IMZOT MARK SOPI, NJË JETË E SHKRIRË NË SHËRBIM TË ZOTIT DHE POPULLIT

Nga Dom Lenc Sopi

 

Të nderuar ipeshkvij,

meshtarë, rregulltarë, motra të nderit,

të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe akademike,

të dashur familjarë dhe miq të Imzot Mark Sopit,

të dashur vëllezër dhe motra,

 

Jemi mbledhur sot në këtë akademi përkujtimore për të ndalur hapin e kohës dhe për ta kthyer kujtesën tonë, me respekt dhe mirënjohje, drejt figurës së ndritur të Imzot Mark Sopit, në 20-vjetorin e kalimit të tij në amshim. Nuk jemi këtu vetëm për të kujtuar një jetë të shuar, por për të dëshmuar një jetë të jetuar në shërbim të Zotit, të Kishës dhe të popullit, si dhe për të admiruar një trashëgimi që vazhdon të flasë edhe sot.

 

1. Rrënjët: familja dhe edukimi

Imzot Marku lindi më 26 shkurt 1938, në fshatin Binçë, nga prindërit Mhill dhe Marije Sopi. Familja ishte shkolla e parë e Imzot Markut; aty mësoi për fenë, dashurinë dhe vlerat e të parëve të vet martir. Shkollën fillore e kreu në Viti, ndërsa shkollimin e mesëm e përfundoi me sukses në gjimnazin klasik në Pazin të Kroacisë. Studimet universitare i filloi në Zagreb dhe i përfundoi në Universitin Urbaniana” në Romë, ku me sukses kreu edhe studimet pasuniversitare, duke marrë gradën magjistër

Në vitin 1967 u shugurua për xhakon, ndërsa me 29 qershor 1968 shugurohet për meshtar në Kishën e Shën Jeronimit Ilir në Romë. Si meshtar filloi shërbesën si famullitar dhe Sekretar i ipeshkvit Imzot Nikë Prela në Ferizaj (1969–1974). Më pas u emërua famullitar në Zllakuqan (1974–1991), për ta vazhduar misionin e tij baritor si meshtar në Durrës (1991–1995).

Më 23 nëntor 1995 u emërua ipeshkëv; u shugurua në Romë, më 6 janar 1996 nga Papa Gjon Pali II, ndërsa udhëheqjen e Ipeshkvisë e mori më 18 shkurt 1996 në Prizren.

 

2. Përgjigjja ndaj thirrjes – “Ja ku jam, më dërgo mua”

Vendimi për t’u bërë meshtar nuk ishte për të zgjedhje karriere, por përgjigje ndaj thirrjes së Zotit. “Ja ku jam, më dërgo mua”, ishte një “po” e thënë në heshtje, por e jetuar me fe, guxim e përkushtim. Meshtaria për atë nuk ishte një privilegj, por ishte shërbim që kërkon flijim.

Ishte bashkëpunëtor i ngushtë dhe i zellshëm i revistës fetaro-kulturore Drita, ku shkroi për tema teologjike, shpirtërore dhe historike. Është autor i veprave: Baca Kolë dhe famullitari (1995), Martirët e Karadakut (1996), Koncilet ekumenike (2000) dhe Shën Luçia (2001).

Si famullitar në Zllakuqan, veproi me përkushtim të madh për Pajtimin e gjaqeve ndërmjet familjeve në konflikt. Duhet veçuar 15 prillin, dita e Pashkëve, dhe 24 qershorin 1990, dita e Shën Gjonit, kur, me ndërmjetësimin e tij, u falën shumë gjaqe.

Pas çlirimit të Shqipërisë nga sistemi komuniste, së bashku me nipin e tij, Mons. Damjan Kurtin, ishtin ndër të parët që dëshmuan dashurinë për popullin dhe shtetin e tyre amë, duke iu përgjigjur nevojave të Kishës për të vazhduar misionin si meshtar në Durrës, qytet me histori të lashtë kishtare dhe qytetare. Në Durrës u përball me realitetin e Kishës në kushte të vështira politike dhe shoqërore. Kontakti me besimtarë, struktura kishtare dhe intelektualë, si Dr. Benjamin Çeta, prof. Matish Gjeluci, Leopold Dungu dhe shumë të tjerë, i mundësoi të themeloi dhe të drejtoi revistën fetaro-kulturore Vegim Drite, e cila kontribuoi që Kisha të jetë një urë lidhëse mes intelektualëve, e hapur ndaj shoqërisë dhe bashkësive tjera fetare.

 

3. Motoja ipeshkvore “Per crucem ad lucem – Përmes kryqit te drita”

Nuk ishte vetëm një thënie, por ishte përmbledhjeje e një teologjie dhe filozofie jetësore, që e përcolli gjatë shërbimit. Ai besonte se “nuk ka ringjallje pa kryq, nuk ka dritë pa errësirë dhe nuk ka shpresë pa qëndresë”. Kjo moto, ishte një program veprimi dhe udhërrëfyes shpirtëror për te. Ai ishte një bari i mirë, me zemër të madhe, njeri i urtisë, i dialogut, i guximit dhe i shpresës. Nuk sundonte, por shërbente; nuk largonte, por afronte; nuk frikësonte, por jepte shpresë.

 

4. Bashkëpunimi me ish Presidentin Ibrahim Rugova

Figura e Imzot Mark Sopit e tejkalonte kufirin kishtar. Ai ishte një zë moral i Kishës dhe i kombit, si dhe një shembull i gjallë i atdhedashurisë. Bashkëpunimi i ngushtë me ish-Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën ishte shembull i një dialogu të ndërtuar mbi respekt, vizion dhe përgjegjësi historike. Edhe pse në pozita të ndryshme – njëri si bari shpirtëror, tjetri si udhëheqës politik – ata ndanin të njëjtin vizion për Kosovën: si vend i lirë, demokratik, i ndërtuar mbi paqe, tolerancë dhe bashkëjetesë ndërfetare dhe ndëretnike.

Një veprim me rëndësi të veçantë historike i këtyre dy burrave ishte, pa dyshim, vënia e gurthemelit të kësaj Katedraleje, kushtuar bijës sonë Shën Nënë Terezës – një akt që nuk kishte vetëm karakter fetar, por edhe kombëtar, të bindur se kjo katedrale do të rikthente kujtesën historike dhe do të mbetej simbol i identitetit tonë evropian ndër shekuj.

Një dimension tjetër i veprimtarisë së Imzot Mark Sopit ishte bashkëpunimi i ngushtë me intelektualë të shquar, pa dallim bindjesh fetare apo përkatësie institucionale. Përmes këtij bashkëpunimi ai arriti të ndërtonte ura mirëkuptimi ndërmjet Kishës, botës akademike dhe shoqërisë civile. Figurat akademike si prof. Zef Mirdita, prof. Engjëll Seda, prof. Zekarije Cana, prof. Fehmi Agani, prof. Nexhat Daci, prof. Anton Çetta, prof. Jahja Drançolli, prof. Mark Krasniqi, prof. Marjan Demaj dhe të tjerë, ishin bashkudhëtarë në përpjekjet:

  • Për ruajtjen e identitetit kulturor dhe historik të popullit tonë;
  • Për afirmimin e trashëgimisë së lashtë Kristiane dhe humaniste; dhe
  • Për artikulimin e kërkesës së popullit për liri, dinjitet dhe barazi.

Ky bashkëpunim me intelektualët dëshmoi për rolin e Kishës si zë moral dhe kulturor në shoqëri, duke e bërë Imzot Markun figurë unifikuese, të respektuar nga elita intelektuale.

Duhet veçuar bashkëpunimin e ngushtë me kryetarin i bashkësisë Islame Dr. Rexhep Boja. Këta udhëheqës shpirtërorë të popullit, bashkëpunimin e tyre për të mirën e vendit e shfaqën në konsultime të shumta, në qëndrime të përbashkëta, dhe në përpjekje për ndërgjegjësim kombëtar. Ndanin të njëjtin vizion dhe luteshin për Kosovën shtet të pavarur dhe sovrane.

 

6. Imzot Mark Sopi – zë i Kosovës në arenën ndërkombëtare

Një kapitull i veçantë dhe jashtëzakonisht domethënës në jetën dhe veprimtarinë e Imzot Mark Sopit mbetet paraqitja e tij para Komitetit të Kongresit Amerikan, në një kohë kur e vërteta për Kosovën rrezikohej nga propaganda, keqinterpretimet dhe trillimet e ndryshme. Në këtë forum të lartë politik dhe ndërkombëtar, ai nuk u paraqit në cilësinë e politikanit, por si bari dhe dëshmitar i së vërtetës. Me qetësi, dinjitet, diplomaci dhe guxim moral, ai paraqiti para senatorëve amerikanë fytyrën e vërtetë të popullit shqiptar dhe situatën e rëndë në Kosovë. Ai dëshmoi qartë se populli shqiptar nuk është popull fundamentalist, as fetar e as ideologjik, por një popull paqësor, i rritur në traditën e bashkëjetesës, të tolerancës dhe të respektit ndërfetar. Me fjalë të matura, por të fuqishme, ua bëri të qartë se kërkesa e popullit të Kosovës nuk ishte kërkesë për dominim ndaj askujt, por një thirrje e arsyeshme për të drejtën e të qenit i lirë dhe i barabartë me popujt e tjerë. Ai tha se shqiptarët nuk kërkojnë asgjë më shumë se atë që garantohet nga parimet, mbi të cilat është ndërtuar bota demokratike: lirinë, barazinë dhe të drejtën për vetëvendosje.

Para Senatit Amerikan, Imzot Mark Sopi ngriti me guxim zërin për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran, si zgjidhje të vetme, të drejtë dhe të domosdoshme për paqe të qëndrueshme. Ai argumentoi se vetëm një Kosovë e lirë, dhe e njohur ndërkombëtarisht mund të jetë faktor stabiliteti, bashkëpunimi dhe paqeje në Ballkan dhe më gjerë.

Fjala e Imzot Mark Sopit në Kongres nuk ishte një fjalim diplomatik; por ishte një dëshmi, ishte lutje e shndërruar në argument, ishte zëri i një populli të vogël që kërkonte drejtësi nga një komb i madh. Ai foli pa urrejtje, pa nxitje dhune dhe pa gjuhë përjashtuese.

Sot, kur Kosova është realitet shtetëror, duhet kujtuar se themelet e këtij realiteti janë vënë edhe falë dëshmisë së tij të drejtë dhe të guximshme në sallat e Senatit Amerikan. Kjo dëshmon se, kur Kisha flet për drejtësi, zëri i saj bëhet zë i historisë.

 

  1. Vlerësimi dhe meritat e Kishës universale për qëndrimin e tij pranë grigjës

Një nga kapitujt më domethënës të veprimtarisë së Imzot Mark Sopit si ipeshkëv mbetet qëndrimi i tij pranë grigjës gjatë luftës në Kosovë (1998–1999), një kohë sprove të skajshme për popullin tonë dhe për Kishën. Kisha Katolike, nën udhëheqjen e tij baritore, u shndërrua në strehë shpirtërore dhe humane për të gjithë, pa dallim feje apo përkatësie. Përmes deklaratave publike, kontakteve ndërkombëtare dhe pranisë së vazhdueshme pranë popullit të vuajtur, Imzot Mark Sopi dëshmoi se Kisha dhe udhëheqësit e saj në çastet e vështira nuk largohen nga sakrifica, por bëhen më të pranishme dhe më shërbyese për popullin e Zotit.

Meritat e Imzot Mark Sopit u njohën gjerësisht edhe pas kalimit të tij në amshim. Kjo u shpreh qartë në telegrame ngushëllimi të ardhura nga hierarkia e lartë kishtare, si Selia e Shenjtë, dhe përfaqësues tjerë të lartë institucionalë dhe politikë nga Kosova dhe më gjerë.

Këto mesazhe ishin dëshmi dhe bindje e qartë se Imzot Mark Sopi e tejkaloi kufirin e rolit të ti kishtar, duke e lartësuar në një figurë të çmuar kombëtare, për kontributin e dhënë për një të ardhme dhe perspektivë më të mirë për Kosovën.

 

  1. Trashëgimia që mbetet

Të dashur të pranishëm, sot, 20 vjet më pas, Imzot Mark Sopi vazhdon të jetojë në veprat që la pas, në institucionet që ndërtoi, në kujtesën e popullit dhe në lutjet e Kishës që i shërbeu. Ai na mëson se shërbimi i vërtetë nuk matet me kohë, por me dashuri për Kishën, për kombin dhe për njeriun.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Imzot Nikë Prelen dhe Imzot Mark Sopin! Pushoftë në paqe./drita.info

 

(Kumtesë e mbajtur me rastin e 20-vjetorit të kalimit në amshim të Imzot Mark Sopi, në Akademinë Solemne, në BogdaniPolis, Prishtinë, më 10 janar 2026)

Shpëndaje: