PAPA LEONI: Pushteti, jo si qëllim në vetvete, por si mjet në shërbim të të mirës së përbashkët

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË LEONI XIV

DREJTUAR PJESËMARRËSVE NË SESIONIN PLENAR

TË AKADEMISË PAPNORE TË SHKENCAVE SHOQËRORE

(Casina Pio IV, 14–16 prill 2026)

 

Kam marrë me kënaqësi lajmin për sesionin plenar të Akademisë Papnore të Shkencave Shoqërore, që po mbahet nga 14 deri më 16 prill 2026, dhe u dërgoj përshëndetjet e mia më të përzemërta, të shoqëruara me lutje, të gjithë pjesëmarrësve. Shpreh mirënjohjen time ndaj Kardinalit Peter Turkson për shërbimin e tij të përkushtuar si Kancelar i Akademisë. Po ashtu, falënderoj presidenten tuaj, motrën Helen Alford, për zgjedhjen e temës. (The Uses of Power: Legitimacy, Democracy and the Rewriting of the International Order” [“Përdorimet e pushtetit: legjitimiteti, demokracia dhe rishkrimi i Rendit Ndërkombëtar.”]).  Bëhet fjalë për një temë veçanërisht aktuale, e cila e përqendron reflektimin tonë mbi ushtrimin e pushtetit, një element thelbësor për ndërtimin e paqes brenda kombeve dhe ndërmjet tyre, në këtë kohë ndryshimesh të thella globale.

Doktrina Shoqërore e Kishës Katolike e konsideron pushtetin jo si një qëllim në vetvete, por si një mjet të renditur drejt së mirës së përbashkët. Kjo nënkupton se legjitimiteti i autoritetit nuk varet nga grumbullimi i forcës ekonomike apo teknologjike, por nga urtia dhe virtyti me të cilat ai ushtrohet (khs. Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 1903). Sepse urtia na mundëson të dallojmë dhe të ndjekim të vërtetën dhe të mirën, e jo të mirat e rreme dhe lavdinë boshe, në rrethanat e jetës së përditshme. Kjo urti është e pandashme nga virtytet morale, të cilat e forcojnë dëshirën tonë për të nxitur të mirën e përbashkët. Në mënyrë të veçantë, e dimë se drejtësia dhe qëndrueshmëria janë të domosdoshme për të marrë vendime të peshuara dhe për t’i vënë ato në zbatim. Edhe maturia del thelbësore për përdorimin e ligjshëm të autoritetit, sepse maturia e vërtetë frenon vetëlavdërimin e tepruar dhe shërben si një pengesë kundër abuzimit të pushtetit.

Ky kuptim i pushtetit legjitim gjen një nga shprehjet e saj më të larta në demokracinë autentike. Larg të qenit thjesht një procedurë, demokracia njeh dinjitetin e çdo personi dhe e fton çdo qytetar të marrë pjesë me përgjegjësi në ndjekjen e së mirës së përbashkët. Duke reflektuar këtë bindje, Shën Gjon Pali II ka pohuar se Kisha e vlerëson demokracinë sepse ajo garanton pjesëmarrjen në zgjedhjet politike dhe “mundësinë si për të zgjedhur dhe kontrolluar qeveritarët e vet, ashtu edhe për t’i zëvendësuar ata në mënyrë paqësore, kur kjo të jetë e nevojshme.” Megjithatë, demokracia mbetet e shëndetshme vetëm kur është e rrënjosur në ligjin moral dhe në një vizion të vërtetë të personit njerëzor. Në mungesë të këtij themeli, ajo rrezikon të shndërrohet ose në një tirani të shumicës, ose në një maskë për sundimin e elitave ekonomike dhe teknologjike.

Të njëjtat parime që udhëheqin ushtrimin e autoritetit brenda kombeve duhet gjithashtu të ndriçojnë rendin ndërkombëtar, një e vërtetë veçanërisht e rëndësishme për t’u kujtuar në një kohë kur rivalitetet strategjike dhe aleancat e ndryshueshme po riformësojnë marrëdhëniet globale. Duhet të kujtojmë se një rend ndërkombëtar i drejtë dhe i qëndrueshëm nuk mund të lindë nga një ekuilibër i thjeshtë pushtetesh, as nga një logjikë thjesht teknokratike. Përqendrimi i pushtetit teknologjik, ekonomik dhe ushtarak në duart e pak vetëve kërcënon si pjesëmarrjen demokratike ndërmjet popujve, ashtu edhe harmoninë ndërkombëtare.

Në këtë drejtim, paraardhësit e mi kanë shprehur nevojën për institucione të përditësuara dhe për një autoritet universal (khs. Shën Gjon Pali II, Centesimus annus, nr. 58; Pacem in terris, nr. 137), të frymëzuar nga parimi i subsidiaritetit (khs. Benedikti XVI, Caritas in veritate, nr. 57). Zhvillimi i një bashkësie të tillë globale të vëllazërisë kërkon “politikën më të mirë, të vendosur në shërbim të së mirës së vërtetë të përbashkët.” (Françesku, Fratelli tutti, nr. 154). Në të vërtetë, është “më se e nevojshme të rimendojmë me guxim mënyrat e bashkëpunimit ndërkombëtar.” (Vizita në selinë e FAO-s me rastin e Ditës Botërore të Ushqimit, 16 tetor 2025, nr. 7).

Në analizë të fundit, kur fuqitë tokësore e kërcënojnë tranquillitas ordinis — përkufizimi klasik augustinian i paqes — ne duhet ta nxjerrim shpresën tonë nga Mbretëria e Hyjit, e cila, ndonëse nuk është e kësaj bote, hedh dritë mbi realitetet e kësaj bote dhe zbulon kuptimin e tyre eskatologjik. Në këtë perspektivë të fesë, na kujtohet se gjithëpushtetësia e Hyjit shfaqet mbi të gjitha në mëshirë dhe falje (khs. Shën Toma i Akuinit, Summa Theologiae, I, q. 25, a. 3, ad 3); pushteti hyjnor nuk sundon, por përkundrazi shëron dhe ripërtërin. Pikërisht kjo logjikë e dashurisë bamirëse (caritas) duhet t’i jep shpirt historisë, sepse veprimtaria njerëzore e frymëzuar nga dashuria ndihmon në formësimin e “qytetit tokësor” në unitet dhe paqe, duke e bërë atë — edhe pse në mënyrë të papërsosur — një hershim dhe parafigurim të “Qytetit të Hyjit” (khs. Benedikti XVI, Caritas in veritate, nr. 7). Kjo fe e forcon vendosmërinë tonë për të ndërtuar një kulturë pajtimi, të aftë për të kapërcyer kurthet e indiferencës dhe të pafuqisë (khs. Fjalimi drejtuar udhëheqësve fetarë pjesëmarrës në Takimin Ndërkombëtar të Lutjes për Paqe, 28 tetor 2025).

Me këto ndjenja, uroj sinqerisht që reflektimet tuaja gjatë këtyre ditëve të sjellin fryte të çmuara për të sqaruar përdorimet legjitime të pushtetit, kriteret e demokracisë autentike dhe llojin e rendit ndërkombëtar që i shërben së mirës së përbashkët. Në këtë mënyrë, puna juaj do të kontribuojë në mënyrë domethënëse në ndërtimin e një kulture globale të pajtimit dhe të paqes: një paqe që nuk është thjesht mungesë e brishtë konflikti, por fryt i drejtësisë, i lindur nga një autoritet i vendosur me përvujtëri në shërbim të çdo qenieje njerëzore dhe të mbarë familjes njerëzore.

Le të ndriçojë Shpirti Shenjt, burim i çdo dashurie (caritas) dhe lidhje uniteti e paqeje, mendjet tuaja dhe të mbështesë përpjekjet tuaja. Me dëshirë thërras mbi ju të gjithë bekimet e Hyjit.

Nga Vatikani, 1 prill 2026

LEONI PP. XIV

Marr nga Messaggio del Santo Padre in occasione della Sessione Plenaria della Pontificia Accademia delle Scienze Sociali (1° aprile 2026)

Përkthimi: Rev. «DRITA»

Shpëndaje: