Dëshmitarë të Ungjillit nëpërmjet unitetit

Filli i kuq i magjisterit të Leonit XIV mbi misionin, janë fjalët e Jezusit: “Nga kjo do t’ju njohin të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin”

 

Paqja dhe uniteti i Kishës janë dy tema të përsëritura dhe kryesore të vitit të parë të papnisë së Leonit XIV dhe Papa vazhdon të kërkojë lutje për këto njete.

Ndërsa paqja është bërë diçka e ngutshme, për shkak të përhapjes së konflikteve të pakuptimta dhe të gërryerjes së vijueshme të së drejtës ndërkombëtare, uniteti i Kishës është një fill i përbashkët që përshkon të gjithë mësimin e Ipeshkvit të Romës, i lindur në Çikago dhe misionar në Peru.

Mënyra se si Leoni i përsëriti thirrjet e tij për bashkimin e besimtarëve në Krishtin është veçanërisht domethënëse dhe nuk ka të bëjë fare me nevojën për “normalitet” ose një qetësi që i zbut dallimet dhe ndoshta edhe konfliktet. Papa e shpjegoi këtë qartë në fjalimin e tij drejtuar kardinalëve gjatë koncistorit të jashtëzakonshëm të 7 janarit 2026, kur, duke paraqitur perspektivën konciliare të Papave paraardhës të tij, foli për kumtin që përcjell Kisha, duke cituar këto fjalë të Benediktit XVI: “Kisha nuk bën prozelitizëm. Përkundrazi, ajo zhvillohet me anë të «tërheqjes» që ushtron: ashtu si Krishti ‘i tërheq të gjithë nga vetja’ me fuqinë e dashurisë së tij, duke kulmuar te sakrifica e Kryqit, kështu edhe Kisha e përmbush misionin e saj në atë masë që, e lidhur me Krishtin, ajo kryen të gjithë punën e saj në përputhje shpirtërore dhe konkrete me dashurinë e Hyjit të saj.”

Papa Leoni, pasi kujtoi se paraardhësi i tij i menjëhershëm “qe plotësisht dakord me këtë qëndrim dhe e përsëriti atë shumë herë në kontekste të ndryshme”, shtoi: “Sot marr përsëri me gëzim këtë qëndrim dhe po e ndaj me ju. Dhe ju ftoj ju dhe veten t’i kushtojmë vëmendje të madhe asaj që Papa Benedikti na e dëftoi si “forcën” që udhëheq këtë qëndrim “aktrasioni”: kjo forcë është Karizma, është Agape, është Dashuria e Zotit që u mishërua në Jezu Krishtin…”

Leoni XIV e pati pohuar këtë edhe dy ditë pas zgjedhjes së tij, më 10 maj 2025, kur u takua me kardinalët:

“Dashuria e Krishtit na shtyn sepse na sundon, na mbështjell, na robëron. Kjo është forca që i tërheq të gjithë drejt Krishtit… Uniteti tërheq, përçarja shkapërndan. Më duket se edhe fizika e konfirmon këtë, si në mikrokozmos ashtu edhe në makrokozmos. Prandaj, për të qenë një Kishë vërtet misionare, domethënë e aftë të dëshmojë forcën tërheqëse të dashurisë së Krishtit, së pari duhet të vëmë në zbatim urdhërimin e Tij, të vetmin që Ai na dha, pasi u lau këmbët dishepujve: ‘Siç ju kam dashur unë, ashtu edhe ju duhet ta doni njëri-tjetrin.’”

Fjalët e Jezusit në këtë drejtim tregojnë thelbin e misionit: “Nga kjo të gjithë do ta dinë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.” Uniteti i Kishës, pra, manifestohet në këtë aftësi për të përjetuar, nëpërmjet hirit, marrëdhënie të reja me vëllezërit dhe motrat tona. Ai shfa qet në këtë aftësi për të dashur dhe falur njëri-tjetrin, duke nxjerrë në pah bashkimin që, në përvojën e krishterë, mbizotëron mbi çdo ndryshim dhe ndarje. Ai manifestohet në këtë aftësi për të kapërcyer përplasjet dhe konfliktet duke pranuar se të gjithë jemi të thirrur, të gjithë mëkatnorë të falur që kanë nevojë për mëshirë dhe shërbëtorë të padobishëm, të gjithë të mbështjellur njësoj me një dashuri të pafundme që nuk e kemi merituar. Ai manifestohet në aftësinë për të jetuar sinodalitetin, i cili nuk është gjë tjetër veçse mënyra konkrete e të qenit në bashkim në Kishë.

Vetëm kur jeton në këtë mënyrë, komuniteti i krishterë tërheq të tjerët. Dhe tërheq kur nuk është egoist, kur nuk mendon të shkëlqejë me dritën e vet ose të imitojë strategjitë e marketingut të agjencive të reklamave, kur nuk nxit polarizim ideologjik. Bashkësia e krishterë tërheq, dhe për këtë arsye është misionare, kur reflekton, përmes unitetit të saj, duke ditur si t’ua ofrojë të gjithëve atë përqafim mëshire që vetë e përjetoi për herë të parë dhe vazhdon ta përjetojë ditë pas dite në takimin e saj me Krishtin.

Uniteti i Kishës nuk është konformizëm apo jetë e qetë, por fryt i një dashurie që na mbështjell dhe dëshiron të rrezatojë kudo, duke bërë që bashkimi të mbizotërojë mbi egoizmin, bashkësia mbi përçarjen, butësia mbi arrogancën, fjalët e paqes mbi gjuhën e urrejtjes që për fat të keq e prek kaq shumë botën dixhitale.

Uniteti i Kishës nuk i përket vetëm të krishterëve, madje as vetëm besimtarëve. Papa Leoni e shpjegoi këtë në Meshën që përuroi shërbesën e tij në fronin e Shën Pjetrit, duke shprehur “dëshirën e madhe” për “një Kishë të bashkuar, një shenjë uniteti dhe bashkësie, që bëhet kulmi i një njerëzimi të pajtuar”, duke e ftuar botën të shikojë drejt Krishtit, t’i afrohet Atij, të dëgjojë “propozimin e Tij të dashurisë për t’u bërë familja e Tij e vetme: në Krishtin e vetëm, ne jemi një. Dhe kjo është rruga që duhet të ndjekim së bashku, midis nesh, por edhe me Kishat tona simotra të krishtera, me ata që ndjekin rrugë të tjera fetare, me ata që kultivojnë kërkimin e paduruar për Zotin, me të gjitha gratë dhe burrat vullnetmirë, për të ndërtuar një botë të re ku mbretëron paqja”.

Në këto çaste dramatike për historinë e njerëzimit, në një botë të copëtuar nga lufta, uniteti i Kishës është një profeci paqeje për të gjithë./ R.SH. Vatikan

Shpëndaje: