
Në kujtim të filozofit Jürgen Habermas
Nga Dom Mikel Sopi
Legjitimiteti demokratik lind nga forca më e mirë e argumentit.
– Jürgen Habermas
Hyrje
Në një kohe kur debati publik shpesh shndërrohet në zhurmë dhe kundërshtari trajtohet me shumë si armik sesa si bashkëbisedues, vdekja e Jürgen Habermas (me 14.03.2026) na rikthen tek një pyetje themelore: Çfarë e mban gjallë demokracinë? Për Habermasin përgjigjja ishte e qartë: jo forca, jo propaganda dhe as manipulimi, por dialogu racional ndërmjet qytetarëve të barabartë.
Në thelb të filozofisë se tij qëndron ideja se moderniteti nuk është vetëm epokë historike, por projekt normativ i papërfunduar. Për Habermasin, kriza e modernitetit nuk qëndron në dështimin e arsyes, por në deformimin e saj nga interesat strategjike, pushteti dhe manipulimi. Pikërisht për këtë arsye ai formuloi teorinë e veprimit komunikativ, që është një model filozofik sipas të cilit legjitimiteti i institucioneve dhe normave shoqërore duhet të buronte nga një proces dialogu të lirë, ku individët marrin pjesë si të barabartë dhe argumentet vlerësohen mbi bazën e forcës së tyre racionale.
Kjo teori u zhvillua në mënyrë të plotë në veprën e tij monumentale The Theory of Communicative Action, e cila konsiderohet një nga kontributet me të rëndësishme të filozofisë sociale të shekullit XX. Në këtë mënyrë, demokracia për Habermasin nuk është vetëm sistem rregullash politike, por para se gjithash formë komunikimi shoqëror, proces i vazhdueshëm kërkimi të përbashkët të së vërtetës dhe të së drejtës.
Demokracia si kulturë komunikimi
Ky vizion i komunikimit nënkupton një etikë të dialogut të sinqertë, ku pjesëmarrësit hyjnë në debat me gatishmërinë për të dëgjuar, për të rishikuar qëndrimet e tyre dhe për të kërkuar mirëkuptim të përbashkët. Në këtë kuptim, dialogu për Habermasin nuk është vetëm procedurë diskutimi, por praktikë morale e bashkëjetesës demokratike.
Shembull domethënës i kësaj qasjeje ishte dialogu i tij publik me Papa Ratzinger deri sa ai ishte kardinal. Ne këtë debat u trajtua një nga çështjet më të ndërlikuara te modernitetit: raporti ndërmjet arsyes sekulare dhe traditave fetare ne hapësirën publike.
Habermas pranoi se demokracitë moderne nuk mund te mbështeten vetëm në racionalitetin instrumental, por kanë nevojë edhe për burime morale që shpesh janë ruajtur në traditat fetare, veçanërisht në traditën e krishterë. Ky reflektim shënoi hap të rëndësishëm drejt konceptit të tij për një shoqëri “post-sekulare”, ku besimi dhe arsyeja mund të hyjnë në dialog reciprok dhe ta pasurojnë njëra-tjetrën në hapësirën publike.
Demokracia jeton nga cilësia e dialogut publik
Një nga mësimet me të rëndësishme që na lë pas mendimi i Jürgen Habermas është se demokracia nuk mbështetet vetëm mbi institucione dhe procedura formale, por mbi cilësinë e komunikimit ndërmjet qytetarëve. Nëse dialogu publik dobësohet, dobësohet edhe vetë themeli i jetës demokratike.
Në shoqëritë bashkëkohore hapësira publike gjithnjë e më shpesh rrezikon të reduktohet në arenë polemikash dhe strategjish për dominim simbolik. Në vend të argumentit shfaqet slogani, në vend të debatit racional dominon retorika e konfliktit, ndërsa dialogu shpesh zëvendësohet nga monologë paralelë që nuk takohen kurrë me njeri-tjetrin.
Përballë kësaj situate, filozofia e Habermasit na rikujton një të vërtetë thelbësore: demokracia nuk jeton nga zërat që imponohen më fort, por nga gatishmëria e qytetarëve për te dëgjuar njeri-tjetrin dhe për të kërkuar se bashku të vërtetën.
Dialogu ndërfetar dhe tradita shqiptare e bashkëjetesës
Në këtë perspektivë përvoja e dialogut ndërfetar në Kosovë paraqet shembull domethënës të mundësisë së bashkëjetesës përmes komunikimit dhe respektit reciprok. Në një shoqëri që historikisht është karakterizuar nga pluralizmi fetar, komunitetet katolike, myslimane dhe ortodokse kanë zhvilluar forma bashkëjetese që shpesh kanë kapërcyer tensionet politike dhe etnike.
Kjo traditë nuk është vetëm një realitet sociologjik, por edhe element i rëndësishëm i kulturës shqiptare të tolerancës fetare. Ne hapësirën shqiptare, përkatësia fetare rrallëherë ka qenë faktor vendimtar për ndarjen e komuniteteve, ndërsa identiteti kulturor dhe gjuhësor ka krijuar ura komunikimi ndërmjet traditave të ndryshme shpirtërore.
Në vitet e fundit, iniciativa të ndryshme të dialogut ndërfetar në Kosovë kanë krijuar hapësira ku përfaqësues të komuniteteve fetare dhe aktorë te shoqërisë civile mund të reflektojnë se bashku mbi sfidat morale dhe shoqërore të kohës sonë. Në këto takime dhe konferenca, traditat fetare nuk shihen si burime ndarjeje, por si mundësi për të artikuluar vlera të përbashkëta si dinjiteti njerëzor, solidariteti dhe përgjegjësia për të mirën e përbashkët.
Në këtë kuptim, përvoja shqiptare përkon në mënyrë domethënëse me konceptin e shoqërisë post-sekulare të zhvilluar nga Jürgen Habermas. Sipas këtij vizioni, demokracitë moderne duhet të krijojnë hapësira ku zërat fetarë dhe ata sekularë mund te ndërveprojnë në mënyrë reciproke, duke respektuar rregullat e dialogut racional.
Përfundim
Në këtë kuptim, projekti i modernitetit që Habermasi mbrojti mbetet ende një detyrë e papërfunduar, një thirrje për të kultivuar dialogun si kusht te domosdoshëm për një shoqëri të lirë, pluraliste dhe të drejtë.
Trashëgimia e tij filozofike na kujton se demokracia nuk është vetëm sistem institucionesh, por kulturë komunikimi. Ajo kërkon qytetarë te gatshëm për dialog të sinqertë, institucione që mbrojnë debat të hapur dhe hapësirë publike ku e vërteta kërkohet përmes argumentit dhe jo përmes imponimit.
Largimi i Jürgen Habermas nuk është vetëm humbje e një filozofi te madh, por edhe një ftesë për reflektim mbi vetë gjendjen e dialogut në shoqëritë tona. Sepse demokracia nuk qëndron mbi fuqinë e atyre që flasin me fort, por mbi gatishmërinë e qytetarëve për të dëgjuar njeri-tjetrin dhe për të kërkuar se bashku të vërtetën.
Prandaj, në ketë epokë të mbushur me polemika dhe zhurmë, kujtesa e mendimit te Habermasit mbetet një kujtesë e thjeshtë, por e domosdoshme: demokracia fillon aty ku njerëzit janë ende të gatshëm të flasin dhe të dëgjojnë njeri-tjetrin.

Postimi i Mëparshëm

