe raportet me të ëmën e Shpesës, por edhe e ëma filloi me vajzën të ndërtojë një raport ndryshe dhe më të mirë. Në anën tjetër fitohet besueshmëri më e madhe në vajzën studente, dhe dalngadal filluan Shpresën ta trajtojnë si vajzë me kulturë dhe me përspektivë. Edhe pse jeta në konvikt për të, i kishte sfidat e veta, përparësitë e jetës së re ishin të shumta dhe të gjithanshme.

 

Vlera tematike e romanit

Gjyshi i Shpresës, rrinte me pleqtë e katundit dhe aplikonte ritualet e përditshme në xhamin e fshatit. Por me kalimin e kohës ai filloi të ndryshonte, veçmas nga bisedat me pleqtë pas faljes së namazit. Sa herë kthehej në shtëpi ai i thoshte të birit: “Martoje çikën, a sheh se është bâ si pelë! Hiqe prej shpije sa s’jemi koritë!”, (f.58), dhe në moshën gjatëmbëdhjetë vjeçe e martojnë motrën më të madhe për një burrë shumë ma në moshë duke ia shkatërruar jetën dhe ardhmërinë. Pastaj motra do të luftojë për ardhmërinë e Shpresës, duke i akuzuar prindërit se mua ma keni shkatërruar ardhmërinë e nuk duhet lejuar këtë gjë edhe për motrën e vogël. Kjo luftë për të drejtat e mbrendshme në familje zakonisht ka marrë një kurban të proceseve.

Ngjarjet zhvillohen kryesisht në Prishtinë, por rrënjët familjare të personazheve lidhen me zona si Karadaku i Gjilanit dhe Llausha. Këto hapësira etnografike ruajnë në kujtesën e banorëve të tyre gjurmë të identiteteve të përziera fetare dhe historike. Autori dëshmon një njohje të thellë të traditave dhe zakoneve shqiptare, duke trajtuar pa paragjykime edhe fenomenin e konvertimeve fetare. Në roman ruhet një harmoni e veçantë mes dy të rinjëve, mes dy besimeve dhe mes dy këndvështrimeve të ndryshme për historinë e të vertetës dhe identitetin e tyre!

Një nga vlerat kryesore të romanit është gjuha e pastër dhe qasja e matur e autorit. Ai shmang çdo lloj urrejtjeje apo retorikë përçarëse dhe përpiqet të kuptojë arsyet historike që kanë sjellë luhatjet e shqiptarëve në periudha të ndryshme. Ai nuk rrëfen vet, as në cilësinë e një misionari katolik. Rrëfimet e tij kryesisht bëhen në vetën e tretë po më shumë përmes dy kryepersonazheve të romanit Shpresës dhe Avdullahut i cili në administraten civile të qytetit kishte ndërruar emrin në Gjon, ndërsa me mbiemrin Sykaltëri e pagëzon Shpresa e cila megjithë tundimet e saj është dashuruar së tepërmi në të. Por duke ardhur nga katundi dhe nga një mes sa patriarkal po aq i përzier në aspektin fetar, ajo fillimisht dëshiron ta mëson të vertetën e saj gjenologjike, dhe të mos turpëronte familjen e cila kishte duruar thashethemet e fshatit për shkollimin e vajzës. Po aq, autori njeh deri në imtësi paragjykimin si vijë ndarëse nëpër kohëra dhe nga trysnit shekullore, nëpër të cilat kaloi vendi ynë, pra edhe të ndryshimeve kulturore dhe të atyre fetare, edhe brenda të të njëjtit soj, dualitet fetar që aplikohej aty këtu të cilin e kanë imponuar trysnit e rrethanave shoqërore e politike dhe sundimet gjithëfarshe mbi truallin dhe familjet tona, shihet jo vetëm si dhimbje e individit por më shumë si dhimbje kombëtare, e cila i shqetëson edhe dy moshatarët e rinj.

Ngjarja e romanit i përketë dhjetëvjetëshit të fundit me të gjitha trazimet morale e kulturore, dhe me tendencë të hapur për të zhvleftësuar Skënderbeun, Nënë Terezën, Pjetër Bogdanin dhe shumë të tjerë, veçori agresive, një çthurje apo ikje nga identiteti tradicional dhe nga zakonet e të parëve. Kjo përpjekje e huaj, ka për qëllim për të mbuluar e harruar të vërtetën historike, andaj e kundërshton mundësin e rikthimit në të vërtetën e vërtetë. Paradoksi duket edhe më i shëmtuar, kur dihet se atdheu i Shpresës është trualli arbëror dhe kjo Arbëri është pjesë e Kontinentit Europian, pjesë e kulturës dhe identitetit fetar që fle e flet në këto hapësira, ndonëse Ballkanin dhe veçmas Arbërinë tashmë e kanë përfshirë tendencë për ta shkëputur këtë vend dhe këtë popull nga trungu dhe rrënjët e veta arbërore, me qëllim për ta orientuar andej ku zakonet dhe tradita jonë nuk përputhet.

 

Këtë punë e di Rugova?!

Përveç Universitetit, Bibliotekës Kombëtare, Sheshit “Zahir Pajaziti”, dhe Katedralës, në roman përmendet edhe Ibrahim Rugova, qoftë si studues i Bogdanit, qoftë si njeriu i urtë me të cilin është vënë gurthemeli i Katedralës Katolike “Nënë Tereza”, në Prishtinë. Ja dy fragmente: Pjetër Bogdani, “është burrë i madh i shekullit XVII. Ishte i harruar i ngrati, por e bëri të famshëm Ibrahim Rugova në vitet ’80, kur doktoroi mbi veprën e tij”, (f.95), i tha Lulja shoqja e dhomës në konvikt, kur bisedonin për disa nga shkrimtarët e mëdhenjë. Me naivitetin e saj, Shpresa e pyet shoqen “-Po ky Bogdani, a nuk është shka?”, ndërsa përgjigja e Lules ishte “-Jo! T’u thaftë goja! Po si po thua kështu? Ai është shkrimtari ynë i famshëm”, (f.96), dhe jo vetëm kaq, por Lulja, shoqja e saj e konviktit ishte ajo vajza që do t’ia gjej fijen e atij lëmshit të ngatërruar e të ngulitur në mendjen e Shpresës, veçmas kur Lulja i tha: “-Besa, më duket se ajo plaka jonë në katund i ka ditur gjërat para Rugovës?!”, fjala është për Pjetër Bogdanin dhe studimit për të nga studiuesi Ibrahim Rugova.

“Kurse babëloku, në çdo bisedë apo kur shihte në televizor ndonjë debat, reagonte ashpër, duke i nemur të gjithë kundërshtarët. Ai ishte një mysliman, por kur bëhej fjalë për katedralen, nuk e vinte në diskutim. Kështu që, sa herë dëgjonte kundërshtime, duke turfulluar nën mustaqe, thoshte; Këtë punë e di Rugova. T’i s’ke shka thue.”, (f.215). Ky ishte vetëm një mendim, në mendjen e trazuar të Shpersës, sa ishte duke pritur ardhjen e Gjonit në kafenen e përhershëm, çdo të enjte, ku tavolina gjithnjë ishte e rezervuar për qiftin ambiciozë.

 

Figura biblike e Gjonit

Në dimensionin simbolik të romanit, emri Gjon lidhet me traditën biblike dhe me figurat e rëndësishme të krishterimit, si “John the Baptist” dhe “John the Apostle”. Në traditën e krishterë, këto figura përfaqësojnë dëshminë e së vërtetës, besnikërinë shpirtërore dhe thirrjen për kthim të brendshëm. Në këtë kuptim, edhe personazhi i Gjonit në roman shndërrohet në një figurë simbolike në kërkim të së vërtetës dhe të kthimit shpirtëror.

 

Filli i lëmshit i mbledhur në mendjen e Shpresës

Efekti i Rozafës, është një mister i mbledhur në mendjen e Shpresës, sepse “ndërtimi i kalasë, ajo që ndërtohej ditën rrënohej natën”, kurse tek rasti i Shpresës, “dashuria për të vërtetën”, dhe flirti me Sykaltrin jo vetëm “i brenin themelet” e kalasë por rrënohej gjithçka. Natyrisht ishin këto gjëra të cilat jo e mundonin por e detyronin Shpresën të mendonte për këto doke a zakone, për këtë ritual a këtë të vërtetë që prej kohësh kishin ngjallur mister në mendjen dhe shpirtin e saj. Por takimi me hallën Shaqe do t’ia rrënojë të gjitha iluzionet, e në të njëjten kohë Shpreses do t’i hap rrugë të reja për të udhëtuar drejtë së vërtetës të cilën ajo e kërkonte me ngulmim, dhe kjo kishte ndodhur për dy arsye. E para për dashurinë që kishte për Sykaltrin, dhe e dyta ishte i gjithë ai mozaik kulturor e fetar që ishte ngatërruar në shpirtin e saj. Dhe tani si studente dhe studiuese ajo i kishte vënë bast vetës për të shkuar gjer tek e vërteta dhe nëse Sykaltrit do t’ia falte dashurinë, besimit e saj dëshironte t’ia falte së vërtetës.

Romani nuk synon të ndryshojë bindjet, besimet e as karakteret, por kërkon vetëm të vërteten dhe kjo e vërtetë për Shpresën nis që ditën e parë kur ishte në Universitet, ku rastësisht pa një djalë që lexonte një libër i cili qysh në shikimin e parë do t’i ngjallë kureshtjen për ta njohur sepse ajo sjellje dhe pamje asaj i kishte pëlqyer tejmase. Por si vajzë katundi, qysh në ditën e parë nuk kishte se si dhe as guxim të shkëmbente vetëm një fjalë me të. Edhe djaloshi sykaltër nuk i kishte dhënë shkas për njohje me të. Edhe përpjekjet e Shpresës për ta takuar edhe një herë djaloshin sykaltër rezltuan pa sukses. Por siç thotë një urti popullore “rasti është mbret i botës”, edhe për shpresën e Shpresës, ky rast doli në horizont, atë fundjave kur kthehej në fshat, e kur babai i saj ndaloi makinën në një pikë karburanti për t’i takuar disa miq, kurse ajo detyrohet të qëndroj e vetme në anën tjetër të restorantit që gjendej në udhën për në fshatin e saj. Aty ritakon edhe një herë djaloshin sykaltër me të cilin përveç një përshëndetje nuk arrin të shkëmbej as numrat e telefonave dhe as të mësoj emrin e vërtetë, përveçse e lexon në çantën e tij emrin Abdullah Hasani. Madje nga friga se e shihte i ati ulur me disa miq të tij pak më tutje, ajo nuk sillet me mirësjellje ndaj tij, ndonëse u ndje me fat që takoi të paktën edhe një herë. As kërkimet e saj në rrjetin social “Facebook”, nuk i dhanë rezultate pasi kudo paraqiteshin persona nga vendet arabe, nga ku e ka prejardhjen emri i Abdullah Hasanit. Takimi me hallë Shaqen do të zbërthej alibinë e shumë të panjohurave, por edhe për raportin e saj me Gjonin, të cilit tashmë ia dinte vendin e punës.

Halle Shaqe në rrëfimin e saj i dëfton Shpreses se “Ktu te burri, kanë harruar rrajtë e veta. Por, te familja jeme deri vonë, për të tjerët kemi qenë myslimanë, po në shtëpi kemi mbajtë fenë që na i kanë lanë amanet të parët tanë”, (f.113). Ky rrëfim do ta trondit shpirtin e Shpresës por njëkohësisht asaj do t’i hap dilema për të vertetën e saj të mbuluar nga misteri i kohës. Dhe në pyetjen e halles Shaqe, kuptojmë se dajat e Shpresës janë nga Bregut Malit ndërsa familjarët e saj nga Llausha, “Mos ki merak, se krejt Llausha janë si unë, m’u përgjigj”, (f.114), pastaj halla Shaqe e poresitë Shpresën, “Gjyshi yt mund të dijë më shumë… krejt Llausha janë si unë”, (f.119). Në anën tjetër edhe gjyshi i dajave i kishte treguar se rrënjet e së ëmës, Sanijes, ishin katolike. Ai i rrëfen Shpreses, se atij i ati i kishte lënë këtë amanet: “Biro, ne nuk duhet ta teprojmë me fe. Të parët tanë ishin katolikë. Bile gjyshja jote, deri kur vdiq, i thoshte uratat e moçme. Tash jemi myslimanë, si të tillë duhet të vazhdojmë. Pa fe, s’ban me kanë.”, (f.129-130). Kurse në bisedë e sipër me gjyshin e saj, Shpresa do ta pyes:“Pse ti thua që na jemi sikur ata katolikët e Lugut të Drinit?

E ai i gjejgjet:

– Ata janë shqiptarët e vjetër, që kanë vuajtë e nuk e kanë ndërrua fenë kurr. Pasha babën, na i kena ra mohit vetës, jena bam, ma së pari laramanë. Në këtë mënyrë, hap pas hapi, e gjeneratë mas gjenerate, jemi konvertua në mysliman… Ma mirë me thanë, e kena ndërrue gëzofin sipas motit!”, (f.130). Në atë bisedë kaq serioze gjyshi i saj do t’i shpjegojë edhe detaje të tjera të cilat Shpresën aq sa e këndellën po aq i sollën mjegull para sysh. “Kështu menduam në fillim. Por, më vonë u kuptua që u mashtruam. Nuk mundesh me marrë me mend sa shumë kemi vuajtur ne laramanët. Katolikët kanë vuajtur si trimat. Kurse ne, kemi jetuar të trishtuem, si lepuri nën kaçubë. Kuku, po na njohin, kuku po na ndiejnë e kuku po na shohin… tanë jetën veç kuku kemi bâ.”, (f.132). Sigurisht pas bisedës me Gjyshin, dhe më parë edhe me hallen Shaqe, Shpresës do t’i davaritet gjithë ajo mjegull që kishte para sysh dhe sakaq mendja i rrinte te Gjon Syklatri. Pastaj ajo krahasonte edhe ato veprime që i bënte gjyshi i saj dhe babai të cilët gjithnjë thoshin se janë mysliman, respektonin hoxhën dhe nderonin xhaminë, por nuk i praktikonin të gjitha veprimet si rrethi dhe katundi i tyre, dhe kjo laramani shpirtërore e detyronte atë edhe më tepër të shkonte tutje drejt së vërtetës. Tashmë ajo filloi të shkonte në Bibliotekën Kombëtare dhe lexonte gjithçka që gjente për Skënderbeun, Pal Engjëllin, Gjon Buzukun, Bogdanin, për Fishtën, Mjedën e Gjeçovin”, e në një rast iu duk:“M’u si një gjë e padrejtë që Kanuni u bënte myslimanëve, mbase nga ajo që unë isha rritur dhe isha edukuar me mendimin që vakëf janë xhamia e kisha, kurse Kanuni njihte si vend të shenjtë vetëm Kishën. E priviligjonte priftin deri në ekstrem, e hoxhën nuk e përmendte fare.”, (f.145), e pasi Shpresës i “dukej sikur Kanui diskriminonte islamin e priviligjonte kishën”, prandaj ajo “iu kthye edhe një herë Kuvendit të Arbërit”, (f.146). E në këto lexime për të vërtetën e vërtetë të cilën nuk e gjente nga librat që kishte lexuar, i ishte “bërë e qartë që bijtë e UÇK-së janë heronj të luftës. Kurse, katolikët janë heronj të historisë, pasi ata u kanë rezistuar të gjitha luftërave”. Ata “kanë qëndruar konsekuentë të të gjitha sfidave historike dhe s’kanë pranuar kurrë të ndërrojnë, fenë dhe flamurin.”, (f.153).

 

Rikthimi te Gjon Sykaltri dhe njohja me Don Zefin

Në një mbrëmje, siç e kemi shpjeguar edhe më parë, dhe pas një kohe të gjatë, bashkë me shoqen e saj të dhomës në konvikt dhe të fakultetit Lulen, dolën në një restorant për të pirë kafe dhe rastësisht aty punonte ai djaloshi sykaltër i cili përseri me shikimin e tij rrëmbeu shpirtin e dëlirë të një vajze nga katundi që kishte nisur studimet, dhe një jetë të re në qytetin universitar përballë Katedrales. Edhe pse as kësaj radhe ata nuk do të shkëmbejnë telefonat dhe adresat, të paktën Shpresa mësoi ku punonte sykaltërti që ia rrëmbeu zemrën.

Pas shumë hulumtimesh, Shpresa rikthehet në vendin ku ishte takuar kohë më parë Gjon Sykaltrin, dhe përveç kërkim falje ata me mirëkuptim nisen bisedat e tyre për te zbulimi i të vertetës dhe të identitetit kulturor, që synonin ta mësonin. Gjoni tashmë kishte hyrë thellë në zemrën e Shpresës, andaj vetëm me te ajo gjente atë prehjen shpirtërore dhe njëkohësisht përjetonte edhe shqetësime të shumta rreth identitetit të besimit e mirëkuptimit për të vertetën e vërtetë. Në këto rrethana, Shpresa kishte porosinë e hallës Shaqe, një plakë katundi që ia gjeti fillin e lëmshit të ngatërruar. Pastaj në këto kërkime për të vërtetën Shpresa kupton se edhe nëna e saj është me rrënjë të krishtere dhe se gjyshi i saj, përkatësisht babai i nënës i kishte rrëfyer tërë historin e dhimbshme duke e përgjëruar Shpresën të mos i tregonte askujt për rrënjët e vërteta dhe prejardhjen e nënës, pasi mund të ketë keqkuptime.

Roli i Don Zefit, me të cilin ishte njohur fillimisht Gjon Sykaltri, në këtë mes do të ndikojë tek Shpresa për të kuptuar se kryqi dhe krishterimi nuk janë të huajat dhe se ky mision ka në shpirtë humanizmin jo aq për konvertim fetar por më tepër për të kuptuar të vërteten edhe historike edhe fetare të kombit tonë. Kjo dramë e vertetë e trajtuar me përkushtim nga shkrimtari Dodë Gjergji, njohës dhe predikues i krishterimit ndër ne, është sa rrënjësor po aq i pakalueshëm, sepse ai njeh mirë zakonet e të dy feve, veçmas i din vuajtjet e popullësisë nga Karadaku të cilët për shak të rrethanave shoqërore e politike janë detyruar të kenë një identitet të dyfisht (laraman) në raport me bindjet fetare. Pastaj interesimi i Shpresës për të mësuar sa më tepër për të vërtetën ose më mirë të themi për të kaluarën historike të familjes dhe kombit të saj, bashk me Gjonin shkon edhe ajo në takim me Don Zefin, përmes të të cilit ajo do t’i mësoj përveç vuajtjes dhe sakrificës së familjjeve të Malësisë së Shkupit e të Karadakut edhe gjëra të tjera të kishës dhe Zotit. Mirësia dhe njohja me krishterizmin, ia rrëmbyen zemrën Shpresës, sidomso kur mësoi se, “Fjala Ungjill, do të thotë Lajm i gëzueshëm dhe ky lajm i gëzueshëm është zbërthimi i gjithë asaj që është e shkruar në Bibel. Kështu po të them: Kush do që je e çka do që ke bërë, Zoti të do. Zoti na do, sepse Zoti është dashuri. Ja ky është lajmi i gëzueshëm.”, (f.157), iu gjegj Don Zefi.

Gjithsesi romani trilogjik “KTHIMI”, i Dodë Gjergjit, është një letërsi e re dhe e përshpirtëshme e cila ndihmon lexuesin të kuptojë më mirë të vërtetën dhe të heq pluhurin mbi harresën shekullore, vërtetë ky roman trilogjik shënon në fushën e letërsisë një frymë të re letrare ndër ne, përkatësisht një qasje tjetër, parë nga një këndvështrim i filozofisë së krishtere e cila çëmton me kujdes, pa urrejtje dhe pa asnjë vulgarizëm të vertetën që dëshirojnë ta mësojnë Shpresa dhe Gjoni, dy të rinjë që vijnë nga familje myslimane, por me rrënjë të pastra krishtere, të cilat ku më shumë, e ku vetëm dy breza më larg dalin te rrënjët arbërore.

Pavarësisht ndjeshmërisë, romani “KTHIMI” i Dodë Gjergjit hap debat, i cili meriton qasje nga këndvështrime të shumta dhe pa paragjykime, sepse në të çëmtohet drama e një kombi, shprushet zjarrmia e brendshme shpirtërore në ne dhe është edhe një alarm për devijimet e shumta pasi edhe ata që mëtojnë në “KTHIM”, para se të deklarohen në të krishter duhet ta pranojnë me zemër dhe shpirtë këtë të vërtetë e cila sipas këtij romani nuk mund të ndërtohet mbi urrejtje dhe paragjykime ndaj të tjerëve që për fe e atdhe kanë një besim tjetër. Romani “KTHIMI”, shpjegon të “vërtetën historike që është një fakt kokëfortë, që na dëshmohet nëpërmjet trashëgimisë, dëshmisë dhe dokumenteve.” Pavarësisht se “të gjitha këto janë fakte të ftohta që na japin informacion mbi të kaluarën tonë ose të popullit që i përkasim.” E gjitha është “përpjekje për t’u dhanë dritë skutave të padijenisë tonë.” Dhe vetëm pasi në ne fillon të zgjidhet lëmshi i të kuptuarit dhe “kur në dritën e së vërtetës i shohim gjërat, atëherë te ne zhduken errësirat dhe dritëhijet e injorancës.”, (f.180).

Dhe duke shprehur dëshirën për ta vlerësuar përpjekjen e Shpresës për të mësuar të vërtetën Don Zefi tha: “Unë po kënaqëm me këtë engjëllueshë që vërtet qenka shpresë, paska shpresë dhe mund të bëhet shpresë, për ty (i thotë Gjonit) e për shumë kënd në këtë vend.”, (f.181). Dhe pastaj ai vazhdoi: “Për ne Ipeshkvi është trashëgimtari i apostujve dhe ati ynë në fe, nëpërmejt të cilit rrjedhin hiret sakramentale të Shpirtit Shenjt, i cili e bën atë mësues, bari dhe kujdestar të grigjës që i besohet.”, (f.183), çka d.m.th. se krishterizmi ka si mesazh urtësinë dhe pranimin e të vërtetës pa urrejtje dhe pa paragjykime, sepse kryqi nuk përfaqëson krishterizmin nëse zemra dhe shpirti nuk e pranon të vërtetën. Natyrisht përpjekja e Shpreses dhe Gjonit është një ringjallje, një rilindje a një rindërtim i shpirtit njerëzor, i shoqërisë njerëzore.

Këtë përpjekje për të vërtetën, a si të them për rikthim në katolicizëm, nga këndvështrimi letrar askush nuk ka arritur ta shtjelloj më mirë se sa Dodë Gjergji, Ipeshkvi i Ipeshkvisë Katolike të Kosovës. Prandaj ky roman sa i shërben të vërtetës po aq i shërben krishterizmit dhe së bashku i shërbejnë letërsisë shqipe e cila shtrat të vetin ka qasjen Europine të fenomeneve sociokulturore.

 

Kthimi për në Kryeqytet

Pas takimit në Kishë te Don Zefi, të ngazëllyer, rrugës sa ktheheshin për në Kryeqytet, dy të rinjtë, ia thonë këngës:

Zëri i parë:

“Çapkëne mooj, çapkëne mooooj,

Ti më mbush plot dashuri,

Falmi sytë t’i shikoj,

Falma zemrën të dashuroj…!”

Faqe 188.

Zëri i dytë:

S’jam ajo

Që nuk guxon, nuk guxon, që s’guxon.

Jam shqiptare, që guxoj, që guxoj që guxoj,

Që guxoj të përqafojë.

Faqe 189.

Pastaj Gjoni i shpjegon asaj se: “Këtu, kur flet për fenë e të parëve, ata që janë myslimanë fanatikë, të linçojnë, ata që janë myslimanë-laraman, të poshtërojnë e ata që janë myslimanë vetëm për Bajram, tallen me ty. S’ia vlenë! Është më mirë që këtë gjë ta mbash për veten tënde.”, (f.216).

Romani ‘KTHIMI’, pjesa e parë, është gjendja e turbullt sepse, kryekëput nis me një dashuri të dy të rinjëve student siç janë Shpresa dhe Gjoni, (ose Abdullahu para se ta ndryshonte emrin) pasi pagëzimi i tij pa e kuptuar të vërtetën ende nuk është realizuar nga Don Zefi. Ata mbeten në arkivin e Kishës duke kërkuar të vertetën dhe atje do ta gjejnë librin e vërtetë për të vërtetën e “Martirëve të Karadakut”, dhe pikërisht aty bie perndja e pjesës së parë, që na pamundëson komentimin pa e lexuar të vërtetën e pjesës së dytë, sepse “Kthimi qenka një proces që fillon nga mendja pastaj zbret te zemra e përfundon në shpirt kështu që e përfshijka tërë qeniën”, (f. 217), ose metaforikisht mund të thuhet se e vërteta tregon “britmën e një frike të fshehur brenda nesh…!”, (f.179).

 

Vlerësim përmbyllës

Romani trilogjik “KTHIMI”, pjesa e parë, përfaqëson një përpjekje të veçantë për të trajtuar dramën e identitetit te shqiptarët përmes një rrëfimi sa letrar po aq edhe filozofik. Ai nuk synon të imponojë bindje fetare, por të hapë një debat për historinë, kujtesën dhe identitetin. Në këtë mënyrë, vepra e Dodë Gjergjit shfaqet si një ndërthurje e letërsisë me reflektimin historik dhe shpirtëror. Ajo përpiqet të heqë pluhurin e harresës nga disa faqe të historisë sonë dhe të nxisë lexuesin të reflektojë mbi rrënjët e veta dhe të vërtetën historike.

Pa asnjë dilemë, romani hap një debat që meriton të lexohet dhe të diskutohet pa paragjykime, sepse në thelb ai trajton dramën e një kombi dhe kërkimin e tij të vazhdueshëm për të vërtetën.

Prishtinë, 06 mars 2026

Shpëndaje: