
Përkujtimi i gjithë besimtarëve të vdekur
Leximi i parë Jb 19, 1.23 – 27
Lexim prej Librit të Jobit
tëherë Jobi e mori fjalën e tha: “Po të shkruheshin fjalët e mia, të shënoheshin në ndonjë libër, në gur të gjallë për amshim t’u gdhendshin me daltë hekuri e me plumb! E pra e di se gjallë e kam Shpaguesin, Ai i fundit përmbi dhe do të ngritet, e pas kësaj lëkure që ma rropën në mishin tim Hyjin do ta shoh. Unë, unë vetë Atë do ta shikoj, e për sytë e mi s’do të jetë i huaj!”. Fjala e Zotit.
Psalmi 27
Ref: Zoti është drita ime dhe shëlbimi im.
—————————————-
Zoti është drita ime dhe shpëtimi im,
kë do të kem frikë?
Zoti është mbrojtësi i jetës sime,
para kujt do të dridhem?
—————————————-
Për një gjë të vetme i lutem Zotit,
vetëm atë ia kërkoj:
që të jetoj në Shtëpinë e Zotit
të gjitha ditët e jetës sime,
që ta shijoj kënaqësinë e Zotit
e ta vërej Shtëpinë e Zotit.
—————————————-
Dëgjoje, o Zot, zërin e britmës sime,
ki mëshirë për mua dhe më dëgjo!
Për ty tha zemra ime:
“Kërkojeni fytyrën time!”.
—————————————-
Besoj se do t’i shijoj të mirat e Zotit
në tokën e të gjallëve.
Shpeso në Zotin: bëhu burrë!
Ji zemërfortë e prite Zotin!.
—————————————-
Leximi i dytë Rom 5, 5 – 11
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua. Dhe njëmend, ndërkohë, kur ne ishim të pafuqi, Krishti, në kohën e duhur, vdiq për bakëqijtë. E pra, vështirë do të pranonte kush të vdesë për njeri të drejtë – ndoshta për ndonjë njeri të mirë ndokush edhe do të merrte guxim të vdesë. Por Hyji e dëftoi dashurinë e vet kundrejt neve kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne. E mbasi tani ne jemi të shfajësuar me anë të gjakut të tij, është më se e sigurt se ai do të na shpëtojë nga dënimi. Pra, në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij, kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij! Dhe jo vetëm kaq! Ne e vëmë mburrjen tonë në Hyjin në saje të Jezu Krishtit, Zotit tonë, me anë të cilit tani fituam pajtimin. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Ky është vullneti i Atit tim: që, kushdo beson në Birin, ta ketë jetën e pasosur, e unë do ta ringjall në ditën e fundit.
Aleluja.
Ungjilli Gjn 6, 37-40
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit
Në atë kohë, Jezusi iu drejtua turmës: “Të gjithë ata që m’i jep Ati do të vijnë tek unë, dhe atë që vjen tek unë, s’do ta qes jashtë, sepse zbrita prej qiellit, jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më dërgoi. E vullneti i Atij që më dërgoi është të mos humbë asnjë prej atyre që më dha, por t’i ringjall në ditën e fundit. Po, ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur, e unë do ta ringjall në ditën e fundit.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Vdekja është muri i madh ndaj të cilit të gjithë ne përplasemi. Në të, ne nuk përjetojmë thjesht idenë se jeta jonë përfundon përgjithmonë, por edhe realizimin e frikës sonë më të madhe: të mbetesh vetëm përfundimisht. Jezusi, në Ungjillin e sotëm, përdor një imazh domethënës pikërisht për këtë: të mos humbasë asgjë nga ajo që mban fort në duart e tij.
“Ky është vullneti i Atit tim, që, kushdo sheh Birin dhe beson në Të, ta ketë jetën e pasosur, e unë do ta ringjall në ditën e fundit.”
Besimi është të ndihesh në duart e Dikujt, për të cilin ke besim se nuk do të të lëshojë, sidomos kur gjithçka tjetër do të bjerë poshtë. Para se të besojmë në ringjallje, secili prej nesh duhet të besojë se në çastin e vetë të vdekjes nuk është vetëm. Jezusi hyri në histori që askush të mos mund të thotë më se është vetëm, madje as në momentin e fundit të jetës së vet.
Ringjallja është kujtesa se fati ynë nuk është vdekja, por jeta — një jetë krejt ndryshe nga ajo që kemi njohur. Ashtu si kokrra e grurit që vdes dhe i jep jetë kallirit, kështu edhe jeta jonë, që përfundon, i jep fillim diçkaje të paimagjinueshme në krahasim me atë që dimë për jetën vetë. Nuk është e nevojshme të ushtrojmë fantazinë, por të kultivojmë një besim të madh në misterin e këtij fati që tashmë lëviz brenda nesh. Në të vërtetë, jeta e përjetshme nuk fillon më pas — ajo është tashmë në veprim brenda nesh. Mbetet të kuptojmë nëse po e ndjekim apo po e pengojmë. (Luigi Maria Epicoco)
Lutja e Besimtarëve
M. T’ia drejtojmë lutjen tonë Zotit, që do atë që ka krijuar dhe ka mëshirë për të gjithë ne.
L. Të lutemi së bashku dhe të themi: O Hyj i të gjallëve dhe të vdekurve, na dëgjo.
L. Për Kishën, që të dëshmojë gjithmonë përpara njerëzve besimin e vet në Krishtin e vdekur dhe të ngjallur. Të lutemi
L. Për Ipeshkvijtë dhe meshtarët që kanë zhvilluar shërbimin e tyre baritor në mes nesh, që të marrin gëzimin e premtuar besimtarëve të tu. Të lutemi
L. Për të rinjtë jeta e të cilëve është këputur shpejt, dhe për ata që kanë vdekur për shkak të dhunës, luftës ose të fatkeqësive natyrore, që të jetojnë në plotësi në qiell, dhe të afërmve të tyre mos t’u mungojë ngushëllimi. Të lutemi
L. Për ata që janë në prag të vdekjes, që drita e Krishtit të ngjallur t’i ndihmojë të jetojnë me besim kalimin në jetën e amshuar. Të lutemi
L. Për të gjithë ata që Zoti i ka thirrur në paqen e tij gjatë këtij viti, që për mëshirën i tij t’i mirëpresë mes Shenjtërve në qiell. Të lutemi
L. Për ne këtu të pranishëm, që meditimi mbi të vërtetat e fundme të provokojë në ne mendime shpëtimtare dhe kështu të jetojmë besnikërisht thirrjen tonë të krishterë. Të lutemi
M. O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mirë, dëgjoji lutjet tona dhe na ndihmo të jetojmë në mënyrë që të meritojmë një ditë të marrim pjesë në jetën e amshuar me të gjithë Shenjtërit në mbretërinë tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

Postimi i Mëparshëm
