Imzot Dodë Gjergji: Prelatët e Kishës sonë me përgjegjësi të madhe e kanë mbrojtur identitetin fetar, kulturor dhe gjuhësor

Vëllezër e motra,

autoritete shtetërore, deputetë, personalitete të jetës kulturore,

Miq të monsinjor Prelës dhe Sopit,

Sot, në frymën e lutjes dhe besimit i kujtojmë barinjtë tanë që kanë kaluar në amshim, Imzot Nikë Prelën dhe Imzot Mark Sopin. Ata si udhëheqës shpirtërore ishin barinj të grigjës së Hyjit, Kishës në Kosovë. Çdo bari ka tri përgjegjësi bazike: a) Përgjegjësinë apostolike, të ruaj zemrat e besimtarëve në dashuri dhe në besim, të ruaj paprekshmërinë e besimit, qëndrueshmërinë e besëlidhjes së pagëzimit dhe të kryej veprën mesianike të Krishtit në botë në tërësinë e kuptimit të saj, b) Përgjegjësinë ungjillore, që grigjën e Hyjit, që ja ka besuar Biri, nëpërmjet Shpirtit Shenjt, ta udhëheq me përkushtim, me përvujtëri dhe me shërbesë të përkryer në sakrificë. Jo për përfitime të çfarëdollojshme, por që të bëhet gati për kurorën e amshimit, të cilën ja ka premtuar Krishti – i cili  e ka thirr, e ka zgjedh dhe e ia ka dhanë autoritetin e vet për ta përfaqësuar në tokë. C) Përgjegjësinë ndaj popullit të vet. Ipeshkvi përveç se është udhëheqës i grigjës, ai është bir i popullit të vet, këndej e ka përgjegjësinë të ndez zjarrin e dashurisë hyjnore në mesin e popullit të tij, ashtu si e bën në mesin e Kishës, që ju ka besuar, e atyre që pagëzohen në emër të Atit, të Birit dhe Shpirtit Shenjt.

Te ne shqiptarët, përveç përgjegjësive që burojnë nga hiri i shugurimit dhe fakti që i takojnë një populli, ipeshkvi, gjithë prelatët e së kaluarës, kanë marrë mbi supet e veta përgjegjësinë shtesë për të përkrahur liritë dhe të drejtat, për të ruajtur vlerat e besimit, familjet, për të mbrojtur identitetin kulturor dhe gjuhësor, mbi të gjitha, duku u vu në shërbim të kombit dhe dashurisë ndër vëllezër, që dëshmia e jetës së tyre dhe vlerat e krishtera, me gjithë shërbesën e Kishës, ta vejnë në dobi të popullit të vet që shërbejnë.

Marr parasysh këtë që u tha më lart, lirisht mund të themi se prelatët e Kishës Katolike në popullin tonë ishin bashkëvuajtës të përkryer në gjirin e popullit tonë, dëshmitarë të besueshëm me të vërtetën historike dhe bijtë me të denjë të sakrificës që të parët tanë është dashur ta kalojnë, pasi ishin shtylla në të cilët mbështetej fati ynë, gozhda ku këputej sharra e armikut dhe grepi ky varej shpresa jonë.

Me pak fjalë të themi: ipeshkvi është shembulli i dashurisë dhe i shërbimit, gur themeli i njësisë së kombit dhe drita që shndritë në më të errëtën e jetës së popullit tonë.

Në këtë kontekst duam të shohim edhe kontributin e dy prelatëve që po i kujtojmë sot, Nikë Prelën dhe Mrak Sopin, të cilët jetuan dhe u përballën me rolin e përgjegjësive të veta.

 

Vëllezër dhe motra,

Kemi shumë dëshmi se si Imzot Prela ishte simbol i rezistencës paqësore me gjithë pjesëtarët tjerë të Lëvizjes. Por duam ta veçojmë sot Mark Sopin, sepse më e madhja e veprës së tij është dëshmia e tij para kancelarive të botës, sidomos para Kongresit të SHBA, se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur dhe se ne (katolikët) nuk kemi frikë nga populli ynë e as nga vëllezërit tanë mysliman.

Kur sot përballemi me disa realitete të padëshiruara, disa ide të shëmtuara dhe me disa individë, grupe të organizuara që punojnë në rrënimin e vlerave të kësaj dëshmie, dikush mund ta shef pohimin e Imzot Markut si naivitet të atëhershëm, ose si vetëmashtrim të Kishës që shpresonte në pashpresi. Por, jo! Ne akoma besojmë, e jemi të bindur, që populli ynë dhe shteti jonë do t’i mbetet besnikë dëshmisë së Imzot Perlës e Imzot Sopit, dhe përkushtimit të përbashkët për të ndjekur rrugën e paqes dhe bashkëjetesës nder vëllazërore, respektimin e lirive dhe të drejtave njerëzore dhe qytetërimit që ne natyrshëm i takojmë, që për ne është qytetërimi i dashurisë.

Ky ripohim i imi i dëshmive të mëparshme është në vazhdën e dëshmive të prelatëve që kanë pasur për popullin e vet. Nuk është një iluzion por një realitet, që mbështetet në themelet e kësaj Katedrale ku me liri të plotë po i përkujtojmë prelatët e kishës sonë.

Pastaj, është fakti që ne jetojmë në paqe me vëllezërit e motra tona myslimanë. Nuk na pengon njeri që ta shpallim Lajmin e Mirë e t’i ftojmë të gjithë njerëzit që të besojnë e ta pranojnë Krishtin. Ndoshta, fakti që shumë gra e burra, në lirinë e tyre kanë pranuar të pagëzohen,  është dëshmia më e fuqishme e bindjes sonë.

Prandaj, është më se e vërtetë që ne nuk kemi frikë nga vëllezërit tanë myslimanë, pasi njerëzit tanë me liri të plotë guxojnë të besojnë në atë që duan e të jetojnë fenë e tyre pa pengesë.

Në fund, zëshëm me duhet të them se bashkëjetesa ndërfetare nuk rrezikohet duke i përdorë frytet e lirisë; nuk mundë të jetë e qëndrueshme pa bindje, dhe se paqja nuk prishet duke e përdorur lirinë, por duke ia mohuar atë njeri-tjetrit.

Mbi të gjitha iu them atyre që janë pagëzuar, se pagëzimi nënkupton rilindjen, që do të thotë një jetë të re në shpresë e dashuri. Këndej, i ftoj që ata të dëshmojnë lumturinë e tyre që e kanë gjetur Hyjin Dashuri, e të mos përçmojnë përvojat e mëparshme, pasi e drejta për tu përcaktuar dhe për të përzgjedhur përcaktimin fetarë të ndihmon, por nuk të përtërinë që të jesh më mi mirë, më i ndershëm e më i përkryer në dashuri ndaj Zoti apo kombit – pasi gjitha këto fitohen si dhuratë dhe hir e Zotit dhe prej trashëgimisë së të parëve./drita.info

 

(Fjala e plotë e Imzot Dodë Gjergjit në Akademinë Solemne për 30-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Nikë Prelës dhe 20-vjetorin e kalimit në amshim të Imzot Mark Sopit, mbajtur në Qendrën “BogdaniPolis”, në Prishtinë, më 10 janar 2026)

Shpëndaje: