Leoni XIV në Angolë: populli juaj zotëron thesare që as mund të shiten, as mund të vriten

Në Pallatin Presidencial në Luanda, Papa u foli autoriteteve të Angolës duke vënë në dukje “shenjat” e shfrytëzimit të vendit të gjeneruara nga “interesa arrogante” grabitqare: “Sa vuajtje, sa vdekje, sa katastrofa sociale dhe mjedisore sjell me vete kjo logjikë nxjerrëse!”. Duke inkurajuar ata që kanë zgjedhur të mirën, drejtësinë, paqen dhe pajtimin, Leoni XIV u kërkoi liderëve vendas të besojnë në shumëllojshmërinë e pasurisë në Angolë dhe rekomandoi: “Mos kini frikë nga mospajtimi”.

 

Angola është një “mozaik shumëngjyrësh” dhe si i tillë duhet të mbrohet nga të gjitha përpjekjet që minojnë një zhvillim harmonik të bazuar në drejtësi dhe vëllazëri. Kjo është zemra e mesazhit që Papa, që mbërriti sot nga Kameruni në këtë rajon të Afrikës Jugore që do të vizitojë deri të hënën më 20 prill, u dorëzoi – pas vizitës te Presidenti i Republikës, João Manuel Gonçalves Lourenço – rreth 400 personave, mes autoriteteve politike dhe fetare, sipërmarrësve, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe kulturës të mbledhur në Pavijonin Protokollar të Pallatit Presidencial, në Luanda.

 

Të këputet zinxhiri i interesave që e redukton jetën në mall

Që në fillim të fjalimit, të mbajtur në portugalisht, Leoni XIV theksoi se populli angolan “zotëron thesare që as mund të shiten, as mund të vriten”. Me vetëdijen se ka ende nga ata që i rezistojnë asaj që ai e quan “mashtrimi i pasurisë”, fjalët e Papa paralajmëruan rrezikun që gëzimi dhe shpresa – virtyte që ai i quan “politike” – të dobësohen dhe ndoten nga iluzionet dhe shtrembërimet.

Ju e dini mirë se shumë herë rajonet tuaja janë parë dhe shihen për të dhënë ose, më shpesh, për të marrë diçka. Duhet këputur ky zinxhir interesash që e redukton realitetin dhe vetë jetën në mall shkëmbimi.

 

Një model zhvillimi që diskriminon dhe përjashton

Pasardhësi i Pjetrit foli për dëshirën për pafundësinë që është “një parim i transformimit shoqëror më i thellë se çdo program politik apo kulturor”. Është një lloj busulle që duhet të udhëheqë zhvillimin e vendit duke gjallëruar energjitë e tij më të mira që dinë të dallojnë se ku qëndron urtia autentike, ajo që “nuk lejon të fiket nga ideologjitë”. Leoni XIV tha se dëshiron të vihet në dëgjim të asaj që është një “mozaik shumëngjyrësh”, në pjesën më të madhe i nisur drejt promovimit të drejtësisë, paqes, tolerancës dhe pajtimit, por ende i ndjeshëm ndaj kushtëzimeve të forta: për ata që zgjedhin rrugë të kundërta me zhvillimin harmonik dhe vëllazëror, nënvizoi Papa, kërkohet kthimi (konvertimi).

Sa vuajtje, sa vdekje, sa katastrofa sociale dhe mjedisore sjell me vete kjo logjikë nxjerrëse! Shohim në çdo gjerësi gjeografike, tashmë, se si ajo ushqen një model zhvillimi që diskriminon dhe përjashton, por që ende pretendon të imponohet si i vetmi i mundshëm.

 

Nevoja urgjente për të tejkaluar konfliktet dhe armiqësinë

Fjala ‘harmoni’ përsëritet në fjalimin e Papës, si objektiv dhe metodë që duhet kërkuar vazhdimisht. Ati i Shenjtë citoi Shën Palin VI dhe Nxitjen e tij Apostolike Gaudete in Domino, ku vërehej një “aspekt pleqërie” në qytetërimin e nisur drejt përqafimit të plotë të logjikave hedoniste dhe materiale të stileve të jetesës. Nga këtu, Leoni XIV kujtoi ato “vraga” që pikërisht shfrytëzimi material dhe “pretendimi për të imponuar një ide mbi të tjerat” kanë lënë në indin e “dhunuar” të shoqërisë angolane.

Afrika ka një nevojë urgjente për të tejkaluar situatat dhe fenomenet e konfliktualitetit dhe armiqësisë, që grisin indin social dhe politik të shumë vendeve, duke nxitur varfërinë dhe përjashtimin. Vetëm përmes takimit jeta lulëzon. Në fillim është dialogu. Kjo nuk përjashton mospajtimin, i cili mund të shndërrohet në konflikt.

 

Angola mund të rritet shumë, mos kini frikë nga mospajtimi

Më pas Leoni XIV përmendi konsideratat e paraardhësit Françesku, i cili në Evangelii gaudium fliste për atë humbje të horizontit që gjenerojnë konfliktet, përballë të cilave mund të veprohet si Ponc Pilati, mund të mbetet i burgosur prej tyre, ose mund të nxirret një mundësi për të nisur një proces të ri ndërtues, jo shkatërrues. Kjo është rruga e dëshiruar dhe uruar nga Papa augustinian, i cili beson në potencialin e vendit, me kusht që të parët që të kenë besim të jenë ata që mbajnë role përgjegjësie: “Angola mund të rritet shumë, nëse mbi të gjitha ju, që keni autoritet në vend, do të besoni në shumëllojshmërinë e pasurisë së saj”. Ja thirrja:

Mos kini frikë nga mospajtimi, mos i fikni vizionet e të rinjve dhe ëndrrat e të moshuarve, dijeni të menaxhoni konfliktet duke i shndërruar ato në shtigje përtëritjeje. Vendosni të mirën e përbashkët para asaj të njërës palë, duke mos ngatërruar kurrë pjesën tuaj me të tërën. Historia atëherë do t’ju japë të drejtë, edhe nëse në çast dikush do t’ju jetë armiqësor.

 

Pasojat e pakënaqësisë sociale

“Despotët dhe tiranët e trupit dhe shpirtit”, denoncoi ende Papa, duan t’i bëjnë shpirtrat “pasivë” dhe “të nënshtruar ndaj pushtetit”. Janë pikërisht këto kushtet ku fshihet lehtësisht fanatizmi, nënshtrimi, mirazhi i arit, miti identitar. Devijime që Papa nuk ka frikë t’i vërë në shënjestër dhe t’i quajë me emër, duke thelluar pasojat e tyre dhe duke iu referuar, edhe një herë, mësimeve të Françeskut që në Fratelli tutti paralajmëronte mprehtësisht kundër mekanizmit politik të “shashtrisjes, irritimit dhe polarizimit”:

Pakënaqësia, ndjenja e pafuqisë dhe e shrrënjosjes na ndajnë, në vend që të na vënë në lidhje, duke përhapur një klimë të huaj ndaj çështjes publike, përbuzje për fatkeqësinë e tjetrit dhe mohimin e çdo vëllazërie. Një mosmarrëveshje e tillë shpërbën marrëdhëniet konstitutive që secili mban me veten, me të tjerët dhe me realitetin.

 

Pa takim nuk ka politikë, pa tjetrin nuk ka drejtësi

Bëhet fjalë për të kundërshtuar, me ndihmën e Shpirtit Shenjtë, veprën gërryese të tjetërsimit që çon në frenimin e çdo entuziazmi dhe qëllimi të mirë. Ajo që, si përfundim, Leoni lë si një manifest në këtë etapë të tretë të udhëtimit të tij apostolik në Afrikë, është se “pa gëzim nuk ka përtëritje, pa brendësi nuk ka çlirim, pa takim nuk ka politikë, pa tjetrin nuk ka drejtësi”. Uniteti i forcave dhe qëllimeve mbetet fener i veprimit politik dhe shoqëror:

Së bashku, mund ta bëni Angolën një projekt shprese. Kisha Katolike, punën e së cilës e di se sa shumë e çmoni në shërbim të vendit, dëshiron të jetë tharm në brumë dhe të favorizojë rritjen e një modeli të drejtë bashkëjetese, të lirë nga skllavëritë e imponuara prej elitave me shumë para dhe gëzime të rreme./Radio Vatikani

Shpëndaje: