Fishta në raport me poezinë dhe folklorin

Tonin Çobani dhe Don Ndue Ballabani, GJERGJ FISHTA POETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE… dhe një album fotografik, Botimet Fishta & Drita, Tiranë, Prishtinë 2023.

 

Nga Xhavit Beqiri

 

Ky botim përmban pesë pjesë: Kreu I Improvizime fishtjane; Kreu II Motra e Gjergj Alisë dhe Antigona; Kreu III Ç’u këput një buzë prej malit; Kreu IV Një reagim për vargun heroik kombëtar, dhe Kreu V Disa përfundime (edhe anglisht Some conclusions).

Botimi nis me një citat nga një pohim i Gjergj Fishtës për poezinë popullore shqipe: “Shqiptari nder poezi të veta nuk këndon për të tjerë: ai këndon për vete… pranej këndon lirisht si të ishte i vetëm mbi këtë botë.. mbi ato majat e maleve të tij, ku ai veten e mban mbret. Asht, pra, poezia popullore shqipe një ode e rendit të parë, aq sa s’ka shumë vjet, shkruante filologu i përmendun i Universitetit të Gracit, prof Mayer, se poezia popullore shqipe prej pikëpamjes estetike asht ma e bukura nder të gjitha të tjerat e Europës”.

Autorët e këtij botimi pohojnë se “Fishta ka folur për folklorin duke nxitur mbledhjen dhe studimin e tij ndër kolegët françeskanë”, ndërsa sipas Benedikt Demës, “ai ka shkruar edhe parathënien e vëllimit të parë të Visarit Kombëtar, kangë popullore gegnishte, rendue prej A. Vinçenc Prennushit” (Sarajevë, 1911).

Ky libërth ofron të dhëna për fëmijërinë e Gjergj Fishtës, Zefit të vogël, për fillet e shkollimit të tij dhe talentin e hershëm për të krijuar vargje autoriale, të cilat, së pari i botoi te revista Albania e Faik Konicës. Po ashtu, në këtë botim gjejmë të dhëna për raportin e Fishtës me folklorin, por edhe me mitologjinë. Jepen shembuj konkretë nga variantet e këngëve popullore dhe varianteve në të cilat shfaqen ato këngë në krijimet e Fishtës, për mënyrën se si i inkorporonte Fishta vargjet e rapsodive popullore në tekstet e veta autoriale, për ndryshimet që u bënte si në planin tematik, ashtu edhe në strukturën e vargjeve etj.

Transformimi semantik e strukturor i vargut popullor në krijimet e Fishtës është ilustruar me “këngën” Gjergj Elez Alia (varianti i Fishtës në Lahuta e Malcís) dhe Gjergj Elez Alia, varianti i Tropojës sipas At Bernardi Palajt dhe At Donat Kurtit.

Në këtë botim bie në sy vlerësimi që i ka bërë Fishta punës së mirë të dr. Gjergj Pekmezit, i cili, ndonëse në mërgim, “e përshkroi me shkronja shqipe, e përktheu shqip dhe e radhiti “Bletën Shqiptare” të Thimi Mitkos. Me tej, në kreun IV, autorët e trajtojnë një polemikë që pati Gjergj Fishta me Zalvin (Zef Valentinit) për çështjen e vargut heroik kombëtar (tetë apo dhjetë rrokësh).

Gjithashtu, në këtë botim janë përfshirë fotografi të ndryshme, mjaft pikante, nga jeta dhe veprimtaria e Fishtës, të cilat lexuesit i ndihmojnë ta krijojë një panoramë më të plotë për personalitetin e gjithanshëm të Poetit Kombëtar si e pati cilësuar që moti Eqrem Çabej.

(Paraqitje në mbrëmjen e prezantimit të botimeve të Sh. B. “Drita”, Prishtinë, më 22 shkurt 2024. Titulli është i redaksisë)

Shpëndaje: