
Nga Nikollë D.Ukaj
Krishtlindja nuk është vetëm një datë në kalendar, as vetëm një festë që kremtohet me drita dhe dhurata. Krishtlindja është një qëndrim i brendshëm i zemrës dhe i mendjes: është kur je i sinqertë me veten dhe me tjetrin; kur e do tjetrin pa kushte dhe pa interesa; kur e pranon edhe atë që mendon ndryshe nga ti; kur e do të afërmin jo me fjalë, por me vepra. Krishtlindja është përvujtëri, është gëzim për suksesin e tjetrit pa zili, është dëshirë e sinqertë për të mirën e përbashkët. Krishtlindja është kur në zemër dhe në mendje mban të mirën dhe kur dhuron më shumë sesa merr. Siç na kujton edhe C.S. Lewis: “Krishti lindi për të na mësuar çfarë do të thotë dashuri e vërtetë.”
Në prag të Krishtlindjes, festa e Lindjes së Jezu Krishtit në Betlehem, mendja dhe zemra e njeriut ndalen për një çast reflektimi. Kjo ngjarje, e vendosur në një moment konkret historik dhe në një hapësirë reale gjeografike, nuk është vetëm objekt besimi fetar, por edhe një pikë referimi kulturor, moral dhe njerëzor për mbarë qytetërimin perëndimor dhe më gjerë.
Nga këndvështrimi biblik dhe teologjik, Krishtlindja përkujton Mishërimin e Hyjit: Zotin që hyn në histori, në kohë dhe në përvojën njerëzore. Katekizmi i Kishës Katolike e paraqet këtë akt si shprehjen më të lartë të dashurisë hyjnore, ku Hyji nuk mbetet i largët, por afrohet, bëhet i prekshëm dhe solidar me dobësinë njerëzore.
Nga një këndvështrim historik dhe antropologjik, lindja e Krishtit përfaqëson një ndryshim paradigme: fuqia nuk manifestohet më përmes dominimit, por përmes përvujtërisë; madhështia nuk shfaqet në pallate, por në një grazhd; shpresa nuk lind nga forca, por nga një fëmijë. Kjo logjikë e re ka ndikuar thellë në zhvillimin e etikës, të drejtave të njeriut dhe në konceptin e dinjitetit të çdo jete njerëzore.
Në një botë të shënuar nga konflikte, pasiguri dhe fragmentim shoqëror, mesazhi i Krishtlindjes mbetet aktual edhe në dritën e shkencave humane: paqja ndërtohet përmes marrëdhënieve, dashuria përmes dhurimit, ndërsa mirëqenia shoqërore përmes solidaritetit. Edhe studimet psikologjike dhe sociale e vërtetojnë se afërsia, empatia dhe falja janë themel i shëndetit mendor dhe i bashkëjetesës shoqërore, vlera që Krishtlindja i shpall prej më shumë se dy mijë vitesh.
Prandaj, Krishtlindja nuk është vetëm një përkujtim liturgjik, por një thirrje e përditshme për paqe, dashuri, mirësi, zemërgjerësi dhe përgjegjësi ndaj njëri-tjetrit.
Me fjalët e Ungjillit të Mateut, që edhe sonte dëgjohen në Kishën Katolike anembanë botës, le të rizgjojmë shpresën: “Jozef, biri i Davidit, mos ki frikë ta marrësh Marinë, të fejuarën tënde, sepse foshnja që është zënë në të, u zu për virtyt të Shpirtit Shenjt. Ajo do të lindë djalë e ti ngjitja emrin Jezus, sepse Ai do ta shëlbojë popullin e vet prej mëkateve të tij.”
Me këtë dritë të fesë, të arsyes dhe të njerëzisë: Gëzuar dhe për shumë mote Krishtlindjen./drita.info

Postimi i Mëparshëm
Postimi Tjetër

