
Vizita në Afrikë po tregon zemrën misionare të Leonit XIV dhe fytyrën e një Kishe që i afrohet vuajtjeve të njerëzimit
Nga Andrea Tornielli
Dita e parë e udhëtimit të Leonit në Afrikë, si edhe dy ditët pasuese, janë karakterizuar, nga pikëpamja mediatike, nga komentet mbi deklaratat e presidentit Donald Trump. Një polemikë që vetë Papa ka dashur ta zbusë përballë rrezikut që çdo fjalë e tij gjatë udhëtimit të interpretohej në optikën e marrëdhënieve ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtëpisë së Bardhë.
Kështu ka kaluar në plan të dytë, pothuajse e harruar, një fjali veçanërisht domethënëse që Pasardhësi i Pjetrit shqiptoi të hënën, më 13 prill, në përshëndetjen e tij të parë drejtuar gazetarëve në aeroplan që sapo ishte nisur drejt Algjerisë: Afrika «duhej të ishte udhëtimi i parë i pontifikatit». «Që vitin e kaluar, në muajin maj, kisha thënë se udhëtimin e parë do të doja ta bëja në Afrikë». Pra, sapo u zgjodh, Leoni XIV kishte shprehur këtë dëshirë të veçantë bashkëpunëtorëve të tij, e cila më pas nuk mundi të realizohej për arsye logjistike, por që tregon shumë për mënyrën se si Papa i parë i lindur në Shtetet e Bashkuara e koncepton misionin e tij. Nuk duhet harruar një fakt themelor i biografisë së Robert Francis Prevost: të qenit rregulltar misionar, një karakteristikë pothuajse e rrallë në historinë e papatit të shekujve të fundit.
Leoni ka qenë për shumë vite misionar dhe famullitar në Peru dhe më pas u kthye atje si ipeshkëv, me dëshirën e Papa Françeskut. Në dritën e kësaj thirrjeje mund të lexohet dëshira për udhëtimin e parë në Afrikë dhe ajo që po ndodh këto ditë me Papën buzëqeshës dhe i qetë, ndërsa ndjek këngët ritmike dhe vallet tradicionale që shoqërojnë kremtimet eukaristike; ndërsa i kushtohet takimit dhe përqafimit të më të vegjëlve; ndërsa kalon shumë kohë duke shtrënguar duar dhe duke përshëndetur. Por mbi të gjitha, ndërsa flet për risinë e Ungjillit që takon kulturat dhe popujt, duke u bërë forcë shtytëse për paqe dhe ndryshim.
Kjo u pa në Bamenda, në Kamerun, ku Ipeshkvi i Romës mbërriti për të mbështetur ndërtimin e paqes dhe bashkëjetesës në një kontekst të shënuar në mënyrë dramatike nga lufta civile. Ose në Jaunde, kur duke iu drejtuar botës universitare foli për rëndësinë e “formimit të ndërgjegjeve të lira dhe shenjtërisht të shqetësuara” si “kusht që feja e krishterë të paraqitet si një propozim plotësisht njerëzor, i aftë të shndërrojë jetën e individëve dhe të shoqërisë, të nxisë ndryshime profetike përballë dramave dhe varfërive të kohës sonë”.
Nuk është rastësi që Leoni XIV ka treguar si program pune për konsistorin e ardhshëm rimarrjen dhe thellimin e nxitjes apostolike të Françeskut, Evangelii gaudium. Ai dokument programatik i pararendësit, për të cilin pikërisht sot përkujtohet përvjetori i parë i vdekjes, i propozohet sërish Kishës sepse e bën të qartë se në çfarë konsiston misioni: kerygma, domethënë shpallja e thelbit të fesë; fytyra e një Kishe që di të jetë pranë atij që vuan duke ndarë dramat e njerëzimit; angazhimi për shndërrimin e shoqërisë në një kuptim më njerëzor dhe më të drejtë. Një Kishë, siç kemi lexuar në nxitjen Dilexi te, që e njeh dashurinë për të varfrit si pjesë thelbësore të shpalljes së krishterë, sepse “kontakti me ata që nuk kanë pushtet dhe madhështi është një mënyrë themelore për takimin me Zotin e historisë”.
Këmbëngulja mbi paqen, mbi kthimin në negociata dhe mbi respektimin e së drejtës ndërkombëtare — ndërhyrje që kanë shkaktuar reagimet e ditëve të fundit — vendosen në këtë kontekst. Dhe ndihmojnë për të sqaruar edhe një herë natyrën e shërbimit të Kishës dhe në veçanti të Pasardhësit të Pjetrit, i cili nuk vepron si politikan, por si bari. Por është pjesë e qenies së tij si bari, larg çdo reduktimi spiritualist dhe të shkëputur nga realiteti, të ketë për zemër paqen, drejtësinë, dialogun, takimin, ndërtimin e shoqërive më të drejta, afërsinë me ata që përndiqen ose diskriminohen, dhe praninë pranë viktimave të pafajshme të luftërave, si dhe profecinë e atij që shqetësohet për fatet e njerëzimit në këtë “orë dramatike të historisë”.
Marr nga Il viaggio che rivela il pontificato – Vatican News
Përkthimi: Rev. «DRITA»

Postimi i Mëparshëm
