“SHKONI TEK JOZEFI!”

Thelbi i Shën Jozefit

19 marsi është festa kryesore e Shën Jozefit, ndërsa 1 maji është një festë më e vonshme liturgjjike që kremton Shën Jozefin Punëtor. Shën Jozefi, mund të thuhet se, pas Zojës së Bekuar, është shenjti më i madh i Hyjit.

Sot, në këtë katekezë të parë, do të paraqesim thjesht një përmbledhje themelore — një lloj “skeleti” ose pikat thelbësore rreth jetës së Shën Jozefit.

 

Të Njohim Shën Jozefin

Meqenëse 19 marsi është festa kryesore e Shën Jozefit, ndonëse ne kremtojmë gjithashtu Shën Jozefin Punëtor më 1 maj, dhe meqenëse ai është i pakrahasueshëm me askënd tjetër përveç Zojës së Bekuar (dhe, sipas disa mendimeve, edhe Shën Gjon Pagëzuesit, për të cilin Jezusi tha: “Ndër ata që kanë lindur prej gruaje nuk është ngritur askush më i madh se Gjon Pagëzuesi”), do të kalojmë disa ditë duke soditur këtë shenjt të madh të Hyjit.

Shpesh Shën Jozefi mbetet në hije dhe e gjithë vëmendja përqendrohet te Jezusi dhe te Maria. Sigurisht, Shën Jozefi është një figurë dytësore në jetën e Jezusit, dhe kjo është e drejtë; megjithatë, sa informacion dimë në të vërtetë për jetën e Shën Jozefit?

 

Burimet

Burimet kryesore të informacionit mbi jetën e Shën Jozefit janë kapitujt e parë të Ungjillit sipas Shën Mateut dhe Ungjillit sipas Shën Lukës. Në praktikë, këto janë pothuajse të vetmet burime të besueshme. Letërsia apokrife përmban shumë hollësi, por fakti që këto shkrime nuk janë pranuar në Kanonin e Librave të Shenjtë ngre dyshime serioze mbi përmbajtjen e tyre. Edhe pse mund të pranohet se disa prej fakteve të regjistruara në to mund të mbështeten në tradita të besueshme, në shumicën e rasteve është pothuajse e pamundur të dallohen dhe të ndahen elementet e historisë së vërtetë nga legjendat me të cilat ato janë të përziera.

Ndër këto shkrime apokrife mbi jetën e Shën Jozefit përmenden: i ashtuquajturi “Ungjilli i Jakobit”, “Pseudo-Mateu”, “Ungjilli i Lindjes së Virgjërës Mari”, “Historia e Jozefit Zdrukthëtar” dhe “Jeta e Virgjërës dhe Vdekja e Jozefit.”

Gjithashtu ekzistojnë rrëfime për jetën e Shën Jozefit në zbulesat që u janë bërë disa shenjtërve dhe mistikëve. Këto kanë njëfarë vlere, por nuk përbëjnë në vetvete një garanci të plotë për saktësi historike dhe siguri—edhe pse, ndoshta, janë më afër së vërtetës sesa shumë supozime të bëra nga studiues që mbështeten në të dhëna historike të paqarta dhe nganjëherë të diskutueshme.

 

Kush është ai?

Kush është Shën Jozefi? Pas Marisë, Shën Jozefi është personi që kaloi më shumë orë dhe ditë tokësore me Jezusin. Emrat e nënës dhe të babait të tij janë humbur në histori – mbeten të panjohur. Hulumtimet gjenealogjike tregojnë se ai ishte nga shtëpia e Davidit, nga një prejardhje që kalon përmes Salomonit.

Shën Mateu (1,16) e quan Shën Jozefin bir të Jakobit; ndërsa sipas Shën Lukës (3,23), Heli ishte babai i tij. Kjo nuk është vendi për të paraqitur përpjekjet e shumta dhe shumë të ndryshme që janë bërë për të zgjidhur çështjen e vështirë që lind nga dallimet ndërmjet këtyre dy gjenealogjive; as nuk është e nevojshme të paraqitet këtu shpjegimi që i përgjigjet më mirë të gjitha kërkesave të këtij problemi. Për këtë shqyrtim të shkurtër mbi Shën Jozefin, mjafton të kujtojmë se shumica e autorëve bashkëkohorë pranojnë se, megjithëse gjenealogjitë e paraqitura nga Shën Mateu dhe Shën Luka duken të ndryshme, të dhënat e tyre mund të pajtohen.

 

Nga erdhi ai?

Betlehemi, qyteti i Davidit dhe i pasardhësve të tij, duket se ka qenë vendlindja e Jozefit. Megjithatë, kur fillon rrëfimi ungjillor — pra disa muaj para Lajmërimit të Engjëllit — Jozefi tashmë ishte vendosur në Nazaret. Pse dhe kur e la vendlindjen e tij për të shkuar në Galile, Ungjijtë nuk e tregojnë. Disa mendojnë — dhe kjo nuk është aspak e pamundur — se rrethanat modeste të familjes në atë kohë dhe nevoja për të siguruar jetesën mund të kenë qenë arsyeja e këtij ndryshimi.

 

Çfarë bënte ai?

Në të vërtetë, Shën Jozefi ishte një “tekton”, siç mësojmë nga Mateu 13,55 dhe Marku 6,3. Kjo fjalë mund të nënkuptojë si një zejtar në përgjithësi, ashtu edhe një zdrukthëtar në mënyrë të veçantë. Shën Justini Martir dëshmon për këtë kuptim të fundit, dhe Tradita e Kishës e ka pranuar këtë interpretim, i cili ndiqet edhe në përkthimet e shumta të Biblës.

 

Martesa

Me shumë gjasë ishte në Nazaret që Jozefi u fejua dhe u martua me atë që do të bëhej Nëna e Hyjit. Kur ndodhi martesa — nëse para apo pas Mishërimit të Fjalës — nuk është e lehtë të përcaktohet, dhe mbi këtë çështje komentuesit e Shkrimit të Shenjtë kanë pasur mendime të ndryshme në çdo kohë.

Shumica e komentuesve bashkëkohorë, duke ndjekur gjurmët e Shën Toma Akuinit, mendojnë se në kohën e Lajmërimit të Engjëllit Virgjëra e Bekuar ishte vetëm e fejuar me Jozefin. Siç vëren edhe Shën Toma, ky interpretim përputhet më mirë me të dhënat e Ungjijve.

 

Mishërimi

Kjo martesë, e vërtetë dhe e plotë, sipas qëllimit të bashkëshortëve ishte një martesë virgjërore, siç mësojnë Shën Augustini, Shën Toma Akuini dhe shumë të tjerë. Megjithatë, besimi i Jozefit në bashkëshorten e tij u vu shpejt në një provë të rëndë: ajo ishte me barrë. Sado e dhimbshme të ketë qenë ky zbulim për të, duke qenë se nuk e njihte ende misterin e Mishërimit, ndjenjat e tij fisnike nuk e lejuan që ta turpëronte Zojën e Bekuar para njerëzve. Prandaj ai vendosi “ta linte fshehtas”.

Por ndërsa mendonte për këto gjëra, “ja, engjëlli i Zotit iu shfaq në ëndërr dhe i tha: ‘Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë, bashkëshorten tënde, sepse ajo që është zënë në të është prej Shpirtit Shenjt. … Dhe Jozefi, pasi u zgjua nga gjumi, bëri siç i kishte urdhëruar engjëlli i Zotit dhe e mori me vete bashkëshorten e vet’” (Mateu 1,19-20.24).

 

Lindja e Jezusit

Disa muaj më vonë erdhi koha që Jozefi dhe Maria të shkonin në Betlehem, për t’u regjistruar sipas dekretit të Cezarit August. Kjo ishte një burim i ri shqetësimi për Jozefin, sepse “erdhën ditët që ajo të lindte”, dhe “nuk kishte vend për ta në bujtinë” (Luka 2,1–7).

Çfarë mendimesh mund të ketë pasur ky njeri i shenjtë në çastin e lindjes së Shpëtimtarit, me ardhjen e barinjve dhe të dijetarëve nga Lindja, si dhe gjatë ngjarjeve që ndodhën në kohën e Paraqitjes së Jezusit në Tempull, mund vetëm ta përfytyrojmë. Shën Luka na thotë vetëm se ai “çuditej për ato që thuheshin për Të” (Luka 2,33).

 

Prova dhe sprova të tjera

Sprova të reja do të pasonin shpejt. Lajmi se kishte lindur mbreti i judenjve nuk mund të mos ndizte në zemrën e ligë të tiranit plak dhe gjakatar, Herodit, zjarrin e xhelozisë. Përsëri “engjëlli i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit dhe i tha: ‘Çohu, merre fëmijën dhe nënën e tij dhe ik në Egjipt; qëndro atje derisa të të them unë’” (Mateu 2,13).

 

Kthimi në Nazaret

Thirrja për t’u kthyer në Palestinë erdhi vetëm pas disa vitesh dhe Familja e Shenjtë u vendos përsëri në Nazaret. Që nga ajo kohë, jeta e Shën Jozefit ishte jeta e thjeshtë dhe pa ngjarje të jashtëzakonshme e një hebreu të përulur, i cili mbante veten dhe familjen e tij me punën e duarve dhe ishte besnik ndaj praktikave fetare të urdhëruara nga Ligji ose të ruajtura nga izraelitët e devotshëm.

E vetmja ngjarje e veçantë që përmendet në Ungjill është humbja dhe kërkimi me ankth i Jezusit, atëherë dymbëdhjetë vjeç, kur Ai kishte mbetur në Jeruzalem gjatë pelegrinazhit të përvitshëm në Qytetin e Shenjtë (Luka 2,42–51).

 

Përmendja e fundit

Herën e fundit që e takojmë Shën Jozefin është në rrëfimin e Jezusit në Tempull në Jeruzalem. Pas kësaj, ai nuk përmendet më. Këtu përfundon në mënyrë të papritur biografia ungjillore e Shën Jozefit: ai nuk përmendet më në Shkrimin e Shenjtë.

Pjesa e mbetur e jetës së tij, shkaku i vdekjes, vendi ku vdiq dhe vendi i varrimit të tij nuk janë të qarta. Dimë vetëm se Maria përmendet si vejushë kur Jezusi është rreth tridhjetë vjeç, por nuk kemi asnjë informacion për Shën Jozefin pasi Jezusi mbushi dymbëdhjetë vjeç.

Kjo është hera e fundit që dëgjojmë për Shën Jozefin në shkrimet e shenjta, dhe është e arsyeshme të supozojmë se ati kujdestar i Jezusit kishte vdekur para fillimit të jetës publike të Shpëtimtarit. Në disa raste Ungjijtë përmendin nënën dhe vëllezërit e Tij (Mateu 12,46; Marku 3,31; Luka 8,19; Gjoni 7,3), por kurrë nuk përmendin babanë e Tij së bashku me pjesën tjetër të familjes. Ato na tregojnë vetëm se gjatë jetës së Tij publike Jezusi quhej biri i Jozefit (Gjoni 1,45; 6,42; Luka 4,22), zdrukthëtarit (Mateu 13,55).

 

Vdekja e Jozefit

Për më tepër, a do ta kishte besuar Jezusi, në çastin kur po vdiste në Kryq, Nënën e Tij kujdesit të Gjonit, nëse Shën Jozefi do të ishte ende gjallë? Sigurisht që jo. Megjithatë, Shkrimi i Shenjtë, ndonëse tregon vdekjen e shumë personave, mbetet në heshtje për vdekjen e Marisë dhe të Jozefit.

Se ai vdiq, kjo është e sigurt — por kur, ku dhe si, për këtë Shkrimi i Shenjtë nuk na jep asnjë të dhënë.

 

Trupi dhe varri i Shën Jozefit

Po ashtu, nuk dimë se ku është varrosur Shën Jozefi. Megjithatë, disa zbulesa private flasin për zbulimin e varrit të tij në një kohë të ardhshme:

“Në një ekstazë, një shenjt ka parë trupin e Shën Jozefit të ruajtur të paprishur në një varr, vendndodhja e të cilit ende nuk dihet. Sa më shumë të nderohet bashkëshorti i lavdishëm i Virgjërës së Tejetbekuar, aq më shpejt do të ndodhë zbulimi i trupit të tij; dhe kjo do të jetë një ditë gëzimi të madh për Kishën.” (Fjalë të At Palit nga Moll, 1824–1896, nga libri Father Paul of Moll, nga Edward van Speybrouck, f. 238).

Një traditë e lashtë pohon se varri i Shën Jozefit, tashmë bosh, ndodhet në Luginën e Jozafatit. Shën Jeronimi, nga ana tjetër, ishte i mendimit se varri i Shën Jozefit gjendet brenda kufijve të Kopshtit të Gjetsemanit. (Shih Life and Glories of St. Joseph nga Edward Healy Thompson, f. 409–410).

 

Vitet e panjohura të Jozefit

Çfarë ndodhi gjatë atyre 18 viteve është plotësisht e panjohur për historinë e dokumentuar. Megjithatë, shumë shenjtër dhe mistikë kanë marrë zbulesa lidhur me jetën e Jezusit, Marisë dhe Jozefit, përveç të dhënave të pakta që gjenden në Shkrimin e Shenjtë.

Natyrisht, këto zbulesa private nuk kanë autoritetin e Shkrimit të Shenjtë dhe as nuk kërkojnë të njëjtin detyrim besimi si ai. Megjithatë, ato shpesh kanë të paktën po aq vlerë — në mos edhe më shumë — sesa mendimet thjesht akademike të studiuesve, të cilat shpesh janë po aq të ndryshme mes tyre dhe mbështeten në të dhëna historike të paqarta e nganjëherë të diskutueshme.

 

Përkthyen: Adelina Palushi & Nora Ukaj

Burimi: https://devotiontoourlady.com/st-joseph.html

Shpëndaje: