
Nga Dom Mikel Sopi
E vërteta e lirisë së krishterë
Kundruall kësaj, koncepti kristian i lirisë ka kuptim krejt tjetër. Liria nuk është thjesht mungesë kufizimesh, por aftësi e njeriut për të zgjedhur të mirën. Ajo lidhet thellësisht me të vërtetën dhe me arsyen. Shën Pali shkruan: Për liri Krishti na çliroi (Gal 5,1). Ky pohim nuk nënkupton liri pa kufij, por liri që gjën kuptim në dashuri dhe shërbim. Liria në Krishtin është liri për të jetuar sipas së vërtetës dhe për t’u afruar me Zotin.
Sipas zbulesës biblike, liria është gjithmonë e lidhur me të vërtetën dhe përgjegjësinë (Gjn 8,32; Gal 5,13). Përballë gjitha ofertave që premtojnë pafajësi dhe pavarësi, liria e vërtetë thërret: Je i lirë të zgjedhësh, por duhet pyetur për zgjedhjen tënde. Kjo është thirrja e denjë në liri.
Kështu, liria e krishterë nuk është vetëm zgjedhje e lirë; ajo është aftësi për të orientuar jetën drejt së mirës dhe të vërtetës, duke përfshirë dashurinë dhe kujdesin për tjetrin si parakusht të saj. Liria nuk është një hapësirë arbitrare zgjedhjesh, por thirrje për të zgjedhur të mirën, të vërtetën dhe dashurinë. Ajo nuk është arratisje nga e vërteta, por përfshirje në të dhe përqafim i përgjegjësisë.
Shën Augustini e përkufizon lirinë si “aftësinë për të mos mëkatuar” (posse non peccare), ndërsa Toma i Akuinit e sheh atë si akt i vullnetit që ndriçohet nga arsyeja dhe që orientohet drejt te mirës. Në këtë këndvështrim, liria nuk është e plotë kur e përdorim kundër së mirës, sepse ajo bëhet shkatërrim i vetvetes.
E vërteta e krishterë mbi lirinë (khs. Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 1730-1731) ofron pra një perspektivë kontrastive dhe shpëtimtare. Joseph Ratzinger (Benedikti XVI, sidomos ne enciklikën Spe salvi / Te shpëtuar në shpresë, 2007, nr. 2), tregon se liria e vërtetë nuk mund të ekzistojë pa të vërtetën dhe dashurinë. Një liri e shkëputur nga këto elementë shndërrohet në robëri.
Antonio Autiero, profesor i shquar në Academia Alfonisana në Romë, në kontributin e tij, Etica civile nella modernità, shtron nevojën për perceptim të drejtë të lirisë, domosdoshmërinë për bashkëjetesë qytetare dhe shoqërore.
Ky kuadro reflektiv krishterë, synon të tregojë se liria e vërtetë nuk është një produkt ideologjik, por një dimension ontologjik e shpirtëror i njeriut, që më në fund gjen kuptim të plotë vetëm në hapjen ndaj Zotit.
Liria si dhuratë dhe themel ontologjik
Në shqyrtimet e moralit krishterë, liria është gjendja themelore e shpirtit njerëzor, ajo është dhuratë e Zotit që buron nga fakti se njeriu është krijuar “në shëmbëlltyrën dhe ngjashmërinë e Tij” (Zan 1,27). Kjo do të thotë se liria është pjesë përbërëse e dinjitetit njerëzorë. Pa liri nuk ka as dashuri dhe as besim të vërtetë. Liria është kushti që e bën të mundur përgjigjen tonë ndaj thirrjes së Zotit.
Njeriu i krijuar në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e Hyjit si pikënisje, do të thotë se liria është pjesë e natyrës sonë themelore. Zoti nuk detyron që ta duam, por Ai fton në dashuri. Shën Augustini shprehet: Zoti që të krijoi pa ty, nuk do të shëlbojë pa ty. Pra liria është element ontologjik i ekzistencës sonë, ndërsa realizimi i drejtë i saj, varet nga bashkëpunimi i sinqertë me hirin e Zotit.
Kjo zgjedhje e lirë është garancia që dashuria dhe besimi ynë janë të vërteta. Pa liri, nuk ka dinjitet njerëzor, nuk ka marrëdhënie të gjalla me Zotin, nuk ka përgjegjësi reale. Liria pra, është jo vetëm mundësi, por identitet dhe përgjegjësi e qenies njerëzore për ta bërë të duhurën.
Liria si përgjegjësi morale
Në teologjinë morale, liria nuk matet nga sa mund të bëjmë, por nga sa mund të zgjedhim mirë. Çdo zgjedhje e gabuar e zvogëlon lirinë. Madje mëkati është shembulli më i qartë: ai premton pavarësi, por në fakt robëron. Siç shprehet Shën Pali në letrën drejtuar Romakëve (6,17-18): Keni qenë skllevër të mëkatit, por tani, të liruar nga mëkati, jeni bërë shërbëtorë të drejtësisë.
Ky akceptim i Palit paraqet paradoks të bukur të lirisë së krishterë. Ajo rritet sa më shumë që i përkushtohemi së mirës. Mëkati premton pavarësi, por sjell skllavëri. Ndërsa vetëm zgjedhjet e drejta forcojnë lirinë e brendshme.
Çdo zgjedhje ka pasoja dhe secila pasoje formëson lirinë tonë të ardhshme. Mëkati dhe vetëqëndrimi impulsiv janë skllavëri që maskohen si pavarësi. Liria e vërtetë shfaqet kur zgjedhim përmirësimin, kur pranojmë barrën e përgjegjësisë për të tjerët.
Parametrat e lirisë se brendshme dhe te jashtme
Shumë njerëz janë të lirë nga jashtë, por robër nga brenda: të lidhur nga frika, prirje e pasione te çrregullta, krenaria apo lakmia. Liria e vërtetë nuk është thjesht gjendje politike ose juridike, ajo është gjendje shpirtërore. Martirët e Kishës janë shembulli i gjallë, ata edhe në pranga ishin më të lirë se persekutorët e tyre, sepse ndërgjegjja e tyre ishte e qetë dhe e lidhur me të vërtetën.
Madje edhe dashuria e vërtetë mund të ekzistojë vetëm aty ku ka liri. Zoti nuk na detyron ta duam, Ai vetëm fton. Liria, pra, është hapësira ku dashuria mund të zhvillohet; ajo është “po-ja” e vullnetshme që e bën marrëdhënien me Zotin të jetë personale dhe e gjallë.
Një shoqëri e drejtë nuk e sheh lirinë thjesht si të drejtë individuale, por si mundësi për të mirën e përbashkët. Liria pa drejtësi dhe pa ligj moral çon në anarki, korrupsion dhe shkatërrimin e komunitetit. Liria e vërtetë është ajo që respekton tjetrin dhe e ndihmon të jetë edhe ai i lirë.
Liria dhe e vërteta
Në ungjillin e Gjonit (8,32) lexojmë mesazhin e fuqishëm të lirisë: E vërteta do t’ju bëjë të lirë. Me këtë nuk kemi të bëjmë me ndonjë metaforë poetike, por me parim themelor të jetës morale. Perceptimi i gabuar mbi lirinë përfundon në robërim. Benedikti XVI (në dokumentin e cituar sipër, Spe salvi, nr, 2 dhe 23) kujton se liria e njeriut lidhet me Zotin dhe jo me zgjedhje te rastësishme. Ajo nuk është arbitraritet, por është ngushtë e lidhur me të mirën e përbashkët.
Ndërkaq, e vërteta pa liri kthehet në imponim, që shtyp dhe shuan shpirtin. Liria e krishterë është aftësia për të zgjedhur të mirën në përputhje me të vërtetën e natyrës sonë dhe thirrjes sonë hyjnore. Në enciklikën e tij Veritatis Splendor (Shkëlqimi i së vërtetës) Shën Gjon Pali II, aq bukur është shprehur: E vërteta dhe liria ecin bashkë. Të ndash njërën nga tjetra do të thotë t’i shkatërrosh të dyjat.
Liria pa të vërtetën kthehet në iluzion ose arbitraritet. Ndërsa e vërteta pa liri shndërrohet në imponim dhe shtypje. Prandaj, liria në perceptimin e mësimit shoqëror krishterë, është liria për të bërë të mirën, për të zgjedhur drejt në përputhje me të vërtetën e natyrës dhe qëllimit tonë. /drita.info
– v a zh d o n –