
Delegati Apostolik për Kosovë, Sh. T. Imzot Luigi Bianco, këto ditë po e viziton Ipeshkvin tonë. Pas vizitave tjera nëpër disa pjesë të vendit tonë, ai më 1 maj, në festën e Shën Jozefit Punëtor, pajtor i famullisë së Pjetërshanit, kryesoi meshën solemne në bashkërkemtim me ipeshkvin tonë, Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, me një numër meshtarësh dhe në prani të një numri të madh besimtarësh. Ai përcolli edhe përshëndetjen e Atit të Shenjtë, Papa Leoni XIV, për të gjithë Kishën tonë në Kosovë.
Në homelinë e tij, që na drejtoi, ftoi për dinjitetin e punës dhe të punëtoreve dhe u lut për paqe në botën e sotme. Më poshtë e japim homelinë e plotë të delegatit.
Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin,
në këtë kohë pashkvore gëzimi për ringjalljen e Krishtit, jam i lumtur me gëzim të kremtoj me ju dhe për ju Eukaristinë në kishën famullitare të Pjetershanit në kujtimin e Shën Jozefit Punëtor. Në vitin 1955 Papa Piu XII themeloi festën e Shën Jozefit punëtor për t’u dhënë një mbrojtës punëtorëve dhe një kuptim të krishterë festës së punës, një përvjetor i rëndësishëm civil në mbarë botën. Liturgjia kremton si solemnitet më 19 mars Shën Jozefin si bashkëshort i së lumes Virgjërës Mari.
Të gjithëve dëshiroj t’u drejtoj përshëndetjen time të përzemërt dhe, si përfaqësues i Tij në Kosovë, kam nderin dhe kënaqësinë të përcjell Bekimin Apostolik të Atit të Shenjtë Leoni XIV. Në mënyrë të veçantë dëshiroj të përshëndes Ipeshkvin e Prizren-Prishtinës, Shkëlqesia e Tij Imzot Dode Gjergji, famullitarin, meshtarët bashkëkremtues, rregulltarët, rregulltaret dhe të gjithë besimtarët.
Një aspekt i parë i kujtimit të sotëm e thekson Ungjilli që sapo dëgjuam. Nga bashkëqytetarët e tij të Nazaretit, Jezusi quhej biri i zdukthtarit. “A nuk është ky biri i zdukthtarit?” (Mt 13,55). Kështu kujtohet jeta e fshehur e Jezusit në Nazaret, fshat i Galilesë, gjatë 30 viteve, përpara se të fillonte shërbesën e tij publike. Është mjedisi në të cilin Jezusi, i lindur në Betlehem të Judesë, u rrit dhe u formua. Shkruan Shën Luka: “fëmija rritej dhe forcohej, i mbushur me urti, dhe hiri i Hyjit ishte mbi të” (Lk 2,40). Jezusi nuk u prit mirë nga bashkëqytetarët e tij në Nazaret, megjithëse populli çuditej për urtinë e tij dhe mrekullitë e tij, jo të zakonshme. Populli i Izraelit e priste Mesinë si një pasardhës të Davidit të fortë dhe të fuqishëm. Ndërsa Jezusi paraqitet i përulur dhe i butë, plot mëshirë, pranë të varfërve dhe mëkatarëve.
Leximi i parë (kapitulli 1 i Zanafillës, libri i parë i Biblës) paraqet rrëfimin e krijimit të njeriut nga ana e Hyjit, i krijuar në shëmbëlltyrën dhe përngjasimin e Tij. “Hyji e krijoi njeriun në shëmbëlltyrën e vet; në shëmbëlltyrën e Hyjit: i krijoi mashkull e femër” (Zan 1,27). Shëmbëlltyra e Hyjit do të thotë se njeriu është i pajisur me mendje dhe vullnet dhe mund të hyjë në mënyrë aktive në marrëdhënie me Hyjin. “Hyji pa gjithçka që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë e mirë” (Zan 1,31). Për të gjitha krijesat e tjera, drita, ujërat, kafshët, thuhet “Hyji pa se ishte gjë e mirë” (Zan 1,3; 1,18; 1,24).
Puna njerëzore vazhdon veprën e krijimit. Puna është pjesë e dinjitetit njerëzor, i lejon personit të realizojë vetveten dhe, në të njëjtën kohë, të japë kontributin e vet për familjen njerëzore. Në vitin 1981 Papa Shën Gjon Pali II i kushtoi një enciklikë punës njerëzore në 90-vjetorin e Rerum Novarum të Papa Leonit XIII. “Njeriu, nëpërmjet punës, duhet të sigurojë bukën e përditshme dhe të kontribuojë në përparimin e vazhdueshëm të shkencave dhe të teknikës, dhe sidomos në ngritjen e pandërprerë kulturore dhe morale të shoqërisë, në të cilën jeton në bashkësi me vëllezërit e vet. Dhe me fjalën punë tregohet çdo vepër e kryer nga njeriu, pavarësisht nga karakteristikat dhe rrethanat e saj, domethënë çdo veprimtari njerëzore që mund dhe duhet të njihet si punë në mes të gjithë pasurisë së veprimeve, për të cilat njeriu është i aftë dhe për të cilat është i prirur nga vetë natyra e tij, në fuqi të njerëzimit të tij” (nr. 1). “Kisha është e bindur se puna përbën një dimension themelor të ekzistencës së njeriut mbi tokë” (nr. 4). Kështu kuptohet rëndësia që doktrina shoqërore e Kishës i jep punës dhe dinjitetit të saj dhe se mungesa e punës, sidomos ndër të rinjtë, përbën një problem të rëndë shoqëror. Festa e punës që sot kremtohet në mbarë botën qoftë një nxitje për të ripërtërirë angazhimin për një punë dinjitoze kudo dhe për të gjithë.
Leximi i dytë, letra e Shën Palit drejtuar Kolosianëve, Apostulli që ndodhet në burg në Romë, nxit të zbatohen rregullat e përgjithshme të jetës së krishterë. Shën Pali fton të kapërcehet një logjikë thjesht njerëzore dhe tokësore dhe të bëhet gjithçka për Zotin dhe të pritet prej Tij shpërblimi: “Çfarëdo që bëni, me fjalë apo me vepra, gjithçka le të bëhet në emër të Zotit Jezus, duke falënderuar nëpërmjet tij Hyjin Atë. Çfarëdo që bëni, bëjeni me gjithë zemër, si për Zotin e jo për njerëzit, duke ditur se prej Zotit do të merrni si shpërblim trashëgiminë” (Kol 3,17; 23-24).
Ndërmjetësimit dhe mbrojtjes së Shën Jozefit Punëtor ia besojmë punëtorët e mbarë botës, në mënyrë të veçantë ata që janë në vështirësi. Sot fillon muaji i majit kushtuar Nënës së Hyjit. Në këto kohë të vështira i lutemi Zojës së Bekuar për dhuratën e paqes për vendet që vuajnë nga lufta. Shën Jozefit ia besojmë të gjithë anëtarët e kësaj bashkësie famullitare, e cila sot kremton pajtorin e vet dhe që na mirëpret. Amen.

Postimi i Mëparshëm
