Meditim teologjik, shpirtëror dhe praktik mbi sakramentin e pajtimit në prag të Pashkëve
Nga Dom Mikel Sopi
Koha e Kreshmëve është një kohë e veçantë hiri dhe kthimi. Është koha kur Kisha e fton besimtarin të hyjë në një udhëtim të brendshëm: nga shpërqendrimi drejt heshtjes, nga mëkati drejt pajtimit, nga largësia drejt bashkimit me Hyjin. Në zemër të këtij udhëtimi qëndron sakramenti i rrëfimit – sakramenti i mëshirës dhe i jetës së re.
Ndërsa ne meshtarët dhe rregulltarët/rregulltaret patëm rastin ta përjetojmë gëzimin e takimit personal me mirësinë e Hyjit në rrëfimin e shenjtë këtë të shtunë, gjatë javës në vijim, në mënyrë të organizuar nëpër dekanate, mundësia për rrëfim personal do t’u jepet gjithë besimtarëve tanë në dioqezë, por edhe në misionet tona në Perëndim. Të jemi falënderues Zotit për këtë mundësi!
Në rrëfim penitenti takon mëshirën e Hyjit
Pashkët nuk janë vetëm përkujtimi i një ngjarjeje të së kaluarës. Ato janë përjetimi i misterit të vdekjes dhe të Ngjalljes së Krishtit në jetën e besimtarit. Për këtë arsye, Kisha gjithmonë e ka lidhur përgatitjen për Pashkë me kthimin e zemrës dhe me sakramentin e pajtimit.
Në këtë sakrament zbulohet një nga të vërtetat më të thella të fesë sonë: Hyji nuk lodhet kurrë duke falur. Mëshira e Tij është gjithmonë më e madhe se mëkati i njeriut. Rrëfimi nuk është një akt juridik, por një takim personal me dashurinë shëruese të Hyjit.
Shenjti i njohur i rrëfimit, atë Leopold Mandić, i cili kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në rrëfyestore, e përjetonte këtë sakrament si një shërbim të mëshirës hyjnore. Ai shpesh theksonte se meshtari është vetëm shërbëtor, ndërsa ai që fal është vetë Hyji.
Në rrëfim, njeriu vendos para Zotit të vërtetën e jetës së vet. Kjo kërkon përvujtëri dhe sinqeritet. Besimtari është i ftuar të rrëfejë mëkatet e veta personale, por edhe lëshimet, momentet kur nuk e ka bërë të mirën që ishte i thirrur, që kishte mundësi ta bënte. Pikërisht në këtë akt të së vërtetës ndodh takimi mes dobësisë njerëzore dhe mëshirës hyjnore.
Teologjia e Kishës sonë e sheh rrëfimin si një përvojë të vërtetë të Pashkëve në jetën e njeriut: vdes njeriu i vjetër i mëkatit dhe lind njeriu i ri i pajtuar me Hyjin. Për këtë arsye, rrëfimi është gjithmonë një fillim i ri. Shën Gjon Vianney, pajtori i meshtarëve, thoshte me thjeshtësi se rrëfimi është “banja e shpirtit”, sepse aty shpirti pastrohet dhe rifiton bukurinë që vjen nga hiri i Hyjit.
Pesë hapa për një rrëfim të mirë dhe të frytshëm
Në prag të Pashkëve kur në famullitë dhe misionet tona organizohen rrëfime të përbashkëta, secili besimtar është i ftuar të gjejë kohë për heshtje, lutje dhe shqyrtim të ndërgjegjes. Vetëm në këtë heshtje njeriu mund ta dëgjojë thirrjen e Hyjit për kthim.
Punët e nevojshme për t’u rrëfyer mirë janë pesë:
- Kujto mëkatet dhe gabimet
Reflekto me sinqeritet mbi jetën tënde: veprimet, fjalët dhe qëllimet që nuk kanë qenë sipas vullnetit të Zotit.
- Pendohu për të gjitha mëkatet
Pendesa e vërtetë lind nga zemra që dëshiron të ndryshojë dhe të mos e përsërisë më të keqen.
- Jepja fjalën Zotit se do të ruhesh nga e keqja
Vendos me vendosmëri të përpiqesh për një jetë më të mirë dhe më të drejtë.
- Tregoja rrëfyesit mëkatet sinqerisht
Rrëfimi kërkon hapje dhe besim: të flasësh me sinqeritet dhe pa fshehur asgjë.
- Kryeje pendesën e caktuar nga rrëfyesi
Prano dhe zbato pendesën që të jepet. (Nëse nuk është e mundur ta kryesh, kërko që të zëvendësohet me një tjetër të përshtatshme për ty).
Ky proces ndihmon jo vetëm në pastrimin shpirtëror, por edhe në reflektimin e jetës dhe në përmirësimin e saj.
Përfundim
Meshtarët dhe rregulltarët e dioqezës janë në dispozicion për rrëfim të besimtarëve, për atë takim të thellë dhe personal me Zotin, i cili nuk lodhet kurrë duke na pritur. Rrëfimi nuk është thjesht një detyrim, por një takim dashurie me Atë që është mbi çdo plagë, çdo gabim dhe çdo barrë që mbajmë në zemër.
Ta shfrytëzojmë këtë kohë dhe këtë mundësi për t’u ndalur, për të reflektuar dhe për t’u pajtuar. Sepse në rrëfim ne nuk gjejmë vetëm falje, por edhe paqe, forcë dhe një fillim të ri. Rrëfyestoret janë të hapura, por mbi të gjitha zemra e Zotit të mirë është gjithmonë e hapur për ata që e kërkojnë Atë.

Postimi i Mëparshëm
