
Festa e Lartësimi të Kryqit të Shenjtë – viti C
Leximi i parë Nr 21, 4-9
Lexim prej Librit të Numrave
Ato ditë, izraelitët u nisën prej malit Hor për t’iu shmangur tokës së Edomit udhës që shpie te Deti i Kuq. Por populli udhës filloi ta humbasë durimin, zuri të ankohej kundër Zotit e Moisiut. Thanë: “Pse na nxore nga Egjipti a për të vdekur në këtë shkretëtirë? S’ka bukë, s’ka ujë; kurse kjo e zezëhaje na e mërziti shpirtin”! Për këtë arsye Zoti çoi në popull gjarpërinj të hidhur, të cilët e hanin popullin dhe vdiqën shumë njerëz prej Izraelit. Atëherë erdhën te Moisiu e i thanë: “Bëmë mëkat kur folëm kundër Zotit e kundër teje; lutu ti që të na i largojë gjarpërinjtë”! Moisiu u lut për popull, e Zoti tha: “Punoje gjarprin helmues e vëre në shtyllë si shenjë: kushdo që, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, ta shikojë, do të shpëtojë”. Moisiu e punoi një gjarpër prej bronzit dhe e vuri për shenjë; këdo që hante gjarpri, si e shikonte atë, shërohej. Fjala e Zotit.
Psalmi 78
Ref: O Zot, bëj të mos i harrojmë veprat e tua
————————————
Dëgjoje me kujdes, populli im, mësimin tim,
vëru vesh fjalëve të gojës sime.
Po e hap gojën time për të mësuar me shëmbëlltyra,
do t’ju tregoj fshehtësi të kohëve të shkuara.
————————————
Ato që dëgjuam e mësuam,
çka na treguan etërit tanë,
nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre,
do t’i kalojmë gojë më gojë në breznitë e ardhshme
lavditë e Zotit e mrekullitë e tija,
veprat e bindshme që ai bëri.
————————————
Ai e ngriti Dëshminë në Jakobin,
dhe e vuri Ligjin në Izrael,
që çfarë u urdhëroi etërve tanë
ato t’ua shpallin fëmijëve të vet,
që breznia e ardhshme t’i ketë të njohura,
————————————
Që fëmijët që të lindin
t’ua tregojnë fëmijëve të vet:
që ta mbështetin shpresën e vet në Hyjin,
të mos i harrojnë veprat e Hyjit
e t’i mbajnë urdhërimet e tija.
————————————
Leximi i dytë Fil 2, 6-11
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Filipianëve
Krishtin Jezus:i cili, edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me Të nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të, por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz dhe, për kah pamja e jashtme, dukej vetëm njeri. E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje, mu deri në vdekjen në kryq. Prandaj edhe Hyji e lartësoi tesve dhe i dha emrin që është mbi çdo emër që në Emër të Jezusit të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë dhe çdo gjuhë të dëshmojë: ‘Jezu Krishti është Zot!’ Në nder të Hyjit Atë.Fjala e Zotit.
Aleluja.
Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet
Aleluja.
Ungjilli Gjn 3,13-17
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Askush nuk u ngjit në qiell, përveç Birit të njeriut që zbriti nga qielli. Dhe, sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkretëtirë, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur. Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën sa që dha një të vetmin Birin e vet kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por të ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Fjala e Zotit.
POROSIA
“Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, për hebrenj shkandull e për paganë marri” – shkruan shën Pali në Letrën e Parë të Korintianëve(1 Kor 1, 23). Kryqi (kryqëzimi Krishtit) është simboli me të cilin të krishterët shfaqin besimin e tyre; megjithatë, për tre shekuj, ata qëllimisht e kanë shmangur kryqin. Në tre shekujt e parë të krishterët njiheshin me simbole të tjera – spirancën, peshkun, bukët, pëllumbin, bariun – e hezitonin të paraqisnin kryqin, sepse ai evokonte vdekjen e turpshme të Jezu Krishtit, Mësuesit të tyre, një vdekje kjo e rezervuar për skllevërit e banditët dhe për faktin se ishte një nga arsyet pse të krishterët talleshin nga paganët.
Një datë e saktë që shënon kalimin në kultin e kryqit është 14 shtatori i vitit 335 pas Krishtit, ditë në të cilën në Jeruzalem një turmë e madhe shtegtarësh, ardhur nga çdo cep i botës, festoi përkushtimin e Bazilikës së ndërtuar nga Kostandini në vendin e varrit të shenjtë të Jezu Krishtit. Mbi shkëmbin e Kalvarit perandori kishte vendosur një kryq të mrekullueshëm të stolisur me gurë të çmuar për të kujtuar pikërisht vendin e flijimit të Jezu Krishtit mbi kryq.
Që nga ajo ditë Kryqi u bë simboli i krishterë par excellence. E festa e sotme e Naltimit të Kryqit të Shenjtë dëshiron të na kujtojë kuptimin autentik të kryqit të Jezu Krishtit. Prej shtatëmbëdhjetë shekujsh komunitetet e krishtera e duan dhe nderojnë këtë simbol feje, shprese, dashurie e ringjaljeje.
Por ç’kuptim ka ta naltosh Kryqin? Thua s’është shkandull të nderosh një mjet çnderues vdekjeje siç është kryqi? Shën Pali Apostull thotë “Ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar, shkandull për judenj, çmenduri për paganë” (1 Kor 1, 23). Duhet pasur, veç, parasysh se të krishterët nuk naltojnë çdo lloj kryqi, por atë Kryq të cilin Krishti e shenjtëroi me flijimin e vet, fryt dhe dëshmi e dashurisë që s’njeh masë. Nuk është kryqi ai që i ka dhënë lavdi Jezusit, por është Jezusi ai që e ka jetuar edhe kryqin në mënyrë të tillë që ta bëjë këtë instrument vdekjeprurës shenjë dhe emblemë të një jete të ofruar, të shpenzuar, të dhuruar për dashuri, një dashuri e jetuar “deri në pikën e fundit” (eis télos: Gjn 13,1) ndaj njerëzve, madje edhe ndaj ekzekutorëve të tij.
Kështu, në festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë ne e shikojmë Kryqin e Krishtit si lavdi e simbol, si rrugë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumnisë së qiellit, sikur pohon Shën Pali në Letren e tij drejtuar Galatasve: “Jam kryqëzuar me Krishtin e nuk jam më unë ai që jeton, por Krishti që jeton në mua”. Prandaj, nga shenjë mallkimi, Kryqi u shndërrua në shenjë bekimi, nga simbol i vdekjes në vetë simbolin e dashurisë, që e mund urrejtjen e dhunën dhe lind jetën e pavdekshme. “O Crux, ave spes unica! O Kryq, të falem, ty, e vetmja shpresë!” .
I madh është misteri që përkujtojmë sot, po një gjë është plotësisht e qartë: “Kush merr pjesë në mundimet e Krishtit në Kryq, merr pjesë edhe në gëzimin e Tij”. Prandaj të krishterët krenohen me Kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, sepse Kryqi i Krishtit është shenjë e fitores mbi vdekjen e dhunën. Kryqi bëhet kështu lavdi. E me të drejtë liturgjia e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë këndon në Meshë: “Krygjë e lavdishme, në degët tua varej çmimi i lirisë sonë: bota u shëlbua përmes Krygjës. Të falem, o Krygjë, e shuguruar nga Korpi i Krishtit; gjymtyrët e Tij mbi ty shkëlqejnë si gurë të çmuar”.
Në festën e Ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë të Jezu Krishtit, Kisha na fton të shikojmë Kryqin e Krishtit si lavdi e simbol, si udhë nëpër të cilën duhet ecur ditë për ditë, në përpjekjen për t’iu afruar lumturisë së Qiellit, jetës së amshuar. (radio Vatikani)
Lutja e Besimtarëve
M. Si popull i shëlbuar, t’i lutemi Hyjit, Atit tonë, i cili në drurin e kryqit na e ktheu frytin e jetës në Krishtin, Birin e vet.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Për misterin e kryqit, na shpëto, o Zot.
L. Për Kishën e shenjtë: që në çdo gjest, fjalë e vepër të shpallë dashurinë e pamasë të Atit, e cila u shfaq plotësisht në kryqin e Birit të tij. Të lutemi.
L. Për ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët: që të jenë shërbëtorë e dëshmitarë të urtisë së Shpirtit, që buron nga kryqi. Të lutemi.
L. Për të përndjekurit për shkak të fesë dhe të drejtësisë: që nga kryqi i Krishtit të marrin sigurinë e fitores së dashurisë mbi urrejtjen dhe të së mirës mbi të keqen. Të lutemi.
L. Për motrat dhe vëllezërit që vuajnë në trup e në shpirt: që të ndjejnë praninë ngushëlluese të Krishtit që ndriçon përvojën e dhimbjes. Të lutemi.
L. Për ne që jemi mbledhur këtu: që Eukaristia të na japë forcën dhe gëzimin për të dëshmuar fenë tonë me një përkim të plotë në vullnetin e Atit. Të lutemi.
M. O Atë, i pasur me mëshirë, që e ke lartësuar Birin tënd, i dëgjueshëm deri në vdekje, derdh në ne forcën e Shpirtit, që të mund ta bartim përditë peshën dhe lavdinë e kryqit. Nëpër Krishtin, Zotin tonë.