
Nga Dom Mikel Sopi
Liria dhe e vërteta në hapësirat tona shoqërore
Populli qe nuk e kerkon te vërteten, humb lirinë; kurse shteti qe e mohon te vërteten, humb legjitimitetin.
Shumë shoqëri ne zhvillim rrezikojnë ta kuptojnë lirinë vetem si privilegj personal, duke harruar dimensionin e saj moral dhe shoqëror. Ky botëkuptim i gabuar, i përhapur edhe ne hapësirat tona ballkanike, ka sjellë plagë te rënda, si: korrupsion, abuzim pushteti, manipulim të opinionit publik.
Në këto rrethana, e vërteta nuk është vetëm nevojë morale, por urgjencë kombëtare dhe shtetërore. Kur e vërteta shtrembërohet per interesa te ndryshme ose nga frika, jo vetëm qe shkelën te drejtat themelore te qytetarit, por ngrihet edhe muri ndarës mes njeriut dhe Zotit.
Prandaj, shoqëria jonë ka nevojë te rikthejë kuptimin e lirisë si shërbim per te mirën e përbashkët, si guxim per te thënë te vërteten dhe si refuzim per te bashkëpunuar me padrejtësinë. Ne këtë frymë, filozofi dhe shenjti i madh Toma i Akuinit (krhs. Summa Theologiae, I-II, q. 13; q. 17…) do te thoshte: Liria e vërtetë nuk është te udhëhiqesh nga joshja, por te veprosh sipas arsyes dhe se mires.
Shoqeria jonë është ngritur mbi sakrifica dhe gjakun e martirëve. Ata nuk e dhanë jetën per t’u pajtuar me mashtrime, por per drejtësi, dinjitet dhe ndershmëri. Nje shoqëri qe nuk ka guxim te shohë realitetin ne sy, dënon vetveten te mbetet e robëruar nga mashtrimi.
Në shkrimet e profetëve lexojmë: Kthehuni nga rrugët tuaja te liga, kërkoni te vërtetën dhe bëni drejtësi! (krh. Jer 22,3). Heshtja përballë padrejtësisë është bekim per te keqen. Pushteti nuk është pronë, por përgjegjësi ndaj atdheut. Gjergj Kastrioti Skënderbeu e filloi misionin e vet me fjalët: Unë nuk erdha qe t’ju sjell pasuri, por lirinë; lirinë qe nuk e shisni për asgjë ne botë. Kjo liri nuk matet me tokë e armë, por me guximin për ta thënë dhe jetuar të vërtetën.
Nuk mund të jemi popull i lirë pa qenë njerëz të së vërtetës. E vërteta nuk mund te behet luks i politikës, por themel i moralit dhe i shtetit. Kosova sot nuk rrezikohet vetëm nga armiqtë jashtë kufijve, por edhe nga gënjeshtrat, mashtrimet dhe padrejtësitë që lindin jo nga idealet e virtytet por nga ligësitë e brendshme.
Pushteti është përgjegjesi ndaj atdheut dhe jo pronë as altoparlantë e gënjeshtrës. Heshtja përballë të vërtetës, mund të themi se paraqet shtrat për padrejtësinë.
Përfundim
Nëse do ta perkufizonim me pak fjalë dallimin mes dy koncepteve të parashtruara në këto reflektime dhe pasojat e tyre, mund të themi se:
- Liria ideologjike, shpesh reduktohet në autonomi absolute, pa përgjegjësi morale; lidhet me relativizmin dhe iluzionin e “te drejtës pa detyrë”.
- Koncepti kristian i lirisë, rrënjoset ne te vërtetën dhe të mirën; nuk është liri nga, por liri për (per te dashur, per te shërbyer, per te ndërtuar te mirën).
Këto dy koncepte te ndryshme te lirisë vërehen edhe ne shoqërinë tonë: liria ideologjike sjell korrupsion, mashtrim, shpërdorim; liria e zbulimit krishterë ndërton drejtësi, dinjitet dhe paqe.
Vetëm e vërteta na bën të lirë, dhe vetëm liria e jetuar ne te vërtetën na çon drejt Zotit dhe drejt nje jete me dinjitet. Nga ky vështrim, liria është dhuratë, por është edhe detyrë, dhe kjo detyrë perplotësohet me virtyte tjera siç janë e vërteta, drejtësia, dashuria, etj. Ne fund, gjykimi nuk konsiston për faktin që ishim të lirë, por për mënyrën se si e kemi përdorur lirinë.
Liria duhet te na bëjë më njerëzorë, më të drejtë dhe më të afërt me Zotin e vërtet dhe me njëri-tjetrin. Të jemi të lirë për të ndërtuar; të lirë për të folur të vërtetën; të lirë për të mos bashkëpunuar me padrejtësinë; të lirë për t’u sakrifikuar për të mirën./drita.info