
Nga m.Franciska (Suzana) Lekaj
Fillimi i një viti të ri shkollor për mësuesin nuk është thjesht një hap drejt përsëritjes së punës apo përmbushjes së detyrimeve të zakonshme. Është një moment i ngarkuar emocionalisht, që shënon një rikthim të thellë ndaj misionit të brendshëm dhe sfidave që shoqërojnë përditshmërinë pedagogjike. Gjatë këtij tranzicioni, mësuesi përballet me një përzierje emocionesh që përfshijnë entuziazëm, ankth, shpresë dhe ndjenjën e përgjegjësisë. Ky udhëtim, si psikologjikisht ashtu edhe shpirtërisht, ka ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e punës dhe në mirëqenien e përgjithshme të mësuesit.
Mësuesia, për shumë profesionistë të arsimit, nuk është vetëm një zgjedhje karriere, por një thirrje që mbart brenda vetes një ndjenjë të thellë shërbimi ndaj të tjerëve. Fillimi i vitit të ri rikujton qëllimin fillestar të këtij misioni. Pyetjet si: “Pse zgjodha të jem mësues?” “Çfarë dua të lë pas te nxënësit e mi?” bëhen thelbësore në rigjetjen e motivimit të brendshëm. Ky reflektim nuk është i rastësishëm, por është një shprehje e lidhjes shpirtërore që një mësues ka me profesionin, me ndërtimin e karakterit dhe të ardhmes së brezave të rinj.
Hulumtimet tregojnë se një nivel më i lartë shpirtëror në vendin e punës lidhet pozitivisht me angazhimin dhe motivimin profesional. Për mësuesit, kjo lidhje shpirtërore krijon një ndjenjë kuptimi dhe përmbushjeje, e cila vepron si mburojë kundër lodhjes emocionale dhe djegies profesionale. Praktika të tilla si meditimi, lutja, falënderimi apo momentet e reflektimit të qetë para klasës ndihmojnë në ruajtjen e qetësisë dhe kthjelltësisë së brendshme. Vlerat si durimi, dhembshuria dhe përgjegjësia nuk janë vetëm parime etike, por edhe burime të shëndetit emocional dhe ndërtimit të marrëdhënieve të thella me nxënësit.
Përveç aspektit shpirtëror, fillimi i vitit të ri është gjithashtu një sfidë intensive psikologjike. Mësuesi përballet me presionin për të krijuar marrëdhënie të reja me nxënësit, për të menaxhuar klasën, për të planifikuar mësimin dhe për të përmbushur objektivat institucionale. Kjo përbën një terren stresues që, në mungesë të balancës dhe mbështetjes, mund të çojë në lodhje mendore apo fizike. Megjithatë, kjo periudhë është edhe një mundësi për vetërritje. Psikologjia pozitive thekson rëndësinë e kapitalit psikologjik, që përfshin vetëefikasitetin, shpresën, optimizmin dhe aftësinë për të kapërcyer vështirësitë si faktorë kyç në mirëqenien dhe performancën e mësuesve. Kjo do të thotë se, duke punuar me vetëdije për të rritur këto cilësi, një mësues mund të transformojë stresin e fillimit të vitit në një mundësi për zhvillim personal.
Teknikat si planifikimi realist, vendosja e kufijve, praktikat e vetëkujdesit (kujdesi për veten) dhe përdorimi i rrjeteve mbështetëse mes kolegëve janë mjete të domosdoshme për menaxhimin emocional të kësaj periudhe. Shëndeti mendor i mësuesit është gjithashtu një kusht i domosdoshëm për krijimin e një ambienti të shëndetshëm për nxënësit.
Në thelb të zhvillimit profesional qëndron reflektimi i thellë mbi përvojat e përditshme në klasë. Reflektimi ndihmon mësuesin të kuptojë se çfarë funksionon, çfarë mund të përmirësohet dhe si mund të përshtatet praktika për të përmbushur nevojat e nxënësve. “Ne nuk mësojmë nga përvoja, por nga reflektimi mbi përvojën.” Praktikat reflektuese përfshijnë shkrimin e ditarëve mësimorë, diskutimet me kolegë, vetëvlerësimin dhe pjesëmarrjen në komunitete profesionale të mësimit. Për më tepër, reflektimi vepron si një mjet mbrojtës ndaj stresit. Duke verbalizuar përvojat, mësuesi shkarkon emocionet e akumuluara dhe krijon një distancë të shëndetshme ndaj ngjarjeve të vështira apo ngarkuese.
Fëmijët dhe prindërit – bashkudhëtarë të rëndësishëm në këtë rrugëtim
Ky udhëtim i fillimit të vitit të ri shkollor, sigurisht, nuk i përket vetëm mësuesit. Ai është një proces i ndërlikuar dhe i bukur që përfshin tre hallka të pandashme: fëmijët, prindërit dhe mësuesin. Të gjithë janë bashkëudhëtarë në këtë rrugëtim, duke ndikuar dhe u ndikuar nga njëri-tjetri, duke formuar së bashku strukturën emocionale dhe pedagogjike të klasës.
Fëmijët, në veçanti, përballen me një mori emocionesh që shpesh nuk dinë t’i artikulojnë: gëzim, pasiguri, ankth, kuriozitet apo frikë nga e panjohura. Përfshirja e tyre aktive që në javët e para të shkollës nuk është vetëm një strategji didaktike, por një nevojë psikologjike. Kur mësuesi krijon hapësira për dialog emocional, kur i fton nxënësit të shprehin ndjesitë e tyre dhe u jep rol aktiv në vendimmarrje të vogla, si zgjedhja e një rregulli të klasës apo mënyra e organizimit të një aktiviteti, fëmijët fillojnë të ndihen të dëgjuar, të respektuar dhe të rëndësishëm. Kjo përfshirje nxit ndjenjën e përkatësisë dhe krijon një klimë më të ngrohtë, më bashkëpunuese dhe më të qëndrueshme për të gjithë.
Prindërit, nga ana tjetër, janë partnerë strategjikë që ndikojnë në mënyrë të konsiderueshme në suksesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies. Roli i tyre nuk kufizohet vetëm në ndjekjen e detyrave apo takimeve periodike me mësuesin. Përfshirja kuptimplotë e prindërve fillon që në ditët e para të vitit shkollor dhe konsiston në ndërtimin e një marrëdhënieje të qëndrueshme, të bazuar në besim dhe transparencë reciproke. Kur prindërit ftohen të marrin pjesë në takime orientuese, të kontribuojnë me mendime, të shprehin shqetësime dhe të ndajnë informacion të vlefshëm mbi zhvillimin emocional dhe karakterin e fëmijës së tyre, atëherë krijohet një urë komunikimi që është thelbësore për mirëqenien e nxënësit.
Ky bashkëpunim përforcohet edhe më tej kur mësuesi e sheh prindin jo si “vëzhgues nga jashtë”, por si bashkëkrijues të përvojës shkollore të fëmijës. Në këtë mënyrë, sfidat që lindin gjatë vitit nuk perceptohen si përgjegjësi e njëanshme, por si çështje që kërkojnë zgjidhje të përbashkëta, në frymë mirëkuptimi dhe partneriteti. Nëse klasa shihet si një komunitet i gjallë, ku bashkëjetojnë nxënësit me ndjeshmëritë e tyre, prindërit me përkujdesjen dhe shpresat që mbajnë për fëmijët, dhe mësuesi me përkushtimin e tij të përditshëm, atëherë edhe sfidat më të mëdha mund të tejkalohen me më shumë lehtësi dhe durim. Ky vizion transformon klasën nga një vend ku thjesht mësohet, në një hapësirë ku zhvillohet ndjeshmëria, ku forcohen lidhjet njerëzore dhe ku të gjithë ndihen të përfshirë, të mirëpritur dhe të vlerësuar.
Në këtë mënyrë, fillimi i vitit shkollor shndërrohet në një proces të përbashkët ndërtimi: ku mësuesi është udhëheqësi i rrugës, nxënësit janë bashkëzbuluesit dhe prindërit janë mbështetja e padukshme, por e domosdoshme. Vetëm në këtë bashkëpunim mund të ndërtojmë jo vetëm një vit të suksesshëm, por edhe një përvojë edukative që lë gjurmë të thella dhe të qëndrueshme në jetën e të gjithë pjesëmarrësve.
Në fund, mund të themi se fillimi i vitit të ri shkollor për një mësues është një udhëtim që kërkon ndërgjegjësim shpirtëror, stabilitet psikologjik dhe angazhim profesional. Ai nuk është një moment i thjeshtë organizimi apo planifikimi, por një periudhë e thellë reflektimi mbi kuptimin e mësimdhënies dhe ndikimin që ajo ka në jetën e të tjerëve. Duke ushtruar vetëkujdes, duke kultivuar praktikën reflektuese dhe duke përfshirë nxënësit dhe prindërit në këtë proces, mësuesi jo vetëm që përballon më mirë sfidat, por edhe e forcon përkushtimin e tij ndaj misionit që ka zgjedhur. Në këtë mënyrë, çdo fillim viti bëhet jo një barrë për të mbajtur, por një mundësi për të rilindur si profesionist, si njeri dhe si udhëheqës i një rrugëtimi të përbashkët./drita.info
———————————
Referencat:
Fred Luthans, Carolyn M.Youssef, & Bruce J. Avolio, Psychological Capital: Developing the human competitive edge, Oxford University Press, United Kingdom, 2007
Donald A. Schön, The Reflective Practitioner: How Professionals Think in Action, Basic Books, New York, 1983
Christopher Day, Passion for Teaching. Routledge, United Kingdom, 2004.

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër

