
Nga M. Franciska Lekaj
Në realitetin e ndërlikuar të shoqërisë së sotme, dhuna është një fenomen i shumëfishtë që prek individin në mënyra të ndryshme, duke filluar nga ajo fizike, e dukshme dhe e njohur ligjërisht, deri te dhuna psikologjike dhe ajo simbolike, që shpesh fshihet pas formave të pranueshme të komunikimit publik apo privat. Një nga format më të përhapura, por njëkohësisht më të neglizhuara të dhunës, është dhuna verbale, një lloj dhune që nuk lë plagë të dukshme në trup, por që krijon dëmtime të thella në vetëdijen, në ndjenjat dhe në identitetin personal të individit.
Në epokën aktuale, të mbushur me sfida dhe ndryshime, ku komunikimi është bërë pjesë thelbësore e jetës së përditshme përmes mediave, rrjeteve sociale dhe teknologjisë digjitale, fjala ka marrë një fuqi të re, një fuqi që mund të ndërtojë, por edhe të shkatërrojë. Fjalët kanë peshë, ato formësojnë perceptime, krijojnë realitete dhe ndikojnë drejtpërdrejt në mënyrën se si individët e shohin veten dhe botën përreth tyre. Kur përdoren në mënyrë të dhunshme, ato shndërrohen në mjete kontrolli, poshtërimi apo përjashtimi, duke u bërë plagë të padukshme që dëmtojnë thelbin e qenies njerëzore. Ndryshe nga dhuna fizike, e cila është e menjëhershme dhe lehtësisht e identifikueshme, dhuna verbale vepron në mënyrë më të fshehtë dhe më të qëndrueshme. Ajo depërton në ndërgjegje, në vetëvlerësim dhe në ndjenjën e sigurisë personale. Një fjalë fyese, një koment përçmues apo një etiketim i përsëritur mund të ketë efekt shumë më afatgjatë se një goditje fizike, sepse fjalët nguliten në kujtesë dhe formojnë mënyrën se si individi e percepton veten. Shpesh, ato bëhen “zëri i brendshëm” i viktimës, që përsërit pandërprerë mesazhin e dhunës që ka përjetuar.
Dhuna verbale nuk kufizohet vetëm në fyerje të drejtpërdrejta, ajo mund të marrë forma të ndryshme, si ironia, sarkazma, kërcënimet e nënkuptuara, talljet apo shpërfillja sistematike. Në shumë raste, ajo është e normalizuar në kulturën e komunikimit tonë. Prindërit që qortojnë fëmijët me fjalë të ashpra, mësuesit që përdorin ironi për të “motivuar” nxënësit, shefat që përdorin tone përçmuese për të “rritur produktivitetin”, apo politikanët që ndërtojnë diskursin publik mbi njollosjen e kundërshtarit. Këto forma të dhunës nuk perceptohen gjithmonë si të tilla, por ndikimi i tyre është po aq real dhe shkatërrues sa çdo formë tjetër e dhunës. Për më tepër, në një shoqëri që shpesh justifikon gjuhën e ashpër si “liri shprehjeje” apo si “sinqeritet”, kufiri midis fjalës së lirë dhe fjalës që lëndon është bërë gjithnjë e më e paqartë. Kjo e bën dhunën verbale edhe më të rrezikshme, sepse ajo fshihet pas maskës së komunikimit të hapur. Në realitet, shumë njerëz që ushtrojnë dhunë verbale nuk janë të vetëdijshëm për dëmin që shkaktojnë, një fakt që e përforcon më tej rrezikun dhe e bën ndërhyrjen shoqërore edhe më të nevojshme.
Në këtë kuptim, dhuna verbale duhet parë si një dukuri që shkon përtej nivelit individual dhe familjar, ajo është një problem kulturor, etik dhe social. Shoqëria që pranon gjuhën e dhunshme në publik, që i duartroket debatet përçmuese dhe që argëtohet me ofendime, është një shoqëri që rrezikon të humbasë ndjeshmërinë njerëzore. Ndërtimi i një kulture komunikimi të shëndetshëm kërkon reflektim të thellë mbi mënyrën se si përdorim fjalën jo thjesht për të folur, por për të respektuar, për të kuptuar dhe për të ndërtuar marrëdhënie që nxisin mirëqenie dhe harmoni, jo përçarje e dhimbje.
Fjala që plagos – kur komunikimi humbet humanizmin dhe bëhet mjet pushteti
Në thelb, komunikimi është një akt human, një shkëmbim energjish, emocionesh dhe kuptimesh që lidh njerëzit mes tyre. Por në një shoqëri ku gjuha përdoret për të dominuar dhe jo për të ndërtuar, fjala humbet funksionin e saj krijues dhe kthehet në një mjet pushteti. Dhuna verbale lind pikërisht në këtë pikë: kur komunikimi pushon së qenit dialog dhe kthehet në monolog të dhunshëm, në fjalë që mbizotëron e jo që kupton. Fjalët e ashpra, etiketime, sarkazma dhe tallja nuk janë shprehje spontane, por produkte të një kulture që shpesh vlerëson forcën mbi ndjeshmërinë. Psikologët e lidhin këtë fenomen me mungesën e inteligjencës emocionale dhe me zhvlerësimin e ndjeshmërisë morale në shoqërinë moderne. Në një realitet të mbingarkuar me tension, stres dhe mungesë empatie, gjuha bëhet pasqyrë e kaosit të brendshëm. Prandaj, dhuna verbale nuk është vetëm problem i komunikimit, por simptomë e një krize më të gjerë etike dhe shpirtërore.
Sipas filozofit francez Pierre Bourdieu, gjuha ka “fuqi simbolike”: ajo mund të krijojë realitetin social, por edhe ta shkatërrojë atë. Kur përdoret për të etiketuar, për të ulur apo për të përjashtuar, ajo bëhet një akt i dhunës simbolike që dëmton jo vetëm individin, por edhe strukturën morale të bashkësisë. Një fjalë e thënë me përçmim mund të minojë ndjenjën e përkatësisë së dikujt dhe ta detyrojë atë të përjetojë vetminë si formë dënimi shoqëror. Në këtë kuptim, dhuna verbale është shumë më tepër se një shpërthim nervash: ajo është një akt shoqëror me pasoja reale. Në epokën e informacionit dhe të rrjeteve sociale, ku çdo fjalë mund të qarkullojë në sekonda, përgjegjësia morale për atë që themi është më e madhe se kurrë. Një koment i papërgjegjshëm, një status ironik apo një video ofenduese mund të kthehet në një spiral dhune që ushqehet nga reagimet dhe përforcohet përmes turmës digjitale.
Prandaj, nevojitet një kulturë e re komunikimi që të rikthejë humanizmin në gjuhë. Edukimi gjuhësor nuk duhet të kufizohet në drejtshkrim dhe stil, por të përfshijë edhe etikën e të folurit: respektin, empatinë dhe ndërgjegjësimin për efektet që fjalët tona kanë te tjetri. Vetëm kështu fjala mund të rimarrë rolin e saj ndërtues dhe shërues, në vend që të jetë plagë.
Dhuna verbale manifestohet në përditshmërinë tonë në forma të ndryshme, nga prindërit ndaj fëmijëve, nga mësuesit ndaj nxënësve, nga partnerët në marrëdhëniet intime, në vendet e punës, në institucionet shtetërore dhe, më dukshëm se kurrë, në diskursin publik dhe në mediat masive. Debatet televizive, komentet në rrjetet sociale, retorika politike dhe opinioni i përditshëm janë kthyer në platforma ku fyerja, ironia, përçmimi dhe agresiviteti verbal po shndërrohen në normë. Ky realitet kërkon një analizë të thelluar të ndikimit të dhunës verbale, jo vetëm si një dukuri komunikative, por si një problem serioz njerëzor, shpirtëror dhe psikologjik.
Në rrafshin njerëzor, dhuna verbale prek thelbin e qenies njerëzore, dinjitetin dhe të drejtën për respekt. Gjuha, që në thelb është një mjet për krijimin e lidhjeve dhe për të ndërtuar ura mirëkuptimi mes individëve, kthehet në një armë që shkatërron këto lidhje, kur përdoret për të poshtëruar, etiketuar apo përjashtuar tjetrin. Në një shoqëri që promovon barazi dhe të drejta për të gjithë, përdorimi i gjuhës si mjet dhune është një paradoks dhe një dështim etike e komunikimit njerëzor. Fjalët fyese, komentet cinike, talljet dhe sarkazmat nuk janë të padëmshme, ato përçojnë mesazhe të qarta të mohimit të vlerës së tjetrit. Në jetën e përditshme, këto forma të komunikimit janë shpesh të normalizuara, madje të justifikuara si “shaka”, “kritikë konstruktive” apo “mendim personal”. Por në të vërtetë, pas tyre fshihet një model komunikimi që ushqen diskriminimin, paragjykimin dhe përjashtimin social.
Një formë veçanërisht e rrezikshme dhe e përhapur e dhunës verbale janë thashethemet dhe shpifjet. Në thelb, ato janë një sulm verbal i tërthortë, që shpesh fshihet pas dëshirës për “të ndarë informacion” apo për “të diskutuar çështje të përbashkëta”. Në realitet, thashethemet përçojnë lajme, interpretime ose komente për të tjerët, zakonisht në mungesë të tyre dhe shpesh pa asnjë fakt të verifikuar. Ndërsa shpifjet janë forma më e qartë dhe më e qëllimshme e dhunës verbale, pasi përfshijnë deklarime të pavërteta me synimin për të dëmtuar nderin dhe emrin e mirë të dikujt.
Të dyja këto forma janë të përhapura jo vetëm në rrethana personale apo sociale, por edhe në hapësira publike si rrjetet sociale, portalet e lajmeve, emisionet televizive apo në fushatat politike. Në këto raste, dhuna nuk ka vetëm ndikim personal, por multiplikohet përmes publikut, duke e kthyer një incident verbal në një sulm të organizuar psikologjik ndaj viktimës. Individët që bëhen objekt i thashethemeve dhe shpifjeve përjetojnë një shthurje të identitetit social, ndihen të stigmatizuar, përjetojnë turp, ankth, dërrmim emocional dhe përjashtim nga komuniteti. Kjo i jep thashethemeve dhe shpifjeve një fuqi destruktive që është shpeshherë më e madhe se një sulm verbal i drejtpërdrejtë. Gjithashtu, debatet televizive janë shembulli më flagrant i këtij fenomeni. Shpesh, në vend që të jenë forume të dialogut dhe shkëmbimit të ideve, ato degradojnë në përplasje të ashpra verbale, ku kundërshtari shihet jo si bashkëbisedues, por si armik. Ky model jo vetëm që nuk edukon publikun me frymën e debatit të shëndetshëm, por përçon një mesazh të qartë, që dhuna verbale është një mjet i pranueshëm, madje i suksesshëm, për të fituar vëmendje dhe dominim.
Aspekti shpirtëror i dhunës verbale është shpesh më pak i analizuar, por jo më pak i rëndësishëm. Gjuha e njeriut është një pasqyrë e gjendjes së tij të brendshme, mënyra se si flasim reflekton nivelin tonë të ndjeshmërisë morale, empatisë dhe zhvillimit etik. Një individ që përdor gjuhë të dhunshme në mënyrë të vazhdueshme ka humbur jo vetëm ndjeshmërinë për tjetrin, por edhe aftësinë për të parë veten si pjesë të një komuniteti të përbashkët njerëzor. Nga pikëpamja shpirtërore, dhuna verbale është një akt ndarës dhe përçarës. Ajo krijon një mjedis ku bashkëjetesa e respektueshme zëvendësohet nga klima e pasigurisë, e konfliktit dhe e frikës. Ky lloj mjedisi shkatërron lidhjet ndërnjerëzore, dëmton harmoninë dhe promovon një kulturë të pashpirt të komunikimit, ku gjithçka lejohet në emër të “lirisë së fjalës”, pa marrë përgjegjësinë morale për efektet që shkakton. Edhe në jetën fetare dhe shpirtërore, gjuha është thelbësore për të ndërtuar lidhje të shenjta me Zotin dhe me të tjerët. Një gjuhë e dhunshme është në kundërshtim të plotë me vlerat thelbësore të dashurisë, faljes dhe paqes që predikohen në çdo traditë shpirtërore dhe fetare.
Ndikimi më i dukshëm dhe më i dokumentuar i dhunës verbale është ai në shëndetin mendor të individit. Psikologët dhe studiuesit e fushës së traumës kanë vërtetuar se gjuha e dhunshme lë pasoja të thella në vetëvlerësimin, emocionet dhe vetë-identitetin e viktimës. Fjalët që përdoren për të fyer ose për të denigruar krijojnë një mesazh të brendshëm negativ që individi fillon ta besojë dhe ta përsërisë ndaj vetes. Gjithashtu edhe fëmijët dhe të rinjtë janë të ekspozuar ndaj rrezikut të dhunës verbale. Në mjediset shkollore, komentet ofenduese nga bashkëmoshatarët apo mësuesit, mund të krijojnë plagë të thella psikologjike që ndikojnë në vetëvlerësimin dhe zhvillimin e personalitetit të tyre. Për pasojë, shfaqen simptoma si izolimi social, depresion, ankth dhe, në raste më të rënda, prirjet vetëvrasëse. Edhe në mjedisin e punës apo në marrëdhëniet familjare, një komunikim i bazuar në dhunë verbale shkakton tensione të vazhdueshme, pasiguri emocionale dhe lodhje mendore. Në këtë mënyrë, dhuna verbale nuk është thjesht një problem i çastit, por një faktor kronik që ndikon në cilësinë e jetës dhe mirëqenien mendore të individit.
Dhuna verbale është një nga format më të fshehta, por më të dëmshme të dhunës. Ajo shfaqet në përditshmëri, në biseda të zakonshme, në media, në shkolla, në institucione dhe në rrjetet sociale. Edhe pse pa pasoja të dukshme fizike, ndikimi i saj në dimensionin njerëzor, shpirtëror dhe psikologjik është i thellë dhe afatgjatë. Ajo minon dinjitetin, nxit përçarje, cenon shëndetin mendor dhe prish harmoninë shoqërore. Përballë këtij realiteti, është e nevojshme të ndërtojmë një kulturë të re komunikimi që bazohet në ndjeshmëri, përgjegjësi morale dhe edukim emocional. Edukimi për gjuhën duhet të jetë pjesë e çdo programi shkollor, çdo formimi profesional dhe çdo mënyre të të foluri publik. Mediat dhe institucionet kanë një rol të rëndësishëm në formësimin e një komunikimi të shëndetshëm dhe modelues. Vetëm përmes ndërgjegjësimit dhe angazhimit të përbashkët mund të zbusim këtë plagë të padukshme dhe të ndërtojmë një shoqëri ku fjala të jetë mjet ndërtimi, jo shkatërrimi./drita.info
Referenca
Albert Bandura, Aggression, A Social Learning Analysis, Prentice Hall, Englewood Cliffs, 1973.
Andrea M. Adams, Verbal Abuse How to Spot It and How to Stop It, New Harbinger Publications, United States, 2014
Patricia Evans,The Verbally Abusive Relationship, How to Recognize It and How to Respond, Health Communications, United States, 2007
Pierre Bourdie, Language and Symbolic Power. Polity Press, Cambridge, 1991.
Kenneth J. Gergen, Relational Being: Beyond Self and Community. Oxford University Press, Oxford, 2009.

Postimi i Mëparshëm
