Pse falënderojmë: 7 arsye që nuk i keni menduar kurrë!

Nga Fr. Peter John Cameron, OP 

 

Një gjë që ende e mbaj mend nga lënda e antropologjisë kulturore në fakultet me motrën Leslie Ellen Straub, O.P., e ky është parimi i reciprocitetit. Reciprociteti nënkupton shkëmbimin e të mirave ose shërbimeve, në të cilin pritet që të jepet një përgjigje. Për shembull, nëse dikush më jep një dhuratë për ditëlindje ose më çon për darkë, unë dua t’i përgjigjem në të njëjtën mënyrë — dua të jem reciprok. Parimi i reciprocitetit vërteton sa i domosdoshëm është falënderimi për të qenë njerëzor.

Të falënderosh është një lloj rrëfimi. Një e vërtetë themelore e jetës është se, për të qenë vetvetja, unë kam nevojë për tjetrin. Unë s’e kam krijuar vetveten; unë nuk jetoj prej prej vetvetes. Dikush tjetër më ka krijuar dhe më mban. Dikush tjetër më siguron oksigjenin, ushqimin dhe ujin që më nevojiten për të jetuar. Është tejmase e arsyeshme që t’i drejtohem Atij (Dikushi) me falënderim për të gjitha të mirat e panumërta që Ai i siguron në jetën time. Sa më shumë t’ia rrëfej falënderimin Tim, duke pranuar gjithçka që Ai më jep dhe e bën të mundur për mua, aq më shumë bëhem vërtet njeri. Siç ka vërejtur G.K. Chesterton: “Çasti më i keq për një ateist është kur e ndien se duhet të shpreh një mirënjohje të thellë dhe nuk ka askënd kë ta falënderojë.”

Të falënderosh është përgjigjja më e përshtatshme ndaj dhuratës së shpëtimit që jep Zoti. Kur ndalem dhe mendoj për mëshirën e pakufishme, dhembshurinë, bujarinë dhe mirësinë që derdhen në jetën time, unë kam nevojë të përgjigjem.

Në çfarë mënyrë tjetër e pranojmë dhuratën e tij të lirë të shpëtimit, nëse jo me falënderim? Falënderimi është prova e pranimit tonë të gjithçkaje që Ai jep. Falënderimi është shfaqja e Po-së sonë ndaj hirit të Tij” (Ann Voskamp).

Ne falënderojmë për të fituar një vetë-njohje të shenjtë. Një zemër mirënjohëse prodhon në ne një këndvështrim tepër të përvujtë dhe realist mbi botën. E Lumja Xhuliana e Norwich-it (+1423) thoshte:

Falënderimi është një njohje e vërtetë, njohje e brendshme. Me nderim të madh dhe me një dro plot dashuri, ai na kthen me të gjitha fuqitë tona për të bërë gjithçka që Zoti ynë i mirë na tregon. Ai sjell gëzim dhe mirënjohje brenda nesh. Falënderimi është një gjë e bekuar në sytë e Zotit.”

Ne falënderojmë për të krijuar bashkësi. Falënderimi që japim pranon se sa shumë mbështetemi te të tjerët për mirëqenien tonë. Sa më mirënjohës të jemi, aq më shumë i përkasim njëri-tjetrit. Ne i përkasim asaj që na bën mirënjohës.

Kur falënderojmë, ne e mbrojmë veten nga vetë-marrja e gjërave si të mirëqena. Falënderimi na shpëton nga të menduarit se gjithçka na takon me të drejtë. Ai shkul nga ne çdo ndjenjë të të qenit të privilegjuar. Shën Françesk Ksavier Kabrini paralajmëronte se mosmirënjohja “than burimin e hirit hyjnor”. Çdo gjë për të cilën nuk jemi mirënjohës, e humbasim. Shën Bernardin na  këshillon:

Në fakt, e vetmja gjë që mund ta ndalë përparimin tonë pas kthimit është mosmirënjohja jonë. Lum ai njeri që falënderon nga thellësia e zemrës, edhe për bekimet më të vogla, duke e parë gjithçka që merr si një dhuratë krejtësisht falas.”

Ne falënderojmë për të gjetur kuptimin në jetë. Dietrich Bonhoeffer kishte thënë njëherë se “në jetën e përditshme mezi e kuptojmë se marrim shumë më tepër sesa japim dhe se vetëm me mirënjohje jeta bëhet e pasur.” Të falënderosh do të thotë të hapësh horizonte të reja për jetën tonë.

Ne falënderojmë për të qëndruar të rrënjosur në mbinatyroren. Kur jemi mirënjohës, jetojmë me habi për të mirat që vijnë në jetën tonë, edhe pse nuk i meritojmë. Siç shprehej G.K. Chesterton: “Unë qëndroj në atë se falënderimi është forma më e lartë e mendimit; dhe se mirënjohja është lumí e dyfishtë nga mrekullia.” “Adhurimi themeltar i krishterë,” shkruante Kardinali Ratzinger, “quhet me të drejtë ‘Eukaristia’, falënderim. Kjo nënkupton që njeriu t’ia lejojë vetës të mbushet me dhurata. Ne e adhurojmë Hyjin duke hequr dorë nga imagjinata e një bote në të cilën ne do të mund t’i qëndronim përballë si partnerë të pavarur biznesi. Flijimi i krishterë nuk konsiston në dhënien e diçkaje që Hyji nuk do ta kishte pa ne, por në të qenunit tonë plotësisht të pranueshëm dhe në lejimin që Ai të na pushtojë krejtësisht.”  Siç shprehet një Prefacion i Meshës: “Falënderimi ynë është në vetë dhuratë për Ty.”/drita.info

 

Marrë nga: Why we give thanks: 7 Reasons you’ve never considered

Përkthimi: Rev. “DRITA”

Shpëndaje: