
Nga Dom Fatmir Koliqi
Ndonëse bota e sotme anon te shpejtësia dhe konsumimi i përditshëm i imazheve kitsch, së fundi të krijuara edhe nga inteligjenca artificiale, me mungesë autenticiteti estetik e shpirtëror, të cilat mund të përkufizohen si maska dhe karikatura të së bukurës – një tundim ky i rrezikshëm për njeriun e sotëm që e privon nga aftësinë për të soditur – megjithatë, soditja dhe mahnitja ndaj të bukurës (së mirë) mbeten akte thellësisht njerëzore që e aftësojnë shpirtin e njeriut për hapje ndaj misterit.
Soditja dhe mahnitja janë dy porta të së njëjtës përvojë shpirtërore. Mahnitja, në aspektin e shkaktares së filozofisë, jep dridhërimat e para të shpirtit përpara së bukurës; çasti kur një e dhënë na pushton dhe na fton të kundrojmë përtej. Soditja, nga ana tjetër, është qëndrimi që e ka shkaktuar çasti i mahnitjes: bëhet banim në atë që na ka mahnitur, një përpjekje për ta përthithur të bukurën jo si objekt, por si dhuratë. Të dyja së bashku e lartësojnë shpirtin në horizonte që nuk maten me kategori utilitariste, dobiprurëse, por me një depërtim të thellë të ekzistencës që lidhet me të matanshëm e përjetshme.
Tradita biblike greke për të përshkruar këtë qenësi të njeriut, e përdor termin kalòs, një fjalë që nuk e ndan estetikën nga etika, por i bashkon në një njësi/akt të vetme: e bukura është njëkohësisht e mirë, dhe e mira është e bukur. Kjo sintezë e mistershme – përbashkim shpirtëror, e shpëton njeriun nga reduktimi, rrudhja e së bukurës në dekor konsumues dhe nga reduktimi i së mirës në moralizëm. Në këtë dritë, e bukura (e mirë) nuk është njëfarë luksi sa për të kënaqur shijen e subjektit, por është nevojë ontologjike e tij: ajo është mënyra se si e vërteta bëhet e prekshme dhe e dashurueshme.
Në këtë kuptim, para disa viteve ishte shprehur Joseph Ratzinger-Benedikti XVI: “Gjuha e artit është gjuhë shëmbëlltyre, e pajisur me një aftësi të veçantë për t’u kuptuar nga njerëzit që flasin gjuhë të ndryshme, por bëhen një para gjuhës të së bukurës, që kuptohet pa fjalë. Udha e së bukurës është e aftë t’i udhëheqë mendjet e zemrat kah i Amshuari e t’i ngrejë deri në lartësitë e Zotit”.
Pikërisht këtë përvojë e mishëron piktura e vitit 1524 e Lorenzo Lotto-s, “Krishti – Hardhi”, në Kishëzën Suardi në Trescore Balneario, e cila ka prodhuar këtë meditim modest për të bukurën e mirë. Në këtë vepër, Krishti paraqitet si hardhi e gjallë, nga e cila degëzohen apostujt, si shenja të bashkimit jetik ndërmjet Hyjit dhe njeriut. Piktori nuk e ka bërë vetëm një kompozim artistik unik, por ka krijuar një teologji të pikturuar: një ikonografi që flet për misterin e bashkimit, për jetën që rrjedh nga burimi hyjnor dhe për bukurinë si shfaqje e kësaj jete. Prandaj, Kishat e pikturuara nuk janë vetëm hapësira liturgjike – të kremtimit të misterit të pranishëm, por edhe vend-soditje dhe vend-mahnitje e së bukurës. Arkitektura, piktura, muzika, heshtja/meditimi – të gjitha këto krijojnë një ambient ku njeriu mëson të shohë ndryshe, të mendoj ndryshe e të jetojë ndryshe. Jo më me një vështrim konsumues, por me një vështrim që pranon, që dëgjon dhe që adhuron. Në këtë përvojë, soditja bëhet lutje, dhe lutja bëhet njohje dhe pranim i së bukurës së mirë.
Shikuar në këtë këndvështrim, kriza e njeriut bashkëkohor nuk duhet ndaluar vetëm te fushat empirike, përkatësisht siç dëgjohet të flitet te ato ekonomike, politike apo psikologjike. Kriza është thellësisht shpirtërore dhe estetike – pjesë e një antropologjie biblike intregrale. Sepse, shoqëria kur humb ndjeshmërinë ndaj së bukurës, humb edhe aftësinë për të njohur të mirën dhe për të dashur të vërtetën. Kur e bukura bie në nivelin e spektaklit, ajo pushon së qenuri udhë drejt transcendencës dhe bëhet thjesht objekt konsumimi. Në këtë mënyrë, njeriu varfërohet në thelbin e tij më të brendshëm, duke mbetur një qenie e materialshme. Prandaj, për të kaluar krizat bashkëkohore është e nevojshme një grishje për edukimin e soditjes të së bukurës, që kuptohet si rikthim te vetvetja dhe te burimi. Është një ftesë për të rizbuluar dimensionin kontemplativ të jetës, për të lejuar që e bukura të na formojë, të na shërojë dhe të na udhëheqë drejt së mirës.
Së fundmi, kurrë nuk duhet kuptuar soditja e së bukurës së mirë si një arratisje nga realiteti apo bota e këtushme, por si një depërtim më i thellë në të. Ajo mëson se realiteti i këtushëm nuk është rreth i mbyllur në vetvete – si një gardh pa shteg, por i hapur drejt një kuptimi më të madh – te një horizont plotnie. Dhe pikërisht aty, në këtë hapje, njeriu e gjen dinjitetin e tij, vetveten e tij të njëmendtë: si qenie që është e thirrur jo vetëm thjesht të jetojë, por të sodisë, të mahnitet, të duaj dhe të marrë pjesë në të bukurën e mirë që e tërheq dhe e tejkalon.

Postimi i Mëparshëm

