Lajmërimi i Zotit është misteri i gëzimit të lirisë

“Në Lajmërim, lindja e Birit të Hyjit në trup varet nga pëlqimi i një gruaje, ashtu si rënia e njeriut në kopshtin e parajsës (Eden) varej nga pëlqimi i një burri.

Hyji, në fuqinë e Tij, mund të kishte marrë natyrën njerëzore me forcë, ashtu si dora e një njeriu kap një trëndafil. Por Ai nuk deshi të pushtonte dhuratën e madhe të lirisë pa përgjigjen e lirë të një krijese. Nëpërmjet engjëllit që e përshëndet Marinë me fjalët që janë bërë pjesa e parë e Të Falem Mari: ‘Të falemi, o Hirplotë, Zoti me Ty’, Marisë i kërkohet nëse ajo do t’i japë Hyjit një njeri!

Maria, duke mësuar se do të mbesë shtatzënë jo nga dashuria njerëzore, por nga hija e Dashurisë hyjnore, jep pëlqimin e saj, dhe kështu fillon një njerëzim i ri, me Marinë si Eva e re dhe Krishtin si Adami i ri.

Lajmërimi është misteri i gëzimit të lirisë. Vullneti ynë i lirë është e vetmja gjë në botë që është plotësisht e jona. Hyji mund të na marrë gjithçka tjetër—shëndetin, pasurinë, pushtetin—por Ai kurrë nuk do të na detyrojë ta duam ose t’i bindemi. Bukuria e “Po”-së qëndron në mundësinë që mund të ishte thënë “Jo”. Maria na ka mësuar t’i themi Hyjit “Fiat”: ‘Më ndodhtë siç the ti!’

Vetë Hyji na ka mësuar se, nëse Ai nuk e ka shkelur lirinë e një gruaje, atëherë asnjë burrë nuk duhet ta bëjë këtë.”

 

Nga Fulton Sheen, The Fifteen Mysteries

Ftotografia në ballinë: Botticelli, Annunciazione

Përkthimi: Rev. “Drita”

Shpëndaje: