
Meditim nxitës për kohën e kreshmës
Nga Don Leonard Domgjoni
Koha e Kreshmës është kohë kthimi, lutje dhe pendese, gjatë së cilës çdo besimtarë/e është i/e thirrur ta dëgjojë zërin e Zotit, që thërret: “Eja, kthehu tek Unë.” Kjo kohë e kreshmës nuk është thjeshtë një kohë agjërimi apo sakrificë e jashtme që e bëjmë, por mbi të gjitha është një udhëtim i brendshëm drejt zemrës sonë, aty ku shpesh fshihemi edhe nga vetvetja.
Në përditshmërinë tonë, shpesh jemi të zënë me gjëra që na lodhin shpirtin më shumë sesa e ushqejnë atë. Kreshma na fton të ndalemi, të heshtim dhe të pyesim veten: Ku jam unë në marrëdhënien time personale me Zotin? Çfarë po më largon prej Tij? Pse nuk kam kohë për Zotin? Në këtë kohë, Zoti nuk na kërkon përsosmërinë tonë e as përgjigjet e menjëhershme, por ajo që na kërkon është sinqeriteti i zemrës sonë. Ai nuk na kërkon gjëra të mëdha para syve të botës, Ai kërkon një zemër të përvuajtur dhe të gatshëm për ta pranuar vullnetin e Tij në jetën tonë.
Agjërimi na mëson të heqim dorë, jo vetëm nga gjërat ushqimore, por sidomos na mëson të heqim dorë nga egoizmi ynë, krenaria, inati, gjykimi ndaj të tjerëve. Njeriu nuk mund të jetë i plotësuar me Zotin nëse në jetën e tij i mban këto vese që vijnë nga djalli, në mënyrë të veçantë kur njeriu ndjehet i dobët shpirtërisht. Nuk duhet të harrojmë asnjëherë se Zoti na qëndron afër, sepse Ai është siguria e jetës sonë edhe në momentet më të vështira që njeriu mund t’i përjetojë. Papa Françesku, në një intervistë, thotë se «mëshirë do të thotë t’i hapësh zemrën të mjerit. Dhe menjëherë na shkon mendja tek Zoti: mëshira është qëndrimi hyjnor që përqafon, është të dhuruarit e Zotit që mirëpret, që përkulet për të falur» ( Papa Françesku, Emri i Zotit është Mëshirë, Piemme 2016, f. 26).
Sa ka nevojë njeriu në jetën e tij të përditshme dhe shpirtërore ta përjetojë mëshirën e Zotit, e cila është falas për të gjithë, e pikërisht jemi në kohën e duhur që ta presim Zotin në jetën tonë, të përvuajtur dhe të gatshëm për ta ndjerë praninë, faljen dhe kthimin e zemrës sonë drejt Tij.
Agjërimi, lutja dhe lëmosha nuk janë qëllime në vetvete, por mjete që na ndihmojnë ta ri- orientojmë jetën tonë drejtë Zotit. Agjërimi na mëson vetëpërmbajtjen që ne duhet ta kemi në përditshmërinë tonë dhe të kujtojmë se shumë njerëz në botë vuajnë nga mosushqyerja e mbi të gjitha na kujton përmes Shkrimi të Shenjtë: ‘‘njeriu nuk jeton vetëm prej buke por prej çdo fjale që del nga goja e Hyjit’’ (Mt 4, 4). Pra, njeriu nuk është i thirrur të jetojë vetëm nga gjërat materiale, gjërat që janë të përkohshme në këtë jetë tokësore, por njeriu mbi gjitha është i thirrur të ushqehet çdo ditë nëpërmjet dëgjimit dhe meditimit të Fjalës së Zotit. Ai, nëpërmjet lutjes e rikthen marrëdhënien e tij personale me Hyjin, i cili na aftëson për ta dëgjuar zërin e Tij në heshtjen e zemrës sonë. Në këtë mënyrë lutja e sinqertë e ndihmon njeriun në jetën e tij shpirtërore, duke e rikthyer besimin se nuk jemi vetëm, se Zoti ecën me ne edhe në errësirat e jetës sonë.
Në anën tjetër, lëmosha na mëson të hapim zemrën për të tjerët që kanë nevojë; kështu mësojmë se dashuria e vërtetë gjithmonë kërkon të dhurohet, të bashkëndahet me të tjerët. Papa Benedikti XVI thoshte: «Ekzistenca e krishterë përbëhet nga një ngjitje e vazhdueshme në malin e takimit me Zotin dhe më pas nga një zbritje, duke sjellë dashurinë dhe forcën që burojnë prej Tij, në mënyrë që t’u shërbejmë vëllezërve dhe motrave tona me të njëjtën dashuri të Zotit.» (Mesazhi i Atit të Shenjtë Papa Benediktit XVI për kreshme, 2013.)
Kështu edhe ne gjatë kësaj kohe të shenjtë të kreshmës jemi duke u ngjitur drejt këtij mali për ta takuar Zotin në jetën tonë dhe, duke e takuar Atë, që është dashuri, do të mundemi edhe ne të bashkëndajmë të njëjtin gëzim me vëllain apo motrën njeri. Nuk duhet të harrojmë se lëmosha na hap sytë për të parë Krishtin në fytyrën e atij/asaj që vuan çdo ditë, e sidomos na ndihmon të shohim ata/ato që janë të harruar, të vetmuar e të braktisur nga të gjithë. E shumë në familjet e sotme janë të harruar, të braktisur, e të vetmuar, sepse nuk e kanë përjetuar akoma dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë që Zoti e dhuron çdo ditë e që shpesh herë nuk jemi të vetëdijshëm për këtë.
Kreshma është një kohë shprese për të gjithë. Edhe pse fillon në heshtje, pendesë dhe reflektim në mundimet dhe vdekjen në Kryq, ajo na çon drejt dritës së Ringjalljes së Zotit tonë Jezu Krishtit. Kreshma na kujton se çdo kryq ka kuptim, kur njeriu e bashkon kryqin e vet me Kryqin e Krishtit. Gjatë ecjes sonë shpirtërore, secili prej nesh qëndron përballë kryqit të vet, shpesh është një kryq që nuk është gjithmonë i dukshëm, por që peshon e shkakton shumë vuajtje, sëmundje, pasiguri, humbje, frikë apo plagë, që vetëm Zoti i njeh dhe i di më së miri. Kështu kryqi ynë i përditshëm merr kuptim vetëm atëherë kur e bashkojmë me atë të Krishtit, sepse është Ai që na e lehtëson barrën e kryqit nëpërmjet mundimit, vdekjes dhe ringjalljes së Tij.
Gjatë kësaj kohe të shenjtë të kreshmës kemi më shumë kohë për të reflektuar mbi Fjalën e Zotit, për të agjëruar dhe për të dhuruar më shumë ndaj atyre që kanë nevojë. Në jetë është më se e rëndësishme ta bashkëndajmë dashurinë, mirësinë, dhembshurinë dhe mëshirën e Zotit me të afërmin. Mos të lejojmë që krenaria të na largojë prej Zotit dhe të afërmit, por me përvuajtëri e vogëlsi përpara Zotit dhe tjerëve, sikurse thoshte Papa Shën Gjon Pali i II «vetëm ata që e bëjnë veten “të vegjël” janë në gjendje t’i mirëpresin me dashuri vëllezërit dhe motrat e tyre më të vegjël.» (Mesazhi i Atit të Shenjtë Papa Gjon Palit II për kreshme, 2004.)
Në këtë rrugë shpirtërore edhe ne ta jetojmë këtë kohë të kreshmës, të mbushur me fe, shpresë dhe dashuri. Le ta lejojmë Zotin që të na shërojë nga veset e ndryshme që kemi e të na afrojë më shumë me dashurinë e Tij që s’ka mbarim, sepse ajo që na pret në fundin kësaj rruge është Pashka e Krishtit, është zemra e re e ripërtërirë në saje të hirit të Zotit. Paçim kreshmë të shenjtë!/drita.info

Postimi i Mëparshëm
