
Nga Dom Mikel Sopi
Hyrje
Të nderuar organizatorë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, civile dhe fetare, studiues dhe pjesëmarrës,
Faleminderit Syri i Vizionit, Edutask Institute dhe NGO Aktiv për ftesën dhe mundësinë për të ndarë disa reflektime mbi një temë shumë më tepër sesa një koncept akademik. Kohezioni social nuk është thjesht teori; ai është mënyra se si vendosim të jetojmë me njëri-tjetrin. Është aftësia për të ndërtuar shoqëri ku dallimet nuk bëhen arsye për përçarje.
Kur flasim për rolin e prijësve fetarë, shpesh përdorim fjalë të mëdha si paqe, dialog dhe bashkëjetesë. Por vlera e tyre nuk qëndron vetëm në fjalë, duhet të reflektohet në veprime konkrete. Historia tregon se feja mund të ndërtojë shoqëri, por ajo mund edhe të keqpërdoret për ta ndarë atë. Në Kosovë, shoqëria ende mban plagë historike dhe tensione politike, por ka edhe një histori të pasur bashkëjetese që shpesh harrohet në diskursin publik.
- Parimet bazë të Kishës për kohezion shoqëror
Përvoja shumëshekullore dhe globale e Kishës Katolike tregon se kohezioni social nuk lind rastësisht. Ai mbështetet në parime të qarta:
- Reciprociteti: Atë që dëshiron të bëhet për ty, bëje edhe ti për të tjerët dhe anasjelltas.
- Dinjiteti i çdo njeriu: Çdo person ka vlerë të pakushtëzuar, pavarësisht fesë, kombësisë apo ndonjë dallimi tjetër.
- Solidariteti: Shoqëritë e forta nuk i harrojnë më të dobëtit.
- E mira e përbashkët: Institucionet ekzistojnë për të mirën e të gjithëve, jo vetëm për një shtresë të shoqërisë.
- Drejtësia dhe paqja: Pa drejtësi nuk ka paqe të qëndrueshme, dhe pa dialog nuk ka drejtësi të vërtetë.
Këto parime janë themel për çdo shoqëri të qëndrueshme.
- Kontributet konkrete të Kishës në Kosovë
Në Kosovë, përpjekjet për të jetësuar këto parime janë të dukshme:
- Shërbim karitativ: Përmes Caritas Kosovës, po ndihmohen familjet në nevojë, personat e moshuar dhe të vetmuar, komunitetet e margjinalizuara, si komuniteti RAI në Dubravë të Ferizajt.
- Edukimi qytetar: Institucionet arsimore si Don Bosco (Prishtinë dhe Gjilan), Loyola Gymnasium (Prizren) dhe Gjon Nikollë Kazazi (Gjakovë) kontribuojnë në formimin arsimor dhe etik të brezave të rinj.
- Mbështetje psiko-sociale: Përmes 25 famullive ne gjithë territorin e Kosovës, ofrohet mbështetje shpirtërore, sociale dhe psikologjike për individë dhe familje
Këto veprime tregojnë se Kisha Katolike në Kosovë është një faktor i rëndësishëm në promovimin e solidaritetit, zhvillimit dhe kohezionit social.
- Retorika institucionale dhe kohezioni social
Kohezioni social nuk ndërtohet vetëm me politika e dokumente zyrtare; ai ndërtohet edhe përmes gjuhës publike dhe respektit ndaj së vërtetës. Në këtë kontekst, disa dukuri meritojnë vëmendje serioze.
- Hapësira publike: Siç thekson filozofi Jürgen Habermas, dialogu racional për të mirën e përbashkët është i domosdoshëm. Por shpesh, hapësira publike mbushet me tensione, emocione dhe narrativa përçarëse.
- Rrjetet sociale: Në vend që të afronin njerëzit, shpesh krijojnë ndarje dhe përhapin stereotipe. Energjia negative dëmton në të gjitha pikëpamjet!
- Roli i mediave: Një pyetje e thjeshtë por shumë domethënëse, lind shpesh në opinionin publik: sa gazetarë apo moderatorë të mediave tona, në debatet televizive e panele, identifikohen me njërën palë, qoftë politike, ideologjike apo fetare.
- Ligji dhe institucionet: Kur ligjet analizohen jo për të forcuar drejtësinë dhe interesin publik por për interesa të ngushta, shoqëria humbet besimin në drejtësi dhe barazi.
- Roli i shtetit dhe komunitetet fetare: Shteti duhet të mbajë ekuilibrin mes respektit për besimin dhe pavarësisë institucionale. Nuk është në logjikën e kohezionit kur në konferenca ndërfetare dëgjohen deklarata nga përfaqëues shtetëror se shoqëria duhet të ndihet ‘me fat‘ sepse shumica fetare po sillet mirë. Në këtë kontekst, një diskurs që përmban terma: “shumicë” e “pakicë”, është vetvetiu përçarës. Ne nuk jemi në garë për poste politike por per sherbim te drejte dhe paqesor.
Respektimi i ligjit nuk është dhuratë që i bëhet shtetit; ai është detyrim i barabartë për të gjithë qytetarët. Shteti laik nuk është kundër fesë, ai ekziston për të garantuar që besimet të mbrohen dhe të trajtohen në mënyrë të barabartë. Shoqëria nuk dobësohet nga dallimet, por kur e vërteta relativizohet dhe gjuhës publike i mungon përgjegjësia.
Përfundim
Në Kosovë ka shumë njerëz që duan një shoqëri të drejtë, të qëndrueshme dhe me bashkëjetesë. Shoqëritë rrëzohen jo vetëm nga konfliktet, por kur humbin të vërtetën. Përgjegjësia jonë është të mbrojmë integritetin moral, pavarësinë institucionale dhe hapësirën për dialog të ndershëm.
Feja, ashtu si politika, nuk duhet të krijojë turma kundër dikujt, por të formojë ndërgjegje dhe përgjegjësi. Kur feja është e vërtetë, ajo krijon ndërgjegje, jo frikë. Nëse e ruajmë këtë parim, kohezioni social nuk do të mbetet vetëm temë konferencash, por realitet në shoqërinë tonë.
Si thotë nobelisti për paqe Elie Wiesel: Kur njerëzit heshtin për të keqen, e keqja triumfon. Përgjegjësia jonë është të flasim dhe të veprojmë për të mirën.
Faleminderit!
________
Literatura e konsultuar
- Shkrimi Shenjtë, Bibla
- Dokumentet e Koncilit të II të Vatikanit (Gaudium et spes, Dignitatis humanae, Ad gentes)
- Enciklikat e Papëve (Pacem in terris; Sollicitudo rei socialis, Centesimus annus; Deus Caritas est, Caritas in Veritate; Tutti fratelli)
- Belardinelli, L’altro Illuminismo. Politica, religione e funzione pubblica della verità, Rubbettino Editore, Catanzaro, 2009.
- Habermas, Faktizität und Geltung. Beiträge zur Diskurstheorie des Rechts und des demokratischen Rechtsstaats, Suhrkamp Verlag, Frankfurt am Main 1992.

Postimi i Mëparshëm
