LITANITË LAURETANE: 2. SHENJTA MARI, NËNA E HYJIT

Çfarë nderi i madh!

“E prej nga më vjen kjo,” – pyeti një ditë Elizabeta, kushërira e Marisë, – “që Nëna e Hyjit tim të vijë tek unë?” Përgjigjja, natyrisht, është dashuria. Burrat dhe gratë gjithmonë janë ndie krenarë me titujt e nderit apo të famës. U pëlqen të quhen zotëri, zonjë, mbret, mbretëreshë, e kështu me radhë. Ushtarët që i shërbejnë atdheut dhe mbrojnë flamurin e tyre i çmojnë titujt e fituar me meritë. E megjithatë, Maria u drodh para mendimit të titullit më të lartë që mund të jepej ndonjëherë nga vetë Hyji.

Tradita thotë se ajo ishte vetëm me Hyjin, në heshtjen e lutjes, kur Kryengjëlli Gabriel u bë lajmëtari i Lajmërimit. Do të ishte një lavdi e madhe dhe një nder i jashtëzakonshëm të ishe, për shembull, nëna e një Cezari, e një Mbreti, apo e një Presidenti. Por të gjithë këta emra zbehen përpara lavdisë thelbësore të të qenit Nëna e Hyjit. Maria u bë e tillë kur kryengjëlli tha: “Zoti është me ty.”

Një titull i kundërshtuar nga heretikët

Ky dinjitet, i besuar gjithmonë nga Kisha, u vu në dyshim për rreth katërqind vjet, sepse shumë heretikë mohuan mishërimin. Më të zellshmit ndër ta pohonin se Krishti ishte njeri i vërtetë, njeri në shkallën më të lartë, por jo Hyj i vërtetë. Ky gabim, si një zjarr i nxitur nga erërat e kundërta, u përhap në Kishën e hershme të Azisë së Vogël dhe të Greqisë, derisa Ipeshkvinjtë e krishterë u mblodhën në Këshillin e Efesit (431) dhe shpallën si të vërtetë se Krishti është Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë; dhe, si rrjedhojë, Maria është Nëna e Hyjit (Theotokos). Kështu, përshëndetja e Gabrielit përcaktoi misionin e saj: ajo do ta bartte Hyjin dhe do t’ia jepte Hyjin botës.

“Zoti është me ty”

Ata prej nesh që kanë ecur vetëm buzë detit, në pyll, në fusha të hapura apo në majat e maleve, kanë ndier se në zërin e madh e të lirë të natyrës, gjithçka – edhe ajo që duket pa shpirt – i këndon Hyjit një këngë lavdie dhe dashurie. Ai që nuk e ka dëgjuar këtë këngë, është si mërgimtar në Babiloninë e mëkatit, i huaj ndaj harmonive të Hyjit. Sepse nuk ka erë që fryn, as lule që çel, as fije bari që lëkundet, që të mos pëshpëriste në shpirtin që dëgjon atë që engjëlli i tha Marisë: “Zoti është me ty.”

Këto fjalë përmbledhin planin e Hyjit mbi Virgjërën e Bekuar, dhe në to mund të gjejmë edhe qëllimin e jetës sonë. Ne nuk jemi hedhur në brigjet e kohës si mbeturina të detit, të hedhura pa drejtim në breg. Qëllimi kryesor në jetën e Virgjërës Mari ishte të mbushej me Hyjin, ta kishte Hyjin dhe, në plotësinë e kohës, t’ia jepte Atë botës – me fjalë, me shembull dhe në realitetin e Mishërimit.

Një ryevepër e duarve të Hyjit

Që në fillim të jetës së saj, ajo doli e freskët nga duart e Atit të Amshuar, e mbushur me pafajësi dhe e ndriçuar nga hiri i Hyjit. Që në dritat e para të arsyes, ajo pa atë që Hyji i zbulon çdo shpirti, herët a vonë: se gjithçka është kotësi, përveç dashurisë për Të dhe vetëm për Të.

Shumë herë, edhe para Lajmërimit, engjëjt duhet të kenë thirrur nga Qielli drejt saj: “Zoti është me ty.” Kur erdhi plotësia e kohës, qielli heshti dhe Maria e pranoi Krishtin në zemrën e saj, e mbajti në kraharorin e saj. “Zoti është me ty,” këndoi engjëlli; dhe oborret e Qiellit jehuan gjatë e fort: “Zoti është me ty.”

Pranë Hyjit!

Sepse ishte Nëna e Tij, Jezusi ishte me të që nga Lajmërimi deri në Lindjen e Tij; ishte me të në ditët e Betlehemit dhe të Egjiptit. Ishte me të gjatë jetës së fshehtë në Nazaret. Sytë e një Nëne e ruanin, krahët e saj amnorë e përqafonin; shtëpia e saj amnore e mbronte nga të ftohtit e dimrit dhe nga vapa e verës. Ajo ishte Nëna e Tij, dhe Ai ishte me të në varfërinë e Betlehemit, në vetminë e mërgimit, në mundimin dhe lutjen e përditshme; me të si me askënd tjetër më parë, përveç në gjirin e Trinisë Shenjte në Qiell.

Një Nënë që dhuron

Por qëllimi i jetës së Virgjërës së Bekuar ishte edhe t’ia jepte Hyjin botës. Maria kishte nevojë për Hyjin sepse kishte nevojë për dashuri. Megjithatë, madhështia e zemrës së saj amnore nuk mund të pranonte një dashuri egoiste. Nëpërmjet amësisë së saj, Jezusi zgjodhi ta japë Veten për botën.

Mezi e kishte mbajtur për herë të parë në krahë Birin e Hyjit, kur për herë të parë ndër shumë herë të tjera, ia dha Atë Shën Jozefit, të vetmit ndër shenjtë që qëndron i veçantë në shenjtërinë dhe thjeshtësinë e tij.

Ajo ua dha Atë barinjve, atyre burrave të thjeshtë që, duke kryer detyrën e tyre, ruanin kopenë natën. Ua dha Dijetarëve nga Lindja, të cilët, pasi u thirrën, nuk u trembën nga largësia apo vështirësitë e udhëtimit. Ia dha Birin e saj Hyjnor grave aq të ndryshme në ndjeshmëri si Elizabeta dhe Maria Magdalena. Ia dha mëkatarëve. Ia dha me sy të përlotur dhe me zemër të thyer botës, ku Ai u keqkuptua aq shumë dhe u pranua aq pak.

Maria, Nëna e Hyjit, e dha Atë për në Kalvar dhe për në varr; ia dha të gjithëve dhe gjithçkaje, duke dhënë bashkë me Të ngushëllim, shpresë dhe gëzim.

Pa llogaritur çmimin

Ajo nuk e llogariti çmimin. Dhe pikërisht sepse e dha kaq bujarisht dhe me hir, Ai iu kthye asaj – edhe më plotësisht – kur, pas Ngjalljes së Tij, ajo e pranoi sërish nga duart e birit të saj të ri, Shën Gjonit. Vepra e Nënës, sa i përket marrëdhënies së saj tokësore me Jezusin, përfundon këtu. Që prej asaj dite, ajo kalon në heshtje nga faqet e Ungjillit, për të mbetur përgjithmonë në zemrën e Kishës.

Nëna e njeriut të dhembjeve

Ishte një ditë hidhërimi e dhimbjeje, rreth tridhjetë e tre vjet pas Lindjes, kur e njëjta Nënë, me testamentin e fundit të Birit të saj të Njëlindur – të shkruar me Gjakun e Tij të Paçmueshëm mbi shtratin e vdekjes së Kryqit prej druri – u bë edhe Nëna e njerëzimit të shëlbuar.

Errësira misterioze kishte mbuluar Golgotën dhe fjalët: “Ja Nëna jote” ishin ndër të fundit që Krishti i drejtoi një qenieje njerëzore. Aty ishte Shën Gjoni Ungjilltar, si edhe Shën Maria Magdalena. Ajo kishte qenë dikur te këmbët e Tij, në një mbrëmje kur zemra e saj ishte thyer nga mëkati, ndërsa të pasurit e Jerusalemit festonin.

Por tani skena është krejt tjetër. Dritat e sallave të gostive janë shuar; mbetet vetëm errësira e Kalvarit. Zërat e festuesve janë heshtur dhe Jezusi rënkon i vetëm në agoninë e Tij. Vera nuk rrjedh më në kupa; tani Gjaku i Shëlbuesit pikon mbi Kryq dhe bie si bekim shpëtimtar mbi mëkatet e botës.

Ja, një figurë tjetër afrohet: një grua e zbehtë dhe e pikëlluar qëndron nën Kryq. Është sërish Nëna – këtë herë Nëna e Dhembjeve. Ajo ngre sytë, sheh Birin e saj dhe pothuajse copëtohet nga dhimbja; Ai është ende Biri i saj i gjallë; Ai është ende Ai që jetën njerëzore ia detyron asaj.

Nëna e njerëzve

Në atë çast, amësia e saj mori një përmasë të re; ishte Lajmërimi i dytë i amësisë së saj – amësia për njerëzit: “Ja biri yt.” Jezusi ia besoi Shën Gjonin kujdesit të saj amnor; dhe që nga ajo orë, Kisha në lutjet dhe përkushtimet e saj e ka parë gjithmonë Nënën e Jezusit si edhe Nënën e mbarë njerëzimit që Ai e shëlboi.

Që nga ajo ditë e dhimbjes hyjnore, bota katolike e ka marrë Marinë në zemrën e vet, duke i dhënë asaj dashuri, nderim dhe devocion, ashtu si fëmija më i dashur do t’ia jepte nënës së vet tokësore. E ka quajtur Nënë dhe është strehuar, në gëzime e në pikëllime, nën mantelin e mbrojtjes së saj të Papërlyer. Pas Birit të saj, ajo është gjithçka për ne në dashuri dhe në dinjitet.

Një Nënë e lënë pas dore

Fatkeqësisht, ajo është edhe një Nënë e lënë pas dore nga njeriu modern. Në dekadat e fundit, përkushtimi ndaj saj, siç shprehet Fr. Frederick William Faber, është bërë “i zbehtë, i dobët dhe i varfër. Maria nuk predikohet sa duhet. Nuk është tipari i spikatur i fesë sonë që duhet të jetë.”

Kur mungon dashuria ndaj saj, edhe dashuria për Jezusin zbehet; heretikët nuk kthehen; Kisha nuk lartësohet siç duhet; shpirtra që mund të bëheshin shenjtër thahen e zbehen; Sakramentet nuk frekuentohen me zjarr; ungjillëzimi humb entuziazmin e tij. Jezusi mbetet në hije sepse Maria mbahet në plan të dytë. Mijëra shpirtra humbasin sepse u mohohet Nënë e tyre.

Siç shkruan Faber në parathënien e përkthimit të veprës True Devotion to Mary” (Shën Luigj Maria Grinjion de Montfor), është pikërisht përkushtimi i dobët ndaj Virgjërës së Bekuar ai që sjell këtë ftohtësi, këtë varfëri shpirtërore dhe këtë rënie në jetën e fesë.

Nën Kryq, Maria u bë jo vetëm Nëna e Hyjit, por edhe Nëna jonë – dhe prej asaj dite, çdo besimtar mund të dëgjojë si drejtuar atij fjalët e Krishtit: “Ja Nëna jote.”

Dinjiteti i saj

Sepse është Nëna e Hyjit, thotë Tomë Akuini, Virgjëra e Bekuar ka një lloj dinjiteti që është, në njëfarë mënyre, i pafund, sepse buron nga Hyji i pafund; prandaj nuk mund të ketë asgjë më të lartë se ky dinjitet, sikurse nuk mund të ketë asgjë më të lartë se vetë Hyji.

Maria është Nëna e Hyjit, sepse Biri i saj është Hyj. Ajo është Nënë për të njëjtën arsye që çdo grua është nënë e fëmijës së saj. Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se Maria nuk i dha Birit të saj Natyrën Hyjnore dhe, për këtë arsye, nuk mund të quhet Nëna e Hyjit. Por asnjë nënë nuk i jep fëmijës së vet shpirtin shpirtëror, i cili është dhuratë e drejtpërdrejtë e Hyjit. Megjithatë, ajo mbetet vërtet nënë e tij.

Po kështu, Maria nuk është aspak më pak Nënë e Birit të saj, edhe pse shpirti dhe Hyjnia e Tij nuk erdhën prej saj. Gratë e tjera me të drejtë quhen nëna të njerëzve; po kështu, Maria me të drejtë quhet Nëna e Hyjit.

Hyji, duke na dhënë Marinë si Nënën tonë — Marinë e Betlehemit, Marinë e Kanës, Marinë që qëndroi pranë Kryqit — i drejtohet natyrës sonë njerëzore, e cila i përgjigjet aq thellë emrit “Nënë”. Është vullneti i Tij që, përmes Marisë, të mësojmë diçka nga butësia pafundësisht më e madhe e dashurisë së Tij për ne.

E përmbyllim këtë meditim mbi amësinë e Marisë me lutjen e Kishës për festën e ditës kur ajo u bë Nënë:

“O Hyj, Ti që deshe që Fjala jote, me lajmërimin e engjëllit, të merrte mish në kraharorin e Virgjërës së Bekuar Mari; bëj që ne, që e besojmë atë me të vërtetë Nënë të Hyjit, të ndihmohemi nga ndërmjetësimi i saj. Amen.”

Teksti është marr nga: https://devotiontoourlady.com/meditations-on-the-litany-of-our-lady.html

Përthimi dhe përshtatja për revistën “Drita” nga Adelina Palushi

Shpëndaje: