
Nga m. Franciska ( Suzana) Lekaj
Asnjëherë më parë njeriu nuk ka qenë kaq i fuqishëm në njohuri dhe megjithatë, kaq i zbrazët në shpirt. Në mes të dritave të qyteteve moderne, ai endet në errësirën e pyetjeve për vetveten: kush jam, pse jetoj dhe çfarë kuptimi ka kjo jetë? Shumë individë ndihen të zbrazët, pa qëllim dhe të humbur në përpjekjen për të gjetur kuptim në jetën e tyre. Shpejtësia e jetës, materializmi, presioni social dhe mungesa e lidhjeve të thella njerëzore, kanë sjellë një krizë të thellë shpirtërore e psikologjike. Në këtë kontekst, logoterapia paraqitet si një nga kontributet më të rëndësishme të psikoterapisë ekzistenciale.
Termi “logoterapi” rrjedh nga fjala greke logos (kuptim) dhe therapeia (shërim), që do të thotë “shërim përmes kuptimit”. Kjo qasje psikoterapeutike vendos në qendër vullnetin për kuptim si forcën më të thellë motivuese të qenies njerëzore. Është mëse e nevojshme të kuptojmë rëndësinë dhe funksionin e logoterapisë në tri dimensionet kryesore të jetës së njeriut: njerëzor, shpirtëror dhe psikologjik, duke treguar se si kjo qasje kontribuon në ndërtimin e një ekzistence me dinjitet, qëllim dhe përgjegjësi.
Para se të kalojmë te pjesët kryesore, vlen të sqarohet burimi i logoterapisë: ajo u zhvillua nga Viktor Frankl në mesin e shekullit XX si një alternativë ndaj dy shkollave kryesore të kohës: psikanalizës së Sigmund Freud-it, që e shihte njeriun të motivuar nga kërkimi për kënaqësi, dhe psikologjisë individuale të Alfred Adler-it, që theksonte kërkimin për pushtet. Sipas Frankl-it, motivimi themelor i njeriut nuk është as kënaqësia dhe as fuqia, por kërkimi për kuptim. Këtë ai e vërtetoi përmes përvojës së tij dramatike si i burgosur në kampet naziste të përqendrimit, ku, përballë vdekjes dhe vuajtjes ekstreme, vuri re se ata që mbijetonin ishin pikërisht ata që kishin një arsye për të jetuar. Ai shkruan se edhe kur çdo gjë i merret njeriut, i mbetet ende liria e brendshme për të zgjedhur qëndrimin e tij ndaj vuajtjes. Pikërisht kjo liri është themeli mbi të cilin ngrihet logoterapia. Kështu, Frankl formuloi tri parime themelore:
Parimi i parë: Vullneti për kuptim
Vullneti për kuptim përbën shtyllën themelore të ekzistencës njerëzore. Çdo njeri bart në vetvete një dëshirë të lindur dhe të pandalshme për të gjetur kuptimin e jetës së tij. Ky impuls i brendshëm nuk është rahati shpirtërore, por një nevojë thelbësore psikologjike dhe ekzistenciale. Edhe kur njeriu përballet me vuajtje, humbje apo situata të pashpresa, ai vazhdon të kërkojë një arsye për të jetuar, një “pse” që i jep kuptim çdo “si”-je. Kërkimi për kuptim bëhet forca më e madhe motivuese që orienton vendimet, qëndrimet dhe drejtimin e jetës njerëzore. Njeriu, në thelbin e tij, nuk kërkon vetëm kënaqësi apo pushtet, por mbi të gjitha kërkon kuptim. Ky “vullnet për kuptim” është një udhëtim i brendshëm që fillon herët në ndërgjegjen njerëzore dhe vazhdon gjatë gjithë jetës. Ai shfaqet në pyetjet më të thella që secili prej nesh ia drejton vetes: “Pse jam këtu?”, “Cili është qëllimi im?”, “A ka ndonjë domethënie në vuajtjen time?”.
Në zemrën e çdo njeriu digjet një nevojë e brendshme për kuptim, një etje që nuk shuhet as me sukses, as me pasuri, as me rehati. Pikërisht kjo e bën njeriun të ngrihet pas çdo rënieje, të kërkojë dritë në errësirë dhe t’i japë domethënie edhe vuajtjes më të madhe. Sepse njeriu nuk jeton thjesht për të ekzistuar, por për të kuptuar ekzistencën e tij dhe për të gjetur një arsye pse jeton. Në këtë kërkim qëndron dinjiteti i tij më i madh.
Parimi i dytë: Kuptimi i jetës në çdo situatë
Një nga idetë më thelbësore të logoterapisë është bindja se jeta ka kuptim në çdo rrethanë, edhe në rrethana ekstreme, pavarësisht sa e vështirë, e dhimbshme apo e pashpresë mund të duket ajo. Sipas logoterapisë, kuptimi nuk varet nga rrethanat e jashtme, por nga qëndrimi i brendshëm që njeriu mban përballë tyre. Edhe në momentet më ekstreme të vuajtjes, kur gjithçka tjetër mund t’i merret, njeriut i mbetet një liri e fundit: liria për të zgjedhur qëndrimin e tij ndaj fatit.
Kjo liri shpirtërore është themeli i dinjitetit njerëzor dhe burimi më i thellë i kuptimit. Frankl e dëshmoi këtë jo vetëm teorikisht, por edhe përmes përvojës së tij personale në kampet e përqendrimit nazist, ku vuri re se disa njerëz, edhe përballë vuajtjeve çnjerëzore, ruanin dinjitetin, dashurinë dhe besimin në vlera më të larta. Kuptimi nuk lidhet vetëm me qetësinë e ditëve të mira, por mbetet i pranishëm edhe në errësirën më të thellë të ekzistencës. Njeriu mund të mos ketë fuqi mbi dhimbjen, humbjen apo vdekjen, por gjithmonë ka fuqi mbi mënyrën se si i përjeton ato. Logoterapia nuk e mohon vuajtjen, por e përfshin atë në kuadrin e kuptimit. Vuajtja, kur i jepet një qëllim, humbet karakterin e saj shkatërrues dhe kthehet në mundësi për rritje shpirtërore. Siç shkruan Frankl: “Kur nuk jemi më në gjendje të ndryshojmë një situatë, sfida bëhet të ndryshojmë veten.” Kjo ide përbën bërthamën etike dhe filozofike të logoterapisë. Ajo i mëson njeriut të mos kërkojë vetëm lumturinë, por kuptimin; të mos shohë veten si viktimë të fatit, por si aktor të kuptimit të vet.
Parimi i tretë: Liria e vullnetit
Edhe ky parim është ndër shtyllat themelore të logoterapisë dhe nënkupton aftësinë e njeriut për të zgjedhur qëndrimin e tij përballë çdo rrethane, sado e kufizuar të jetë ajo. Liria e njeriut nuk qëndron në mungesën e kufizimeve të jashtme, por në fuqinë e brendshme për të reaguar me dinjitet dhe vetëdije ndaj tyre. Edhe në kushtet më ekstreme, kur çdo aspekt i jashtëm i ekzistencës është nën kontrollin e forcave të tjera, njeriut i mbetet një hapësirë e pashkelshme, liria për të zgjedhur qëndrimin e tij. Në kampet e përqendrimit, ku njeriu ishte zhveshur nga çdo pronë dhe siguri, mbijetonin ata që ruanin ndjenjën e lirisë së brendshme: lirinë për të dashur, për të besuar dhe për të gjetur kuptim edhe në vuajtje.
Liria e vullnetit nuk nënkupton një liri absolute, por një liri morale dhe shpirtërore: aftësinë për të vendosur se si do të jetosh dhe si do t’i përgjigjesh situatave të jetës. Ajo mbart gjithmonë përgjegjësi. Njeriu është i lirë, por kjo liri merr kuptim vetëm kur përdoret për të ndërtuar vlera, dashuri dhe kontribut. Liria e vullnetit është, pra, jo vetëm një e drejtë njerëzore, por edhe një akt shpirtëror. Ajo e bën njeriun të vetëdijshëm për fuqinë që ka mbi mendimet dhe ndjenjat e tij. Edhe kur realiteti nuk mund të ndryshohet, qëndrimi ndaj tij mund të ndryshohet. Kjo e dallon njeriun nga determinimi i verbër dhe e shndërron atë në një qenie që zgjedh dashurinë mbi urrejtjen, shpresën mbi dëshpërimin dhe kuptimin mbi absurditetin.
Aspekti psikologjik, shpirtëror, njerëzor dhe etik i logoterapisë
Në aspektin psikologjik, logoterapia ofron një mënyrë të re për të kuptuar dhe trajtuar vuajtjen njerëzore. Sipas Frankl-it, shumë nga problemet psikologjike të kohës moderne si depresioni, ankthi, ndjenja e zbrazëtisë apo mungesa e motivimit, burojnë nga ajo që ai e quan boshllëk ekzistencial. Kjo gjendje lind kur individi nuk gjen më kuptim në përpjekjet e tij të përditshme, duke e ndier veten të padobishëm dhe pa qëllim. Logoterapia synon ta ndihmojë individin të zbulojë kuptimin personal në jetën e tij përmes tri mënyrave themelore:
- Përmes krijimit dhe punës: duke realizuar diçka me vlerë
Një nga mënyrat më të rëndësishme për të gjetur kuptimin e jetës është krijimi, pra, duke bërë diçka që kontribuon në botë. Ky krijim nuk kufizohet vetëm në art, letërsi apo shkencë, por përfshin çdo akt pune që e bën jetën më të vlefshme: qoftë një projekt profesional, një vepër humane apo një detyrë e përditshme e kryer me përgjegjësi. Në këtë kuptim, puna nuk shihet vetëm si mjet mbijetese, por si shprehje e identitetit dhe qëllimit personal. Duke krijuar, njeriu shpreh potencialet e tij më të thella, kontribuon për të tjerët dhe ndien se jeta e tij ka vlerë. Siç shprehet Frankl: “Njeriu realizon vetveten në masën që harrohet duke iu përkushtuar një qëllimi apo duke dashur dikë.” Kështu, kuptimi lind jo nga vetëkënaqësia, por nga përkushtimi ndaj diçkaje që e tejkalon vetveten.
- Përmes përvojës dhe dashurisë: duke përjetuar lidhje njerëzore dhe bukuri shpirtërore
Njeriu mund të zbulojë kuptimin e jetës edhe përmes përvojave të thella, sidomos atyre që lidhen me dashurinë, marrëdhëniet, natyrën dhe artin. Dashuria është forma më e lartë e njohjes së njeriut, sepse përmes saj njeriu arrin të shohë dhe të pranojë tjetrin në thelbin e tij shpirtëror. Në dashuri, njeriu nuk kërkon përfitim apo kënaqësi, por përjeton një bashkim shpirtëror që e ngre përtej vetes. Ajo i jep kuptim jetës, sepse e lidh individin me diçka më të madhe dhe më të thellë se vetvetja. Edhe përjetimet e thjeshta, si një mëngjes me diell, dëgjimi i muzikës, leximi i një poezie apo ndarja e një çasti sinqeriteti, mund të jenë burime të thella kuptimi. Përvoja dhe dashuria nuk janë vetëm ndjesi, por akte shpirtërore.
- Përmes qëndrimit ndaj vuajtjes: duke gjetur kuptim në përballjen me dhimbjen
Shtylla e tretë e logoterapisë lidhet me qëndrimin ndaj vuajtjes. Edhe në situata kur njeriu nuk mund ta ndryshojë fatin si sëmundjet, humbjet apo dhimbjet e pashmangshme, ai gjithsesi mund të zgjedhë qëndrimin e tij. Vuajtja nuk është vetëm burim dhimbjeje, por edhe mundësi për rritje shpirtërore dhe vetëkuptim. Kur njeriu i jep kuptim vuajtjes së tij, ajo nuk mbetet thjesht dhimbje, por bëhet përvojë transformuese. Frankl shkruan: “Njeriut mund t’i merret gjithçka, përveç një gjëje të vetme: lirisë për të zgjedhur qëndrimin e tij ndaj çdo rrethane.” Pikërisht këtu qëndron heroizmi i shpirtit njerëzor.
Këto tri shtylla krijimi, përvoja dhe qëndrimi ndaj vuajtjes, përbëjnë strukturën themelore të logoterapisë. Ato tregojnë se kuptimi nuk është ide abstrakte, por diçka që mund të përjetohet çdo ditë. Njeriu mund të gjejë kuptim duke krijuar, duke dashuruar ose duke vuajtur me dinjitet, sepse në të gjitha këto raste ai bëhet i vetëdijshëm për lirinë e tij shpirtërore dhe për vlerën që mbart ekzistenca e tij. Kjo e ndihmon njeriun të zhvillojë qëndrushmërin, aftësinë për të përballuar vështirësitë me dinjitet, vetëdije dhe shpresë.
Dimensioni shpirtëror etik dhe human
Në qendër të logoterapisë qëndron bindja se njeriu është një qenie shpirtërore, që nuk mund të reduktohet vetëm në instinkte apo mekanizma psikologjikë. Dimensioni shpirtëror është vendi ku banon liria dhe dinjiteti i vërtetë njerëzor. Edhe pse trupi mund të burgoset dhe mendja të vuajë, shpirti mbetet i lirë të zgjedhë kuptimin dhe qëndrimin e vet. Ky dimension nuk është domosdoshmërisht fetar: ai përfshin dashurinë, vlerat morale, artin, përkushtimin, të tjerët dhe Zotin. Logoterapia e ndihmon njeriun të dalë përtej egoizmit dhe vetëkënaqësisë, duke e orientuar drejt shërbimit dhe krijimit.
Një nga konceptet themelore të saj është liria shpirtërore, e cila ruan dinjitetin dhe e bën jetën të vlefshme, pavarësisht rrethanave. Logoterapia është një nga qasjet më humaniste të psikoterapisë, sepse vendos në qendër njeriun si qenie unike, të lirë dhe të përgjegjshme. Ajo nuk ofron përgjigje të gatshme për kuptimin e jetës, por ndihmon individin ta zbulojë vetë atë që i jep domethënie ekzistencës së tij. Thelbi etik i logoterapisë përmblidhet në pyetjen: “Nuk duhet të pyesim çfarë presim nga jeta, por çfarë pret jeta nga ne.” Kjo zhvendos vëmendjen nga pasiviteti drejt përgjegjësisë, nga kërkimi i lumturisë drejt ndërtimit të qëllimit. Në aspektin etik, logoterapia mund të quhet terapia e dinjitetit, sepse afirmon vlerën e pashlyeshme të çdo njeriu.
Rëndësia e logoterapisë në jetën moderne
Në botën moderne, ku individët shpesh humben në mes të materializmit, konsumizmit dhe ritmit të shpejtë, logoterapia ofron një alternativë të thellë për kuptimin e ekzistencës. Ajo nuk është vetëm një metodë trajtimi, por një filozofi jetese që rikthen te njeriu përgjegjësinë, autenticitetin dhe qëllimin. Në psikoterapi, ka treguar efektivitet në trajtimin e depresionit, ankthit dhe boshllëkut ekzistencial. Në kujdesin lehtësues, u jep pacientëve që përballen me sëmundje terminale dinjitet dhe kuptim. Në arsim, mëson të rinjtë se lumturia nuk është qëllim në vetvete, por rezultat i një jete me vlera. Në marrëdhëniet njerëzore, ndihmon në ndërtimin e lidhjeve të shëndetshme. Edhe në etikën organizative, shërben si udhërrëfyes.
Logoterapia e fuqizon individin të kuptojë se, pavarësisht rrethanave, ai mund të zgjedhë qëndrimin e tij, të japë dashuri, të krijojë dhe të përballet me sfidat me dinjitet. Logoterapia përfaqëson një nga qasjet më humane dhe më të pasura të psikoterapisë moderne. Ajo e sheh njeriun si qenie me liri, përgjegjësi dhe aftësi për të gjetur kuptim edhe në mes të vuajtjes. Në aspektin psikologjik, ndihmon në përballimin dhe shërimin e boshllëkut ekzistencial; në aspektin shpirtëror rikthen shpresën dhe dinjitetin; ndërsa në aspektin njerëzor dhe etik afirmon vlerën e lirisë dhe përgjegjësisë. Ajo na mëson se jeta është mundësi për të zgjedhur çdo ditë të jetosh me kuptim, për të dhënë pa pritur shpërblim dhe për të gjetur dritë edhe në errësirën më të thellë. Logoterapia mbetet një filozofi universale që e fuqizon njeriun dhe i jep çdo përpjekjeje jetësore rëndësi, duke e kthyer jetën në një udhëtim me kuptim, dashuri dhe vetëdije./drita.info
Referencat
Frankl, V. E. Man’s Search for Meaning. Beacon Press, New York (1984).
Frankl, V. E. The Will to Meaning: Foundations and Applications of Logotherapy. New American Library, New York (1969).
Frankl, V. E. The Doctor and the Soul: From Psychotherapy to Logotherapy. Vintage, New York (1986).

Postimi i Mëparshëm

