Etika e kundërshtimit nuk është një opinion

Nga Giovanni Scarafile

 

Kundërshtohet një ide për të mbrojtur një qëndrim, për ta vënë tjetrin në vështirësi, për dashuri ndaj opinionit: kështu mospajtimi bëhet agresiv. Por vetëm duke pasur “konsideratë” mund të arrihet një debat dhe dialog i vërtetë.

 

Kundërshtimi është një gjest që i përket vetë strukturës së përvojës njerëzore, sepse përfshin atë mos-përputhje me fjalën e tjetrit pa të cilën nuk do të kishte subjekt, por vetëm zbatim. Megjithatë, mënyra se si kundërshtimi merr formë zbulon gjithmonë diçka për marrëdhënien që kemi me atë që na flet dhe, më thellë, me mundësinë për t’u shndërruar nga ajo që dëgjojmë. Vetë folja e thotë: “kundërshtoj” vjen nga ob-icere, të hedhësh diçka përpara vetes, të vendosësh një distancë mes qëndrimit tënd dhe pohimit të tjetrit. Në këtë distancë shfaqet liria, por edhe cenueshmëria e atij që ekspozohet; dhe pikërisht sepse ky gjest është kaq radikal, kaq pranë thelbit të asaj që na bën persona, degjenerimet e tij janë veçanërisht zbuluese.

Epoka e rrjeteve sociale e ka bërë të dukshme një dinamikë që ndoshta ka ekzistuar gjithmonë, por që sot duket e zgjeruar dhe pothuajse e normalizuar: kundërshtimi si kundër-reagim/sulm i menjëhershëm, si refleks që nuk pret ta ketë njohur atë ndaj së cilës kundërshtohet. Teoria e reaktancës së Jack Brehm jep një çelës të rëndësishëm interpretimi, duke treguar se perceptimi i një kufizimi të autonomisë sonë gjeneron një përgjigje proporcionalisht të fortë; megjithatë, duke vëzhguar me kujdes praktikat diskursive bashkëkohore, kuptohet se jo çdo mospajtim lind nga një liri realisht e kërcënuar. Në shumë raste ajo që mbrohet nuk është një mundësi e zgjedhjes, por një pozicion simbolik, një vetëpërfaqësim, një rol që nuk toleron të vihet në diskutim. Atëherë kundërshtimi pushon të kontestojë një përmbajtje dhe bëhet një mekanizëm vetëkonservimi identitar. Të dallosh format në të cilat ndodh ky degjenerim nuk është një ushtrim klasifikues, por kushti paraprak për të kuptuar cilat ndërveprime mund të zhvillohen tutje në dialog dhe cilat janë të destinuara të mbeten thjesht përplasje.

Forma më e përhapur është ndoshta ajo që mund ta quajmë “po, por” i përhershëm, shenjë retorike dominuese e hapësirës digjitale. “Po, por të dhënat nuk janë të plota”; “Po, por ka studime që thonë ndryshe”; “Po, por nuk mund të përgjithësohet”. Në dukje, një qëndrim kritik; në realitet, një teknikë pezullimi e pafund. Nuk hyhet në argumentimin e tjetrit: ai neutralizohet me një rezervë të përgjithshme që nuk synon të sqarojë, por të ruajë distancën. Kjo “Po, por” nuk është dialogjike: është një klauzolë mbrojtëse që nuk ndërton një urë, por shënon një kufi.

Ajo që e bën këtë gjest veçanërisht tinëzar është një gabim epistemik që vetë formula nuk e lë të bëhet e dukshme. Kush ndërhyn në këtë mënyrë, e konsideron tekstin që ka përpara si një objekt të thjeshtë në dispozicion, një grup pohimesh për t’u verifikuar ose pezulluar, pa e ndjerë – ose pa dashur ta pranojë – se ai është rezultat i një pune: një proces kërkimi, përzgjedhjeje, artikulimi konceptual, ekspozimi personal. Teksti trajtohet si një e dhënë inerte, dhe jo si fryt i një përpjekjeje që, para se të diskutohet, meriton të njihet. Francezët kanë një term të saktë për këtë qëndrim paraprak: égards, domethënë konsiderata që i detyrohet atij që ka investuar kohë, kompetencë dhe përgjegjësi për të formuluar një mendim dhe për ta hedhur në hapësirën publike. Nuk bëhet fjalë për të zbutur mospajtimin apo për të futur një nënshtrim që paralizon kritikën, por për të kuptuar se njohja e përpjekjes së tjetrit është kushti i mundësisë së çdo përballjeje autentike: kur kjo njohje mungon, në lojë nuk vihet më e vërteta e një argumenti, por mbrojtja e një pozicioni, dhe dialogu nuk thellohet, por varfërohet, sepse humbet atë prag pa të cilin çdo kundërshtim rrezikon të reduktohet në një gjest thjesht opozitar.

Ekziston pastaj një formë e dytë, më e sofistikuar dhe ndonjëherë më agresive: kundërshtimi performativ, ai që haset në konferenca, debate publike, sesione pyetjesh pas një ligjërate. Këtu nuk ndërhyhet për të kuptuar më mirë një tezë, por për ta vënë në vështirësi atë që e ka paraqitur; pyetja nuk është hapje, por provë force, një gjest pozicionimi simbolik që shërben për të treguar kompetencë, për të sinjalizuar përkatësi, për të shënuar epërsi. Marrësi real nuk është ai që ka folur, por ai që po shikon. Mendimi ka nevojë për fërkim, sigurisht; por këtu fërkimi nuk prodhon dritë: prodhon shkëndija për publikun.

Ekziston megjithatë edhe një formë e kundërt dhe po aq tinëzare, që tradita platonike e quan filodoksi: dashuria për opinionin jo për shkak të së vërtetës së tij, por për shkak të atij që e shpreh. Këtu nuk kundërshtohet, por pranohet pa u shqyrtuar: ndërhyrja e tjetrit pritet me entuziazëm, shtohen shenjat e miratimit, fjalët e tij përhapen me komente lavdëruese, por nuk hyhet në thelb. Filodoksia është tipike sidomos e konteksteve ku mbizotëron kulti i personalitetit – mjedise akademike, institucionale, korporative ku pëlqimi paraprak është monedha e mbijetesës – dhe pikërisht ajo zbulon, si një sizmograf, shkallën e nënshtrimit të imponuar apo të pranuar vullnetarisht. Tout va très bien, madame la marquise: të tundësh kokën me zell, të citosh me devocion, të duartrokasësh me kohë, të habitesh me metodë – dhe mbi të gjitha, kurrë, kurrë të mos kundërshtosh vërtet. Filodoksia nuk është negative sepse është e sjellshme: është negative sepse është servile. Nuk e vë në provë mendimin: e mumifikon.

Tre forma, pra, dhe një rezultat i vetëm: në “po, por” risia e tjetrit refuzohet, në kundërshtimin performativ sulmohet, në filodoksi përthithet pa u shndërruar asgjë. Në asnjë nga këto raste nuk prodhohet një ngjarje e vërtetë dialogu, sepse në secilin mungon ajo njohje e dyfishtë pa të cilën kundërshtimi nuk mund të jetë etikisht i themeluar: legjitimiteti i tjetrit dhe gabueshmëria e vetes. Pa të parin, kundërshtimi bëhet agresion; pa të dytin, dogmatizëm. Njeriu është njëkohësisht i hapur dhe rezistent: dëshiron të kuptojë, por ka frikë të humbasë veten, dhe çdo debat e riaktivizon këtë tension. Kur kundërshtimi është paraprak/preventiv, kur i paraprin dëgjimit, ai nuk zbulon autonomi: zbulon frikën për t’u ndryshuar.

Prandaj një etikë e kundërshtimit nuk mund të kufizohet në rregulla procedurale – radha e fjalës, koha e ndërhyrjes, korrektësia formale – por duhet të pyesë për qëndrimin e brendshëm. Dallimi vendimtar nuk qëndron në faktin nëse kundërshtojmë apo jo, por në mënyrën se si e bëjmë këtë: nëse kundërshtimi ruan pyetjen “çfarë më ikën nga ajo që tjetri sheh?”, ai bëhet ushtrim i një lirie të përbashkët; nëse ruan vetëm pohimin e nënkuptuar “unë nuk mund të prekem”, ai mbyllet në një vetëpohim shterpë.

Në fund, masa e një qytetërimi nuk matet nga cilësia e përgjigjeve të tij, por nga cilësia e kundërshtimeve të tij – dhe cilësia e një kundërshtimi njihet nga një shenjë e pagabueshme: heshtja që e paraprin. Ajo heshtje e shkurtër në të cilën dikush, para se të marrë fjalën, ka lejuar që fjala e tjetrit ta prekë vërtet. Aty ku kjo heshtje mungon, mund të flitet ende, sigurisht; por tashmë është ndalur së menduari së bashku.

 

Marrë nga L’etica dell’obiezione non è un’opinione

Përkthimi: Rev. «DRITA»

Shpëndaje: