Duke qenë se jemi në prag të festës së Krishtlindjes dhe pasi për vjet bëhen pyetjet rreth historisë së Krishtlindjes, datës së lindjes së Krishtit, traditave e shumëçka tjetër që lidhet me këtë festë, atëherë kemi vendosur të japim një historik përmbledhës, për të shmangur disa të dhëna të gabuara që shpesh gjenden online, e jo vetëm, të cilat japin shumë pasaktësi e informacione të gabuara për lexuesin e interesuar. Revista jonë ka zgjedhur të përkthej një tekst nga web faqja katolike italiane chiesacattolica.it, e njohur për të dhëna të besueshme dhe e përshtatshme për botën e sotme. Shkrimi aty-këtu është plotësuar me të dhëna nga redaksia jonë për lexuesin tonë shqiptarë.
Nga Vitaliano Mattioli
A ka lindur Jezusi me të vërtetë më 25 dhjetor? Është njëra ndër pyetjet që ngrihët gjithnjë edhe në ditët tona, e ajo bëhet edhe më me intensitet në prag të festës së Krishtlindjes, kur krishterimi feston ditëlindjen e Jezu Krishtit.
Të bëjmë një shtegtim historik rreth kësaj pyetje e të gjejmë përgjigje për të dhuruar një histori magjepse të Kërshëndellave.
Sipas Hipolitit të Romës, Jezusi lindi më 25 dhjetor[1]. Përtej kësaj sigurie, që ky autor i madh i Kishës së hershme e jep në veprën e tij, sot nuk nënkuptojmë që “ditëlindja” e Jezusit festohet pikërisht në këtë ditë. Shëlbuesi sigurisht ka lindur në një ditë, për të cilën ditë saktësisht nuk jemi krejt të sigurt. Por, Kisha ka gjetur një ditë “simbolike dhe domethënëse” për të festuar lindjen e tij, që është krejt e përafërt, të cilën do ta shpalosim më poshtë duke e mbështetur në të dhëna biblike dhe historike.
Në shekujt e parë, deri pas Ediktit të Milanos i vitit 313, kur Kisha ende nuk e gëzonte një liri të plotë të kultit dhe nuk mund të organizohej lirshëm, data ende nuk ishte e njëjtë për të gjitha vendet e krishtera: në lindje disa e kremtonin festën e Krishtlindjes me 20 maj, të tjerët me 20 prill; e disa të tjerë akoma më 17 nëntor. Në perëndim, në disa vende, kremtohej më 28 mars, kurse në regjione tjera tashmë ishte e caktuar dita e 25 dhjetorit.
Në shek. IV arrihet një pajtueshmëri rreth kësaj date, duke e përqendruar në këtë mënyrë vëmendjen në njëmendësinë njerëzore të Krishtit: përpos të qenit Hyji i vërtetë, ai është njeri i vërtetë, si gjithë tjerët. Për këtë arsye i festohet e dita e lindjes – ditëlindja.
Në vitin 336 qe shkruar ‘Depositio Maryrum’, një tentativë e parë e kalendarit liturgjik, në të cilin thuhet qartësisht se në Romë festa e Krishtlindjes kremtohet më 25 dhjetor. I njëjti lajm gjendet në Kronografinë e vitit 354 (Chronographus anni CCCLIIII. Ferialae Ecclesiae Romanae) ku shkruhet “VIII Kal. Ian. (Die Octavo ante Kalendas Ianuarias) natus Christus in Betleem Iudeae”, d.m.th. 25 dhjetor. Një tjetër konfirmim i datimit në Romë na jep një fjalim i Papa Liberi (352-366), mbajtur në Shën Pjetër në vitin 353. Kjo datë romake u miratua edhe nga dioqeza të tjera, si Milano, fal veprës së ipeshkvit të këtij qyteti, Shën Ambrozit. Kurse afirmimi i kësaj feste i detyrohet shumë veprës së Papës Shën Leonit të Madh (440-461).
Megjithatë, në Lindje, për të përkujtuar lindjen e Shëlbuesit, mbizotëroi 6 janari, dita e Epifanisë (shq. Dëftimi i Zotit), në të cilën kremtohet dëftimi i Krishtit si Hyj për mbarë botën, që përfaqësohet nga adhurimi i dijetarëve të ardhur nga Lindja. Kisha Lindore donte të theksonte faktin se ai fëmijë është Hyj. Kjo datë e dyfishtë është ruajtur edhe sot e kësaj dite.
Nevoja për të kremtuar festën e lindjes së Shëlbuesit është zhvilluar me kalimin e kohës, siç ka ndodhur me festat e tjera, për të forcuar besimin autentik në misterin e mishërimit. Në shekujt IV dhe V, lindën herezi të mëdha që mohonin ose hyjninë e Krishtit ose njerëzimin e tij. Për këtë arsye janë mbajtur katër koncile ekumenike për të mbrojtur dhe sqaruar doktrinën e vërtetë mbi Fjalën e Mishëruar: Koncili i Nikesë (325), Koncili i Konstandinopojës I (381), Koncili i Efesit (431) dhe Koncili i Kalcedonit (451).
Por pse pikërisht data 25 dhjetor?
Lidhur me zgjedhjen e kësaj dite ka disa hipoteza. Ato kryesore janë dy.
E para i ka gjurmët në zakonin e kristianizimit të një feste pagane. Në fakt, në atë ditë, që përkon me solsticin e dimrit, në Perandorinë Romake kremtohej festa e Sol Invictus, dielli që rilind përsëri, për nder të hyjnisë Mitra, fituese mbi errësirën. Për të kremtuar këtë hyjni, perandori Aurelian ndërtoi një tempull madhështor në vitin 274, inaugurimi i të cilit u bë më 25 dhjetor.
Duhet theksuar se romakët, sipas njohurive astronomike të kohës, besonin se solstici dimëror binte më 25 dhjetor, dhe jo më 21 siç dihet sot pas studimeve më të sakta. Jeta atëherë bazohej në dritën natyrale. Solstici dimëror i jep fund ditës më të shkurtër, me më pak dritë, dhe shënjon fillimin e periudhës së shkëlqimit më të madh me zgjatjen e ditëve, e për rrjedhojë të gjallërisë dhe gëzimit më të madh[2].
Të gjithë e dinë “paganitetin’ e këtyre festave. Kisha, në vend që t’i anatemonte ato, preferoi të kapte kuptimin e tyre simbolik dhe ta bartte atë te Krishti. Në rastin tonë Ai, Krishti është Dielli i vërtetë që vjen në këtë botë për të mposhtur errësirën.
Shkrimi i Shenjtë është shumë i qartë: “Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe; mbi banorët, që jetonin në krahinën e hijes së vdekjes zbardhi për ta drita.” (Isaia 9, 1); “Për ju do t’ju lindë dielli i drejtësisë” (Malakia 3, 20). Vetë Jezusi do t’i merr fjalët e Isaisë për t’i aplikuar në veten e tij (khs. Mateu 4, 16).
I njëjti koncept shprehet nga Zakaria në himnin e tij të njohur: “Në sajë të zemrës së dashur të Hyjit tonë, që do të na dërgojë prej qiellit Diellin, për shndritur ata që gjenden në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për t’i drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.” (Luka, 1, 78-79). Vetë Jezusi e identifikoi veten me dritën kur tha: “Unë jam drita e botës… Kush vjen pas meje nuk do të ecë në errësirë” (Gjoni 8, 12). Dielli i vërtetë për të cilin njeriu ka nevojë nuk është Mitra apo hyjnitë e tjera, por Krishti, i vetmi Zot e njeri, Shëlbues.
Ky besim ishte i rrënjosur thellë te të krishterët e hershëm. Ata ndjenin nevojën që këtë besim të tyre ta shfaqnin edhe në arte figurative. Kanë mbijetuar disa afreske dhe mozaikë që e krahasojnë Krishtin me diellin. Një shembull për të gjithë gjendet në nekropolin e Vatikanit, ku në mozaikun në tavanin e mauzoleut M, i krijuar midis viteve 150-180, i zbuluar tashmë gjatë një kontakti të rastësishëm me Nekropolin në vitin 1574, por i liruar nga rrënojat dhe i dukshëm vetëm gjatë gërmimeve të vitit 1941, kemi përshkrimin e Krishtit-Diell që ngjitet në qiell mbi një karrocë kuajsh të bardhë mes një lëmshi të harlisur degësh hardhie.[3]
Hipoteza e dytë beson, në lidhje me studimet mbi kalendarët, se 25 dhjetori ishte dita e lindjes së Jezusit.
Hulumtimi nis nga përshkrimi i sakrificës së priftit Zakari, i ati i Gjon Pagëzuesit, me ndihmën e kalendarit të bashkësisë së Essenëve të Kumranit. Ungjilltari na tregon se Zakaria ishte një prift i rendit të Abisë. Derisa ai po kryente shërbesën e tij priftërore në tempull ju duk engjëlli Gabriel e ja dha lajmin e lindjes së të birit (khs. Luka 1, 5-13).
Sipas kalendarit diellor të kumranit, ndërrimet për shërbesën në tempullin e familjes së Abisë bëheshin dy herë në vit: nga data 8 deri më 14 e muajit të 3-të dhe nga data 24 në 30 e muajit të 8-të. Tradita lindore, e cila daton lindjen e Gjonit në 24 qershor, e vendos datën e shërbesës në tempull të Zakarisë në turnin e dytë: 24-30 të muajit të 8-të. Nga ana tjetër, Luka e daton lajmërimin e engjëllit Virgjërës Maria në muajin e 6-të pas ngjizjes së Gjonit (Luka 1, 26). Liturgjitë lindore dhe perëndimore bien dakord për përcaktimin e kësaj date me 31 të muajit Adar, që korrespondon me 25 marsin tonë. Në fakt, në këtë datë Kisha ende feston lajmërimin e engjëllit dhe ngjizjen e Jezusit, për rrjedhojë data e lindjes duhej caktuar 9 muaj më vonë, pikërisht më 25 dhjetor.[4]
Për sa i përket vitit, problemi është më i ndërlikuar.
Si përcaktohet kjo saktësisht?
Kemi dy ngjarje si pika referimi: vdekja e Herodit të Madh dhe regjistrimi i Kuirinit.
Fillimisht, datimi historik bazohej në datën e supozuar të themelimit të Romës. Quhej ‘viti zero’. Për këtë arsye përdorej gjithnjë me shtesën: Ab Urbe Condida (a. U. c., që nga themelimi i Romës).
Murgu skit Dionisi i Vogël (i quajtur kështu për përulësinë e tij, i cili vdiq në vitin 526 pas Krishtit) e mendoi ta lidhte llogaritjen e viteve me lindjen e Krishtit, duke dalluar kështu kronologjinë në dy periudha të mëdha: Ante Christum Natum (a. C. n. para lindjes së Krishtit – par. K.) dhe Post Christum Natum (p. C. n., pas lindjes së Krishtit – pas. K.).
Me këtë numërim të ri, themelimi i Romës do të kishte ndodhur në vitin 754 para Krishtit, ndërsa Krishti do të kishte lindur në vitin zero, pra 754 vjet pas themelimit të Romës. Megjithatë, ky murg i ditur ishte gabim në llogaritjet e tij për disa vite.
Pika e fillimit është siguria e datës së vdekjes së Herodit, që është viti 750 nga themelimi i Romës, i cili korrespondon me v. 4 para Krishtit, dhe pikërisht midis 13 marsit dhe 11 prillit.[5]
Lindja e Jezusit sigurisht ka ndodhur para kësaj vdekjeje, pasi Herodi ishte ai që donte të vriste Jezusin fëmijë. Prandaj është e pamundur që Jezusi të ketë lindur në vitin zero, por disa vite më parë. Kur saktësisht? Në 6, 5, 4 para Krishtit?
Elementi tjetër që na vjen në ndihmë është regjistrimi i Kuirinit.
Fillimisht le të lexojmë tekstin ungjillor që flet për të: “Në atë kohë Cezari August dha urdhër të bëhej regjistrimi i popullsisë së mbarë botës. Ky ishte regjistrimi i parë, kur Kuirini ishte qeveritari i Sirisë. Të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet. Kështu edhe Jozefi, pasi ishte prej shtëpisë dhe prej fisit të Davidit, u ngjit, prej qytetit të Nazaretit të Galilesë, në Jude, në qytetin e Davidit që quhet Betlehem, për t’u regjistruar bashkë me Marinë, fatin e vet, që ishte shtatzënë. Tashti, ndërsa ata po gjendeshin atje, i erdhi koha të lindë. Ajo lindi djalin e vet ‑ të parëlindurin, e mbështolli në shpërgënj dhe e vendosi në grazhd, sepse në bujtinë nuk pati vend për ta.” (Luka 2, 1-7).
Në vitin 63 para Krishtit me pushtimin e Jerusalemit nga Pompeu, Palestina u bë provincë romake. Për këtë arsye aty konstatohet prania e autoriteteve romake. Senatori Publio Sulpici Kuirini (vdiq më 21 pas Krishtit) ishte guvernator i Sirisë për herë të parë nga viti 12-8 para Krishtit, dhe një mandat të dytë në vitin 6-7 pas Krishtit. Në këtë mandat të dytë ai bëri një regjistrim të ri, i cili sigurisht nuk është ai që përmend Luka, pasi Jezusi ishte rreth 11 vjeç në atë kohë. Për më tepër, vetë Luka i referohet këtij regjistrimi në një situatë të ndryshme historike në veprën e tij tjetër: Veprat e Apostujve (5, 37).
Duke e hedhur poshtë këtë të dytën, ne duhet të shohim datimin e të parit, atë që nxiti udhëtimin e Marisë dhe Jozefit për në Betlehem ku lindi Jezusi.
Mandati i parë i Kuirinit përfundoi në vitin 8-të para Krishtit. Ai u pasua nga Sencio Saturnini. Ungjilltari Luka ishte mjek, skrupuloz dhe i saktë në lajmet që raportonte. Kjo mund të shihet nga fjalët e tij në fillim të Ungjillit që ai ia dërgon Teofilit: “Pasi shumë vetë ndërmorën të rendisin tregimin mbi ngjarjet që ndodhën në mesin tonë ‑ ashtu siç na i lanë ata që i panë me sytë e vet që në fillim dhe u bënë mbarështues të Fjalës ‑ e, pasi i shqyrtova hollësisht të gjitha që prej fillimit, vendosa t’i shkruaj për ty, i përndritshmi Teofil, të gjitha me radhë.” (Luka, 1, 1-3).
Luka ia atribuon regjistrimin e parë Kuirinit. Skrupuloziteti i tij inkurajon besueshmërinë.
Megjithatë, një shkrimtar i krishterë romak, Tertuliani, një jurist dhe shumë i saktë, të njëjtin regjistrim në Jude ia atribuon Saturninit.[6] Tertuliani nuk varet nga Luka, por informacionin e nxjerr nga dokumentet e Perandorisë Romake. Dy mendje historike të besueshme, që na sjellin lajme të ndryshme për të njëjtën temë.
Nëse në shikim të parë shfaqen kontrastet, ndryshimi është ndoshta vetëm në dukje. Kështu Ricciotti përpiqet të harmonizojë dy mendimet: në fund të mandatit të tij, në vitin 8 para Krishtit, Kuirini “e thirri regjistrimin, i cili, pikërisht sepse së pari hasi vështirësi në Jude, zgjati aq shumë sa u përfundua nga pasardhësi i tij Sencio Saturnini. Ndër hebrenj, të cilëve u kishte lënë shumë përshtypje ky regjistrim i parë, ai hyri në histori me emrin i Kuirinit, që e kishte inicuar atë, dhe Luka ndjek këtë emërtim hebre; midis romakëve i njëjti regjistrim u emërua me emrin Saturnini, i cili e kishte përfunduar dhe Tertuliani ndjek këtë emërtim romak. Mund të ndodhë gjithashtu që Saturnini të ishte, që në fillim, bashkëpunëtor vartës i Kuirinit në ekzekutimin e regjistrimit.”[7]
Në këtë mënyrë, lindja e Jezusit do të përkonte me periudhën e regjistrimit të parë për të cilin flet Luka në Ungjillin e tij, si rrjedhim i sjellë në vitin Zero, në 747 të Romës (= 7 vjet para lindjes së Krishtit) ose në 748 të Romës ( = 6 vjet para lindjes së Krishtit).[8]
Prandaj kemi dy data për të vendosur lindjen e Jezusit: regjistrimin e Kuirinit dhe vdekjen e Herodit. Lindja nuk mund të kishte ndodhur pas vitit 750 të themelimit të Romës, por të paktën një vit e gjysmë përpara, pra rreth vitit 748, intervali midis lindjes së Jezusit dhe vdekjes së Herodit; data tjetër është misioni i Kuirinit në Siri: lindja nuk mund të kishte ndodhur para vitit 746 të themelimit të Romës (= 8 para Krishtit). Pra, dy datat janë: midis 746 dhe 750 para Krishtit. (d.m.th. midis viteve 8 dhe 4 para Krishtit; me sa duket siç thamë midis viteve 7 ose 6 para Krishtit).
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ekziston një pajtim i plotë midis studiuesve.[9]
Për të përfunduar për datimin e vitit: “Sot, megjithatë, duke marrë parasysh të gjitha burimet në dispozicion, ne jemi të prirur të rregullojmë lindjen e Jezusit midis viteve 7 dhe 4 para Krishtit.”[10]
Jam ndalur paksa më shumë te datimi, sepse është e rëndësishme ta konsiderojmë Krishtin edhe në dimensionin e tij njerëzor dhe të vendosim ekzistencën e tij tokësore në kohë.
Megjithatë, nuk është thelbësore të dihet nëse Jezusi ka lindur një vit më parë apo më vonë, apo në atë ditë të caktuar dhe jo në një tjetër. E rëndësishme është që Ai ka lind.
Përpjekja e Dionisit të Vogël është gjithashtu magjepsëse, për ta vendosur Krishtin në qendër të historisë kozmike, duke e klasifikuar të njëjtën kohë në dy epoka të mëdha: para lindjes së Krishtit dhe pas lindjes. Ai është me të vërtetë vija ndarëse e historisë njerëzore, pika e referencës, Alfa dhe Omega./drita.info
Burimi: 2. La datazione del Natale (culturacattolica.it)
Përkthimi: Rev. “Drita”
——————————————————————–
[1] Hipoliti i Romës, Komenti i Danielit, i shkruar rreth vitit 204, në 4.23.3, e gjejmë të shkruar kështu: “Lidhur me Ardhjen e parë të Shpëtimtarit në trup, kur ai lindi në Betlehem, [duhet të dihet se ajo ndodhi] tetë ditë përpara kalendave të janarit (25 dhjetor), në ditën e katërt të javës (e enjte), kur Augusti kishte mbretëruar tashmë për dyzet e dy vjet (2 ose 3 para Krishtit). Pesë mijë e pesëqind vjet kishin kaluar nga koha e Adamit. Ai (Krishti) vuajti në moshën tridhjetë e tre vjeç, tetë ditë përpara kalendave të prillit (25 mars), në ditën e Përgatitjes, në vitin e pesëmbëdhjetë të Tiberi Cezarit (29 ose 30 pas Krishtit), së bashku me Rufusin, Rubelliusin, dhe kur Gai Cezari dhe Gai Celesti Saturnini ishin konsuj për herë të katërt.” Komenti është i përfshirë në Expositio patrum graecorum in psalmos, vol. 3, Anversa, anno 1646, f. 951.
[2] Për të analizuar mendimin e festës së Krishtlindjes nga ana e Dëshmitarëve të Jehovait, khs. Lorenzo Minuti, I Testimoni di Geova non hanno la Bibbia, a c. di Grottola Fortunato, Coletti, Roma 1992, f. 86-88.
[3] Khs. Michele Basso, Guida alla Necropoli Vaticana, Rev. Fabbrica di S. Pietro in Vaticano 1986, f. 54 s.; Margherita Guarducci, Pietro fondamento della Chiesa – Itinerario nei sotterranei della Basilica Vaticana, Rev. Fabbrica di S. Pietro in Vaticano, 1977, f. 21 ss. me foto.
[4] Khs. Antonio Ammassari, Alle origini del calendario natalizio, Euntes Docete, 1 (1992), f. 11-16.
[5] Khs. Giorgio Fedalto, Quando festeggiare il 2000?, San Paolo, Torino 1998, f. 46.
[6] Tertulliano, Contro Marcione, IV, 19.
[7] Giuseppe Ricciotti, La vita di Gesù Cristo, Poliglotta Vaticana, 1953, f. 200.
[8] Pierluigi Baima Bollone, Gli ultimi giorni di Gesù, Mondadori, Milano 1999, f. 134-139.
[9] Mbi këtë përfundim, Giorgio Fedaldo, në vep. cit.: Quando festeggiare il 2000?, f. 41-43 dhe 72, duket se është i mendimit tjetër.
[10] Ky është përfundimi i arritur nga Grande Enciclopedia illustrata della Bibbia, Piemme, Torino 1997, vëll. 1, f. 380.