Përqafimi – simbol i dashurisë amënore dhe pa kushte

Nga m.Franciska (Suzana) Lekaj

 

Përqafimi është një përshëndetje e përditshme, të paktën në kulturën tonë, por edhe në shumë kultura të tjera. Nga vështrimi i parë duket si një gjest i thjeshtë, por në realitet nuk është vetëm një përshëndetje; është shenja e parë e jetës dhe një tregues i fortë i shëndetit fizik, shpirtëror e mendor të njeriut. Pa dyshim, ky gjest ka lindur me të. Sepse, siç e dimë tashmë, kontakti dhe forma e parë e komunikimit mes nënës dhe foshnjës së sapolindur është përqafimi, marrja ngryk, vendosja e foshnjës në kraharor. Sigurisht, këtë gjest dhe këtë ndjenjë, të gjithë e kemi përjetuar dhe marrë nga nëna, edhe pse nuk kemi ditur të flasim, por besoj se e kemi ndjerë. Kjo sjellje apo ky gjest flet shumë dhe përcjell një mesazh të fortë për të dy palët. Konkretisht, foshnjës i bëhet me dije se nuk është vetëm në këtë botë; është dikush që e do, e mbron, e mbështet dhe kujdeset për të. “Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës” (Ps 13, 2). Mund të thuhet se është shenja e parë e jetës dhe e kontaktit me tjetrin. Sikur të ndalemi për pak minuta dhe të mendojmë për përqafimin e nënës, edhe sot do ta ndiejmë po atë forcë dhe energji. Pra, për këtë gjest të gjithë kanë nevojë: të vegjël, të rritur, të rinj, të moshuar, të varfër, të pasur, të shëndoshë, të sëmurë etj. Nuk është vetëm për të dashuruarit apo çiftet, por për të gjithë pa përjashtim.

Sigurisht që asnjëri nga ne nuk është ndalur për të menduar se çfarë është dhe çfarë rëndësie ka përqafimi? Aq shpesh praktikohet, sa që është bërë një sjellje automatike; nuk na lë përshtypje, nuk e përjetojmë. E diçka që nuk përjetohet, aq më pak vlerësohet. Mirëpo, ky veprim aq i thjeshtë mund të transformojë marrëdhënien, të shërojë shumë plagë dhe të pasqyrojë dashurinë e pakushtëzuar. Përqafimi është komunikimi pa fjalë dhe një gjest i fortë i dashurisë së pastër, që përcjell respekt, besim, forcë, mbështetje, bashkim, kujdes tek secili person që e merr dhe e dhuron. Ai ka një aftësi të fortë për ngritje emocionale dhe është mënyra më e mirë për të shprehur emocione shumë të rëndësishme, që shpesh fjalët janë të varfra dhe nuk arrijnë të përcjellin mesazhin në kohën e duhur.

Meqë përqafimi ka një aftësi të fortë për ngritje emocionale, ai duhet të dhurohet vetëm me liri, dhe jo duke e sforcuar veten apo tjetrin. Nëse nuk e ndien se është një dhuratë e mirë për të dhuruar, mos e bëj, sepse nuk arrin të përcjellësh dhe të marrësh ndjenjën, emocionin, atë thesar që mbart ai në vetvete. Përqafimi duhet dhuruar me liri dhe me gjithë zemër, përndryshe nuk duhet dhuruar fare. E kjo varet nga të dy palët, sepse ai është një komunikim reciprok dhe asnjëherë nuk mund të jetë relativ. Këtu bëhet fjalë për përqafim të sinqertë, të lirë dhe me zemër. Shmangni përqafimet fallco.  Nuk mund të përqafosh dikë nëse nuk është në zemrën tënde, nuk mund të përqafosh dikë nëse e xhelozon, nuk mund të përqafosh dikë nëse sa herë flitet për atë person ti gjithmonë flet negativisht për të. Nuk mund ta përqafosh dikë vetëm pse të gjithë bëjnë kështu. Kujdes nga dhurimi i përqafimit fallco: ai nuk ndihmon dhe nuk përcjell asnjë ndjenjë. Mos e keqpërdor dhuratën e përqafimit për të mbushur zbrazëtinë tënde, për të mbuluar egoizmin, xhelozinë, urrejtjen tënde. Mos e mashtro veten me këtë. Qëllimi i përqafimit është të japë mbështetje e shtytje kujtdo që i dhurohet, por sidomos personave që janë duke u përballur me situata të vështira.

 

Përqafimi në marrëdhëniet njerëzore dhe në përvojën biblike

Siç u tha, përqafimi ka një ndikim të fortë në ngritjen e gjendjes emocionale dhe morale. Ai ka qenë dhe mbetet akti më i plotë i një marrëdhënie dashurie të sinqertë dhe pa kushte. E gjithë kjo marrëdhënie flet për ndershmërinë dhe solidaritetin që i drejtohet tjetrit pa fjalë, duke i thënë: “Ti nuk je vetëm, unë jam me ty.” Pra, ky është qëllimi dhe roli i dhurimit të përqafimit, që përfshin shumë virtyte dhe vlera, por mbi të gjitha: dashurinë pa kushte, mbështetjen, mëshirën dhe faljen.

Për të kuptuar më mirë këtë, mund të na ndihmojë një pjesë e shkëputur nga Bibla që flet për shëmbëlltyrën e djalit të humbur (Lk 15,11–32). Nëse e marrim dhe e analizojmë, vërejmë se ati (babai) nuk flet, por e merr ngryk të birin dhe e puth. Pra, i ofron një përqafim që flet shumë më shumë se fjalët. I ati shpreh ndjeshmërinë, pranimin, mbështetjen dhe faljen pa kushte, pa i kërkuar apo dhënë shpjegim, por thjesht e merr ngryk e përqafon. Të kuptuarit biblik të përqafimit na jep një pasqyrim më të thellë mbi rëndësinë e këtij akti të thjeshtë, por plot dashuri. Pra, ky gjest na mundëson të shprehim jo vetëm dashuri, por edhe mbështetje, inkurajim, dhembshuri, përkujdesje, pranim, mëshirë, falje.

Përqafimi është dhurata më e ngrohtë në kohën dhe momentin e duhur. Siç dihet, në një marrëdhënie më shumë flasin gjestet, edhe ato më të voglat, sesa fjalët. Një përqafim i dhënë apo i marrë mund të ndryshojë jetën e dikujt, sidomos atyre që janë duke kaluar nëpër vështirësi të ndryshme. Sepse ai përcjell besim, siguri, mbështetje, rehati, ndjeshmëri etj., e pa dyshim ndikon në gjithë qenien e njeriut. Dhe mund të thuhet se është një nevojë e njeriut për të përjetuar përqafimin, dhe kjo nevojë e shoqëron secilin nga ne deri në frymën e fundit.

Lirisht mund të thuhet se një përqafim i vërtetë është më domethënës dhe më kurues sesa shumë medikamente. Ai ul stresin, zbut ankthin, rregullon gjendjen e humorit, forcon vetëbesimin. Me një fjalë, ai shfaq vetëm efekte pozitive në aspektin fiziologjik, shpirtëror dhe psikologjik. Aty ku mungon përqafimi, njerëzit ndihen të vetmuar, në stres, në depresion dhe shfaqin shumë çrregullime të tjera të personalitetit. Këtë na e ka vërtetuar dhe bërë më të qartë periudha e pandemisë COVID-19. Të gjithë kemi përjetuar kufizimet që u vendosën; kontakti fizik ishte rreptësisht i ndaluar. Nuk kishim mundësi të përshëndesnim njëri-tjetrin, të shtrinim dorën, e aq më pak të dhuronim një përqafim apo të merrnim ngryk. Sigurisht, e gjithë kjo situatë ka ndikuar negativisht në jetën e gjithsecilit prej nesh dhe na ka bërë të kuptojmë se sa i varfër, sa i vetmuar ndjehet njeriu pa gjuhën e trupit, konkretisht përqafimin. Ka munguar komunikimi joverbal që të jep përkrahje e mbështetje.

Kjo situatë, nëse e marrim në aspektin pozitiv, na ka mundësuar dhe ndihmuar të kuptojmë se kontakti fizik nuk është vetëm një nivel intimiteti, por është komunikim mbështetës pa fjalë. Pra, nuk mjaftojnë fjalët për të ngushëlluar dhe ndihmuar tjetrin; kërkohen edhe gjeste. Sa i varfër, i vetmuar dhe plot frikë është ndjerë njeriu gjatë kësaj kohe.

Kur flasim për përqafimin, shumëkujt nga ju mund t’ju kujtohen rastet kur, pas një takimi apo bisede, ndoshta jo të planifikuar, personat që janë ndier mirë përballë jush, si shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi, kanë pyetur: “A mund të të dhuroj një përqafim?”. Ose ka raste kur dikush ka kërkuar nëse mund të marrë një përqafim nga ne, sepse ka ndier nevojën për siguri, mbështetje, pranim etj. Siç u tha më lart, përqafimi duket si një gjest i thjeshtë, por nuk jemi të vetëdijshëm për forcën që ai përcjell. Ai jep mbështetje në dhimbje dhe përkrahje në gëzime. “Një përqafim do të thotë: ti nuk je kërcënim për mua. Unë nuk kam frikë të jem kaq afër teje. Mund të pushoj dhe të ndihem si në shtëpinë time. Jam i mbrojtur dhe dikush më kupton.”(Paulo Coelho) Pra, ai përcjell vetëm ndjenjë pozitiviteti dhe lirisht mund të thuhet se përqafimi është një kurë në vetvete, për të gjithë, e sidomos për ata që kanë frikë, ndihen vetëm, të pasigurt ose vuajnë nga vetëvlerësimi i ulët dhe mungesa e dashurisë. Përqafimi është një gjest empatik që, në raste nevoje, praktikohet edhe në marrëdhënien klient–terapist. Ai nuk zgjat shumë, por përjetohet gjatë. Ka  njerëz që jetojnë nga një përqafim që kanë marrë nga dikush, sidomos të sëmurit dhe të vetmuarit. Ai është simbol i dashurisë amënore dhe pa kushte, e cila i nevojitet secilit.

Virginia Satir thotë: “Na duhen katër përqafime në ditë për të mbijetuar, tetë përqafime për të qëndruar të shëndetshëm dhe dymbëdhjetë për të rritur.” Pra, mos të kemi frikë të dhurojmë dhe të pranojmë përqafime, sepse ato janë të sinqerta, të natyrshme dhe nuk përbëjnë mëkat, por janë një ndihmë që i ofrojmë tjetrit për të jetuar sa më mirë dhe shëndetshëm. Njëkohësisht ndihmojmë edhe veten. Nuk varfërohemi nëse i dhurojmë tjetrit një përqafim. Përkundrazi, është shenjë mbështetjeje, mirëseardhjeje dhe pranimi të tjetrit ashtu siç është. Gjithashtu, përforcon lidhjen mes njëri-tjetrit: mes prindërit dhe fëmijës, miqve, të dashurve, çifteve etj.

Pra, ai ka një fuqi magjike për ta bërë tjetrin të ndihet i sigurt, i mbrojtur dhe i dashur. Ka një ndikim të thellë në mirëqenien emocionale, fizike dhe shpirtërore, e gjithë kjo ndikon fort në vetëvlerësim. Pa dyshim, një prekje në krah, një shtrëngim dore, një përqafim, japin shumë mbështetje për të kaluar çdo sfidë dhe për të ecur përpara. Këto gjeste nuk duhet parë vetëm me syrin negativ, siç jemi mësuar të bëjmë.

Me një fjalë, përqafimi është komunikimi joverbal me të dashurit, por shpesh herë këtë e bëjmë edhe me sendet që i duam dhe i preferojmë. Për gjërat që i kemi shumë përzemër, dhe që na bëhen dhuratë (p.sh. librat ose lodrat për fëmijët), ndodh që t’i përqafojmë, t’i marrim ngryk si shenjë mirënjohjeje, falënderimi dhe dashurie. Kur dhurojmë përqafim, ne përqafojmë gjithë qenien e personit, pozitive dhe negative,  që ai mban brenda vetes. Nuk duhet harruar se përqafimi ndikon shumë më shumë se puthjet. Ai ka fuqinë e inkurajimit, ngrohtësisë dhe qetësisë. Por duhet të kuptojmë se kemi të bëjmë edhe me persona që nuk preferojnë përqafimin. Këta nuk duhet gjykuar, por është mirë t’i ndihmojmë për të kuptuar se diçka mund të ketë ngecur në etapat e zhvillimit, dhe kjo nuk është faji i tyre, por përgjegjësi e prindërve. Sigurisht që ky gjest mund të mësohet. Përqafimi është një nga shprehjet më të vërteta të reciprocitetit. Thyen të gjitha barrierat gjuhësore dhe ndarjet kulturore, anulon distancat. Falë tij, jemi më pak vetëm dhe hyjmë në zemrën e njëri-tjetrit, kushdo qoftë ai. Dimensioni antropologjik i përqafimit kombinohet me dimensionin psikologjik, që do të thotë se ai nuk është thjesht një akt fizik, por mbart kuptim të thellë shpirtëror, të rrënjosur në dashuri, pajtim, ngrohtësi dhe bashkim.

Të jemi më të hapur përballë kësaj dhurate dhe të mos vuajë askush nga mungesa e përqafimit. Të kuptojmë se një përqafim është shumë më tepër se një përshëndetje apo një gjest fizik. Ai është burim dashurie, shërimi dhe ripërtëritjeje shpirtërore. Mos kini frikë nga përqafimi, njerëzit më lehtë japin puthje fallco sesa dhurojnë një përqafim. Përqafimi është një pjesë e vogël e hequr nga vetja për t’ia dhuruar tjetrit, që ai të vazhdojë rrugën e tij më pak i vetmuar./drita.info

 

———————————–

Referenca

John William Smith & Leann Weiss, Hugs for the Hurting: Stories, Sayings, and Scriptures to Encourage and Inspire, Howard Books, United States, 2013

Kethleen Keating, The Hug Therapy, Hazelden, United States, 1983

Jirina Prekop, Stringimi forte:La terapia dell’abbraccio stretto per liberare dai conflitti interiori e dai legami, Apoge, Milano, 2011

Shpëndaje: