Frat Dario BUCCIARELLI, arqipeshkëv i Shkupit, (1864-1878)

Frat  Dario Bucciarelli  lindi në vitin 1827, në Castelpanio (Castroplano, [latinisht]),  në Itali.[1] Qysh i ri hyri në rendin e françeskanëve observues, ku studioi dhe u formua për teologji. Në vitin1860,  në moshën 33 vjeçare, u emërua  ipeshkëv i Pultit.[2] Bucciarelli qëndroi në shërbim të ipeshkvisë së dioqezës së Pultit deri në vitin 1864, kur Dom Pal Berisha u emërua ipeshkëv.

 

Nga Don Frok Zefi

 

  1. Ipeshkëv i Pultit

Si ipeshkëv i Pultit, atë Dario Bucciarelli banonte në famullinë ‘Gjovani’ (famulli e njohur me këtë emër). Kur u emërua arqipeshkëv i Shkupit si dhe para se të largohej nga dioqeza e Pultit, ai shkroi një listë të sendeve që la pas si në kishë, ashtu edhe në rezidencën e ipeshkvit; përveç kësaj, përpiloi edhe një listë të librave që gjendeshin në bibliotekën e ipeshkvit. Në fund të listës së librave,  theksonte se atje gjendeshin edhe shumë libra, që ishin të lidhur me muzikën.

Pas kësaj, përgatiti edhe një listë të të gjitha objekteve metalike që gjendeshin në shtëpi. La pas një arkiv të mirëorganizuar, për vitet 1861 – 1864. Më tej shkroi edhe një listë për perdet dhe çarçafët që përdoreshin në rastet e ceremonive dhe të festave kishtare. Famullive në Toplanë, në Shalë dhe në Kira, u dha para në formë huaje, nga rezerva dioqezane për nevojat e tyre. Famullitë nga ana e tyre premtuan disa sende me vlerë, që do të shërbenin si garanci për kthimin e parave të huazuara. Kështu, famullia e Toplanës la peng një pistoletë argjendi, ndërsa famullia e Shalës la një jatagan (thikë, kamë) argjendi. Në inventar ishin shënuar edhe artikuj që ishin lënë pas ipeshkvit Dodmassei dhe ipeshkëv Vuiçiqit. Në një notë të veçantë thuhej se, dritaret në kishë si dhe në rezidencë, ishin prej qelqi. Në arkën e dioqezës së Pultit la gjithsej 16.172 piastra. Tërë kjo pronë (pasuri), në fund  u nënshkrua nga ipeshkëvi  i ri i Pultit, Pal Berisha, si dhe nga arqipeshkvi i ri i Shkupit, atë Dario Bucciarelli, më 08 gusht, të vitit 1864.[3]

 

  1. Arqipeshkëv i Shkupit

Frat Dario Bucciarelli u emërua arqipeshkëv i Shkupit, më 06 qershor,  të vitit 1864.[4]  Me një letër të datës 21 korrik, të vitit 1864, Bucciarelli falënderonte kardinalin superior të Kongregatës për Përhapjen e Fesë për emërimin e tij si arqipeshkëv i Shkupit, (për të cilin kardinali e njoftoi më 13 qershor po të atij viti.) Me anë të një letre, kardinali e njoftonte  se do t’a merrte dekretin papnor të emërimit si dhe kompetencat e nevojshme, nëpërmjet arqipeshkvit të Barit, Karl Pooten.

Më 13 korrik, arqipeshkëvi Dario Bucciarelli mori dekretin dhe pushtetin. Tani ai iu lut kardinalit që të ndërmjetësonte për të marrë paliumin (mantelin) e arqipeshkvit si dhe për të marrë një falje të plotë për besimtarët, që do të aplikohej me rastin e vizitës së tij të parë kanonike në arqipeshkvinë e Shkupit. Përveç kësaj, kërkonte  leje që me atë rast të ndante bekimin papnor dhe të jepte lirimin nga fushata ad limin për shkak të “kohëve kritike dhe të rrethanave  financiare kritike për arqipeshkvinë.”  Së fundi, kërkoi që letra e tij e falënderimit, t’i bashkëngjitej letrës të tij, dhe t’i jepej papës. Ndërkohë ai premtonte se do të përpiqej që të udhëtonte sa më shpejt për në Prizren, në arqipeshkvinë e tij të Shkupit.[5]

Pas pranim – dorëzimit të dioqezës së Pultit, arqipeshkëvi udhëtoi për në Shkodër, nga ku  më 19 gusht, të vitit 1864 i raportonte kardinalit superior se më 01 gusht, ipeshkvi i Pultit, Pal Berisha erdhi në dioqezën e tij, dhe se më 8 gusht kreu edhe pranim – dorëzimin e dioqezës së Pultit, e më pas, më 9 gusht Bucciarelli udhëtoi për në Shkodër, ku po priste për vendimin  e sulltanit. Ai vendim  erdhi me telegramin e datës 17 gusht. Bucciarelli do të nisej për në Prizren më 29 gusht, për  të arritur  atje më 1 shtator 1864.[6]

Pas arritjes në Prizren më 20 shtator 1864, arqipeshkvi i shkroi kardinalit superior se do të duhej të qëndronte në Shkodër për të marrë vendimin, kështu që arriti në rezidencën e tij në Prizren më 1 shtator 1864, pas tre ditë e gjysmë udhëtim. Ndihmën që mori përmes arqipeshkvit të Tivarit Karl Pooten(s), e shpenzoi për udhëtimin e tij. Tani do t’i nevojitej një ndihmë e jashtëzakonshme për të rregulluar sadopak shtëpinë si dhe për të jetuar. Frati Marian da Palmanova, i kishte shkruar tashmë se, arqipeshkvisë së Shkupit i duheshin të paktën edhe dy misionar të tjerë, sepse populli po islamizohej për shkak të mungesës së priftërinjve. Ai kërkoi gjithashtu edhe dispensë për një martesë. Rrobat e arqipeshkvit të ndjerë Bogdanoviq(it) duhej që të shiteshin,  sepse priftërinjtë për arsye shëndetësore, nuk donin që t’i merrnin. Arqipeshkvi më tej shkruante për gjendjen sesi e gjeti thesarin kur erdhi  në arqipeshkëvi, si dhe për dom Ivan Bogdanoviqin, i cili nuk po hiqte dorë nga dëshira për të qenë trashëgimtar i vëllait të tij të ndjerë, arqipeshkvit Urban Bogdanoviq, administrator apostolik i arqipeshkvisë së Shkupit.[7]

Më 20 shkurt, të vitit 1865, arqipeshkëv Dario Bucciarelli i shkroi kardinalit superior se i kishte marrë letrat e tij të 26 nëntorit të vitit të kaluar, si dhe të 18 janarit, të vitit 1865. Letra e parë  ishte vonuar sepse nuk ishte shkruar në adresën, ‘Tivar, Shkodër, [në] Shqipëri.’ Ai gjithashtu, jepte falënderime  për kompetencat e marra, dhe që i ishin dhënë nga penitenciaria (pendesshmëria).

Arqipeshkvi  iu përgjigj pyetjeve të parashtruara në letrën e 18 janarit, si më poshtë:

“Nga Karl Pooten,  arqipeshkëv  i Tivarit, mora 505 franga për përfundimin e kishës në Zym, si dhe 101 franga për dom Mark Sopin, të cilit ia dorëzova menjëherë.”

Ai i shkroi prefektit françeskan,  fratit Ludovik da Sasso se  kishte marrë para për kishën në Zym, por se kishte vendosur që t’i  mbante paratë me vete deri në pranverë, sepse për shkak të dimrit ato nuk mund të përdoreshin. Me atë rast, frati Ludovik i shkroi arqipeshkëvit se kishte borxh 200 piastra për lëndë druri, dhe më shumë se 100 piastra për gozhdë. Më pas, arqipeshkvi i dha atij shumat që i duheshin për të shlyer borxhin, ndërsa pjesën tjetër e  mbajti në depozitë deri në pranverë, kohë kur kishte planifikuar që t’i jepte të gjitha paratë për përfundimin e kishës së lartpërmendur. Më tej, arqipeshkvi shkruante se,  atë Ludoviku kishte marrë para edhe për 50 kërkesa për  meshë të veçanta; dhe se  nuk dëshironte  që t’i kryente ato meshë,  deri kur të merrte nga Roma 200 piastra, të cilat i kishte shpenzuar për lëndë druri dhe për gozhdë. “Megjithatë, nuk duhet të habitemi nga veprimi apo nga sjellja e prefektit, frat Ludovikut, pasi  me sa duket as prindërit, e  as edukatorët nuk e kanë edukuar mirë,” shkruante midis të tjerash arqipeshkvi.

Paratë e marra nga Lioni, të cilat i dërgoheshin arqipeshkvit të ndjerë Bogdanoviqit, u ndanë në mënyrë që çdo prift të merrte 500 piastra. Gjithsej ishin 5.500 piastra për njëmbëdhjetë priftërinj, që në franga llogariteshin të ishin rreth 1. 250. Ky zakon i dhënies së parave priftërinjve, nisi të zbatohej pasi Kongregata kishte ndaluar dhënien e një fondi vjetor për mbështetjen e tyre personale. Një vit më parë,  ata nuk kishin marrë asgjë nga askush, kështu që administratori,  atë Marian de Palmanova, krijoi mundësinë që  t’ju  ndante disa shuma të caktuara si vijon:  dom Filip Cacciit, [vetëm 100 piastra]; dom Jozef Bogdanit, [100 pjastra];  dom Mark Sopit,  [300]; ipeshkvit  që shërbente në atë kohë,  dom Pal Berishës, [500]; dom Tomë Ivanoviqit, [100]; dom Pjetër Dodiqit, [100]; ndërsa dom Filip Faccit dhe françeskanëve nuk i’u dha asgjë. Shuma e përgjithshme e gjetur pas vdekjes së arqipeshkëv Bogdanoviqit,  nga paratë e ardhura nga Lioni, ishte 1.150 piastra.

Arqipeshkvi i bashkëngjiti kësaj letre edhe një vërtetim të datës,  9 tetor 1864, nga e cila kuptohet se prefekti françeskan, frati Ludovik da Sasso kishte marrë nga arqipeshkvi gjithsej 300 piastra, përkatësisht:  100 piastra për pagesën e gozhdëve dhe 200 piastra, si pagesë për materialet e blera për riparimin e  kulmit  të  kishës famullitare në Zym[8]

Më 12 prill, të vitit 1865,  u mbajt kuvendi i përgjithshëm i klerit dioqezan dhe rregulltar për  arqipeshkvinë  e  Shkupit,  nën udhëheqjen e arqipeshkëv Dario Bucciarelli(t). Në atë kuvend u morën vendime mbi jetën fetare dhe mbi praktikën priftërore,  të cilat  duhej të zbatoheshin nga të gjithë priftërinjtë. Këto vendime u plotësuan më tej në vitet 1867, 1868 dhe 1869,  për t’u shtypur  më vonë (në vitin 1872), në Dubrovnik,  në shtypshkronjën e Karl Pretner.[9]/drita.info

 

Fotografia në ballinë: Pikturë e Imzot Dario Bucciarelli në Rezidencën e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë, në Prishtinë

 

—————————-

[1] ASCPF, SC, SERVIA, vol. 5, f. 259r.

[2] Gaspër GJINI, Skopsko – prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, (1986), f. 192.

[3] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 177r – 180.

[4] Gaspër GJINI,  Skopsko prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, (1986), f. 192.

[5] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 166rv.

[6] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 168r.

[7] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 176rv, 182.

[8] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 202.

[9]ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 618, (teksti i botuar  ka gjithsej 16 faqe).

Shpëndaje: