In memoriam: Don Kelmend SPAQI (1962 – 2026)

Nga Don Lush GJERGJI

 

Të nderuar argjipeshkvi Rrok Gjonlleshaj dhe Zef Gashi, meshtarë, besimtarë, njerëz të vullnetit dhe zemrës së mirë, familjarë të Don Kelmendit,

Unë kumtesën time do ta përmbledh në katër pika: NJERI, BESIMTAR, MESHTAR DHE DËSHMITAR

NJERI – Don Kelmendin, apo si e kam quajtur gjithnjë, Don Butin, e kam njohur për së afërmi fill pas shugurimit dhe Meshës së parë, si bashkëpunëtor në Ferizaj, së bashku me Imzot Nikë Prelën, në vitin 1988. Ishte njeri me mendje dhe zemër të hapur për të gjithë, i gatshëm për të takuar çdo njeri, për të biseduar dhe dialoguar në kërkim të së mirës së përbashkët, pa i ndarë njerëzit në besimtarë apo jobesimtarë, të mirë apo të jo të mirë, të krishterë apo jo të krishterë, të afërt apo të largët, miq apo armiq… Sipas Shën Palit ai ishte për të gjithë gjithçka që t’i përfitonte për qiell dhe për amshim.

Virtyti i dytë i Don Kelmendit ishte njeri në bisedim, dialog dhe komunikim, si mënyrë jetese dhe veprimtarie, duke garantuar në thjeshtësinë dhe çiltërinë.

Shpesh më thoshte kështu: të gjithë njerëzit janë të mirë, kush më shumë e kush më pak, janë vëllezër dhe motra tona. Mu për këtë duhet të aktivizojmë në mirën në ata, dhe pastaj do të dëshmohet se sa vlen jeta e tillë, është si një lloj pune në tokën e papunuar, si mbjellje e farës së mirë, e cila herë do – kur do të sjellë fryte, ndoshta vetëm në amshim.

Dashuria zgjon në të gjithë njerëzit nevojën dhe dëshirën për komunikim me Zotin – Dashuri dhe me Vëllain apo motrën Njeri. Egoizmi, mbyllja në vete, është tundim djallëzor, që domethënë vdekje para vdekjes, të jesh i vetmuar, pa Zotin dhe të afërmin.

BESIMTAR – që të mund të zbatohet dhe rritet këtu kemi nevojë për fe dhe dashuri. Ai vërtet ishte besimtar i angazhuar, dhe nëpërmjet fesë dhe dashurisë shikonte, vlerësonte dhe trajtonte çdo njeri si vëlla apo motër,

Pa fe – pa Zotin, ne jemi në terr dhe në robëri, nën ndikimin dhe diktaturën e indiferentizmit, materializmit, konsumizmit, hedonizmit dhe ateizmit praktik, duke trajtuar vetveten dhe të tjerët si gjësend, objekt, jo persona njerëzore, të krijuar në përngjasim të Zotit, ku çdo gjë që duam apo mundemi është e lejueshme dhe e “mirë”.

MESHTAR – i cili si ideal dhe frymëzim e kishte vetë Jezu Krishtin, Zotin e mëshiruar, i cili flijohet dhe dhurohet deri në vdekje në kryq dhe në varr, për shpëtimin tonë, të çdo njeriu. Ai nuk bënte dallime fetare, kombëtare, gjinore, por sipas shembullit të Shën Nënës Terezë, ishte, njihet, donte dhe shërbente Jezusin në çdo njeri. Pro – ekzistenca e Krishtit është ideal i çdo meshtari katolik, duke garuar në shërbime, flijime dhe dhurime, sidomos para, gjatë dhe pas Luftës në Kosovë, në Gllogjan, ku ishte mbrojtës i jetës dhe identitetit kombëtar dhe fetar për të gjithë. Aty kishte rrezikuar edhe jetën e tij në mbrojtje të popullatës së pafajshme, pa asnjë dallim dhe përjashtim. Aty e kishte merituar edhe titullin “meshtari i popullit” duke dhënë një dëshmi të fuqishme dhe bindëse të fesë dhe dashurisë së krishterë.

Bashkimi në dallime ishte ideali i fesë dhe jetës së tij meshtarake, sidomos gjatë Pajtimeve të Gjaqeve, në veprimtarinë bamirëse të Shoqatës së Kosovës “Nënë Terezë”, si dhe në sistemin paralel shkollor dhe shëndetësor.

Don Kelmendi ishte dhe mbeti meshtar i Krishtit, Kishës dhe Popullit.

DËSHMITAR – i fesë dhe dashurisë ndër ne, shpresoj edhe ndër ju. “Çka u keni bërë më të vegjëlve, ma keni bërë mua” thotë Jezusi, duke u identifikuar me çdo njeri. Pa fe – Zot dhe vëllezër, jeta do të ishte e zymtë dhe tejet e rëndë, pa shije dhe kuptim, ndërsa vdekja do të korre gjithëçka fitore.

Nëse Zoti identifikohet me çdo njeri, pa dallim feje, kombi, moshe, gjinie, atëherë Shën Nëna Terezë është pikërisht zbatimi i fesë në dashuri për çdo njeri, sidomos për nevojtarë dhe të varfër, apo dashuria në veprim.

Mu për këtë vëllai ynë meshtari Don Kelmendi e pati si ideal Krishtin, ndërsa si zbatim të këtij ideali, Shën Nënën Terezë,

Tash, nga jeta e pasosur, ai sheh së bashku me Jezusin e ngjallur, në shoqëri me shenjtër dhe shenjtëresha, më thellë, më mirë, më larg si dhe të gjithëve na dëshmon: të besosh dhe të dashurosh mbi të gjitha Zotin, dhe të afërmin si vetveten, si Krishti, ia vlen, është siguri dhe garanci e amshimit të lumtur, fara e mirë e cila do të japë fryte tash dhe në pavdekësi.

Për këtë dhe shumë të mira të tjera që i ke bërë dhe dhuruar ndër ne dhe për ne, Zoti të shpërbleftë me amshimin e lumtur!

Njerëzit, besimtarët, meshtarët, dëshmitarët si Don Klemendi, lindin rrallë dhe nuk vdesin kurrë!

Jepi, o Zot, pushimin e pasosur. I shndrittë drita e pambaruar! Pushoftë në Paqe! Amen!

 

(Fjala e plotë në Akademinë përkujtimore për Don Kelmend Spaqi, në Tivar, e diela e tretë e Pashkëve, 19 prill 2026)

Shpëndaje: