Papa në Konsistor: “Jam këtu për të dëgjuar. Është Jezusi ai që tërheq, jo Kisha”

Aulën e Sinodit, në Vatikan, të mërkurën, më 7 janar, ka filluar Konsistori i Jashtëzakonshëm, i cili bashkon Kolegjin e Kardinalëve me Leonin XIV. Po botojmë fjalimin që Papa u drejtoi kardinajve të pranishëm.

 

 

FJALIMI I ATIT TË SHENJTË LENOIT XIV NË HAPJEN E KONSISTORIT TË JASHTËZAKONSHËM

Aula e Sinodit

E mërkurë, 7 janar 2026

 

 

Vëllezër shumë të dashur,

jam shumë i gëzuar t’ju mirëpres dhe t’ju uroj mirëseardhje. Ju faleminderit për praninë tuaj! Shpirti Shenjt, të cilin e kemi thirrur në lutje, na udhëheqtë gjatë këtyre dy ditëve të reflektimit dhe dialogut.

E konsideroj shumë domethënës faktin që jemi mbledhur në Konsistor menjëherë pas solemnitetit të Dëftimit të Zotit, dhe do të dëshiroja t’i hap punimet tona me një këshillë shpirtërore që buron pikërisht nga ky mister.

Në Liturgji ka jehuar thirrja gjithmonë prekëse e Isaisë profet: «Ngrihu, shkëlqe, se po vjen drita jote, mbi ty po lind Lavdia e Zotit! Sepse tokën po e mbulon terri dhe një errësirë e madhe popujt, kurse mbi ty, dritë bën Zoti e Lavdia e tij mbi ty, do të shihet! Në dritën tënde, do të ecin popujt edhe mbretërit, në lindjen e shkëlqimit tënd» (Is 60,1–3).

Këto fjalë na kujtojnë fillimin e Kushtetutës dogmatike mbi Kishën të Konciliit II të Vatikanit. Po lexoj të plotë paragrafin e parë: «Krishti është drita e popujve: ky Koncil i shenjtë, i mbledhur në Shpirtin Shenjt, dëshiron pra me zjarr, duke ia shpallur Ungjillin çdo krijese (khs. Mk 16,15), t’i ndriçojë të gjithë njerëzit me dritën e Krishtit që shkëlqen mbi fytyrën e Kishës. Dhe meqenëse Kisha, në Krishtin, është në njëfarë mënyre sakramenti, apo shenja dhe mjeti i bashkimit intim me Hyjin dhe i njësisë së krejt gjinisë njerëzore, duke vazhduar temën e Koncileve të mëparshëm, synon që me një qartësi më të madhe t’ua paraqesë besimtarëve dhe tërë botës natyrën dhe misionin e vet të gjithëmbarshëm. Kushtet e tanishme të botës e bëjnë më të ngutshme këtë detyrë të Kishës, në mënyrë që të gjithë njerëzit, të bashkuar sot edhe më ngushtë prej lidhjeve të ndryshme shoqërore, teknike dhe kulturore, të mund të arrijnë edhe njësinë e plotë në Krishtin.» (Lumen gentium, 1).

Mund të themi se Shpirti Shenjt, në distancë shekujsh, ka frymëzuar të njëjtin vizion si te profeti ashtu edhe te Etërit e Koncilit: vizionin e dritës së Zotit që ndriçon qytetin e shenjtë – fillimisht Jerusalemin, më pas Kishën – dhe që, duke u pasqyruar mbi të, u mundëson të gjithë popujve të ecin mes errësirave të botës. Atë që Isaia e shpallte “në figurë”, Koncili e njeh në realitetin plotësisht të zbuluar të Krishtit, drita e kombeve.

Pontifikatet e Shën Palit VI dhe të Shën Gjon Palit II mund t’i interpretojmë, në tërësi, pikërisht në këtë perspektivë konciliare, e cila sodit misterin e Kishës si plotësisht të përfshirë në misterin e Krishtit dhe, në këtë mënyrë, e kupton misionin ungjillizues si rrezatim të energjisë së pashtershme që buron nga Ngjarja qendrore e historisë së shëlbimit.

Papët Benedikti XVI dhe Françesku e kanë përmbledhur më pas këtë vizion në një fjalë të vetme: tërheqje. Papa Benedikti e bëri këtë në Homelinë e hapjes së Konferencës së Aparecidës, në vitin 2007, kur tha: «Kisha nuk bën prozelitizëm. Ajo zhvillohet më tepër përmes “tërheqjes”: ashtu si Krishti “i tërheq të gjithë drejt vetes” me forcën e dashurisë së Tij, që kulmon në flijimin e Kryqit, po ashtu Kisha e kryen misionin e saj në masën në të cilën, e bashkuar me Krishtin, kryen çdo vepër të saj në përputhje shpirtërore dhe konkrete me dashurinë e Zotit të saj». Papa Françesku ishte plotësisht në një mendje me këtë qasje dhe e ka përsëritur në shumë herë e në kontekste të ndryshme.

Sot, me gëzim, e rimarr këtë vizion dhe e ndaj me ju. Dhe ftoj veten dhe ju që t’i kushtojmë vëmendje të veçantë asaj që Papa Benedikti e tregonte si “forcën” që qëndron në themel të këssj lëvizje të tërheqjes: kjo forcë është Charis, është Agape, është Dashuria e Hyjit që u mishërua në Jezu Krishtin dhe që, në Shpirtin Shenjt, i dhurohet Kishës dhe shenjtëron çdo veprim të saj. Në të vërtetë, nuk është Kisha ajo që tërheq, por Krishti; dhe nëse një i krishterë ose një bashkësi kishtare tërheq, kjo ndodh sepse përmes atij “kanali” kalon lëngu jetësor i Dashurisë, që buron nga Zemra e Shëlbuesit. Është domethënëse që Papa Françesku, i cili e nisi pontifikatin e tij me Evangelii gaudium, «mbi shpalljen e Ungjillit në botën e sotme», e ka përmbyllur me Dilexit nos, «mbi dashurinë hyjnore dhe njerëzore të Zemrës së Krishtit».

Shën Pali shkruan: «Caritas Christi urget nos» (2 Kor 5,14). Folja sýnechei shpreh se dashuria e Krishtit na shtyn pikërisht sepse na zotëron, na rrethon, na lidh fort. Ja pra forca që i tërheq të gjithë drejt Krishtit, ashtu siç Ai vetë e ka shpallur: «E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit» (Gjn 12,32). Në masën që ne e duam njëri-tjetrin ashtu si Krishti na ka dashur, ne jemi të Tij, jemi bashkësia e Tij, dhe Ai mund të vazhdojë të tërheqë përmes nesh. Në të vërtetë, vetëm dashuria është e besueshme, vetëm dashuria është e denjë për besim.[1]

Uniteti tërheq, përçarja shpërndan. Më duket se këtë e vërteton edhe fizika, si në mikrokozmos ashtu edhe në makrokozmos. Prandaj, që Kisha të jetë vërtet misionare, domethënë e aftë të dëshmojë forcën tërheqëse të dashurisë së Krishtit, duhet para së gjithash të vërë në praktikë urdhërimin e Tij, të vetmin që Ai na e la pasi u lau këmbët nxënësve: «Duajeni njëri‑tjetrin! Sikurse unë ju desha ju,». Dhe shton: «Nëse e doni njëri‑tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi» (Gjn 13,34–35). Shën Augustini komenton: «Për këtë arsye na ka dashur: që edhe ne ta duam njëri-tjetrin. Duke na dashur, Ai na ka dhënë ndihmën që, nëpërmjet dashurisë së ndërsjellë, të lidhemi mes nesh dhe, me anë të një lidhjeje kaq të ëmbël, që të jemi gjymtyrët e një Koke» (Homelia 65 mbi Ungjillin sipas Gjonit, 2).

Të dashur Vëllezër, dëshiroj të nis pikërisht nga këtu, nga kjo fjalë e Zotit, për Konsistorin tonë të parë dhe, mbi të gjitha, për ecjen kolegjiale që, me hirin e Hyjit, jemi të thirrur ta përshkojmë së bashku. Ne jemi një grup shumë i larmishëm, i pasuruar nga prejardhje të ndryshme, kultura, tradita kishtare e shoqërore, rrugë formimi dhe akademike, përvoja baritore dhe, natyrisht, nga karaktere dhe tipare personale të ndryshme. Jemi të thirrur, para së gjithash, të njihemi dhe të dialogojmë, që të mund të punojmë së bashku në shërbim të Kishës. Shpresoj që të mund të rritemi në bashkim, për të ofruar një model të kolegjialitetit.

Sot, në njëfarë mënyre, ne vazhdojmë takimin e paharrueshëm që, bashkë me shumë prej jush, pata mundësinë ta përjetoja menjëherë pas Konklavës, me «një çast bashkimi dhe vëllazërie, reflektimi dhe ndarjeje, i drejtuar për të mbështetur dhe këshilluar Papën në përgjegjësinë e rëndë të qeverisjes së Kishës universale» (Letra e thirrjes për Konsistorin e jashtëzakonshëm, 12 dhjetor 2025).

Në këto ditë do të kemi mundësinë të përjetojmë tashmë një reflektim bashkësior mbi katër tema: Evangelii gaudium, domethënë misionin e Kishës në botën e sotme; Praedicate Evangelium, pra shërbimin e Selisë së Shenjtë, veçanërisht ndaj Kishave të veçanta; Sinodi dhe sinodaliteti, si mjet dhe stil bashkëpunimi; Liturgjia, burim dhe kulm i jetës së krishterë. Për arsye kohe dhe për të nxitur një thellim të vërtetë, vetëm dy prej tyre do të jenë objekt i një trajtimi të posaçëm.

Të gjitha 21 grupet do të kontribuojnë në zgjedhjen që do të bëjmë, por, duke qenë se për mua është më e lehtë të kërkoj këshillë nga ata që punojnë në Kurinë Romake dhe jetojnë në Romë, grupet që do të referojnë do të jenë 9 grupet që vijnë nga Kishat lokale.

Jam këtu për të dëgjuar. Ashtu siç kemi mësuar gjatë dy Asambleve të Sinodit të Ipeshkvinjve të viteve 2023 dhe 2024, dinamika sinodale nënkupton në mënyrë të veçantë dëgjimin. Çdo çast i këtij lloji është një mundësi për të thelluar vlerësimin tonë të përbashkët për sinodalitetin.
«Bota në të cilën jetojmë, dhe që jemi të thirrur ta duam dhe ta shërbejmë edhe në kundërthëniet e saj, kërkon nga Kisha fuqizimin e sinergjive në të gjitha fushat e misionit të saj. Pikërisht ecja e sinodalitetit është ecja që Hyji e pret nga Kisha e mijëvjeçarit të tretë» (Françesku, Fjalim në 50-vjetorin e themelimit të Sinodit të Ipeshkvinjve, 17 tetor 2015).

Kjo kohë, një ditë e gjysmë që do ta kalojmë së bashku, do të jetë një parapërfytyrim i ecjes sonë të ardhshme. Nuk duhet të arrijmë në një tekst përfundimtar, por të çojmë përpara një bisedë që të më ndihmojë në shërbimin tim për misionin e mbarë Kishës.

Nesër do të trajtojmë dy temat e përzgjedhura, duke u udhëhequr nga kjo pyetje-orientuese:

Duke parë ecjen e një apo dy viteve të ardhshme, cilat vëmendje dhe përparësi mund ta orientojnë veprimin e Atit të Shenjtë dhe të Kurisë mbi këtë çështje?

Të dëgjojmë mendjen, zemrën dhe shpirtin e secilit; të vihemi në dëgjim ndaj njëri-tjetrit; të shprehim vetëm thelbin kryesor dhe në mënyrë shumë të përmbledhur, që të gjithë të kenë mundësi të flasin: ky do të jetë mënyra jonë e ecjes. Të urtët e lashtë romakë thoshin: Non multa sed multum! — jo shumë gjëra, por thellësi. Edhe në të ardhmen, ky stil i dëgjimit të ndërsjellë, duke kërkuar udhëheqjen e Shpirtit Shenjt dhe duke ecur së bashku, do të vazhdojë të jetë një ndihmë e çmuar për shërbesën pjetrine që më është besuar. Edhe nga mënyra se si mësojmë të punojmë së bashku, me vëllazëri dhe miqësi të sinqertë, mund të lindë diçka e re, që vë në lojë të tashmen dhe të ardhmen.

Të dashur, që tani i falënderoj Hyjit për praninë tuaj dhe për kontributet tuaja. Na ndihmoftë gjithmonë Virgjëra Mari, Nëna e Kishës.

 

Përkthimi: Rev. “DRITA”

 

———————————————–

[1] Khs. H.U. von Balthasar, Glaubhaft ist nur Liebe, Johannes Verlag, Einsiedeln 1963.

Shpëndaje: