PËRVJETOTRI I PARË I PAPNISË SË LEONIT XIV: THIRRJA PËR PAQE, UDHËTIMET APOSTOLIKE DHE MISIONI I TIJ SI BARI I KISHËS

Më 8 maj 2026, Papa Leoni XIV kremton, dhe ne bashkë me të, përvjetorin e parë të zgjedhjes së tij në Selinë e Shën Pjetrit. Dymbëdhjetë muaj plot me audienca, takime, mesazhe, dy shtegtime të gjata në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, koncistor me Kolegjin e Kardinalëve, rregullore dhe përtëritje të Kuries Romake dhe angazhim për paqen, shprehur në thirrje të fuqishme dhe punë diplomatike prapa «skenave»

R.Sh. Vatikan

«Habemus Papam» – u zgjodh Papa i ri! Ky lajm, kumtuar latinisht, më 8 maj 2025, u prit nga njerëzit me një brohoritje të madhe që u ngrit nga sheshi i Shën Pjetrit bashkë me tymin e bardhë nga oxhaku i Kapelës Sistine. Pastaj erdhi njoftimi në orën 19:12 të darkës: “Robertum Franciscum…” Në fund fare, pas perdeve të rënda prej kadifeje të Lozhës së Bekimeve në orën 19:23, u shfaq, me një mocetë të kuqe, me duart e bashkuara dhe me buzëqeshje të këndshme dhe me sytë e përlotur nga emocionet, Papa i ri: Robert Francis Prevost, me emrin Leoni XIV, pasardhësi i 267-të i Pjetrit.

“Paqja qoftë me ju të gjithë!”

Në muzg, pikërisht në këtë ditë, dymbëdhjetë muaj më parë, historia dymijëvjeçare e Kishës çeli një kapitull të ri me zgjedhjen e një Pape të ri, mbas një konklave të rrufeshme ku merrnin pjesë 133 kardinalë. Papa i parë nga Shtetet e Bashkuara, lindur 69 vjet më parë në Çikago, peruvian në shpirt pas më shumë se njëzet e dy vjetësh që pati kaluar në këtë shtet të Amerikës Latine; një “bir i Shën Augustinit”, urdhër të cilit i shërbeu si Epror i Përgjithshëm dy herë radhazi. Një Papë me rrënjë të përziera, ekspert në matematikë, si dhe në gjuhë dhe në të drejtën kanonike, famullitar dhe ipeshkëv në rrugët me pluhur të Çulukanas, Truhijos dhe Çiklajos, dhe kardinal Prefekt i Dikasterit për Ipeshkvijtë.

Përpjekjet për paqe

Për këtë paqe – “të çarmatosur dhe çarmatosëse” – siç e përkufuzoi ai vetë më 8 maj, me një shprehje që u bë shenjë dalluese e papnisë së tij – Papa Leoni XIV ka bërë thirrje të fuqishme gjatë gjithë këtij viti. E filloi me “Kurrë më luftë!” gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, nga Lozha e Bekimeve e deri kur drejtoi gishtin kundër luftënxitësve, duart e të cilëve “pikojnë gjak” gjatë Meshës të së Dielës së Larit (29 mars).

Për paqen, Leoni u takua edhe me përfaqësues të Hezbollahut në Liban, priti presidentët e Palestinës dhe Izraelit, Abbas dhe Herzog, për të përsëritur me të dy urgjencën e armëpushimit në Gaza dhe zgjidhjen «Dy shtete – dy kombe», dhe pati biseda telefonike me disa udhëheqës të shteteve në luftë, përfshirë këtu presidentin rus Vladimir Putin, i cili gjatë papnisë së Papa Françeskut nuk kishte shfaqur shenja dialogu.

Thirrje botërore dhe puna “pas perdes”

Leoni XIV, në veçanti, ka nxitur punën diplomatike për paqen, ndoshta më pak të dukshme për publikun e gjerë dhe vëmendjen e medias, por  mjaft e dobishme për çështjen fisnike të së mirës së popujve, objektiv kryesor i Kishës. Kjo punë është “prapa perdes”, siç u rrëfeu ai vetë gazetarëve në fluturimin e kthimit nga Libani.

Këto deklarata të Papës flasin për nisma të nisura në këtë vit të parë të papnisë së tij, duke filluar me ofertën e parë, vetëm disa ditë pas zgjedhjes së tij, për të çelur dyert e “Pallateve Apostolike” për të pritur bisedimet ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës. Ky propozim u prit me skepticizëm nga rusët por me  entuziazëm nga ukrainasit.

Ndërkaq Castel Gandolfo, rezidenca verore e papëve, është bërë mjaft familjare për shumë gazetarë të cilët, çdo të martë në mbrëmje, takohen me Papën për të pasqyruar deklaratat dhe gjykimet e tij rreth çështjeve aktuale, ose thirrjet që gjithmonë synojnë t’i nxisnin “udhëheqësit e botës” që t’i japin fund luftës dhe të punojnë për paqen “jo me armë”, por “me dialog”, ashtu sikurse pas sulmit të SHBA-së kundër Iranit, Leoni XIV i nxiti bashkëkombësit e tij amerikanë “të gjejnë mënyra për të komunikuar me ‘anëtarët e Kongresit’, për të thënë se ne nuk duam luftë, duam paqe!” Ky veprim i pashembullt shkaktoi reagimin e administratës së Shteteve të Bashkuara, me presidentin Donald Trump që e kritikoi ashpër Papën, pikërisht ditën kur Papa po nisej për në Algjeri. Papa nuk iu përgjigj këtyre kritikave, por kujtoi rolin dhe misionin e tij: atë të një “bariu”, jo të një “politikani”.

Shtegtimi në Afrikë

Dhe shpallja e Ungjillit nga Papa Leoni, si misioni kryesor i Pasardhësit të Pjetrit, jehoi në rrugët dhe sheshet, stadiumet dhe kishat e katër vendeve afrikane që ai vizitoi. Thirrjet e Papës për një paqe që “nuk duhet shpikur, por vetëm duhet mirëpritur” në vende si Bamenda, Kameruni veriperëndimor, i shkatërruar nga lufta separatiste; thirrja për vëllazëri në Algjerinë 90% myslimane; thirrja për drejtësi që bëri në burgun Bata, në Guinenë Ekuatoriale, para 630 të burgosurve nën shi, dëshmojnë fort për këtë mision të Papës.

Udhëtimi në Turqi dhe në Liban

Ky udhëtim afrikan ishte plot me veprime simbolike. Ishte një udhëtim që Leoni kishte dëshiruar me padurim ta ndërmerrte, siç dëftoi ai vetë gjatë fluturimit për në Algjer, që nga fillimi i papnisë së tij.  Udhëtimi në Turqi ishte për të përkujtuar 1700-vjetorin e Koncilit të Nikesë. Më pas, Leoni XIV fluturoi për në Liban për t’u shprehur afërsinë e Zotit atyre që janë lodhur nga lufta, kriza, varfëria dhe nga imigracioni. Përveç të tjerëve, u takua edhe me Patriarkun orotodoks Bartolomeun.

Riarmatimi, dhuna dhe forca

Fjala e Papës kundër dhunës u pasqyrua me forcë në mesazhin e tij për Ditën e 59-të Botërore të Paqes, ku Papa denoncoi “sa e palogjikshme është marrëdhënia midis popujve” kur bazohet “te frika dhe forca”, në vend që të bazohet te drejtësia, besimi dhe dialogu.

Dhe «dialogu» është ndoshta fjala e përsëritur më shpesh në fjalimet, predikimet, përshëndetjet dhe reflektimet e Leonit XIV në këtë vit të parë të papnisë së të tij. Dialogu është çelësi për të hapur çdo derë të mbyllur, urë për të kapërcyer çdo lum.

Vëmendja kushtuar migrantëve

Përveç detyrave të shumta që ka shqyrtuar, Leoni XIV gjatë këtij viti në fronin papnor ka folur shpesh edhe për çështjen e migrimit, duke denoncuar fort trajtimin që i është rezervuar mijëra migrantëve, sikur të ishin “mbeturina”, sikurse tha ai vetë në fjalimin drejtuar «Lëvizjeve Popullore», ose si “kafshë”, fjalë që përdori gjatë udhëtimin të tij të kthimit nga Guinea Ekuatoriale.

Papa ka vendosur ta përjetojë nga afër tragjedinë e migracionit dhe pasojat e tij me vizitën që do të zhvillojë në Lampedusa më 4 korrik, një ishull italian që ende e ka të freskët vizitën historike të Papa Françeskut në vitin 2013. Më pas, Leoni XIV do të shkojë në Ishujt Kanarie si pjesë e udhëtimit të tij apostolik në Spanjë, që do të zhvillohet nga 6 deri më 12 qershor. Përveç Madridit dhe Barcelonës, Papa do të vizitojë edhe Gran Canaria-n dhe Tenerife-n, për të përkujtuar turmat e atyre që kanë mbërritur si emigrantë në këto ishuj tash sa vjet.

Thirrja apostolike «Dilexi te» dhe përqëndrimi te nevojtarët

Misioni Papnor për emigrantët është thjesht baritor, fryt i përqendrimit tek njerëzit më nevojtarë, gjë që është në thelb të Ungjillit dhe të misionit të Kishës. Papa e kujtoi këtë temë te «Dilexi te», nxitja e parë apostolike që nënshkroi më 4 tetor. Aty, Papa denoncon ekonominë që vret, mungesën e barazisë, dhunën kundër grave, mungesën e bukës për njerëzit, krizën arsimore dhe “strukturat e padrejtësisë” që “duhet të shkatërrohen me fuqinë e së mirës”.

Ekumenizmi dhe krijimi

Rrugë të tjera që çeli Papa Bergoglio dhe përgjatë të cilave Leoni XIV po ecën janë ato të dialogut, ekumenizmit dhe gjithashtu të respektimit të Krijimit, domethënë të gjithçkaje që ka krijuar Zoti. Ky angazhim u ripohua edhe gjatë momentit historik me sovranët e Anglisë, Karlin III dhe Kamilën, në mëngjesin e 23 tetorit, në Kapelën Sistine, ku u zhvillua një kremtim për të lavdëruar Zotin Krijues. Kjo ngjarje forcoi rrugën drejt unitetit, si përpjekje për të kapërcyer përçarjet që sot duken edhe më “shkandullore”, siç përsëriti Leoni XIV në audiencën e tij me kryeipeshkvin e Canterbury-t, Sarah Mullally, gruaja e parë që po mban detyrën e Primatit të Kishës Anglikane. Mullally u emërua në këtë detyrë më 27 prill, gjashtëdhjetë vjet pas “takimit të paharrueshëm” midis kryepeshkvit Michael Ramsey dhe Shën Palit VI, takim që shënoi dialogun e parë teologjik ndërmjet anglikanëve dhe katolikëve.

Reformat në Kurien Romake

Në vitin 2026, Papa bëri gjithashtu emërimet e para të rëndësishme të brendshme: dy krerët e dikastereve, imzot Filippo Iannone, prefekt për Ipeshkvijtë dhe imzot Anthony Randazzo, prefekt për Tekstet Legjislative. Po ashtu u caktua zëvendësuesi i ri për Sekretariatin e Shtetit, kryeipeshkvi Paolo Rudelli, i cili zëvendësoi imzot Edgar Peña Parra. Po ashtu, u emërua prefekti i ri i Familjes Papnore, imzot Petar Rajič.

Burimi R.SH. Vatikan

Shpëndaje: