
Nga M. Franciska(Suzana)Lekaj
Në jetën e përditshme, shpesh jemi mësuar të njohim vetëm dhimbjet fizike, të cilat janë të dukshme, si plagët, lëndimet apo sëmundjet që shfaqen në trup. Megjithatë, ekziston një lloj tjetër dhimbjeje, e heshtur dhe e padukshme shpeshherë për syrin, por që ndjehet fort në shpirt dhe zemër që është dhimbja mendore. Por kjo dhimbje mendore shpesh fshihet dhe nuk tregohet siç duhet dhe ne kohë.
Shëndeti mendor është po aq thelbësor sa ai fizik, edhe pse shpesh nënvlerësohet dhe stigmatizohet në shoqërinë tonë. Ai mbetet një nga shtyllat kryesore të mirëqenies së njeriut dhe kërkon kujdes të vazhdueshëm, ashtu si trupi, sepse ka rëndësi jetike në përballimin e sfidave të përditshme. Në një botë që ndryshon me shpejtësi, ku stresi, ankthi dhe pasiguria janë bërë pjesë e jetës së përditshme, shëndeti mendor duhet të marrë gjithnjë e më shumë vëmendje. Ky aspekt jetësor nuk është vetëm një çështje psikologjike, por edhe shpirtërore. Psikologjia ofron mjetet për ta kuptuar dhe përballuar atë, ndërsa feja ofron qetësi, qëndrueshmëri dhe kuptim më të thellë të vuajtjes dhe shpresës. Nëse përpiqemi të kuptojmë ndjenjat e njerëzve përreth nesh, do të vëmë re se shumë prej tyre përjetojnë dhimbje mendore të thella. Por shpesh nuk arrijnë ta shprehin, ose kanë frikë të flasin për to, sepse shoqëria nuk i kupton apo i gjykon. Prandaj, është shumë e rëndësishme të mësojmë të dëgjojmë dhe të jemi pranë tyre.
Njeriu kalon nëpër emocione të ndryshme, si gëzim, trishtim, frikë, stres dhe, ndonjëherë, boshllëk të thellë. Këto ndjenja janë pjesë e jetës, por kur bëhen të forta dhe të vazhdueshme, mund të shkaktojnë probleme serioze, si ankthi apo depresioni. Në këto raste, është e nevojshme ndihma profesionale dhe mbështetja e familjes dhe shoqërisë, sepse shëndeti mendor përbën bazën e jetës sonë të përditshme. Ai ndikon në mënyrën si mendojmë, ndiejmë, sillemi dhe marrim vendime. Një individ me shëndet të mirë mendor është në gjendje të menaxhojë stresin, të ndërtojë marrëdhënie të shëndetshme dhe të kontribuojë në komunitet.
Ne e dimë se njerëzit janë qenie sociale dhe një mendje e trazuar ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e marrëdhënieve ndërpersonale. Një person që përjeton ankth apo depresion mund të tërhiqet nga të tjerët, të përjetojë izolim dhe të humbasë motivimin për të marrë pjesë në jetën sociale. Nga ana tjetër, një njeri emocionalisht i ekuilibruar mund të dëgjojë, të japë mbështetje dhe të jetë më i hapur ndaj të tjerëve. Prandaj, shëndeti mendor është jo vetëm individual, por edhe shoqëror. Një shoqëri e ndërtuar mbi individë të shëndetshëm mendërisht është më e aftë të ndërtojë paqe, drejtësi dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Çfarë është Shëndeti Mendor?
Shëndeti mendor nuk përfshin vetëm mungesën e çrregullimeve psikologjike, por është një gjendje komplekse që nënkupton aftësinë për të përballuar vështirësitë, për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme dhe për të pasur qëllim në jetë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, shëndeti mendor është “një gjendje mirëqenieje ku individi kupton aftësitë e tij, mund të përballojë stresin normal të jetës, të punojë produktivisht dhe të kontribuojë në komunitet”. Pra, ky koncept shkon përtej mungesës së sëmundjes; ai përfshin aftësinë për të ruajtur ekuilibrin emocional, për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme dhe për të ndierë qëllim në jetë.
Shëndeti mendor nuk është dhe nuk duhet të jetë një temë tabu apo e neglizhuar. Ai përbën një aspekt thelbësor të jetës sonë të përditshme, që ndikon drejtpërdrejt në mënyrën si mendojmë, ndiejmë, veprojmë dhe ndërveprojmë me të tjerët. Pra, siç është thënë, nuk ka të bëjë vetëm me çrregullime të rënda si depresioni apo skizofrenia, por përfshin mirëqenien emocionale të përditshme, si dhe cilësinë e marrëdhënieve tona me të tjerët. Ky aspekt është po aq vendimtar për një jetë të balancuar, të plotë dhe të lumtur. Ai është një nga përbërësit më delikatë dhe më të rëndësishëm të mirëqenies njerëzore. Me një fjalë, shëndeti mendor është gjendja emocionale, psikologjike dhe sociale e një personi, dhe ndikon në mënyrën si mendojmë, ndiejmë dhe veprojmë.
Faktorët që ndikojnë në shëndetin mendor
Shëndeti mendor ndikohet nga një sërë faktorësh biologjikë, psikologjikë dhe socialë. Faktorët biologjikë përfshijnë gjenetikën, funksionimin e trurit, balancën kimike dhe trashëgiminë familjare. Disa individë mund të jenë më të predispozuar ndaj çrregullimeve mendore për shkak të këtyre faktorëve. Faktorët psikologjikë lidhen me përvojat personale, mënyrën si individi përpunon emocionet, vetëvlerësimin dhe aftësitë përballuese. Trauma të pashëruara, bullizmi, ndjenjat e refuzimit apo humbjet e mëdha mund të çojnë në probleme të shëndetit mendor.
Faktorët socialë përfshijnë ambientin ku jetojmë, marrëdhëniet me familjen dhe shoqërinë, presionet shoqërore, presionet ekonomike dhe mungesën e mbështetjes sociale. Këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien psikologjike. Izolimi, mungesa e komunikimit dhe varfëria janë disa nga ndikuesit më të dëmshëm për shëndetin mendor, pasi shkaktojnë ndjenjën e vetmisë dhe largimin social, të cilat e dëmtojnë ndjeshëm balancën emocionale dhe mendore.
Rëndësia e ndërgjegjësimit dhe trajtimit profesional
Stigma rreth shëndetit mendor mbetet një nga pengesat më të mëdha për kërkimin e ndihmës. Njerëzit shpesh ndihen të turpëruar ose frikësohen se do të gjykohen nëse flasin për ndjenjat e tyre. Kjo heshtje sociale ka pasoja të rënda, jo vetëm në rritjen e nivelit të vuajtjes individuale, por edhe në uljen e produktivitetit, dëmtimin e marrëdhënieve dhe, në rastet më të rënda, humbjen e jetës.
Një nga përfitimet më të mëdha të ndërgjegjësimit psikologjik është rritja e vetëdijes emocionale: aftësia për të identifikuar ndjenjat, për t’i menaxhuar ato dhe për të ndërtuar mekanizma të shëndetshëm përballimi. Falë zhvillimeve në psikoterapi, individët kanë akses në trajtime efikase, si Terapia Kognitive-Sjellore (CBT), Terapia e Pranimit dhe Angazhimit (ACT), si dhe forma të ndryshme të këshillimit psikologjik. Terapitë psikodinamike ndihmojnë individët të kuptojnë dhe të ndryshojnë modelet e dëmshme të mendimit dhe sjelljes. Gjithashtu, praktika si meditimi, vetë-reflektimi dhe trajnimi emocional kanë treguar ndikim pozitiv në uljen e stresit dhe rritjen e vetëdijes personale. Mirëpo, përveç ndihmës profesionale, rëndësi ka edhe mbështetja sociale. Një bisedë me një mik të mirë, një familje që dëgjon pa gjykuar, një komunitet që ofron ndjeshmëri mund të bëjnë një ndryshim të jashtëzakonshëm. Në një botë që shpesh kërkon performancë perfekte dhe përshtatje të vazhdueshme, ne duhet të mësojmë ta trajtojmë njëri-tjetrin me më shumë mirëkuptim dhe veten me më shumë butësi.
Qëllimi i këtyre terapive nuk është vetëm trajtimi i simptomave, por edhe fuqizimi emocional dhe zhvillimi i qëndrueshmërisë përballë sfidave. Psikologu Carl Rogers ka theksuar rëndësinë e një ambienti të sigurt dhe pranues për të mundësuar zhvillimin emocional të individit. Sipas tij: “Vetëm kur pranojmë veten tonë ashtu siç jemi, ne mund të ndryshojmë.” Kjo tregon se shëndeti mendor nuk është një qëllim i largët, por një rrugëtim që kërkon vëmendje, kujdes dhe mbështetje të vazhdueshme. Ai nënvizon rëndësinë e vetë-pranimit dhe rritjes personale.
Një tjetër element kyç është ndërgjegjësimi, edukimi i individit dhe i shoqërisë për të kuptuar rëndësinë e shëndetit mendor dhe për të krijuar një ambient të sigurt, ku njerëzit të ndihen të lirë të kërkojnë ndihmë pa u gjykuar. Shëndeti mendor nuk është luks apo shenjë dobësie, ai është një e drejtë themelore dhe pjesë e pandashme e mirëqenies njerëzore.
Në shumë shoqëri, përfshirë edhe tonën, ekziston ende një stigmë rreth problemeve të shëndetit mendor. Shpesh, personat që vuajnë paragjykohen, keqkuptohen apo shmangen, duke e bërë edhe më të vështirë rrugën drejt ndihmës. Ky paragjykim i dyfishtë, së pari nga vetja dhe së dyti nga të tjerët, mund të thellojë ndjenjat e vetmisë dhe humbjes së shpresës. Kur shëndeti mendor nuk trajtohet, pasojat mund të përshkallëzohen. Personi mund të përjetojë kriza emocionale, depresion të thellë, çrregullime ankthi, sulme paniku, apo madje edhe çrregullime më të rënda, si skizofrenia ose çrregullimi bipolar. Këto gjendje nuk prekin vetëm individin, por edhe familjen, rrethin shoqëror dhe performancën në punë apo shkollë.
Pra, shëndeti mendor nuk është një çështje private që duhet mbajtur e fshehur, por një e drejtë themelore njerëzore. Është koha të ndërtojmë një kulturë ku të flasësh për ndjenjat nuk është shenjë dobësie, por dëshmi force dhe vetëdije. Një shoqëri që investon në mirëqenien mendore të qytetarëve të saj është një shoqëri më e fortë, më humane dhe më e qëndrueshme.
Ndikimi fetar dhe dimensioni shpirtëror në shëndetin mendor
Përveç qasjes psikologjike, feja, veçanërisht në kulturën tonë, luan një rol të rëndësishëm në jetën e njerëzve, në ruajtjen e paqes shpirtërore dhe stabilitetit emocional. Ajo ka një ndikim të thellë në shëndetin mendor, duke na mësuar të jemi të durueshëm, të falim dhe të kërkojmë ndihmë nga Zoti në momentet e vështira. Lutjet dhe lidhja me Zotin na japin paqe shpirtërore dhe ngushëllim. Feja na mëson për dhembshurinë, ndihmën ndaj të tjerëve dhe mosgjykimin.
Shëndeti mendor konsiderohet një dhuratë nga Zoti dhe duhet ruajtur me po aq kujdes sa trupi fizik. Lutjet, meditimi shpirtëror, falja dhe lidhja me Zotin ofrojnë paqe të brendshme, dhe shumë njerëz gjejnë ngushëllim në fe kur përballen me sprova mendore. Të gjitha fetë, pa dallim, ofrojnë mësime për kujdesin ndaj shpirtit, durimin, kuptimin në vuajtje, dhe rëndësinë e dashurisë dhe mirëkuptimit. Gjithashtu, ato nxisin solidaritetin, mëshirën dhe ndihmën për të tjerët, duke ndërtuar një ndjenjë përkatësie dhe komuniteti që është jetike për një shëndet mendor të qëndrueshëm.
Njeriu ka nevojë për kuptim, lidhje me diçka më të madhe dhe ndjenjën e përkatësisë. Në këtë kontekst, shëndeti mendor nuk është vetëm funksional, por edhe ekzistencial. Ai ka të bëjë me atë se si e shohim veten në raport me botën, me Zotin dhe me të tjerët. Besimi, lutja, meditimi dhe praktikat shpirtërore kanë treguar se ndihmojnë në uljen e ankthit, rritjen e vetëdijes emocionale dhe gjetjen e paqes së brendshme. Një shpirt që ushqehet përmes reflektimit dhe lidhjes me Zotin është më i qëndrueshëm përballë tronditjeve të jetës. Besimi u jep njerëzve shpresë, që është një nga faktorët më të rëndësishëm për të përballuar krizën mendore.
Feja, në këtë kontekst, bëhet një burim shprese dhe një shtyllë mbështetëse për ata që përballen me dhimbje të brendshme. Ajo ofron përgjigje për pyetjet e mëdha të jetës, mbështetje morale dhe ngushëllim në kohë të vështira. Ngushëllimi shpirtëror, falja dhe dashuria e Zotit janë thelbësore për të përballuar vështirësitë mendore. Bibla, për shembull, e nxit njeriun të mos jetë rob i frikës. Jezusi Krishti fton të gjithë: “Ejani tek unë, të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë, dhe unë do t’ju çlodhë” (Mt 11, 28). “Për asgjë mos u shqetësoni, por gjithçka – me lutje dhe me urata të përcjella me falënderim – paraqitni Hyjit nevojat tuaja! Dhe paqja e Hyjit, që është më e vlefshme se mund të mendojmë, do t’i ruajë zemrat tuaja dhe mendimet tuaja në Krishtin Jezus” (Fil 4, 6-7).
Kjo tregon se për të pasur një shëndet mendor të fortë, njeriu ka nevojë për ushqim shpirtëror për të ndierë se jeta e tij ka qëllim dhe nuk është thjesht një seri ngjarjesh të rastësishme. Në këtë mënyrë, aspekti shpirtëror vepron si shtyllë mbështetëse për qëndrueshmërinë mendore. Lutja, meditimi dhe falja mund të ofrojnë ngushëllim dhe shpresë në kohë vështirësish. Feja ndihmon individin të gjejë kuptim në vuajtje dhe të ndërtojë elasticitet emocional.
Si dallohet një person me shëndet të mirë mendor?
Çdokush, në një moment të caktuar të jetës, përjeton stres, ankth, trishtim ose pasiguri. Këto janë ndjenja normale njerëzore. Ajo që e dallon një shëndet të mirë mendor është aftësia për t’i përballuar këto ndjenja në mënyrë të shëndetshme dhe të balancuar. Nëse një person nuk arrin t’i menaxhojë këto gjendje për një kohë të gjatë, mund të ketë rrezik për çrregullime mendore, si depresioni, ankthi kronik ose probleme të tjera emocionale. Një person me shëndet të mirë mendor është më i qëndrueshëm në situata stresuese, më i aftë për të përqendruar vëmendjen në detyrat e përditshme dhe më i prirur për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me të tjerët.
Një person me shëndet të mirë mendor është në gjendje të përballet me sfidat e jetës, të punojë në mënyrë produktive dhe të kontribuojë në shoqëri. Kjo nuk nënkupton që ky individ është gjithmonë i lumtur apo pa probleme, por që ai ka aftësinë t’i përballojë ato në mënyrë të shëndetshme. Të jesh i shëndetshëm mendërisht do të thotë të njohësh ndjenjat e tua dhe të kuptosh pse ndihesh ashtu; të përballosh presionin dhe vështirësitë pa u shembur emocionalisht; të krijosh dhe të ruash lidhje të shëndetshme me të tjerët; të ndihesh rehat me veten dhe të besosh në aftësitë e tua; të mendosh qartë dhe të marrësh vendime të arsyeshme; të përshtatesh me ndryshimet dhe të rimëkëmbesh pas vështirësive.
Gjithashtu, një individ me shëndet të mirë mendor ka vetëdije për emocionet e tij dhe i menaxhon ato në mënyrë të ekuilibruar, pa u mbingarkuar. Ai e njeh kur është i trishtuar, i nervozuar apo i shqetësuar, por nuk lejon që këto emocione ta dominojnë. Nuk i mohon ndjenjat e tij, por i pranon dhe përpiqet të kuptojë shkakun e tyre. Në vend që të reagojë me zemërim ndaj një kritike, ai përpiqet ta analizojë atë dhe të nxjerrë mësim. Kështu, ai reagon me qetësi ndaj stresit apo zhgënjimeve. Ky individ është në gjendje të përballojë sfidat dhe vështirësitë me qetësi dhe maturi, pa u thyer emocionalisht. Ai nuk dorëzohet lehtësisht përballë dështimeve, por i sheh ato si mundësi për të mësuar dhe për t’u rritur. Kur ndodhin situata stresuese, një person me shëndet të mirë mendor nuk i shmang ato duke u izoluar apo duke përdorur mënyra të dëmshme si alkooli apo vetë-izolimi. Përkundrazi, ai kërkon zgjidhje të shëndetshme, qoftë përmes bisedave me njerëz të besuar ose ndihmës profesionale. Mëson nga përvojat dhe përshtatet. Ai ka qëllime dhe motivim. Ka objektiva personale dhe profesionale të qarta dhe një motivim të brendshëm për të përmirësuar veten dhe jetën e tij. Motivimi për të ecur përpara dhe për të arritur qëllimet është një shenjë e shëndetit të mirë mendor, sepse ai i sheh sfidat si mundësi për të rritur kapacitetin e tij. Ai, gjen ekuilibrin në jetën e tij dhe kujdeset për veten në mënyrë të balancuar, duke e ditur se trupi dhe mendja janë të lidhura ngushtë. Një person i tillë ka një qëllim të qartë në jetën e tij dhe e vlerëson mundësinë për të mësuar dhe për t’u rritur çdo ditë.
Shëndeti mendor i dëmtuar
Kur shëndeti mendor është i dëmtuar, pasojat mund të jenë të shumta: ulje e motivimit, ankth i vazhdueshëm, vështirësi në përqendrim, irritim, izolim social, dhe ndonjëherë edhe prirje për vetëdëmtim ose vetëvrasje. Në këto raste, individët mund të ndihen të mbyllur në vetvete dhe të mos arrijnë të menaxhojnë emocionet dhe stresin në mënyrë të shëndetshme. Stresi dhe ankthi mund të bëhen të përhershëm, duke penguar jetën e përditshme dhe duke sjellë një ndjenjë të thellë pasigurie dhe pafuqie. Problemet e shëndetit mendor shpesh nuk janë të dukshme për të tjerët. Një person mund të duket mirë në shoqëri, por mund të jetë duke luftuar me dhimbje emocionale të thella, të cilat nuk shfaqen lehtësisht. Kjo i bën ata të vuajnë në heshtje dhe të përballen me sëmundjen mendore pa marrë ndihmën e nevojshme. Shpesh, ata që vuajnë mund të maskojnë dhimbjen e tyre duke përdorur një buzëqeshje të detyruar, një lodhje të përhershme ose tërheqje sociale, duke e bërë të vështirë për të tjerët të kuptojnë se ata janë në vështirësi. Në këto raste, është shumë e rëndësishme të pranojmë se shëndeti mendor është një çështje serioze dhe nuk duhet injoruar, sepse ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e individëve. Kujdesi i duhur dhe mbështetja e familjes dhe shoqërisë janë thelbësore për përballimin e këtyre vështirësive.
Rëndësia e kujdesit për shëndetin mendor
Për një shëndet të mirë mendor, kujdesi për veten është thelbësor. Kjo përfshin aktivitetin fizik, ushqimin e shëndetshëm, gjumin e rregullt dhe mbështetjen sociale. Kur njeriu ndjehet i dëgjuar, i kuptuar dhe i pranuar, shëndeti mendor përmirësohet ndjeshëm. Nëse përpiqemi të kuptojmë ndjenjat e njerëzve përreth nesh, do të vëmë re se shumë prej tyre përjetojnë dhimbje mendore të thella, por shpesh nuk i shprehin dot ose kanë frikë të flasin për to, për shkak se shoqëria nuk i kupton ose i gjykon. Prandaj, është shumë e rëndësishme të mësojmë të dëgjojmë dhe të jemi pranë tyre. Shëndeti mendor ndikon gjithashtu në marrëdhëniet ndërpersonale dhe në cilësinë e jetës. Kujdesi për shëndetin mendor nuk duhet të shihet si një luks, por si një nevojë e përditshme. Problemet mendore shpesh fillojnë me shenja të vogla, por nëse injorohen, mund të përkeqësohen dhe të bëhen më të vështira për t’u trajtuar.
Prandaj, kujdesi për shëndetin mendor është një proces i vazhdueshëm dhe duhet të përfshijë të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë aktivitete relaksuese, ushqim të shëndetshëm, gjumë të mjaftueshëm dhe mbështetje sociale të shëndetshme. Shëndeti mendor dhe shpirtëror janë dy aspekte të pandashme të mirëqenies së individit. Ne duhet të kujdesemi për mendjen, trupin dhe shpirtin në mënyrë të barabartë, dhe të krijojmë një mjedis që mbështet shëndetin mendor për të gjithë. Vetëm kështu mund të ndërtojmë një shoqëri më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme. Psikologët theksojnë rëndësinë e të folurit hapur, kërkimit të ndihmës profesionale dhe mbështetjes nga familja dhe shoqëria për të përballuar sfidat mendore./drita.info
————————————
Referencat
Bessel A. Van der Kolk, The Body Keeps the Score: Brain, Mind, and Body in the Healing of Trauma. Viking, USA, 2014.
Viktor E. Frankl, Man’s Search for Meaning. Beacon Press, USA, 2006
Daniel Goleman, Emotional Intelligence: Why It Can Matter More Than IQ. Bantam Books, USA, 1995.
Eckhart Tolle, The Power of Now: A Guide to Spiritual Enlightenment. New World Library, USA, 1997.
Michael A. Singer, The Untethered Soul: The Journey Beyond Yourself. New Harbinger Publications, USA, 2007.