Në Bazilikën Shën Maria e Madhe u kremtua mesha për 1-vjetorin e kalimit në amshim të Papa Françeskut

Në Bazilikën Liberiane, u lut Rruzarja dhe u kremtua Mesha për përvjetorin e parë të vdekjes së Papës argjentinas, kurse Papa Leoni, nga Afrika, ku po gjendet në vizitën e tij apostolike, dërgoi një mesazh në të cilin kujtoi se “vdekja nuk është një mur, por një derë që hapet drejt Mëshirës që Papa Françesku e ka shpallur pa u lodhur”.

 

Nga Benedetta Capelli – Qyteti i Vatikanit

 

Ai trëndafili i bardhë i vendosur pranë emrit “Franciscus” është shenjë e asaj që nuk vyshket, e asaj që nuk vdes; është aty dhe kujton se jeta e amshuar është një dritë e zbehtë, por gjithsesi dritë, pastërti, por mbi të gjitha dashuri për një Atë që ka dhënë kaq shumë për botën, siç kujtoi pikërisht sot Papa Leoni XIV gjatë fluturimit drejt Guinesë Ekuatoriale. Mbi varrin e Françeskut në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe (Santa Maria Maggiore) gjendet riprodhimi i kryqit pektoral që e ka shoqëruar për pjesën më të madhe të jetës; përpara është zbukuruar me lule të bardha dhe të verdha, ruhet nga gardistët zviceranë dhe xhandarmëria, dhe prej një viti është bërë vend shtegtimi: gjatë Jubileut të të rinjve, vetëm në katër ditë, aty kanë qëndruar rreth 100 mijë persona.

Leoni kujton Françeskun: ka dhënë shumë dhe ishte dhuratë për Kishën dhe botën

Gjatë fluturimit nga Angola drejt Guinesë Ekuatoriale, ndalesa e fundit e udhëtimit apostolik, Papa kujton me dashuri pararendësin në ditën e përvjetorit të parë të vdekjes së tij.

Nuk janë numrat që përshkruajnë trashëgiminë e Françeskut; është diçka shumë më tepër. Me kalimin e kohës bëhet gjithnjë më e qartë vizioni i tij profetik për një botë në ndryshim të vazhdueshëm dhe për një Kishë që ecën mbi “Ungjillin e mëshirës”. Kështu shkruan Papa Leoni në një mesazh të lexuar më 21 prill gjatë Meshës në Bazilikë, ku thekson se “kujtesa e tij është e gjallë në Kishë dhe në botë”.

Një pllakë për të vulosur një lidhje dashurie

Françeskut, i cili kishte zgjedhur këtë vend për varrim, “në tokë, thjesht, pa zbukurime të veçanta”, i besohen lutje dhe dëshira. Sot, në Dies Natalis, ai kujtohet me Rruzaren e drejtuar nga kryeprifti i Bazilikës, kardinali Rolandas Makrickas, ku merr pjesë edhe vikari i Papës për dioqezën e Romës, kardinali Baldo Reina.

Në kapelën Pauline, ku bëhet lutja, ndodhet Nëna, ikona Salus Populi Romani, së cilës Françesku i besonte udhëtimet e tij apostolike dhe që e nderoi 126 herë. Tek Virgjëra ai vendoste dhimbjet dhe shqetësimet e botës; asaj iu drejtua edhe në momentin e paharrueshëm të lutjes në Sheshin e Shën Pjetrit, më 27 mars 2020, kur pandemia shkaktonte frikë dhe izolim.

Në fund të Rruzares, kardinali arkipret zbuloi një pllakë përkujtimore në anën e djathtë të kapelës, për të kujtuar lidhjen e veçantë ndërmjet Papës Françesku dhe Salus Populi Romani. Mbishkrimi në latinisht thotë: “Françesku, Papa i Madh, që u ndal 126 herë në lutje të përkushtuar para Salus Populi Romani, sipas vullnetit të tij pushon në këtë Bazilikë Papnore. 21 prill 2026, përvjetori i parë i vdekjes”.

Një kujtim i gjallë

Është kardinali Giovanni Battista Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve, ai që kremton Meshën përkujtimore në një Bazilikë të mbuluar nga një dritë e butë. “Një vit pas kalimit nga kjo tokë në shtëpinë e Atit – thekson kardinali Re – kujtimi i gjallë i Françeskut është në mendjet dhe në zemrat e të gjithëve. Nga Afrika, Papa bashkohet me ne dhe është shpirtërisht i pranishëm”.

Dera e Mëshirës

Pas Ungjillit, kardinali Re lexon mesazhin e Papës Leonit, i cili nga Afrika dëshiron të jetë i pranishëm për të kujtuar pararendësin e tij që ndërroi jetë “në zemër të dritës së Pashkëve”, duke përfunduar udhëtimin tokësor “në atë gëzim të Ungjillit” që frymëzoi një nga nxitjet e tij apostolike më të rëndësishme, Evangelii gaudium. “Vdekja nuk është një mur, por një derë që hapet drejt Mëshirës që Papa Françesku e ka shpallur pa u lodhur”.

Nxënës-misionar

“Ka qenë pasardhës i Pjetrit dhe bari i Kishës universale – thekson Papa – në një kohë ndryshimi epokal, për të cilin ai ishte plotësisht i vetëdijshëm, duke na dhënë një dëshmi të guximshme që mbetet një trashëgimi e çmuar për Kishën”. Magjisteri i tij u jetua si “nxënës-misionar”, siç i pëlqente ta quante vetë.

I aftë të prekë zemrat

Nxënës deri në fund, sepse “besnik ndaj Pagëzimit dhe ndaj shërbimit ipeshkvor”; misionar që shpalli Ungjillin e mëshirës “për të gjithë, të gjithë, të gjithë”. Frytet e dëshmisë së tij baritore prekën zemrat e shumë njerëzve, deri në skajet e tokës, edhe falë udhëtimeve apostolike dhe veçanërisht atij “udhëtimi” të fundit që ishte sëmundja dhe vdekja e tij.

Ungjilli dhe gjuha e re

Papa Leoni nënvizon se Françesku ka marrë trashëgiminë e Koncili II i Vatikanit, duke e shtyrë Kishën drejt misionit dhe duke e ftuar të jetë “ruajtëse e shpresës së botës”, e pasionuar për shpalljen e Ungjillit që i jep çdo jete plotësi dhe lumturi. Ende tingëllojnë fjalët e tij: mëshirë, paqe, vëllazëri, “era e deleve”, “spital fushe”… Shprehje që e bëjnë më të kuptueshme Lajmin e Gëzueshëm me një gjuhë të re, por që shpall të njëjtin Ungjill të përhershëm.

Dashuria për Marinë

Në fund, Papa kujton përkushtimin e thellë të Françeskut ndaj Marisë: shtegtar në Romë përpara Salus Populi Romani dhe shtegtar në botë duke vizituar shumë shenjtërore mariane. Virgjëra Mari, Nëna e Kishës, na ndihmoftë të jemi në çdo rrethanë apostuj të palodhur të Birit të saj hyjnor dhe profetë të dashurisë së Tij mëshirëplotë.

Të ruajmë trashëgiminë

Pas leximit të mesazhit papnor, kardinali Re thekson se fjalët e Leonit janë “një ftesë e fuqishme për të ruajtur trashëgiminë shpirtërore të Papa Françeskut”: gëzimi i Ungjillit, mëshira (“Hyji nuk lodhet kurrë duke falur”), paqja, vëllazëria universale, afërsia baritore, ndërtimi i urave dhe jo i mureve.

Shpresa

Në lutjet përmendet edhe Papa Françesku, sidomos dëshmia e tij në shpalljen e Ungjillit dhe dashuria për më të vegjlit dhe të fundit. Kremtimi përfundoi me homazhin e kardinalëve pranë varrit të tij. Kryeprifti Makrickas bekon dhe kemon pllakën, duke kujtuar se “shpresa nuk zhgënjen” (Spes non confundit), si në titullin e Bullës së Jubileut./Radio Vatikani

Shpëndaje: