
Duke u ndalur sot në një pjesë të kapitullit VII të Kushtetutës së Koncili II të Vatikanit mbi Kishën, meditojmë mbi një nga tiparet e saj thelbësore: dimensionin eskatologjik. Kisha, në fakt, ecën në këtë histori tokësore gjithmonë e drejtuar drejt cakut përfundimtar, që është atdheu qiellor. Ka të bëjë me një përmasë thelbësore, të cilën shpesh e lëmë pas dore ose e zvogëlojmë, sepse jemi tepër të përqendruar në atë që është menjëherë e dukshme dhe në dinamikat më konkrete të jetës së bashkësisë së krishterë.
Kisha është Populli i Hyjit në ecje në histori, që ka si qëllim përfundimtar të të gjithë veprimtarisë së vet Mbretërinë e Hyjit (khs. LG, nr. 9). Jezu Krishti e themeloi Kishën pikërisht duke shpallur këtë Mbretëri dashurie, drejtësie dhe paqeje (khs. LG, nr. 5). Prandaj jemi të thirrur të sodisim përmasën bashkësiore dhe kozmike të shpëtimit në Krishtin dhe ta drejtojmë shikimin drejt këtij horizonti përfundimtar, për të matur dhe vlerësuar gjithçka në këtë perspektivë.
Kisha jeton në histori në shërbim të ardhjes së Mbretërisë së Hyjit në botë. Ajo shpall gjithmonë dhe për të gjithë fjalët e kësti premtimi, merr një kapar të saj në kremtimin e Sakramenteve, sidomos të Eukaristisë, e bën të pranishme dhe e përjeton logjikën e saj në marrëdhëniet e dashurisë dhe të shërbimit. Ajo gjithashtu e di se është vendi dhe mjeti ku bashkimi me Krishtin realizohet «më ngushtë» (LG, nr. 48), duke pranuar njëkohësisht se shpëtimi mund të dhurohet prej Hyjit nëpërmjet Shpirt Shenjt edhe jashtë kufijve të saj të dukshëm.
Në këtë drejtim, Kushtetuta Lumen gentium bën një pohim të rëndësishëm: Kisha është «sakrament universal i shpëtimit» (LG, nr. 48), domethënë shenjë dhe mjet i asaj plotësie jete dhe paqeje që Hyji e ka premtuar. Kjo do të thotë se ajo nuk identifikohet plotësisht me Mbretërinë e Hyjit, por është fara dhe fillimi i saj, sepse përmbushja do t’i dhurohet njerëzimit dhe kozmosit vetëm në fundin e kohëve. Prandaj, besimtarët në Krishtin ecin në këtë histori tokësore, të shënuar nga pjekuria e së mirës, por edhe nga padrejtësi dhe vuajtje, pa qenë as të mashtruar e as të dëshpëruar; ata jetojnë të orientuar nga premtimi i Atij «që i bën të reja të gjitha gjërat» (Zb 21,5). Kështu, Kisha e përmbush misionin e saj ndërmjet “tashmë”-së së fillimit të Mbretërisë së Hyjit në Jezusin dhe “jo ende”-së së përmbushjes së premtuar dhe të pritur. Si ruajtëse e një shprese që ndriçon udhën, ajo është gjithashtu e ngarkuar me misionin për të shqiptuar fjalë të qarta, për të refuzuar gjithçka që e vret jetën dhe pengon zhvillimin e saj, dhe për të marrë qëndrim në dobi të të varfërve, të shfrytëzuarve, viktimave të dhunës dhe luftës dhe të gjithë atyre që vuajnë në trup dhe në shpirt (khs. Përmbledhja e Doktrinës Shoqërore të Kishës, nr. 159).
Shenjë dhe sakrament i Mbretërisë, Kisha është Populli i Hyjit shtegtar në tokë, i cili, duke u nisur nga premtimi përfundimtar, lexon dhe interpreton në dritën e Ungjillit dinamikat e historisë, duke e kallëzuar të keqen në të gjitha format e saj dhe duke shpallur, me fjalë dhe me vepra, shpëtimin që Krishti dëshiron të realizojë për mbarë njerëzimin dhe Mbretërinë e tij të drejtësisë, dashurisë dhe paqes. Kisha, pra, nuk e shpall vetveten; përkundrazi, gjithçka në të duhet të drejtohet te shpëtimi në Krishtin.
Në këtë perspektivë, Kisha është e thirrur të njohë me përvujtëri brishtësinë dhe kalueshmërinë njerëzore të institucioneve të saj, të cilat, ndonëse në shërbim të Mbretërisë së Hyjit, mbajnë trajtën kalimtare të kësaj bote (khs. LG, nr. 48). Asnjë institucion kishtar nuk mund të absolutizohet. Përkundrazi, duke qenë se jetojnë në histori dhe në kohë, ato janë të thirrura për një kthim të vazhdueshëm, për ripërtëritje të formave dhe reformë të strukturave, për një rigjenerim të vazhdueshëm të marrëdhënieve, në mënyrë që t’i përgjigjen vërtet misionit të tyre.
Në horizontin e Mbretërisë së Hyjit duhet kuptuar edhe marrëdhënia ndërmjet të krishterëve që sot janë duke e kryejnë misionin e tyre dhe atyre që e kanë përfunduar tashmë jetën tokësore dhe ndodhen në një gjendje pastrimi apo lumnie. Lumen gentium, në fakt, pohon se të gjithë të krishterët formojnë një Kishë të vetme, se ekziston një bashkim dhe një pjesëmarrje në të mirat shpirtërore, e themeluar mbi bashkimin me Krishtin e të gjithë besimtarëve, një kujdes vëllazëror ndërmjet Kishës tokësore dhe Kishës qiellore: ajo bashkësi e shenjtërve që përjetohet në mënyrë të veçantë në liturgji (khs. LG, nr. 49-51). Duke u lutur për të vdekurit dhe duke ndjekur gjurmët e atyre që kanë jetuar si nxënës të Jezusit, edhe ne mbështetemi në udhëtimin tonë dhe përforcojmë adhurimin e Hyjit: të shënuar nga i njëjti Shpirt dhe të bashkuar në të njëjtën liturgji, së bashku me ata që na kanë paraprirë në fe, lavdërojmë dhe i japim lavdi Shenjtërueshmes Trini.
Jemi mirënjohës ndaj Etërve konciliarë që na e kanë rikujtuar këtë përmasë kaq të rëndësishme dhe kaq të bukur të të qenit i krishterë, dhe përpiqemi ta kultivojmë atë në jetën tonë.
(Teksti i plotë i Papa Leonit XIV mbatur në audiencën e përgjithshme, e mërkurë, më 6 maj 2026)
Përkthimi: Rev. “DRITA”

