Nga Frano Kulli
Ajo çfarë shkruante Ernest Koliqi për Ndre Mjedjen, fill mbasi Poeti mbylli sytë dhe do ta botonte në revistën “CIRKA” të Cuk Simonit, saktësisht 35 ditë më mbas, është, ndoshta portreti në pak radhë, më i ravijëzuari për Poetin vezullues të lirikës e letërsisë shqipe të traditës:
“Kur e shifshe, Dom Ndreu të paraqitej në gjasë të nji prifti katundi ndër mâ të lânunt. Shkurtalak edhe pak si i gërmuçun, verë e dimën mbërthye në nji pallto të randë të zezë të përlyeme përpara me pluhun burrnoti, me nji fytyrë kuqloshe në të cilën syt e vogjël zhdukeshin nën vetulla të denduna fije-trasha dhe goja nën shllungën e musteqeve të ngathët e vërdhukë: kështu të dilte para Poeti i njimbëdhetë rrokshave të Lissus e nuk të bânte asnji përshtypje zotsije të veçantë.
Për natyrë perbuzës i çdo reklami dhe i çdo esibicjonizmi, urrente lávdin dhe ndryhej ne nji pervujtní idhnake qi ishte mësim, qortim i naltë për të gjithë ne.
Nuk i rridhte aspak fjala, shprehjet i dilshin copa copa, i qitte prej goje me mundim. Ngatrrohej tue folë e, kur vèhej disi për fije në bisedë përdorte terminologji të thatë. Anmik në shkrim e në jetë i lajleve e i stërhollimeve, por jo i panjerezíshem, perkundrazi, tue e njoftë s’afermi ndihej në tê nji edukatë humaniste plot masë e plot mirsí të ndritun dhe shifeshin në tê sjellje të zgjedhuna qi dishmojshin qëndrimin e gjatë në rrethe të nalta të hueja.
Dom Ndreu duhej zbulue si njerí dhe si artist. Tue ndejun me tê, pikësëpari gjêjshe Dijetarin. Kush ndër Shqiptarë mund i krahasohej për kulturë organike ? Greqishten e vjetër dhe latinishten i dinte në themel. Qyshë në rini fitoi përjâshta konkurse me vjerrsha klasike.
Shetiti mbarë Europën njiherë si nxanës e ma vonë si Profesor. Banoi në Francë, në Spanjë, në Poloni, në Jugosllaví. Filozof i shquem, mrekullonte shokët me analyza të reja e me objekcijone të paprituna.”
Ernest Koliqi, “Cirka” nr. 28-29, Shkoder 5 shtatuer 1937
Kurse Fishta, pak mbas botimit të “Juvenilia”-s, në shkrimin me titull: “D. Ndre Mjedja: Juvenilja” të botuar në gazetën dygjuhëshe Posta e Shqypnis” “(Vjenë 1917) e shpërfaq kështu analizën e vet:
“Qe nji vepër poetike, me të cillen mund të thohet, se pernjimend asht stolisë gjuha e rritë pasunia e literaturës shqipe. Në ket veper gjuhën e gjen të paster, stilin e naltueshém, shembélltyrat të gjalla e plot njomësi e gjithmonë të arsyeshme. Aty ke nji prendverë lulesh e bilbilash, e nji natyrë të kérthnestë e plot jetë; e fillim e mbarim né ket veper zotnon nji melankoni e kandshme, e cilla edhe sendeve ma të vogla u jep nji interes e nji randësi të veçantë: sado qi kisha me thanë se kjo melankoni nuk rrjedh gjithmón prej zemres aq sa prej mendes s’autorit. Njimend, duket se kjo melankoni nisë njiherë prej mendes s’autorit, pershkohet neper rreze të filozofisë e të poezisë klasike, e mandej deperton neper fashóje të gjuhes shqipe: por jo aq e përmallshme, sa me t’u molisë zemra per çka auktori k’ndon mbi lirë të vet të tingëllueshme, me gjithëse bukurín e formës e rreh orë e çast edhe flladi i poezisë. Si prej shllimeve të zgjedhuna, si prej mjeshtris’ me të cillen janë ndertue vjershat e lidhë mendimet, shihet çeltas se autori, para se me e botue vepren e vet, e ka përshkue kushedi sa herë nen limë të mendes e të teknikës. Prandej kjo veper ka me qenë domosdo e nevojshme me u përdorue si tekst nder shkolla të Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheu ka me ia ditë per nder mundin qi ka hjekë në perpilim të k’saj vepre”.
At Gjergj Fishta (Posta e Shqypnís, 1917/ 20)
Dy fjalë për botimin e ri të Veprës së Mjedjes
Vepra e plotë letrare e Poetit Ndre Mjedja, përgatitur më së fundi në Tiranë, më 1988, nga studiuesi Rinush Idrizi, dhe në Kosovë më 1982 nga akademik Sabri Hamiti, përbëjnë dy botimet më gjithpërfshirëse të poetit. Ato vijnë mbas përmbledhjeve të pjesshme: “Vjersha dhe poema”, sjellë nga Llazar Siliqi, 1953, “Juvenilia dhe vepra të tjera”, nga Mark Gurakuqi ,1964, etj.
Ndërkaq “Juvenilia”, përmbledhja e parë dhe e vetme e Mjedës, qe botuar qysh në vitin 1917, në Vjenë, kur ai ishte 51 vjeç, në kulmin e pjekurisë së vet letrare.
Vepra e Mjedjes, ka qenë gjithnjë e pranishme në shkolla, që nga koha kur përgatitte vetë tekste leximesh. Edhe në periudhën e sundimit të komunizmit poezia e Mjedjes, si dhe botimet studimore e monografike rreth mjeshtrisë e artit të tij, kanë qenë përherë pjesë e historisë së letërsisë shqipe, si dhe objekt studimi i lëndës së letërsisë në shkolla andej e këndej kufirit ndërmjet shqiptarëve.
Këtë pozicion Mjedja e merr që herët mbas vlerësimit të një tjetri, kolos të letrave shqipe, At Gjergj Fishta, që kur botohet “Juvenilia”: ” Qe nji vepër poetike, me të cillen mund të thohet, se pernjimend asht stolisë gjuha e rritë pasunia e literaturës shqipe… – shkruan për të Fishta – Prandej kjo vepër ka me qenë domosdo e nevojshme me u përdorue si tekst nder shkolla të Shqipnisë. Autori mundet me qenë i sigurtë, se atdheu ka me ia ditë per nder mundin qi ka hjekë në përpilim të k’saj vepre.
Me këtë rast, dëshirojmë e synojmë që edhe ky botim t’i shërbejë sa të jetë e mundur përmirësimit të teksteve shkollore dhe pasurimit të bibliotekave si dhe enteve të tjera të leximit. Synimi ynë gjithashtu është që t’i sjellim lexuesit të apasionuar të Mjedjes veprën e tij të plotë, më origjinale se kurrë më parë, me bindjen se do të shërbejë edhe për thellimin e studimeve të veprës së tij.
Përreth Mjedjes dhe veprës së tij ka pasë analiza e studime të hollësishme në kohë e rrethana të ndryshme. Ne kemi zgjedhur për botimin tonë punimet e prof. Kolë Ashtës, që nisin që në vitin 1940, në revistën “XIV, Aprile”, dhe vijojnë deri në vitin 1942 me botimet në revistat “Shkëndija”, në Tiranë dhe në “Kumbona e së Diellës”, Shkoder.
Gjithashtu kemi parapëlqyer që, në vend të hyrjes të jetë një ese e shkurtë e Ernest Koliqit, e botuar pak më shumë se një muaj mbasi autori ndërron jetë.
* * *
Vepra letrare e Ndre Mjedjes, në këtë botim, i paraqitet lexuesit e strukturuar në dy vëllime. Vëllimi i parë përmban: “Juvenilia”, esenë e At Gjergj Fishtës “D. Ndre Mjedja, Juvenilja” , Vjersha të papërfshira në Juvenilia, Vjersha të mbetura në dorshkrim si dhe artikulli i tij shtjellues teorik: “Permbi poezi pergjithësisht ” .
Në vëllimin e dytë do gjeni poemat e papërfshira te “Juvenilia”: “Lissus”, “Scodra”, “Liria” ; Vjershat për fëmijë; Dymbëdhjetë letra të Ndre Mjedjes dërguar albanologut Gustav Meyer në vitet 1892-1893, si dhe Bibliografinë e veprave të Mjedjes.
E gjithë lënda poetike, por edhe shkrimet e tjera janë marrë nga botimet e para, më të hershmet, duke ruajtur origjinalitetin e tyre dhe, aty ku është parë e nevojëshme, është bërë edhe shpjegimi i fjalëve e shprehjeve me përdorim më të rrallë.
Janë sjellë, për herë të parë edhe strofa që, për shkak të rrethanave censuruese të kohës nuk gjinden në asnjërin prej botimeve të mëparëshme dhe ato shënohen në footnote respektive. Sikundërse është ruajtur forma Mjedja e mbiemrit të tij, duke marrë për shembull botimet e bëra në gjallje të autorit./drita.info