LIRIA MES ILUZIONIT IDEOLOGJIK DHE TË VËRTETËS SË KRISHTERË (I)

Nga Dom Mikel Sopi

 

Hyrje

Në kohën tonë, fjala liri është bërë një prej fjalëve më të përdorura por edhe më të keqpërdorura, duke e bërë atë të konsumohet si nocion. Shpesh e dëgjojmë të lidhet me të drejtën për të bërë atë që duam dhe kur të duam, pa menduar tek pasojat. Por kjo mënyrë e të vepruarit është vetëm hije e zbehtë e kuptimit të saj të vërtetë.

Ideologjitë e shekullit XX dhe XXI, por edhe në diskursin bashkëkohor fjala “liri” paraqitet si autonomi absolute, si aftësi për të zgjedhur pa kufij, pa marrë parasysh përgjegjësinë ndaj së mirës apo së vërtetës. Por në të vërtetë, kjo liri e premtuar shpesh rezulton të jetë vetëm iluzion.

Liria nuk është thjesht mungesë e kufizimeve, por mbi të gjitha ajo nënkupton aftësinë për të zgjedhur të mirën dhe për të jetuar sipas së vërtetës. Kush e ndan lirinë nga përgjegjësia, e kthen atë në iluzion që shpejt bëhet robërim. Ndërsa Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 1744, qartëson se liria nuk mund te përdorët për të bërë keq. Të jesh vërtet i lirë do të thotë të zgjedhësh të mirën, të vërtetën dhe dashurinë mbi çdo iluzion, duke e bërë lirinë rrugë të qëndrueshme të jetës, dhe jo vetëm një ndjesi të përkohshme.

Dallimi mes këtyre dy koncepteve vendos lexuesin përballë pyetjes themelore: A jemi vërtet te lirë, apo jetojmë nën iluzionin e autonomisë që na bën skllevër të dukshëm?

 

Disa koncepte bazike të perceptimit të lirisë

Çështja e lirisë është ndër temat më të mëdha dhe më të debatuara, jo vetëm në historinë e mendimi, por edhe në mendësinë e ditëve tona. Jetojmë në një botë ku shpesh zërat bëhen më të fortë se arsyet, dhe motoja “bëj atë që dua” shitet si devizë e përparimit. Kështu liria perceptohet thjesht si mungesë kufizimesh dhe kufijsh. Por një kuptim i tillë larg së vërtetës së saj, e shndërron lirinë në një  rrëshqitje të sigurt drejt robërisë. Ky keqinterpretim i lirisë është një alarm i fortë që fton të rikthehemi në kuptimin e saj të vërtetë dhe autentik.

Konceptet e lirisë arbitrare lidhen më tepër me vizione idologjike, të artikuluara dhe te përfaqësuara sidomos nga disa autorë gjatë dekadave te fundit, të cilët shpesh janë paraqitur si bartës të trendeve të kohës. Këta autorë kanë ushtruar ndikim të madh mbi ideologjitë liberale moderne, duke formësuar një perceptim të lirisë që shpesh bie ne kundërshtim me dimensionin e saj moral dhe njerëzor. Në vazhdim po i sjellim shkurtimisht disa nga këta autorë:

John Stuart Mill, në veprën e tij, On Liberty (1859) thekson të drejtën e individit për të vepruar sipas vullnetit të tij, për sa kohë që nuk dëmton të tjerët. Megjithëse ai përmend kufizime, shumë interpretime të mëvonshme e reduktuan këtë koncept në një “liri pa detyrim moral”.

Jean-Paul Sartre, filozof ekzistencialist liberal, vlerëson se njeriu është i dënuar të jetë i lirë, pra nuk ka asnjë autoritet mbi të (as Hyj, as morali i objektivizuar). Ky perceptim ka për pasojë relativizimin e përgjegjësisë.

Herbert Marcuse (Shkolla e Frankfurtit), në veprat Erosi dhe civilizimi dhe Njeriu njëdimensional, promovoi idenë e çlirimit nga normat tradicionale, duke inkurajuar një liri hedoniste.

Richard Rorty, filozof pragmatist liberal, që relativizoi konceptin e së vërtetës dhe e shihte lirinë si lojë të vazhdueshme diskursive, pa domosdoshmëri për përgjegjësi metafizike ose moral.

Shpjegime të tilla të lirisë çuan ne atë që quhet liri ideologjike, ku individi shihet si masa matëse e se vërtetës, ndërsa arsyeja zëvendësohet me dëshirën personale. Pasoja e drejtpërdrejtë është rënia ne relativizëm, individualizëm dhe anarki morale që shpesh shkatërron vetë themelet e bashkëjetesës njerëzore.

Megjithatë, përballë kësaj prirjeje, nuk kanë munguar reagime dhe reflektime te  fuqishme nga autorë që kërkojnë të rikthejnë vëmendjen tek dimensioni i lirisë se vërtetë.

Njëri nga kritikët më te mprehtë të devijimeve mbi konceptin e lirisë, është  filozofi koreano-gjerman, Byung-Chul Han. Në veprën e tij, The Burnout Society, Psychopolitics, përshkruan gjendjen e njeriut të sotëm, i cili beson se është i lirë, por në realitet është i mbërthyer në një formë të re skllavërie: autoshfrytëzimin dhe presionin e vazhdueshëm për performancë. Liria në këtë vështrim, nuk është më dhuratë e së vërtetës dhe hapësirë për të mirën, por është shndërruar në “detyrim për të qenë vetvetja” sipas rregullave të sistemit neoliberal.

Një tjetër autor me ndikim, qe ka reflektuar mbi devijimet e lirisë moderne, është filozofi gjerman Jürgen Habermas. Në kritikën e tij ndaj arsyes instrumentale, Habermas thekson se liria nuk mund të reduktohet në “të bësh çfarë dëshiron” apo në vetë-përmbushje pa kritere morale. Për te, liria duhet te kuptohet brenda një procesi komunikativ, ku individët hyjnë ne dialog të arsyeshëm dhe të hapur me njëri-tjetrin për të kërkuar të vërtetën dhe të mirën e përbashkët.

Në këtë kuptim, Habermas e kundërshton relativizmin dhe atomizimin individualist: liria e njeriut është e vërtetë vetëm kur bëhet hapësirë për komunikim, konsensus dhe përgjegjësi. Nëse shoqëria e braktis këtë dimension, atëherë ajo përfundon në një terren të rrezikshëm ku dominon pushteti i të fortit, manipulimi ideologjik dhe “racionaliteti instrumental”, qe e përdor arsyen thjesht si mjet për të arritur interesa te caktuara

Ndërsa filozofi tjetër bashkëkohor, Slavoj Žižek (në veprën e tij, The sublime object of ideology) e kritikon perceptimin liberal duke e cilësuar atë, madje si shëmtim të lirisë. Ajo që duket si liri e pakufizuar në realitet ka devijuar në liri të iluzionuar, te kushtëzuar nga sistemet ekonomike, ideologjike dhe kulturore, duke e bërë njeriun skllav te dukshëm nën maskën e autonomisë./drita.info

 

(vazhdon)

Shpëndaje: