
Leoni XIV i jep lamtumirën Kamerunit, duke kremtuar Meshën në aeroportin e Yaoundé-Ville. “Mos kini frikë!” është thirrja që na fton ta mishërojmë, edhe në nivel politik, për t’u bërë ball sfidave të varfërisë e të drejtësisë. Ndonjëherë jeta e një shoqërie, pohon, kërkon “guxim për t’i ndryshuar zakonet e strukturat” e për t’i kapërcyer “pabarazitë dhe kufizimet”.
Para se aeroplani të niset në fluturim, del në pah një figurë gati fantastike: një Zot, që ecën mbi ujë. Që pëshpërit, në gjëmimin e stuhisë: “Mos kini frikë”. Nga të dy skenarët, ndoshta i dyti duket më i pamundur, në një botë ku as feja nuk na kursen nga ndjesia e fundosjes, “të vetëm e të brishtë”.
Por ky nuk është kështu.
Sepse stuhia nuk qetësohet domosdoshmërisht: brenda trazirave, dikush na arrin. Kështu, Ungjilli “nuk e ndan shpirtëroren nga shoqërorja”, por hyn “në zemër të institucioneve e të strukturave”. Nuk përkulet para konflikteve, interesave apo “luftërave sterile”, por orientohet me kokëfortësi drejt së mirës së përbashkët. E, kur është e nevojshme, nuk ka frikë “nga guximi për të ndryshuar zakonet”, me qëllim që të mbrojë kë ka vërtet rëndësi: dinjitetin njerëzor. Me këtë përshëndetje Papa Leoni XIV i dha lamtumirën Kamerunit sot në mëngjes, 18 prill, duke kryesuar Meshën kushtimore të Virgjëreshës Mari, Mbretëreshës së Apostujve, në aeroportin Yaoundé-Ville, në praninë e 20,000 besimtarëve. Ipeshkvi i Romës i përshëndeti në papamobil, para se të hynte në sakristi.
“Jezusi nuk na braktis”
Në homelinë e mbajtur në frëngjisht, Papa Leoni XIV shprehu së pari mirënjohjen për pritjen që iu bë në vend dhe “për çastet e gëzimit e të besimit që i kemi përjetuar së bashku”. Pikërisht mbi fenë e përqendroi Leoni XIV reflektimin, duke u mbështetur në fragmentin e Ungjillit të Jezusit që ecën mbi det, marrë nga Kapitulli i 6-të i Ungjillit të Gjonit, shpallur gjithashtu frëngjisht,
Feja nuk na kursen trazira e mundime, madje nganjëherë mund të duket se frika mbizotëron. Megjithatë, e dimë se edhe në këto trazira e mundime, siç u ndodhi dishepujve në Detin e Galilesë, Jezusi nuk na braktis.
“Jam unë, mos kini frikë.”
Papa vëren se ky episod rrëfehet nga tre ungjilltarë, “secili në mënyrën e vet, me një mesazh të ndryshëm, në varësi të lexuesit”. Shën Marku e paraqet Zotin duke arritur te dishepujt, që vozisin kundër erës, e era pushon ndërsa Jezusi ngjitet në varkë. Mateu shton hollësitë e Pjetrit duke zbritur, që, i mposhtur nga frika, nis të fundoset, por shpëtohet nga Krishti, i cili e qorton për mosbesimin. Së fundmi, Gjoni e përshkruan Shëlbuesin Jezus duke ecur mbi ujë e duke thënë: “Jam unë; mos kini frikë”. Në një aeroport, ku ajri është elementi mbizotërues natyror, Papa në vend të tij, reflekton mbi ujin. Në traditën hebraike, “me thellësinë e misterin e tij, ai të kujton botën e nëndheshme, kaosin, rrezikun, vdekjen”.
Evokojnë, së bashku me errësirën, forcat e së keqes, të cilat njeriu i vetëm nuk mund t’i dominojë. Në të njëjtën kohë, megjithatë, në kujtesën e mrekullive të Heksodit, perceptohen edhe si vend kalimi, një va përmes të cilit Zoti, me fuqi, e çliron popullin e tij nga skllavëria.
“Por nuk është kështu”
Një humnerë, por edhe një prag: është çka Kisha dhe çdo njeri e provojnë “gjatë lundrimit”. Stuhi, erëra të kundërta, ndjenja frike e dyshimi.
Është ajo që ndiejmë në çastet kur na duket se po fundosemi, të mbingarkuar nga forca të kundërta, kur gjithçka duket e errët e ne ndihemi të vetmuar e të brishtë.
“Por nuk është kështu”, siguron Leoni XIV.
Jezusi është me ne, gjithmonë, më i fortë se çdo fuqi e së keqes; në çdo stuhi na shtrin dorën dhe përsërit: “Unë jam këtu me ju: mos kini frikë”. Kjo është arsyeja pse ne ngrihemi pas çdo rënieje dhe nuk e lëmë veten të ndalemi nga asnjë stuhi, por ecim përpara, me guxim dhe besim, gjithmonë.
“Askush nuk duhet të lihet vetëm”…..
Leoni citon Papën Françesku, duke kujtuar se sa shumë burra dhe gra e nderojnë Kishën dhe popullin, “të fortë duke e çuar përpara jetën e tyre, familjen e tyre, punën e tyre, fenë e tyre”. Pastaj përqendrohet në mënyrën se si Jezusi ndërhyn në stuhi: ai nuk e qetëson menjëherë atë, por u arrin dishepujve “në mes” të saj. Një ftesë për të qëndruar të bashkuar dhe për të mos u larguar nga kush vuan.
Askush nuk duhet të lihet vetëm për të përballuar vështirësitë e jetës, e çdo bashkësi ka detyrën, për këtë qëllim, të krijojë e të mbështesë struktura solidariteti dhe ndihme të ndërsjellë ku, përballë krizave – qofshin ato sociale, politike, shëndetësore apo ekonomike – të gjithë mund të japin dhe të marrin ndihmë, sipas aftësive dhe nevojave të tyre.
“Jam Unë”
Papa frymëzohet nga fjalët e Jezusit “Jam unë”, për të nënvizuar se kontributi i çdo personi në shoqëri është themelor dhe unik, pavarësisht statusit a pozicionit “në sytë e botës”.
Këshilla “mos kini frikë”, pra, merr një përmasë të gjerë, edhe në nivelin social e politik, si një inkurajim për t’u përballur së bashku me problemet dhe sfidat – veçanërisht ato që lidhen me varfërinë dhe drejtësinë – me ndjenjë qytetare e përgjegjësi civile. Feja nuk e ndan shpirtëroren nga shoqërorja; përkundrazi, u jep të krishterëve forcën për të bashkëvepruar me botën, për t’iu përgjigjur nevojave të të tjerëve, veçanërisht më të prekshmëve. Përpjekjet individuale dhe të izoluara të individëve nuk janë të mjaftueshme për të shpëtuar një bashkësi: nevojitet një vendim i përbashkët, duke integruar dimensionet shpirtërore dhe etike të Ungjillit në zemër të institucioneve dhe strukturave, e duke i bërë ato mjete për të mirën e përbashkët, dhe jo vende konflikti, interesi vetjak ose teatër luftërash shterpe.
“Guximi për të ndryshuar”
Leoni XIV, më pas, kujton Leximin e Parë, të shkëputur nga Veprat e Apostujve (kapitulli 6), ku Kisha përballon “krizën e saj të parë të rritjes”. Rritja e dishepujve kishte çuar në vështirësi të reja në shërbim të bamirësisë: lënia e disave pas krijoi “murmurima” dhe një ndjenjë padrejtësie, që e kërcënonte unitetin. Megjithatë, apostujt kishin gjetur një zgjidhje duke zgjedhur “burra me nam të mirë, përplot me Shpirtin Shenjt e me urti”, të paracaktuar “për shërbim praktik që ishte edhe mision shpirtëror”. Një krizë ishte shndërruar, kështu, në mundësi për rritje.
Ndonjëherë jeta e një familjeje dhe e një shoqërie kërkon edhe këtë: guximin për të ndryshuar zakonet dhe strukturat, në mënyrë që dinjiteti i personit të mbetet në qendër dhe pabarazitë e pakënaqësitë të kapërcehen. Për më tepër, duke u bërë njeri, Zoti u identifikua me më të vegjlit prej tyre, dhe kjo e bën kujdesin preferencial për të varfrit, mundësi themelore për identitetin tonë të krishterë.
“Të gjallë, të rinj, të pasur me dhurata”
“Vëllezër dhe motra, sot i japim lamtumirën njëri-tjetrit”. Është lamtumira e përzemërt e Ipeshkvit të Romës: ndërsa të gjithë kthehen në punën e tyre, “varka e Kishës vazhdon kursin e saj”. Papa na fton të vlerësojmë në zemër çastet e kaluara së bashku, veçanërisht në vështirësi.
Kisha kameruneze është e gjallë, rinore, e pasur me dhurata dhe entuziazëm, plot me gjallëri në diversitetin e saj dhe e mrekullueshme në harmoninë e saj. Me ndihmën e Virgjërës Mari, Nënës sonë, bëjeni të lulëzojë gjithnjë e më shumë, e madje edhe mes erërave të vështira që nuk mungojnë kurrë në jetë, të krijojë mundësi për rritje në shërbimin e gëzueshëm të Zotit, të vëllezërve dhe motrave tona, në ndarje, në dëgjim, në lutje dhe në dëshirën për t’u rritur së bashku.
Njetet e lutjes
Njetet e lutjes së besimtarëve shqiptohen në anglisht, frëngjisht dhe në gjuhët lokale Ewondo, Nnanga dhe Fulfulde.
Lutemi për Kishën në Afrikë, që ajo të nxisë pajtimin ndërmjet popujve; për udhëheqësit e qeverisë, që ata të veprojnë me mençuri, drejtësi dhe përgjegjësi; e edhe për sfidat e modernitetit, që bota të përparojë në drejtësi, paqe dhe solidaritet.
Falënderimet e argjipeshkvit të Yaoundé
Para bekimit solemn, e merr fjalën argjipeshkvi Jean Mbarga i Yaoundé, që falënderoi Papën për vizitën, duke përsëritur disa fjali në anglisht dhe pastaj, në frëngjisht.
Falë këtij udhëtimi, pohoi ai, “Afrika do të vazhdojë t’i ofrojë Kishës zjarrin e forcave të saj të gjalla, pasurinë e kulturës së saj dhe thellësinë e fesë”, duke ecur “drejt modernitetit global, ekologjik dhe dixhital, modernitet, që respekton dhe ruan dinjitetin dhe identitetin e shenjtë të popujve të saj”.
Kryeipeshkvi theksoi edhe angazhimin e të rinjve kamerunas për ta konsoliduar paqen në vend, së bashku me familjet e tyre dhe komunitetet e krishtera, myslimane e tradicionale.
Papa, në përfundim, i dhuroi Imzot Mbarga-s një kelshenjt, simbol feje e dashurie të krishterë! /Radio Vatikan

Postimi i Mëparshëm