Roli i bashkësive fetare ne epokën dixhitale: Përfitim apo sfidë për të drejtat dhe liritë e njeriut?

Dje, më 4 dhjetor 2025, në Kolegjin AAB në Prishtinë, është mbajtur një konferencë/tryezë diskutimi me temën: Roli i bashkësive fetare në epokën dixhitale: Përfitim apo sfidë për të drejtat dhe liritë e njeriut?, e organizuar në bashkëpunim mes Fakultetit Juridik dhe Misionit të OSBE-së ne Kosovë. Morën pjesë përfaqësues të bashkësive fetare në Kosovë (Kisha Katolike, Bashkësia Islame, Kisha Ortodokse, Kisha Protestante). Në vazhdim po e sjellim kumtesën e plotë të përfaqësuesit të Kishës Katolike të mbajtur në këtë tryezë, Dom Mikel Sopi, përgjegjës për dialog dhe ekumenizëm në Ipeshkvinë tonë.

 

Nga Dom Mikel Sopi

 

Epoka dixhitale ka transformuar mënyrën se si komunikojmë, informohemi dhe si ndërtojmë identitetet tona personale dhe shoqërore. Teknologjitë e reja – nga rrjetet sociale deri te inteligjenca artificiale – kanë hapur mundësi te mëdha, por edhe rreziqe reale per dinjitetin e njeriut. Ne këtë kontekst, pyetja jonë është thelbësore:

Cili është roli i bashkësive fetare, dhe në veçanti i Kishës Katolike, në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në epokën dixhitale?

 

  1. Teknologjia si dhuratë, por e pamjaftueshme

Kisha Katolike ka nxjerrë disa akte dokumente ne kete drejtim. Ne vitin 2023, dokumenti Toward a Fully Present Humanity (Drejt një njerëzimi plotesisht të pranishëm) thekson se teknologjia është mjet, jo qëllim. Ajo mund të shërbejë për të mirën e njeriut vetëm nëse e ruan centralitetin e tij moral dhe shpirtëror.

Teknologjinë, Kisha e sheh si “dhuratë të Zotit”, por paralajmëron se ajo nuk garanton vetvetiu përparim moral. Epoka dixhitale ka nevojë për një etikë të re, sepse informacioni i bollshëm nuk prodhon automatikisht edhe mençuri. Qasja e Kishës fillon me parimin ungjillor: E vërteta do t’ju beje te lirë (Gjn 8,32).

Ajo qe duhet vleresuar, janë hapësirat e reja për dialog, edukim dhe lutje. Rrjetet sociale i lejojnë bashkësitë fetare të arrijnë njerëz që nuk hyjnë kurrë në kisha (objekte fetare). Meshët online, katekeza përmes platformave, formim shpirtëror dhe akademik, te gjitha janë bërë me te aksesueshme.

Nga ana tjeter, Kisha ka qenë tradicionalisht zë ne mbrojtje të dinjitetit njerëzor. Në epokën dixhitale ajo eshtë perqendruar ne pikat si vijojnë:

  • Denoncimi i abuzimeve, manipulimet dhe padrejtësitë;
  • Mbrojtja e privatësisë si e drejtë themelore;
  • Promovimi i edukimit mediatik dhe etik.

 

Gjithësesi, epoka dixhitale e ka bërë fjalën e Zotit dhe mesazhin e Kishes më të pranishëm në diskursin publik. Në vende ku hapësirat e lirisë janë të kufizuara, shpesh interneti është kanali i vetëm i së vërtetës.

Sfidat që duhet t’i kemi parasysh janë: dezinformimi, polarizimi dhe reduktimi i njeriut në “të dhëna” Dokumenti për Komunikimet (2023) paralajmëron se fake news godet zemrën e dinjitetit njerëzor. Besimi fetar, shpesh bëhet objekt manipulimi politik, propagande apo diskursi ekstremist.

Sot nuk jemi vetëm përdorues, por objekt analizash të vazhdueshme. Kisha ngre zërin për rrezikun që individi të reduktohet në “profil përdoruesi”, duke humbur lirinë e brendshme, që është thelbësore për jetën morale dhe për besimin.

Teknologjia krijon iluzion lidhjeje, por realisht shumë njerëz vuajnë nga vetmia dixhitale. Besimi, në thelb, kërkon komunitet fizik, sakramente, fytyrë-më-fytyrë. Kisha e sheh këtë si sfidë për të mos e humbur dimensionin trupor të njeriut.

 

  1. Liria e fesë në epokën dixhitale

Kisha para se gjithash thekson mbrojtjen e lirisë së ndërgjegjes dhe të lirisë fetare, të garantuara edhe nga Dignitatis Humanae (1965). Në botën dixhitale këto kërcënohen në disa mënyra:

  • Censurë nga platformat;
  • Sulme anti-fetare dhe diskursi i urrejtjes;
  • Heshtja digjitale e pikëpamjeve fetare, nën presionin e kulturës së anulimit.

Nga prizmi i mësimit shoqëror katolik, nuk ka demokraci te plotë pa liri fetare. Rrjedhimisht, Kisha kërkon që teknologjia te mos bëhet instrument kontrolli, por hapësirë për ndërgjegje dhe dialog.

Detyra e bashkësive fetare, vlerësojmë se duhet përqendruar ne humanizimin e teknologjisë. Në enciklikën Fratelli Tutti (2020) Papa Françesku thotë se teknologjia mund të prodhojë “botë të lidhura por të fragmentuara”. Bashkësitë fetare janë thirrur të jenë zë shpirtëror, që i kujton botës se:

  • Njeriu është me shumë se algoritëm;
  • E vërteta ka vlerë objektive;
  • Fjala është përgjegjësi morale;
  • Liria nuk është vetëm mungesë kontrolli, por aftësi për të dashur.

Kisha duhet të jetë “prani e plotë” (siç e quan dokumenti i 2023), jo vetëm me përmbajtje, por edhe me stil komunikimi që nderon dinjitetin njerëzor: dialog, kulturë shprese, dëshmi integrale.

 

  1. Aktualiteti dhe sfidat e IA

Dokumenti themelor i Selisë së Shenjtë për etikën e IA, i nënshkruar nga: Akademia Papnore për Jetën (Pontifical Academy for Life), Microsoft, IBM, FAO dhe Universiteti i Kombeve të Bashkuara, i vitit 2020 dhe i përditësuar më 2023: Rome Call for AI Ethics, Roma thërret për Etiken e IA, ka vërë në spikamë 6 parime themelore për përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale. Ato janë:

  • Transparenca – Algoritmet duhet të jenë të kuptueshme dhe të shpjegueshme
  • Përfshirje – Mosdiskriminim, askush të mos përjashtohet nga përfitimet teknologjike.
  • Përgjegjësi – Njeriu duhet të mbetet gjithmonë përgjegjës për vendimet e IA.
  • Paanshmëri – Algoritmet nuk duhet të krijojnë forma të reja diskriminimi.
  • Besueshmëri – IA duhet të zhvillohet me siguri dhe integritet.
  • Siguri dhe privatësi – Mbrojtje e plotë për të dhënat personale dhe dinjitetin e njeriut.

Papa Leoni XIV, thekson se Inteligjenca Artificiale duhet të zhvillohet gjithmonë në shërbim të njeriut dhe të së mirës së përbashkët. Njeriu mbetet përgjegjës për çdo vendimmarrje të algoritmeve, kjo paralajmëron rrezikun e manipulimit përmes teknologjisë dhe nevojën për qeverisje etike globale. Papa Leoni XIV nënvizon se etika e IA nuk është çështje teknike, por çështje antropologjike dhe shpirtërore: ruajtja e dinjitetit të çdo njeriu.

 

Përfundim: përfitim apo sfidë?

Për Kishën Katolike, epoka dixhitale është edhe përfitim, edhe sfidë:

  • Përfitim, sepse krijon hapësira të reja për komunikim, ungjillizim, edukim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut;
  • Sfidë, sepse ekspozon rreziqe të reja për dinjitetin njerëzor, privatësinë, lirinë dhe vetë kuptimin e së vërtetës.

Prandaj, detyra e bashkësive fetare nuk është të refuzojnë teknologjinë, por ta humanizojnë atë: ta vënë në shërbim të njeriut dhe të së mirës së përbashkët. Teologjia e re e epokës dixhitale niset nga një e vërtetë e vjetër: Njeriu është krijuar për të dashur dhe për të qenë i lirë. Teknologjia mund ta ndihmojë këtë mision vetëm nëse e respekton këtë themel shpirtëror.

 

(Ligjëratë në Konferencën e organizuar nga OSBE dhe Kolegji AAB me bashkësitë fetare, profesorë dhe studente, në Kolegji AAB / Prishtinë, 4.12.2025)

Shpëndaje: